Njerëzit krenohet me shumë gjëra, e ndër to është edhe kultura e veshjes, e cila zë një vend të rëndësishëm pothuajse në tërë historinë e njerëzimit.
Dihet mirëfilli se njeriu e ka vullnetin e vet të lirë, përkatësisht, mundësinë që të përcaktohet njërës rrugë, ose të ndjek rrugën e tatëpjetës dhe të bie në baltë, ose ta ndjek rrugën e përpjetës dhe të ngritët lart, të fitojë peshë dhe vlerë, të bëhet i denjë dhe meritor. Këtë mundësi ia la Allahu xh.sh., dhe pikërisht këtu qëndron fakti se ai është aktor i fatit të vet në këtë jetë dhe në jetën e ardhshme. Mësimet islame qartazi tregojnë se Allahu xh.sh. njeriun e bëri të aftë për t’i kapërcyer pengesat dhe vështirësitë jetësore me angazhim dhe përpjekje të vetëdijshme, me vendosmëri dhe durim. Prandaj, qëllimi islam, nuk është që njerëzve t’ua mësoi vetëm besimin në një Zot, por t’i mësoi njëkohësisht edhe se si duhet jetuar në këtë botë, duke u angazhuar me mësimet e veta fisnike, t’i largoi ata nga të këqijat, t’i liroi nga mashtrimet dhe paragjykimet e gabuara, të cilat si të tilla mund ta shpijnë njeriun deri te devijimi i rrugës së drejtë dhe vetëshkatërrimi. Ai që sadopak e njeh islamin, e di fare mirë se kjo fe - din, nuk është i shkëputur dhe i ndarë nga jeta dhe veprimtaria njerëzore. Kurani në radhë të parë, i është drejtuar njeriut. Qëllimi kuranor është gjithsesi që njeriun ta udhëzoj në rrugën e drejtë, në mënyrë që kështu të arrijë lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Pra, siç po kuptohet, islami është vetë jeta e njeriut, jeta e tij shpirtërore dhe fizike, që ka për detyrë njeriut t’ia jap drejtimin “prej djepi e deri në varr.”(1)
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendet e turpshme dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë është ai më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të rikujtojnë.” (El Arafë, 26)
Njerëzit krenohen me shumë gjëra, e ndër to edhe veshja zë një vend tejet të veçantë. Fenomeni i veshjes e përshkon thuajse tërë historinë e njerëzimit, dhe është i përhapur në mbarë hapësirën gjeografike të rruzullit tokësor. Veshja është e lidhur me karakteristikat individuale dhe shoqërore të qenies njerëzore, dhe mund të studiohet nga pikëvështrime të ndryshme, si psikologjike, etike, ekonomike, sociale, fetare, juridike dhe historiko-gjeografike.
Pse njeriu bartë rroba? Në ç’lidhje janë veshja e njeriut dhe karakteristikat e tij shpirtërore? Në ç’relacion janë gjendja pronësore dhe pozita shoqërore-ekonomike e individit me mënyrën e veshjes së tij? Çfarë veshje bartin pjesëtarët e shtresave të ndryshme në shoqëri të caktuar? Cili është qëndrimi i fesë lidhur me këtë çështje? Cilat ligje janë vendosur në të drejtën civile kur është në pyetje veshja e njerëzve?
Me sa duket përgjigjja në çdonjërën prej këtyre pyetjeve, por edhe në një sërë pyetjesh tjera të ngjashme, duhet kërkuar në diskutime të gjata dhe të detajuara. Studiuesit e fushave të ndryshme kanë shpenzuar shumë mund në hulumtimin dhe shqyrtimin e këtyre çështjeve dhe lidhur me këtë janë shkruar shumë libra. Në bazë të hulumtimeve të gjertanishme është pohuar se, veshja i përmbush të paktën tri nevoja të njeriut, së pari, e mbron nga të ftohtët dhe të nxehtit, si dhe nga bora dhe shiu, së dyti, i ndihmon ta ruaj nderin dhe trupin e vet, dhe në fund, e bën që njeriu të duket i bukur, në rregull dhe dinjitoz.
Në një aspekt të caktuar, veshja e njeriut mund të krahasohet me vendbanimin e tij. Në fillim njeriu ndërtoi vendbanimet për t’u mbrojtur nga të ftohtët, të nxehtit dhe sulmeve të shtazëve, por pos këtij qëllimi, shtëpia shërbente edhe si strehë dhe vendbanim, ku brenda katër mureve mund të rregullonte jetën e tij si të dëshironte dhe t’i vendoste gjërat e veta personale. Prandaj, veshjen mund ta konsiderojmë si “shtëpinë” ose thënë më drejtë “shtëpinë e parë” të çdo njeriu.
Arsye kryesore për paraqitjen e veshjes është, siç u tha më sipër, nevoja e njeriut për ta ruajtur sigurinë e vet, nderin dhe bukurinë. Mirëpo, është gabim të mendohet se të gjitha dallimet dhe laramania, e cila në periudha të ndryshme haset te pjesëtarët e popujve të ndryshëm mund të shpjegohet vetëm përmes këtyre tre parametrave. Nëse i hedhim një shikim grupeve të ndryshme shoqërore, do të vërejmë dallimet në veshje midis meshkujve, femrave dhe fëmijëve.
Gjithashtu, dallojmë mënyrat e veshjes së njerëzve në viset rurale dhe mjediset urbane. Por, as në vetë qytetin, shtëpiaket nuk vishen njëlloj si femrat e punësuara. Zanatlinjtë dhe pjesëtarët e profesioneve të ndryshme kanë veshje që i përshtaten punës të cilën e kryejnë. Pjesëtarët e shtresave të ndryshme shoqërore vishen në pajtim me gjendjen e tyre të pasurisë dhe të ardhurave. Kondita klimatike formëson kulturën e veshjes së njerëzve që jetojnë aty.
Religjionet zakonisht kanë një kodeks të veshjes. Islami, gjithashtu definon dispozitat lidhur me veshjen. Në shoqërinë tonë bashkëkohore, këtë më së miri e ilustron shprehja hixhab, e cila nënkupton mënyrën e veshjes islame.(2)
Lidhja e veshjes dhe kulturës
Në rend të parë, të gjithë e dimë ç’është veshja dhe për këtë arsye nuk do ta definojmë. Mirëpo, kultura është nocion që kërkon të definohet dhe sqarohet se ç’nënkuptohet në të vërtetë me të. E një nga kuptimet është edhe ky: “Tërësia e njohurive dhe e shprehive të sjelljes a të edukatës që ka përvetësuar a e përvetëson një njeri në shkollë ose në jetë; njeri me kulturë. Pallati i kulturës. Vatra e kulturës. Shtëpia e kulturës. Seksioni i arsimit dhe i kulturës. Lëndë të kulturës së përgjithshme. Ka kulturë të madhe.”(3)
Bota të cilën njerëzit e ndërtojnë dhe jetojnë në të, në shumëçka mbështetet në mënyrën e pikëpamjes së tyre ndaj botës, varësisht prej asaj si e shikon ekzistencën dhe jetën, dhe cilat vlera i konsideron dominuese, edhe në kulturën e veshjes. Mund të themi se njerëzit komunikojnë me veshje, ku secili prezanton veten me gjuhën e rrobave që i bartë, kush është, prej nga vjet dhe cilës kulturë i përket.
Dallimet në veshjen e njerëzve nga mjedise të ndryshme nuk është vetëm rezultat i specifikave gjeografike, klimatike, sociale, ekonomike, profesionale dhe të moshës, por edhe si pasojë e kulturës dhe pikëpamjes së tyre ndaj botës. Mënyra e veshjes dallon edhe sipas asaj si njerëzit e shohin botën dhe vendin e vet në të, në ç’mënyrë përsiatin mbi fatin dhe ku e shikojnë mirëqenien e vet.
Si t’i kundërvihemi modernizimit të dëmshëm?
“Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen), o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.” (El Maide, 100)
Sipas mësimeve islame, mbi gjykimin e disa adeteve dhe shprehive, dhe gjykimin e njerëzve ndaj tyre, nuk është me rëndësi se në ç’masë janë të përhapura dhe sa konsiderohen moderne, por me rëndësi është se çfarë karakteri dhe domethënie kanë, d.m.th. sa janë të dobishme ose të dëmshme. Në qoftë se diçka është e pakuptimtë, e pahijshme dhe e dëmshme, duhet t’i kundërvihemi dhe si e tillë të flaket, pa marrë parasysh se sa ajo do të ishte “moderne”. Në këso dilemash (a të përvetësohet apo të flaket), masë është dobia dhe dëmi, e kurrsesi “modernizimi”. Për këtë arsye, në qoftë se një qëndrim yni si, veshja jonë, sjellja jonë, është e dobishme, e drejtë, e shëndoshë dhe fisnike nga aspekti fetar, moral, shkencor dhe shoqëror, atëherë kjo ka përparësi mbi atë që është “moderne”, aq më parë kur ky modernitet është i dëmshëm.
Në bazë të këtyre masave dhe principeve të shëndosha, është e qartë se di duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj shprehive të modernizuara dhe ndaj sjelljes dhe veshjes jo dinjitoze, e të cilat janë të dëmshme dhe që kontribuojnë në dukuritë negative dhe në përhapjen e të këqijave tjera. Pra një qëndrim të tillë dhe një sjellje të tillë është e qartë se duhet pasur vullnet të fortë, vetëdije të lartë, vendosmëri dhe guxim, moral e njohuri të drejtë dhe ndjesi ndaj vlerave morale, si dhe njohuri për të gjithë të keqen dhe të dëmshmen, të cilat janë shtrembësi dhe të pahijshme. E këto që u përmendën duhet t’i ketë çdo mysliman dhe myslimane, sepse për këtë i mëson feja e tyre.
Sipas botëkuptimit islam, njeriu duhet të jetë kreator për modën e vet, për idealet dhe parimet morale të tij, e kurrsesi të bëhet rob i modës, pa marrë parasysh qëllimin e saj dhe drejtimin në të cilin ajo shpie. Në botën e modernizuar, modën e veshjes dhe sjelljes më së shpeshti e përcaktojnë dhe e lansojnë individë ose qarqet e ngushta të disave nga disa pikëpamje të tyre personale, nga plani dhe interesi i tyre personal, kurse të tjerët atë e pranojnë pa kurrfarë mendimi dhe arsyetimi të shëndosh.(4)
Kjo është njëra nga dukuritë e nënshtrimit të verbër, të cilën myslimanët nuk duhet ta pranojnë. Çdo njeri dhe çdo bashkësi ka të drejtë t’i flakë të gjitha shprehitë dhe çdo modë të cilat nuk janë në përputhshmëri me principet e tyre jetësore dhe me mënyrën e jetesës së tyre. Pranimi i modës së huaj në mënyrën e huaj të jetesës, praqet nënçmimin më të vrazhdë të njeriut dhe goditjes grusht në të drejtat dhe lirinë njerëzore të tij.
______________
1. Kasim Dobraça. Ruhu nga të këqijat. Prishtinë 1990. f. 6.
2. Gholam Ali Haddad’ Adel. Kultura e zhveshjes dhe zhveshja e kulturës. Gjilan 2004. f. 9.
3. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Rilindja, Prishtinë 1981.f. 909.
4. Kasim Dobraça. Ruhu nga të këqijat. Prishtinë 1990. f. 60.
Isa Tërshani