Në kohën e kalifit Harun Reshid, hoxha i Me'munit, djalin e kalifit, një ditë e godet me shkop pa kurrfarë arsyeje
Me'muni i habitur e pyet hoxhën e vet:
- Përse më godite?
Hoxha i tha:
- Hesht!
Pasi biseduan pak me njëri-tjetrin, Me'muni e pyeti sërish:
- Hoxhë, ç’pate që më godite?
Hoxha përsëri i tha:
- Hesht.
Pas njëzet vitesh, kur Me'muni ishte bërë kalif, duke pasuar në këtë post Harun Reshidin, u kërkon njerëzve që e rrethonin t’ia sillnin hoxhën.
E njoftuan dhe hoxha u paraqit, por tani jo para nxënësit, por para kalifit.
Me'muni i thotë:
- Hoxhë, kanë kaluar kaq vite dhe unë akoma nuk e kam kuptuar arsyen përse më ke goditur. Të lutem, a mund të ma tregosh tani?
Hoxha, duke vënë buzën në gaz, i thotë:
- Akoma nuk e ke harruar?!
- Jo, pasha Zotin e Madh, ia kthen Me'muni,
- Si ta harroj kur jam i bindur se më keni goditur pa arsye.
Hoxha i kthen një përgjigje që duhet mbajtur vath në vesh nga secili prej nesh, sepse realisht është një mësim i vyer për gjithë jetën.
- Të kam goditur me një qëllim që, nëse vjen një ditë e bëhesh kalif, të jesh i kujdesshëm me njerëzit. Të mos u bësh padrejtësi, pasi ata nuk do ta harrojnë kurrë. Padrejtësia është një zjarr që fle në zemër. Edhe nëse kalojnë vite, ai zjarr nuk shuhet kurrë.
Ardit Hoxhllaku