Urtësitë dhe veçoritë e xhumasë


Xhumaja gëzon një ekskluzivitet ndër ditë. Ajo është një ditë ku gërshetohet madhështia dhe fuqia e Krijuesit të tokës dhe qiejve me faljen dhe mëshirën e Tij.
Është dita me të cilën janë veçuar muslimanët, dhe të cilën Allahu i Madhëruar e ka dalluar me mirësi të shumta. Nuk ka vend për tu çuditur se përse është favorizuar Xhumaja nga ditët tjera kur parimi i
Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë...”[1].

Ky punim modest synon motivimin e besimtarëve për adhurim, në përgjithësi, dhe për xhuma, në veçanti, dhe këtë nëpërmjet ofrimit të urtësive dhe mësimeve që burojnë e rrjedhin nga kjo ditë.


I. Njoftimi i përgjithshëm me xhumanë

Xhumaja është një ndër adhurimet më madhështore në Islam. Gjuhësisht, nënkupton bashkimin e njerëzve në një vend. Në të kaluarën, periudhën paraislame, quhej el-Arubeh (dita e mëshirës)[2], kurse në Islam ka marrë këtë emër për shkak se:

• Në këtë ditë u përsos krijimi i çdo gjëje të gjallë,
• Në këtë ditë është bashkuar krijimi i Ademit, alejhi’s selam,
• Në këtë ditë është falur Esa’d b. Zurare me medinasit, pra janë tubuar, dhe e kanë quajtur el-Xhumuah (bashkim-tubim),
• Ka’b b. Luej, njëri ndër paraardhësit e Muhammedit, alejhi's selam, e tubonte fisin e tij dhe i këshillonte në këtë ditë.
• Ngase njerëzit tubohen për namaz në këtë ditë.

Xhumaja nënkupton namazin dy rekatesh i cili është i obliguar vetëm për gjininë mashkullore, respektivisht për të rriturit dhe të aftit e kësaj gjinie. Para tij mbahet Hutbeja, e cila përbëhet nga dy pjesë dhe prezenca e së paku tre vetave është e domosdoshme ngase nuk falet vetmas. Urdhri për obligim është ajeti kur’anor:
O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini”[3].
Për herë të parë qe falur në Medinë edhe pse obligim ishte qysh në Mekke por për shkak të rrethanave politike nuk qe mundësuar kryerja e këtij riti islam.
Nga sqarimet paraprake mësuam se përjashtim nga ky namaz bën femra, e cila duhet ta fali drekën kurse krahas saj nga ky namaz (obligim) lirohen edhe: robi (i burgosuri), fëmija, i sëmuri dhe udhëtari. Këto kategori janë përshkruar në këto hadithe:
Xhumaja është e drejtë dhe obligim (për kryerjen e saj) në kolektiv për çdo musliman përveç për katër kategori: robin në pronësi, gruan, fëmijën dhe të sëmurin”[4].
Udhëtari nuk e ka obligim Xhumanë”[5].

II. Urtësitë

Një ditë madhështore sikur Xhumaja padyshim se përmban jo buqetë por thuaj lirisht kopshte urtësish, të cilat janë vërtetë shumë mbresëlënëse dhe përçojnë vetëm humanizëm. Ja disa prej atyre urtësive:

II.1. Bashkimi

Xhumaja përkujton moton islame, moto kjo e cila synon bashkimin e njerëzve në vija besimi. Thotë Allahu i Madhëruar:
Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër...”[6].
Tubimi i njerëzve nëpër xhami, kryerja e obligimeve të njëjta, radhitja e safave në baza fetare e jo në baza tjera (nuk favorizohet i pasuri dhe nuk prapësohet i varfëri), i ngjan Haxhit, ndaj edhe disa prej dijetareve e quanin Haxh i vogël. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë:
"Vërtetë, Allahu i Madhëruar nuk shikon në fizikun dhe dukjen tuaj por shikon në zemrat tuaja duke bërë me gisht kah gjoksi”[7].

II.2. Këshilla

Njeriu nga vet natyra e tij është i krijuar që nën ndikimin e presioneve të ndryshme (problemet e përditshme të jetës), disi t’i shmanget pa dashje fesë dhe obligimeve fetare. Tërë problemi i kësaj qëndron në qëndrimin larg xhamisë. Si simptomë qe shfaqur edhe tek shokët e Pejgamberit, alejhi's selam. Rasti i Handhales, i cili i qe ankuar Pejgamberit, alejhi's selam pikërisht për këtë, është një dëshmi se ajo mund ta godet çfarëdo njeriu. Mu për këtë qëllim, Xhumaja e cila bën bashkimin javor të njerëzve, luan rol kyç në shërimin e shpirtrave me simptoma të tilla. Xhabir b. Semure rrëfen se:
“Namazi dhe Hutbeja e Pejgamberit, alejhi's selam ishin mesatare (jo të gjata), lexonte ajete kur’anore dhe i këshillonte njerëzit”[8].
Ky vetëdijesim fillon qysh nga agimi i Ditës së Xhuma, në sabahun e së cilës këndohen Suret Es Sexhde dhe El Insan[9], të cilat, siç përmend Ibni Tejmije, përmbledhin në brendi të tyre domethëniet më madhështore të Ditës së Xhuma: Krijimin e Ademit, vdekjen, ringjalljen, etj.
Një aspekt tjetër vetëdijesimi, sidomos për ata kryelartë dhe mendjemëdhenjtë, bëhet edhe nëpërmjet përkujtimit të mbarimit të çdo pushteti a fuqie në këtë ditë. Më qartë, Kiameti, i cili shënon fundin e çdo krijese, ndodhë pikërisht ditën e xhuma[10], ndaj edhe Allahu i Madhëruar duke ua përkujtuar këtë, njerëzve ua rrëfen një insert të këtij përfundimi tragjik për mendjemëdhenjtë:
"Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t'i fshihet asgjë gjë e tyre. I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I All-llahut, i Atij që është Një, i fuqiplotit (është përgjigjja)!"[11].

II.3. Solidarizimi

Jo rrallë, e sidomos për raste të veçanta, Xhumaja shpreh shpirtin e humanitetit edhe nëpërmjet participimit në aksione humanitare. Shembuj të artë të kësaj natyre kanë treguar edhe xhematet tona që kanë dhënë ndihma jo vetëm për rajonin tonë por edhe pjesët më të largëta të botës, siç ishte rasti me Tsunamin në Indonezi, Gërdecin në Shqipëri, për të vërtetuar kështu praktikisht murin e pashkëputur islam anembanë botës. Thotë Muhammedi, alejhi's selam, duke përshkruar këtë mur:
“Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe butësinë reciproke është sikur shembulli i trupit, që po rënkoi një gjymtyrë e tij, atëherë i tërë trupi mbetet pa gjumë dhe me ethe”[12].

II.4. Udhëzimin e drejtë të Ummetit

Xhumaja siç duket këtë status e ka qysh prej fillimit të jetës në këtë tokë. Megjithatë, udhëzimi në të deri me ardhjen e ummetit të fundit nuk qe bërë. Ka thënë Pejgamberi, alejhi's selam:
“Ata që ishin para nesh nuk u udhëzuan nga Allahu i Madhëruar për Xhumanë; çifutët e patën të shtunën, të krishterët të dielën kurse neve Allahu i Madhëruar na udhëzoi për Ditën e Xhumasë”[13].
Imam Neveviu mban qëndrimin se popujt para nesh ishin njoftuar për vlerën e një dite por çka ishte ajo nuk e dinin mu për këtë ajo i qe lënë përpjekjeve të tyre të cilat rezultuan me zgjidhje të gabuar. Në fakt, atyre iu tregua kjo ditë nga Musai, alejhi's selam por polemizuan me të për të shtunën kështu që iu mbet ajo ditë pa përputhje me ligjin fetar. Kurse prej mëshirës së Allahut ndaj nesh ishte udhëzimi jo vetëm ne vlerën por edhe ne vet ditën me saktësi.
Këtë gabim më vonë e zbuluan por koha tashmë kishte kaluar kështu që në vend se të hyjnë në fenë islame e të fitojnë këtë shpërblim, ata zgjodhën rrugën e tiranisë dhe urrejtjes.
Imam Ahmedi rrëfen tregimin e çifutëve të cilët e përshëndesnin Muhammedin, alejhi's selam me: Es samu alejke - Vdekja qoftë mbi ty!, gjë e cila e rëndonte shumë Aishen, e cila ashpër ua ktheu atyre: Vdekja qoftë mbi jo o vëllezër të majmunëve dhe derrave. E përshëndetni të dërguarin e Allahut të Madhëruar me atë që Ai nuk e ka përshëndetur. Pejgamberi, alejhi's selam e ndaloi nga ky fjalor dhe ia tregoi esencën e problemit dhe thelbin e urrejtjes duke i thënë:
“Ata nuk na xhelozojnë për asgjë sikur na xhelozojnë për Xhuma, për të cilën na udhëzoi Allahu i Madhëruar kurse ata humbën”[14].

II.5. Xhumaja shans për falënderim ndaj Muhammedit, alejhi's selam

Si?
Në këtë ditë është i ligjësuar edhe dërgimi i salavateve mbi Muhammedin, alejhi's selam. Salavati është i mirë çdoherë vetëm se në këtë ditë, e cila është dita më e mirë, për zotërinë e njerëzimit, ka vlerë të veçantë. Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë:
“Prej ditëve tuaja më të mira është Dita e Xhumasë: në të u krijua Ademi dhe në të vdiq, në të është fryrja (e dytë - en nefhatu) dhe zëri trishtues (es sa’katu –thuhet se është fryrja e pare) ndaj më dërgoni shumë selavate ngase ato më prezantohen. O i dërguari i Allahut! Si do të prezantohet salavati ynë kur ti do të shpërbehesh – thonë do të shkatërrohet trupi yt. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës të hajë trupat e profetëve!”[15].
El Izz b. Abdus Selami ka thënë: Salvati yne për Muhammedin, alejhi's selam nuk është ndërmjetësim ngase ne nuk kemi atë nder të ndërmjetësojmë për të por Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të mirën ta kthejmë me të mirë. Nëse nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë të lutemi për atë që na ka bërë mirë. Duke ditur pamundësinë tonë që të mirën e Muhammedit, alejhi's selam ta kthejmë me diç ekuivalente, na udhëzoi në salavate si falënderim dhe respekt për të mirësinë që na solli.

II.6. Është festë e muslimanëve

Ibni Maxheh transmeton se Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë:
“Vërtetë, kjo është ditë feste e caktuar prej Allahut për muslimanët“[16].
Ka thënë Ibni Rexhebi: Është si rezultat i plotësimit të namazeve të obliguara ngase Allahu i Madhëruar për çdo ditë dhe natë besimtarëve ua ngarkoi faljen e pesë namazeve. Ditët janë shtatë dhe sa herë që një cikël javor merr fund, besimtaret në atë dite plotësojnë namazet e tyre kështu që edhe iu është ligjësuar festa në atë ditë. Kjo për faktin se ditët e javës tek muslimanët fillojnë të shtunën e përfundojnë të premten.
Aspekt tjetër që vërteton se kjo dite është feste, përveç ndalimit të agjërimit, është kurbani për këtë ditë. Nëse në Fitër Bajram japim fitrat, në Kurban Bajram kurbanin, atëherë në këtë festë, siç kanë cituar disa dijetarë, ofrojmë kurban, dhe atë bazuar në hadithin e Pejgamberit, alejhi's selam:
“Kush lahet (merr gusul) ditën e xhuma, pastaj shkon në xhami është sikur të ketë therur një deve (kjo është një kohën e parë), pastaj kush shkon në kohën e dytë është sikur të ketë therur një lopë dhe kush shkon në kohën e tretë sikur të ketë therur një dash dhe kush shkon në kohën e katërt është sikur të ketë therur një pulë e ai që shkon i fundit, pra në kohën e pestë është sikur të ketë falur një ve. Kur të del imami (per te mbajtur hutben) prezantojnë melaiket dhe dëgjojnë përmendjen e Allahut”[17].

II. 7. Refuzimin e pakusht të djallit

Xhumaja është obligim i patjetërsuar por përderisa Allahu i Madhëruar e ka pajisur njeriun me intelekt, atëherë përgjigjen apo jo pas mësimit të urdhrit ia ka lënë të lirë atij. Nëse përgjigjesh, je prej atyre që pasojnë Allahun e Madhëruar, ndryshe, nëse refuzon, deshe apo jo, radhitesh në radhët e pasuesve të djallit, i cili në momentet më të vështira jo vetëm që nuk do të mund të të ndihmojë por edhe do të shfajësohet se nuk të ka detyruar me dhunë ta braktisësh namazin. Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë skenë në kaptinën Ibrahim, ajeti 22:
“E pasi të kryhet çështja (të hyjnë ata të xhennetit dhe të xhehennemit në të, xhehennemlinjve) djalli (u mban ligjëratën e shëmtuar), dhe u thotë: "Vërtet, All-llahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe, qe, nuk e zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t'ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m'u përgjigjët; atëherë pra mos më qortoni mua, po qortojeni veten. Unë nuk mund t'ju shpëtoj juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që ma bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)". S'ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm”.

III. Veçoritë

III.1. Është një simbol që nënkupton shumë gjëra, dhe një manifestim, karakteri i të cilit është ka shtrirje përtej kohe e toke

Çdonjëri prej nesh që sheh sot apo kalon pranë NEWBORN-it në Prishtinë, automatikisht kthen mendjen në retrospektivë, respektivisht në shpalljen e pavarësisë. Kjo për faktin se mendja e njeriut është e mësuar të komunikoj edhe me shenja e simbole. Kështu është puna edhe me Ditën e Xhuma. Ajo është një shenjë, e cila përkujton shumë gjera, duke filluar nga e kaluara shumë e largët e deri tek e ardhmja e panjohur. Ja disa karakteristika të saj:
• Është dita më e mirë e javës[18],
• Është krijuar Ademi, ka hyrë në Xhenent në të dhe është nxjerrë prej tij në po këtë ditë[19],
• Ademi ka zbritur në tokë dhe ka vdekur në këtë ditë.
• Ndodhë Kataklizma[20].
• Ka shënuar ditën zyrtare të përfundimit të shpalljes ani pse ka qenë vetëm koincidencë me ditën e Arafatit[21].
• Njeriun që vdes në të e shpëton nga dënimi i varrit[22].

III.2. Është sinonim i ditës më madhështore për besimtarët

Fjala është për Ditën e Shtimit (Jevmu’l Mezid), ditën kur Allahu xhennetlinjëve do t’ua dhurojë shpërblimin më të madh. Thotë Allahu:
“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun)...” Junus, 26.
Këtë detajisht e ka sqaruar Sunneti. Pejgamberi, alejhi's selam na mëson:
“Kur banorët e Xhennetit të hyjnë në Xhennet, tha: thotë Allahu i Madhëruar: Dëshironi diç tua shtoj atë! O Zoti ynë –thonë-: a nuk na i ke zbardhë fytyrat, a nuk na ke futur në Xhennet, a nuk na ke shpëtuar nga zjarri?! Tha: Atëherë e heq perden dhe asgjë nuk iu është dhënë më e mirë se sa shikimi në Zotin e tyre të Madhëruar.” Muslimi.
Me këtë rast nuk dua ta lëshojë shansin pa përmendur se afërsia në këtë ditë me Allahun apo largësia varen nga shkuarja herët apo vone ne xhami për xhuma. Kështu është komentuar hadithi që e potencuam më herët.[23]

III.3. Është makine e fshirjes se mëkateve
Kjo ditë me adhurimet që ka ndikon jashtëzakonisht shumë në faljen e mëkateve. Do te doja të veçoja vetëm disa elemente të faljes:
a. Namazi i Xhumasë[24]
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Kush pastrohet e pastaj vjen në xhuma dhe fal atë që i është caktuar pastaj hesht derisa imami ta përfundojë hutben për tu falur më pas me të, këtij i falen mëkatet ndërmjet dy xhumave si dhe tri ditëve shtesë.” Muslimi.
b. Shpërblim për hapat
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Kush pastron kokën dhe trupin dhe shkon herët në xhami (dhe e arrin fillimin e hutbes) si dhe afrohet, e dëgjon dhe hesht (me përkushtim për dëgjim të hutbes), ai ka për çdo hap që bën shpërblimin e agjërimin dhe faljes fakultative të një viti”[25]
c. Ora e përgjigjes.
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“...dhe në të është një çast që nuk ndodhë robi ta lus Allahun e të mos i përgjigjet me kusht që lutja te mos jetë nga të ndaluarat...”[26]
Kohët që janë përmendur per pranimin e duasë janë kohë kur nuk lejohet namazi, pra pas ikindisë, dhe ndërmjet uljes së imamit e deri tek farzi i xhumasë...
Se cila kohë është e synuar në këtë hadith, përgjigjen më të bukur për përputhjen e haditheve që diskutojnë këtë çështje, e ka dhënë edhe Ebu Bekir el Ethremi, i cili thotë: Këto hadithe që flasin për këtë çast të përgjigjes dhe që kanë pikëpamje të ndryshme (disa kur të ulet imami - përfundim të namazit; pas hutbes - përfundim të namazit; çasti i fundit pas ikindisë; në mes ikindisë dhe perëndimit të diellit) janë të njërës prej dy aspekteve:
- disa janë më të sakta se tjerat,
- kjo orë lëviz në kohë gjatë ditës së xhuma ashtu siç lëviz nata e kadrit në dhjetëshin e fundit.
Xhumaja me këtë element, pra me kohën e faljes, në vete ngërthen një urtësi shumë të rëndësishme, e ajo është vazhdimësia në adhurime. Kjo për faktin se ora, përveç që nuk dihet saktësisht dhe është moment i shkurtër[27], ajo –sipas një mendimi- lëviz, ashtu siç lëviz Nata e Kadrit në Ramazan.
Kështu, nëse Nata e Kadrit ka mbetur sekret që angazhimi ynë të jetë gjatë tërë Ramazanit, e me theks të veçantë në dhjetë ditët e fundit të tij, atëherë dita e xhuma do të ishte mirë, ani pse lejohet shitblerja pas namazit të xhumasë, të lihej për adhurim, sidomos pjesa pas namazit të ikindisë nëse më herët nuk ekzistojnë mundësitë.


Përfundim

Pas këtij përshkrimi të shkurtër që i bëmë urtësive dhe veçorive të Xhumasë dhe Namazit të saj, për çka u bindëm se është vërtetë një ditë madhështore me rite, porosi dhe mësime po kështu madhështore, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i drejtohemi me ca këshilla atyre që pa asnjë arsye anashkalojnë Namazin e Xhumasë.
Vëlla dhe motër!
A e dini se mos falja e tri xhumave bën që ju të identifikoheni si hipokrit. A nuk keni dëgjuar hadithin e Muhammedit, alejhi's selam, se:
“Kush i braktisë tri xhuma pa arsye, Allahu i Madhëruar do t'ia vulosë zemrën e tij (me hipokrizi)”[28].
A nuk ke dëgjuar se ata që nuk e falin xhumanë kanë qenë të kërcënuar nga Muhammedi, alejhi's selam, për djegie duke qenë gjallë, dënim ky i paraparë vetëm për disa nga mëkatet e mëdha, madje edhe atë shumë rrallë. Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Desha që ta urdhëroj dikë të falet me njerëz e unë të shkoj tek ata që nuk e falin xhumanë dhe tua djegë shtëpitë (duke qenë ata brenda tyre)”.

Lexues të nderuar!
Para frikës le të jetë dashuria motiv për faljen e xhumasë. Përkujtoni këto që u përmendën në këtë ligjëratë se ka shpresë që t'iu bëjnë dobi. Përgjigjuni thirrjes së Allahut të Madhëruar dhe të dërguarit të tij ngase në të është shpëtimi!

Literatura e konsultuar
1. Abdu’l Adhim Bedevijj, El Vexhizu fi fikhi’s sunneti ve’l kitabi’l aziz, b.3, Dar Ibni Rexheb, Mensure, 2001.
2. Es-Sejjid Sabik, Fikhu’s Sunneh, El fet’hu li’l i’lami’l arabijj, b.2, Kajro, 1999.
3. Ahmed b. AbduRrahman b. Kudame el Makdesijj, Muhtesar minhaxhi’l kasidine, Daru’l Iman, Aleksandri, Egjipt.
4. Dr. Husejn Ahmed Sunbul, Mukaddimetun fis salati alen Nebijji, alejhi's selam, b.1, 2000.
5. Muhammed b. Ismail el Emir el Jemenijj es San’anijj, Subulu’s selam shehu bulugu’l meram min xhem’i edil-leti’l ahkam, b.5, Daru’l hadith, 1997, Kajro, Egjipt.
6. Abdullah b. AbduRrahman b. Salih Al Bessam, Tejsiru’l Al-lam sherhu umdetu’l ahkam, b.1, Daru’l Mugni, Rijad, 2000.
7. Xhumaja dita e zgjedhur e javës, përgatitur nga redaksia e revistës “Drita e jetës”, Gjilan,.
8. Ibn Kajjim el Xheuzijjeh, Zadu’l mead fi hedji hajri’l ibad, Daru’l menar, b.1, 2003, Kajro, Egjipt.

____________________________
[1] El Kasas, 68.
[2] Taxhu'l urus, 1/745.
[3] El Xhumuah, 8.
[4] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu ve Daifu Suneni Ebi Davud, 1067, pj.3, f. 67, e ka cilësuar autentik.
[5] Albani në Sahihu'l Xhamii, 9536, pj.20, f. 108, e ka cilësuar autentik.
[6] Ali Imran, 103.
[7] Muslimi.
[8] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[9] Buhariu.
[10] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[11] Gafir, 16.
[12] Muslimi.
[13] Muslimi.
[14] Arnauti ka thënë për këtë hadith se ka sened hasen ndërsa Albani ka thënë se ka sened xhejjid. Shih: Es Silsiletu’s Sahihah, 2/312.
[15] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[16] Albani e ka cilësuar hasen.
[17] Buhariu dhe Muslimi.
[18] “Prej ditëve tuaja më të mira është Dita e Xhumasë: në të u krijua Ademi dhe në të vdiq, në të është fryrja (e dytë - en nefhatu) dhe zëri trishtues (es sa’katu –thuhet se është fryrja e pare) ndaj më dërgoni shumë selavate ngase ato më prezantohen. O i dërguari i Allahut! Si do të prezantohet salavati ynë kur ti do të shpërbehesh – thonë do të shkatërrohet trupi yt. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës të hajë trupat e profetëve!” Transmeton Ebu Davudi dnersa Albani e ka cielsuar autnetik.
[19] “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në të është krijuar Ademi, në të ka hyrë në Xhennet dhe është nxjerrë prej tij, dhe se Kiameti nuk do të ndodhë veçse ditën e xhuma.” Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[20] "Vërtetë, Dita e Xhuma është zonja e ditëve dhe më madhështorja prej tyre, madje tek Allahu është më madhështore edhe se Dita e Kurban dhe Fitër Bajramit. Në të janë pesë veçori: E ka krijuar Allahu Ademin, e ka lëshuar në tokë, ia ka marrë shpirtin, dhe në të është një çast, që nuk ndodhë njeriu ta lus Allahun e Allahu të mos i përgjigjet, me kusht që ajo të mos jetë e ndaluar. Në të ndodhë edhe kataklizmi. Nuk ka melek të afërt, qiell, tokë, erë, kodër, det, e që të mos kenë frikë atë.” Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[21] Omeri rrëfen se një çifut i kishte thënë atij: O prijësi i besimtarëve! Një ajet (që iu është shpallur ju dhe) që e lexoni në librin tuaj, sikur të na ishte shpallë ne çifutëve do ta merrnin për festë. Po cili ajet është ai?- e pyeti Omeri. Ajeti: “...Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe...”. Po ne e dimë kohën dhe vendin kur i ka zbritur Pejgamberit, alejhi’s selam. Ai ishte duke qëndruar në Arafat Ditën e Xhuma.” Buhariu.
[22] Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë: “Nuk ka musliman që vdes ditën e xhuma apo edhe natën e saj e të mos e ruajë Allahu nga sprova e varrit!” Albani e ka cilësuar hasen.
[23] “Kush lahet (merr gusul) ditën e xhuma, pastaj shkon në xhami është sikur të ketë therur një deve (kjo është një kohën e parë), pastaj kush shkon në kohën e dytë është sikur të ketë therur një lopë dhe kush shkon në kohën e tretë sikur të ketë therur një dash dhe kush shkon në kohën e katërt është sikur të ketë therur një pulë e ai që shkon i fundit, pra në kohën e pestë është sikur të ketë falur një ve. Kur të del imami (per te mbajtur hutben) prezantojnë melaiket dhe dëgjojnë përmendjen e Allahut” Buhariu dhe Muslimi.
[24] “Pesë namazet dhe xhumaja deri në xhuma shlyejnë mëkatet që janë ndërmjet tyre.” Muslimi.
[25] Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerët ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[26] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[27] Në një transmetim të Imam Muslimit qëndron edhe kjo: “ …dhe aludoi me dorë duke e zvogëluar (shkurtuar atë).” Kurse në një transmetim tjetër po kështu nga Muslimi qëndron: “ …dhe ajo është një kohë e lehtë – shkurtër.”
[28] Transmetojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasenun sahih.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi