Mulla Bahtijar ef. Qafleshi


Mulla Bahtijar ef. Qafleshi - Delegati i Dragashit në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (1905-1979)



1. Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe delegatët e sajLidhja e Dytë Prizrenit pa dyshim ishte organizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevate tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo qe organizuar sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qe angazhuar deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët.(1)
Kjo organizatë themelet e saj i vuri në shtator 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Dragashi, Suhareka, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Jeni-Pazari, Zenica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës.(2)



Ndërtesa ku u mbajt Lidhja e Dytë e Prizrenit


Ajo u formua jo rastësisht në qytetin e Prizrenit, për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspirata fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan (Isa) Boletini dhe patriotët e shquar: Musa Shehzade, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda, Kemal Karahoda (Prizren) Sylejman Kryeziu, Hasan ef. Dashi, HalimSpahija e Tahir Zajmi (Gjakovë), Bejtullah Haxhiu (Rahovec), Nuredin ef. Haliti dhe Qazim Bllaca (Suharekë), Bahtiar ef. Qafleshi (Dragash), Haxhi Xheladini (Shkup), Nexhip Basha, Xhevat Begolli e Bedri Pejani (Pejë), Bajram Gashi (Istog), Sali Rama (Rugovë), Shemsi Ferri (Plavë), Rexhë (Metë) Ulaj (Vuthaj), Adem Kurtaga (Rozhajë), Muhamet Shaban Pasha e Jusuf Agushi (Prishtinë), Mehmet Devaja e avokat Esat Berisha (Gjilan), Asllan Boletini, Bedri Gjinaj, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Xhelal Mitrovica (Mitrovicë), Aqif Blyta (Jeni-Pazar), Hasan Zvezdiqi e Vehbi Hamzagaj (Senicë), Lutfi Spahija (Kolesjan), Bajram Haziri (Kolgecaj), Cafo Beg Ulqini (Ulqin) Rrustem Ymeri, Shahin Cami e Mentor Çoku (Ohër), Ahmet Luzha e Jahja Jusufi (Tetovë), Remzi Ra gipi (Gostivar), Jahja Fusha e Hysen ef. Statovci (Podujevë) dhe Masar Sopoti (Tiranë).
Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të organizatës me shtatë veta: Rexhep Mitrovica, kryetar, Musa Shehzade nënkryetar, Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca dhe Kol Margjini, anëtarë.(3)
Ky Kuvend miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të Organizatës. Kuvendi autorizoi po ashtu Xhafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punëne Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për Çështjen e Kosovës.(4)
Në Kuvendin Themelues, - i cili umbajt në shkollën fillore “Bajram Curri” të Prizrenit, në një atmosferë entuziaste dhe duke u përshëndetur nga një masë e madhe e banorëve të Prizrenit e të rrafshit të tij, të cilët ishin veshur solemnisht me kostume kombëtare, - u proklamua bashkimi i Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj, dhe u kërkua bashkimi me Shqipërinë edhe i Qarkut të Mitrovicës, që i takonte zonës gjermane të pushtimit. Me një fjalë, u vendos që të luftohej për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare, për bashkimin e trojeve shqiptare, zgjimin kulturor të kombit etj.(5)
Kuvendi i Dytë i Lidhjes u mbajt në janar 1944 dhe zgjeroi KQ të organizatës në 14 anëtarë, kurse Bedri Pejanin e zgjodhi kryetar, sepse Rexhep Mitrovica qe ngarkuar me formimin e qeverisë në Tiranë. Kuvendi i Tretë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit u mbajt në qershor 1944 dhe shkarkoi Bedri Pejanin nga detyra e kryetarit të Komitetit Qendror të organizatës dhe në vend të tij zgjodhi Xhafer Devën. Ky i fundit njëherësh ishte edhe minister i Brendshëm në Qeverinë e Tiranës. Aspiratat e Lidhjes së Dytë të Pri zrenit, me gjithë masat e egra që ushtroi pushteti i egër komunist jugosllav, nuk u shua kurrë. Përkundrazi, atdhetarët shqiptarë gjetën forca të vazhdonin luftën për çlirimin dhe bashkimin kombëtar prej ripushtimit të Kosovës më 1944 e deri në organizimin e Luftës Çlirimtare të viteve 1998-2001 në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

2. Jetëshkrim për Mulla Bahtijar ef. Qafleshin

Në mesin e këtyre burrave të shquartë kombit të cilët morën pjesë në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe në Asamblenë e Përgjithshme në Tiranë, sikurse u tha, ishte edhe përfaqësuesi nga Sharri (ish-Dragashi), Mulla Bahtijar ef. Qafleshi, për tëcilin, pakë shqiptarë të brezave të rinj, qoftë në Opojë nga vinte Mulla Bahtijari, qoftë më gjerë, dinë se kush ka qenë ky personalitet.



Mulla Bahtijar ef. Qafleshi


Kështu, sa herë që na ka ndodhur të dëgjojmë a të lexojmë për Lidhjen e Dytëtë Prizrenit dhe përfaqësuesit e saj, vëmendjen tonë posaçërisht e ka tërhequr emri i delegatit nga Sharri – Mulla Bahtijar ef. Qafëleshit. Por, me gjithë interesimin tonë të shtuar që të dinim më shumë për këtë personalitet tërëndësishëm të kësaj ane, nuk kemi arritur të gjenim ndonjë të dhënë sado tëvogël biografike, përveç disa të dhënave të zbehta gojore, herë-herë, të mjegulluara. Mirëpo, kohë më parë, ndërsa po hulumtonim në Arkivin e Kosovës në fondine Gjyqit të Qarkut të Prizrenit, kemi gjetur dosjen e Bahtijar Qafleshit, lënda penale nr. 48/53. Andaj, mbi bazën e këtyre dokumenteve dhe disa kujtimeve të pasardhësve(6) të Mulla Bahtijarit, për herë të pare po i japim disa të dhëna biografike, meshpresë se kështu do ta shlyejmë, deri në njëfarë mase, borxhin ndaj këtij nacionalisti shqiptar që punoi dhe u sakrifikua për Shqipërinë Etnike.
Vallë, kush ishte Mulla Bahtijar ef. Qafleshi (në disa dokumente Bahtijar Bahtijari), - delegati i Sharrit (ish-Dragashit) në Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe delegat në Asamblenë Kombëtare në Tiranë?
Mulla Bahtijar Qafleshi lindi më 23 mars 1905 në fshatin Bellobrad të Opojës nga babai Neziri dhe nëna Huma. Ai kishte mbaruar katër klasë të shkollësfillore, mejtepin në fshatin Brrut tek mulla Asllan ef. Selimi, kurse nga viti 1924-1928 kishte ndjekur mësimet në medresenë e Bresanës tek myderrizi i shquar Haxhi Rexhep ef. Ismaili.(7)
Babai i Bahtijarit, mulla Neziri,(8) kishte qenë imam për shumë vjet në fshatin Bellobrad dhe personalitet me ndikim në Opojë e rrethinë.
Pas vdekjes së t’et më 1938, mulla Bahtijar Qafleshi do të emërohej në vend të tij - imam, detyrë të cilën, me disa ndërprerje të vogla, do ta kryente deri më 1953, d.m.th. deri atëherë kur u arrestua nga UDB-ja.



I ati i Mulla Bahtijarit,Mulla Nezir ef. Qafleshi (1881-1938)


Në të vërtetë, Mulla Bahtijari, para vitit 1953 do të arrestohej edhe herë të tjera. Kështu pas një aksioni që kishte ndërmarrë pushteti i asaj kohe për arrestimin e personaliteteve më me ndikim në Opojë dhe në Gorë, në vitin 1947, do ta arrestonin mulla Bahtijarin, për shkak se i qenë gjetur një flamur kombëtar dhe një pistoletë, të cilat mulla Bahtijari i kishte blerë si kujtim gjatë kohës sa kishte qëndruar si delegat në Tiranë.(9)
Por, meqë kishin ndërhyrë bashkëvendësit dhe xhemati i tij, ai do të lirohej, për t’u arrestuar më vonë përsëri. Në atë kohë qe arrestuar edhe atdhetari i shquar nga Rapça e Gorës, mulla Sinan I. Sinani, sepse kishte kërkuar që të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe edhe në Gorë.
Mulla Sinani pas atij arrestimi më nuk qe kthyer kurrë. Kurse vëllai i mulla Bahtijarit, Hilmiu, qe vrarë mbi Kalanë e Prizrenit nga forcat komuniste.
Në vitin 1941 Opoja qe formuar komunë në vete dhe kryetar i parë i kësaj komune qe zgjedhur mulla Bahtijari, i cili më pastaj, meqë ishte mik dhe bashkëpunëtor i Reshat Kajragdiut të mirënjohur(10), që asokohe ishte prefekt i komunës së Dragashit, do të emërohej nënkryetar i komunës së Dragashit.
Gjatë kësaj kohe, mulla Bahtijari do të bashkëpunonte edhe me aktivistin tjetër Xhemil Cerën që kryente detyrën e nënprefektit të komunës së Dragashit.
Mulla Bahtijari më 1953 ishte akuzuar se gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte pushuar së propaganduari kundër pushtetit komunist, i cili sapo kishte filluar t’i ngulte kthetrat e tij në Kosovë. Dhe, vërtet ishte kështu, sepse mulla Bahtijari, duke qenë një atdhetar i dëshmuar, kudo që i jepej mu ndësia dhe rasti, i shfrytëzonte për të shpjeguar gjendjen reale në të cilën ndodhej Kosova, pavarësisht nga pasojat vetjake dhe familjare, të farefisnisë dhe të miqve të tij.
Natyrisht, një veprimtari e këtillë nuk kishte mbetur pa u hetuar nga pushteti komunist, i cili që më parë kishte themeluar një komision të rinjsh, të cilët do të shërbenin për ndjekjen dhe likuidimin e njerëzve me autoritet që ishin kundërshtarë të regjimit komunist.
Kështu këta pushtetarë, duke i ndërsyer disa lakenj të tyre, kishin mbledhur të dhëna për veprimtarinë e mulla Bahtijarit, në më nyrë që ato t’i përdornin si argumente me rastin e gjykimit të tij.
Mulla Bahtijari, sikurse u tha, kishte qenë delegat i Opojës dhe Gorës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e cila luftonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe delegat i Asamblesë Kombëtare në Tiranë. Ai, duke qenë një djathtist i shquar, kishte një qëndrim përçmues, madje deri në urrejtje për komunistët, andaj ai nuk kishte ngurruar që publikisht të deklarohej: “Ju komunistët i shërbeni këtij shteti si vegla dhe askush për asgjë nuk ju pyet, andaj kot vraponi nëpër fshatrat që t’i kryeni de tyrat”.(11)
Ai, shpeshherë kishte deklaruar dhe në këtë kishte qenë i bindur se ”Shqipëria edhe pse është një vend i vogël, kurrë nuk do ta lërë të qetë Jugosllavinë, derisa kjo t‘ia kthente territoret e saj”.(12)
Mulla Bahtijari nuk kishte aspak iluzione dhe ishte shumë i bindur se pu shteti që po instalohej, nuk do të kishte jetë të gjatë dhe se patjetër do të ndodhnin kthesa të mëdha, sepse: “Kështu, siç e kanë nisur këta komunistët, të cilët nuk kanë fe e atdhe, vështirë se do t’ju shkojë gjatë”.(13)– thoshte ai.
Kështu mulla Bahtijari qe akuzuar për veprën propagandë armiqësore nga neni118 alineja 1 e ligjit penal dhe qe dënuarme tetë vjet burg. Gjykimi qe mbajtur më18 e 26 shtator 1953. Dënimin do ta vuante në kazamatet e burgut famëkeq të Nishit, ku do të njihej edhe me disa personalitete të tjera të shquara, që ishin burgosur për veprimtari kundër pushtetit komunist, siç ishin Ibrahim (Ramë) Bllaca nga Bllaca e Suharekës, Arif Hoxha nga Randobrava (i dënuar me 12 vjet), Nezir Hotinga Krusha (i dënuar më 15vjet) etj.(14), me të cilët, edhe pas daljes nga burgu, do të ruante miqësinë.(15)
Të theksojmë edhe se në konakun e njohur për zemërgjerësi e bujari të mulla Bahtijarit, përveç këtyre patriotëve dhe njerëzve të tjerë, kishte bujtur edhe atdhetari ishquar dhe asokohe prefekti i Suharekës, Mehmet Frashëri.(16)
Pas daljes nga burgu, mulla Bahtijari, si të thuash, ishte i burgosur shtëpiak. Presionet dhe padrejtësitë ndaj mulla Bahtijarit nuk kishin të ndalur deri më 1979, kur edhe ndërroi jetë në fshatin e tij të lindjes në Bellobrad të Opojës, ku e ka varrin.
Mulla Bahtijar ef. Qafleshi kaloi një jetë të tërë në shërbim të përmbushjes së misionit dhe aspiratave që kishte nisur dekada më parë opojari tjetër, Myderriz Ymer ef. Prizreni; ai mision ishte bashkimi i trojeve shqiptare dhe bërja e Shqipërisë Etnike.

3. Përfundim

Sikurse dihet, nga tradita rëndom merren vlerat e qëndrueshme, ndërsa lihen në heshtje (por jo në harresë) ato që nuk janë në pajtim me aspiratat dhe idealet e brezave të tjerë që kanë trashëguar kombin. Janë figurat e shquara të kulturës, të historisë e të jetës së kombit, ato shtylla që e mbajnë në këmbë krejt ngrehinën e qenies kombëtare. Në rast se nuk do të ekzistonte një vetëdije për rëndësinë e këtyre figurave, në rast se ato figura nuk do të nderoheshin, atëherë sigurisht që do të shfaqej një gjendje e turbullt e vetëdijes kombëtare. Vakuumi që krijohet, do të fillojë të mbushet me personalitete të importuara nga historia dhe kultura e të tjerëve, që si rrjedhojë do të krijonte kompleksin e inferioritetit dhe të zbehte identitetin tonë kombëtar.
Në fushën e historisë na kanë ndodhur manipulime, të thuash, tragjike. Përpesëdhjetë vjet i kemi mbajtur për idhuj e kënduar për heronj, ata që nuk e kanë merituar, kurse ata që kanë mbrojtur me jetën e tyre Kosovën dhe tokat e tjera shqiptare nga thikat çetnike, - i kemi quajtur kuislingë, e tradhtarë, i kemi shpërfillur, anatemuar e dënuar.(17)
Kështu kandodhur edhe me mulla Bahtijar ef. Qafleshin. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, ka njerëz me prirje të papërmirësuara komuniste-majtiste, të cilët veprimtarinë kombëtare të së Djathtës Shqiptare mundohen jo vetëm ta margjinalizojnë, por edhe ta etiketojnë me epitete të ndryshme antikombëtare, ashtu siç e kishin traditë t’i etiketonin komunistët pothuaj të gjitha fytyrat më të ndritura të kombit shqiptar.
Kështu, kohë më parë ndodhi edhe me një gazetë ditore (gazetë i thënçin!)(18), që botohet në Kosovë, e njohur për shkrimet e saj skandaloze dhe përçarëse që i kanë hije vetëm shtypit të verdhë; në atë gazetë u bë përpjekje të etiketohen disa personalitete të shquara të kombit me prirje djathtiste-nacionaliste. Mbase, kjo edhe është e kuptu eshme, kur dihet se deri më sot, nuk është dëgjuar ndonjëherë që të majtët t’ua kenë falur të djathtëve; që komunistët t’ua kenë falur nacionalistëve. Dhe s’kemi përse t’u kërkojmë një gjë të tillë, kur këto janë dy antipode, janë dy skaje të një drejtëze. Por, megjithëkëtë, funksioni I gazetave duhet të jetë i tillë që së paku të mos i lëndojnë idealet dhe vlerat sublime të njerëzve. Kurse mashtrimi është pjesë e projektit të shejtanit, ndërkaq mashtruesit janë argatë dhe bashkëpunëtorë të tij.



* Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor “E Djathta Shqiptare drejt Shqipërisë Etnike(Sesioni VI shkencor), Burim (Istog), 20 maj 2007.

1. Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Bruxselles, 1965, f. 40.
2. Po aty.
3. Prof. Dr. Muhamet Shatri, Përpjekjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave jetike të kombit shqiptar, E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike, vëllimi 1, Prizren - Hamburg, 2005,f. 14.
4. Po aty.
5. Fazli Hajrizi, Bedri Gjinaj - mësues dhe patriot i shquar, Prishtinë, 2001, f. 126.
6. Bisedë e zhvilluar me Haxhi Nexhip Qafleshin (65 vjeç), Bellobrad, 10 maj 2007.
7. Më gjerësisht për aktivitetin e Medresesë së Bresanës dhe myderrizin e saj haxhi Rexhep ef. Ismailin shih: Ismail Rexhepi, H. Rexhep Ismaili (1871-1956), “Dituria Islame”, nr. 77, Prishtinë, 1996, f. 50; Sadik Mehmeti, Të dhëna arkivore për Medresenë e Bresanës dhe aktivitetin e saj më 1919-1921, “Vjetari i Arkivit të Kosovës”, nr. XXV-XXVI, Prishtinë, 2001, f. 351-363.
8. Nezir (Veli) Bahtijari, u lind më 14 korrik 1881 në Bellobrad të Opojës. Kishte mbaruar katër vjet të mektebit iptidainë Bellobrad, dhe tetë vjet të Medresesë “MehmedPasha” në Prizren. Ka zotëruar gjuhën turke, arabe dhe serbe. Nga viti 1901 ka kryer detyrën e imamit në fshatin e tij të lindjes në Bellobrad, kurse nga viti 1919 ka kryer edhe detyrën e imamit ofiqar të imamatit të Bellobradit. Ka vdekur më 5 mars 1938.
9. Arkivi i Kosovës - fondi Gjyqi i Qarkut Prizren, kutia, 7, P. nr. 48/53.
10. Reshat Kajragdiu nga presionet e pushtetit komunist, më 25 gusht 1946 së bashku me 56 forca nacionaliste të Lumës, Hasit e Kosovës, të udhëhequr nga Muharrem Bajraktari, kishte udhëtuar drejt Greqisë, mirëpo, gjatë rrugëtimit kah Maqedonia në përpjekjen e me forcat policore maqedonase ai ishte vrarë së bashku me 21 shokë të tjerë. Më gjerësisht sish: Petrit Palushi, Refuzimi dhe reagimi ndaj diktaturës komu niste (rasti Muharrem Bajraktari), E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike, vëllimi 1, Prizren-Hamburg, 2005, f. 132-142.
11. Arkivi i Kosovës - fondi Gjyqi i Qarkut Prizren, kutia, 7, P. nr. 48/53.
12. Po aty.
13. Po aty.
14. Qazim Kabashi, Rezistenca e të Djathtës Shqiptare në regjionin e Prizrenit kundër ripushtimit të Kosovës dhe konsolidimit të pushtetit të ri komunist, E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike, vëllimi 3, Prizren- Shkodër, 2006, f. 405-416.
15. Bisedë e zhvilluar me Haxhi Nexhip Qafleshin (65 vjeç), Bellobrad, 10 maj 2007.
16. Bisedë e zhvilluar me Haxhi Nexhip Qafleshin (65 vjeç), Bellobrad, 10 maj 2007, icili, si të thuash, asokohe kishte qenë odatar i konakut të Mulla Bahtijarit.
17. Milazim Krasniqi, Horrat në krye të detyrës, Prishtinë 1998, f. 57.
18. Gazeta “Infopress”, Prishtinë, prill, 2007. Dituria Islame/2007



Mr. Sadik Mehmeti
Dituria Islame 203


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?