Natyrshmëria e parë
Transmetojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi, Termidhiu dhe Hakimi në Mustedrik e Bejhekiu në Sunenin e tij: Ka thënë Ebi Musa El-Eshariu r.a.: E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.w.s. duke thënë: “Pa dyshim Allahu e krijoi Ademin prej dheut duke marrë nga të gjitha llojet e dheut në tokë, pasuan pasardhësit e Ademit sipas ngjyrave të dheut, prej tyre erdhën njerëzit e kuq, të zinj e të bardhë dhe raca të tjera në mes tyre. Prej tyre erdhën njerëz të lumtur, melankolikë (të hidhëruar), njerëz të mirë e të sjellshëm, dhe njerëz arrogantë e të pasjellshëm, si dhe në mes tyre”. (Termidhiu thotë se ky hadith është Hadith hasen sahih).
Siç po vërehet nga vetë citati i këtij hadithi, nuk ka nevojë shumë për koment. Ky hadith është një argument i qartë se kemi njerëz që janë të lindur me mirësi në shpirt, dhe të atillë që janë të mbushur përplot me sherre, sikur që ka edhe të atillë që nuk anojnë nga asnjëra anë, janë të mesëm ose që anojnë pak nga mirësia ose pak nga sherri, dhe jo krejtësisht keqbërës e as krejtësisht mirëbërës.
Edhe toka është ashtu si njerëzit. Ka pjesë të tokës që janë shumë pjellore dhe të begatshme, sikurse ka tokë të thatë dhe që nuk vlen për asgjë; gjithashtu ka tokë mesatare ose më pak.
Në hadithin e Pejgamberit a.s. përsëritet krahasimi ose analogjia e njerëzve për nga veprimi i tyre duke bërë një krahasim të qartë midis natyrshmërisë së njeriut e natyrshmërisë së tokës, xeheve dhe frutave. I dashuri i Allahut bën krahasime të fuqishme dhe të qarta.
Në një hadith tjetër, transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, bartur nga Ebi Musa r.a. , Pejgamberi s.a.w.s. bënë një krahasim tjetër, në të cilin thotë: “Shembulli i besimtarit i cili lexon Kuran, është si qitro, ka aromë të mirë dhe shije të mirë. Shembulli i besimtarit që nuk lexon Kuran, është sikur hurma që nuk ka aromë po ka shije të ëmbël. Ndërsa shembulli i hipokritit (dyfytyrëshit) që lexon Kuran, është sikur mërsina, ka aromë të mirë, po kokrra e saj nuk hahet dhe është shumë e hidhur. Shembulli i dyfytyrëshit që nuk lexon Kuran, është si hardalli, nuk ka aromë dhe shijen e ka shumë të hidhur”.
Ky hadithi sherif sipas përmbajtjes ndahet në dy pjesë: Në pjesën e parë të këtij hadithi bëhet fjalë për besimtarët që për nga natyrshmëria e tyre kanë natyrë të mirë, sidomos ata që lexojnë Kuran dhe veprojnë sipas mësimeve kuranore, të tillët marrin pamjen e brendshme dhe të jashtme shumë të bukur e shumë të përsosur, ashtu si një fryt i një peme që ka aromë dhe shije të këndshme. Ndërsa besimtarët që nuk lexojnë Kuran por veprojnë sipas mësimeve të Kuranit ata në brendinë e tyre janë shumë të mirë edhe pse nga jashtë nuk e marrin pamjen e përsosur sikur ata të parët, pra janë si një pemë që ka shije të këndshme por nuk kundërmon aromë.
Në pjesën e dytë të hadithit bëhet fjalë për një grup tjetër të njerëzve që ndryshojnë për nga natyrshmëria e tyre nga grupi i parë i njerëzve. Është fjala për
hipokritët ose dyfytyrëshit të cilët lexojnë Kuran dhe veprojnë kundër mësimeve të Kuranit, të tillët, sipas këtij hadithi, e kanë të bukur pamjen e jashtme, e në brendësi janë të prishur e të pistë. Edhe më të këqij janë hipokritët që as nuk lexojnë Kuran dhe as nuk punojnë sipas Kuranit, të tillët i krahason Pejgamberi me hardallin që edhe jashtë edhe brenda është i pa këndshëm dhe i keq. I dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të) na jep të kuptojmë për faktin se njeriu e merr natyrën sipas veprimit që bën.
Natyrshmëria e dytë:
I dërguari i Allahut s.a.w.s. na lajmëron se personit, që para se të lindë, i caktohet puna e tij, furnizimi i tij, lumturia dhe çapkënllëku i tij, koha e vdekjes, etj. Çdo gjë është e lidhur ngushtë me caktimin. Atij që i është caktuar gëzimi dhe lumturia, i ofrohen shkaqet për të; në shkaqe hynë në radhë të parë angazhimi i vetë personit. Atij i lehtësohen punët drejt realizimit të asaj lumturie dhe, e kundërta është për personat që e kanë të caktuar ligësinë: ai person neglizhohet ose bënë veprime të tilla që ia lehtësojnë për të rënë në atë ligësi.
Në hadithin e vërtetë, me të cilin pajtohen Buhariu dhe Muslimi, i bartur nga Abdullah bin Mesudit r.a., i Dërguari i Allahut thotë: “Secili që krijohet në barkun e nënës, dyzet ditët e para të krijimit vazhdon të jetë bashkim i spermës (vezoret e mashkullit dhe të femrës), pastaj po aq ditë merr kohë procesi kur shndërrohet në një gjak të ngjizur, pastaj brenda dyzet ditëve të ardhshme kalon dhe bëhet copë mishi (gjithsej 120 ditë ose katër muaj), pas këtij procesi Allahu e dërgon një engjëll të cilit i thuhet që t’ia citojë foshnjës së sapoformuar katër gjëra dhe t’ia shkruajë: punën e tij, furnizimin e tij, caktimin e vdekjes së tij dhe lumturinë ose vrazhdësinë, pastaj i futet shpirti. Vërtet ka nga njerëzit që punojnë punë të banorëve të Xhenetit derisa të mos mbetet në mes tij e Xhenetit vetëm sa një sup, i paraprin libri i tij, bën vetëm një vepër të banorëve të Xhehenemit dhe hyn në Xhehenem. Vërtet ka njeri që bën vepra të banorëve të Xhehenemit, saqë nuk mbetet në mes tij e Xhehenemit vetëm sa një sup, atij i paraprin libri dhe bën vetëm një vepër të banorëve të Xhenetit, dhe hyn në Xhenet”. (Buhariu dhe Muslimi).
Në një hadith tjetër, me të cilin pajtohen Buhariu dhe Muslimi për vërtetësinë e tij, bartet nga Ali bin Ebi Talib r.a., i cili thotë: “Ishim në një varrim në varrezat Bekije pranë një lisi gjembor (el- Garkad), tek ne erdhi i Dërguari i Allahut (s.a.w.s.), u mblodhëm rreth tij, në dorë kishte një shkop, e uli kokën dhe filloi ta godiste tokën me shkop, pastaj u drejtua dhe tha: “Secili prej jush e ka të përgatitur vendin në Xhehenem dhe vendin në Xhenet. U drejtuan e i thanë: O i Dërguari i Allahut, a mos të mbështetemi në atë që është shkruar dhe përgatitur
për ne? I Dërguari i Allahut tha: Punoni, se çdo gjë që është e përgatitur (e krijuar) për secilin nga njerëzit, është e lehtësuar. Të gjithë ata që janë fatlumë, për ta janë të lehtësuara punët e fatlumëve. Kush është prej arrogantëve, i ka të lehtësuara punët arrogante (të këqija), e pastaj i Dërguari lexoi (ajetet uranore atij që jep dhe ruhet (bëhet i devotshëm). Dhe e beson bindshëm më të mirën (Islamin), Ne do t’ia lehtësojmë mirësinë (Xhenetin). E sa i përket atij që bën koprraci dhe heq dorë nga begatitë e Allahut, dhe e përgënjeshtron më të mirën (Islamin), Atij do t’ia lehtësojmë më të vështirën ( hyrjen ) në Xhehenem“
Edhe nga ky hadithi sherif arrijmë të kuptojmë se Allahu i ka krijuar njerëzit dy llojesh:
Lloji i parë:
Janë njerëzit fatlumë, të cilët punojnë dhe përgatiten për lumturi; atyre u sillën shkaqet dhe u lehtësohet puna deri në realizimin e gjërave të dobishme në dynja dhe në Ahiret, për ta fituar Xhenetin. Te ky lloj i njerëzve rrjedh mirësia në zemër, në gjuhë dhe në gjymtyrët e tyre. Të tillëve nuk u vështirësohet asgjë, sepse vetë puna e tyre e lehtëson arritjen e së mirës, rruga deri në arritjen e cakut, sado e vështirë me qenë për këtë lloj të njerëzve, duket krejtësisht e lehtë. Të tillë janë besimtarët e sinqertë, që çdo gjë e bëjnë me sinqeritet, duke filluar nga dëshmia se besojnë Allahun Një dhe e besojnë Muhamedin për të dërguar të Allahut, e deri tek largimi nga çdo gjë që kërkon Allahu për t’u larguar prej tyre.
Lloji i dytë:
Janë njerëzit arrogantë, të cilët punojnë dhe përgatiten për fat të kobshëm. Edhe këtij lloji të njerëzve u lehtësohet puna deri në realizimin e gjërave të mbrapshta e të këqija. Kjo për sa i përket në dynja, kurse në Ahiret u lehtësohet hyrja në Xhehenem. Kuptohet fare lehtë se punët e mbrapshta dhe të këqija kërkojnë më pak mund dhe, sapo të zhduket ndërgjegjja e formuar mbi frikën ndaj Zotit, i hapen rrugët dhe fare lehtë ai i bën punët e këqija. Këtij lloji të njerëzve në gjuhë, zemër dhe gjymtyrë i rrjedhin punët e mbrapshta dhe të djallëzuara. Ata përpiqen ta mashtrojnë edhe Krijuesin e tyre Fuqiplotë, e jo më njerëzit, por jo, në të vërtetë ata e mashtrojnë vetveten dhe përfundojnë me një përfundim të mjerë e përplot ndëshkime, në dynja dhe Ahiret. Allahu na ruajttë prej tyre!
E gjithë kjo që u theksua, mbështetet në ajetet kuranore të sures El-Lejl dhe në hadithet e sipërtheksuara.
__________________
Literatura:
- Kurani përkthim me komentim, Haxhi Sherif Ahmeti, versioni kompjuterik Kur’ani Fisnik 4,0.
- El-Islamu we nuz’atun el-fitretu, Muhamed Abdu-Ruuf Behnesi, Muesesetu El Halixh El-Arabij, Kajro 1987, botimi i dytë.
- El-Hajr We Sherr, Muhamed Muteveli Shearavi , Ahbaru el-Jeum, Kajro 1990.
- El-Insan we Shejtan, Muhamed Muteveli Shearavi, Ahbarul El-Jeum, Kajro 1991.
- Lu’lu wel Merxhan, Muhamed Abdul- Baki, Rrijad.
Fitim Flugaj