Nëse njeriu është i vendosur dhe nuk bie pre e pasionit dhe ëndjeve të kota nën cytjen e djallit dhe sinqerisht kërkon të vërtetën do ta ketë ndihmën e Krijuesit. Madje sa më shumë që njeriu arrin ta ruaj fitren e tij të pastër dhe shpirtin të çiltër, do të ketë më pak pengesa për ta pranuar ekzistimin e Zotit.
Njeriu aftësinë dhe ndjenjën për ta njohur Krijuesin e sjell në këtë botë: “Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er Rum: 30).
Nëse njeriu s’do të kishte këtë shkëndijë ai kurrë nuk do të vinte tek ideja e ekzistencës së Zotit. Misioni i gjithë pejgamberëve ka qenë që njerëzit t’i ftojnë që t’i kthehen zotimit (mithak-ut) nëpërmjet të cilit njeriut i është dhënë jo vetëm funksioni i të qenurit shër-bëtor i Allahut, por edhe mëkëmbës i Tij mbi tokë.
Historia tregon se njerëzit gjatë epokave të ndryshme kanë besuar në ekzistencën e Krijuesit. Njeriu qëndron i magjepsur përballë madhështisë dhe harmonisë së universit. Kjo magjepsje është e shprehur në mënyrë sipërfaqësore te njeriu i zakonshëm kurse te shkencëtari në mënyrë të thellë. Çdo mendje mrekullohet dhe kërkon autorin e universit. Në këtë kërkim, ndodh që njeriu të gjejë Krijuesin ose të gabojë dhe të shmanget nga natyra e tij e pastër e origjinale.
Ka njerëz që nuk besojnë ose që thonë se nuk besojnë. Një deformim i tillë ndodh ngase këta njerëz nuk kanë mundur ta ruajnë natyrshmërinë e tyre të pastër e të vërtetë, nën influencën e ndikimeve negative të ardhura nga mashtrimet e jashtme të shoqërisë, arsimit, rrymave mohuese apo presionit të brendshëm sikurse janë dëshirat egoiste, fudullëku, mendjemadhësia, popullariteti, hipokrizia etj.
Kjo rezulton me larjen e trurit dhe sëmurjen e zemrave për shkak të mëkateve dhe pakujdesisë e pavëmëndshmërisë së njeriut ndaj argumenteve të Zotit. Mu për këtë edhe pse ekzistenca e Allahut është një e vërtetë e pa dyshimtë, ka edhe të tillë që nuk e pranojnë këtë të vërtet, madje edhe sikur e vërteta t’u tregohet në tërë qartësinë e vetë.
Ata që kanë mohuar ekzistimin e Zotit shumica prej tyre janë pushtuar nga pasionet e tyre, tek të cilët kanë ngadhënjyer epshet dhe kënaqësitë e kësaj bote.
Njashtu sikurse trupi që i nënshtrohet ligjeve që ka vendosur Krijuesit në natyrë, gjithashtu edhe shpirti duhet t’i nënshtrohet faktit se Allahu është Zoti dhe Krijuesi. Fitra, kthimi në normë është baza e Islamit, prandaj duke praktikuar Islamin veprat e jashtme të njeriut harmonizohen me natyrën me të cilën Allahu e krijoi qenien e tij.
Ashtu siç ekziston në konstruktin e mendjes së njeriut veçoria për ta kërkuar Krijues-in, gjë që e ka ngritur atë mbi të gjitha krijesat, edhe në shpirtin e tij ekziston ndjenja e mbështetjes dhe strehimit te një qenie e lartë, dhe e fuqishme. Njeriu duke pranuar zotimin burimor ndërmjet tij dhe Krijuesit, ai mund të jetë plotësisht vetvetja. Njeriu ka lindur dhe ka ardhur me besim (iman) në këtë botë dhe me këtë besim-iman duhet të nda-het dhe të largohet prej saj. Në një hadith kudsi Allahu i Gjithëmëshirshëm thotë: “Unë i krijova robërit e Mi në fenë e drejtë, por shejtanët i bëjnë ata që të humbasin rrugën”.