Dalja nga gjendja e dëshpërimit dhe depresionit: mesazhet e sures “Ed- Duha”


Është e vërtetë se shpesh biem në gjendje depresioni dhe stresi, sidomos në kohën e sotme, kur kemi gjithçka ndërsa s’kemi asgjë.

Kurani është ilaç, është këshillë, Kurani është miku dhe vaizi më i mirë, thënë në mënyrën më të thjeshtë, Kurani është shpëtimi dhe udhëzim për një jetë të lumtur. Çdo sure kuranore, çdo ajet ka mesazhet dhe mësimet e tij, problemi është tek ne, që përmbledhjen e këtyre mesazheve “nga respekti për kuranin” i mbajmë të mbështjellura me peshqir të vendosura në komoda të larta që fëmijët apo dikush nga anëtarët e shtëpisë mos ta prekin, sepse ai është libri i Zotit, Kurani.
Një sure kuranore të cilën duhet ta dijë përmendsh çdo besimtarë, ka një mesazh shumë të rëndësishme, ka një thirrje rehatuese dhe i jep njeriut shpresë, shpresë se nuk është fundi i gjithçkaje. Do t’i kisha sugjeruar psikiatërve muslimanë mësimin dhe studimin e kësaj sureje. Mendoj se do t’ua lehtësonte punën me pacientët…

Sureja „Ad-Duha“.

Dëshiroj t’ju njoftoj me komentimin dhe mesazhet e saj. Mësimi dhe studimi i saj, veçanërisht nëse dihet përkthimi dhe komentimi i saj ndikon me një energji të mahnitshme pozitive në gjendjen e zemrave. Kjo sure të çon të mendosh pozitivisht, nuk ka vend për errësirën dhe dyshimin. Kjo sure është shpallur në Meke, u shpall gjashtë muaj pasi që Muhamedit a.s., iu ndërpre shpallja. Asgjë nuk ndodhi për gjashtë muaj, nuk kishte ëndrra profetike, meleku Xhibril nuk i vinte, asgjë, asnjë lidhje me Allahun kur është në pyetje Shpallja. Për këtë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ngadalë sikur po binte në dëshpërim, filloi të brengoset dhe të frikohet, sikur nuk kishte bërë aq sa duhet që Allahu të ndal lidhjen me të.
Ndodh, edhe pse falemi, agjërojmë, lexojmë Kuranin, ndajmë sadaka, shpesh mendojmë se nga kjo nuk ka asgjë, se këtë e bëjmë kot, humbim shpresën, ndjehemi të lodhur. Rrethi ku jetojmë, puna, familja, na lodhin aq shumë sa që edhe ibadetet që i bëjmë, i bëjmë me dembeli dhe përtaci, i bëjmë me shpejtësi të madhe dhe atëherë fillojmë edhe të dyshojmë. Ndodh ajo më e keqja për besimtarin, rënia në depresion shpirtërorë dhe fetarë. Dhe pas gjashtë muajsh Allahu i Madhërishëm lëshon shpalljen, lëshon suren Ed-Duha.

1. Pasha shkëlqimin e paradites – Është një mesazh për atë i cili mendon se është në errësirë të plotë, frikohet nga diçka, është mesazh që të zgjohet, sepse me ardhjen e mëngjesit, fillon një ditë e re dhe Dielli lind përsëri. Dielli, agimi, mëngjesi, dita dhe shkëlqimi, japin efekte pozitive për një shpresë të re. Pikëllimi nuk është i përhershëm, nuk janë të gjithë ditët të zeza.

2. Dhe natën kur erret dhe errësohet – Nata është krijuar që njeriu të pushojë në të, të pushoj trupin dhe shpirtin e tij. Njerëzit që ditën e bëjnë natë dhe natën ditë, në përgjithësi janë njerëz depresiv, të hidhëruar dhe të padisponueshëm. Nuk janë të fjetur mirë sepse gjithë natën rrinë zgjuar dhe flenë ditën. Nata është krijuar që njeriu të pushojë trupin dhe shpirtin që ditën të jenë aktiv dhe të disponueshëm.

3. Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (O Muhamed). O Muhamed, Zoti yt nuk të ka braktisur e as të urren, Ai nuk ka asnjë urrejtje ndaj teje. Allahu nuk urren asnjë dhe nuk braktis askënd. Andaj, mos e humb shpresën në mëshirën Allahut të Madhërishëm, nëse dëshiron të jetosh një jetë të qetë dhe të rehatshme.

4. Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë – Është shumë e vërtetë se gjendja në të cilën ndodhemi në këtë botë aspak nuk mund të krahasohet me gjendjen në Botën tjetër të cilës çdo kush po i afrohet ngadalë. Besimtari i sinqertë duhet të jetë i vetëdijshëm se sprovat dhe vuajtjet janë të kalueshme, ndërsa për durimin, shpërblimi do të jetë kënaqësitë e përhershme në Botën tjetër. Andaj, lëri të gjitha brengat, problemet, mbështetu në Allahun dhe me durim prit atë që Allahu i Madhërishëm ka premtuar nga mirësitë e Tija.

5. E sigurisht që Zoti yt do të jap ty, sa të jesh i kënaqur – Po, shumë shpejt, sepse Allahu i Madhërishëm i shpërblen durimtarët, Allahu do të jap që të kënaqë ty dhe shpirtin tënd në këtë botë dhe në veçanti në botën tjetër. Allahu xh.sh., do ta mbjell lumturinë në zemrën tënde. Allahu i Madhërishëm na porosit se gjithmonë do të na ofroj dalje nga çdo situatë, se do të na jap fitore, qoftë si bashkësi qoftë si individ.

6. A nuk ishte jetim e Ai të dha strehë – Allahu i Madhërishëm e përkujton të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., për periudhën kur ishte jetim, e Ai e morri nën kujdesin e Vet. Allahu i Madhërishëm asnjëherë nuk e lë robin e vet pa përkrahje. Sa e sa herë Allahu na ka mbrojtur kur kemi qenë të vogël, derisa kemi qenë të ri, sa e sa herë na ka shëruar, sa e sa herë na ka dhënë mundësinë për të përparuar? Shumë herë. Mirëpo ne shumë pak mbajmë mend dhe kur nuk shkojnë punët ashtu siç duam ne, biem në dëshpërim dhe depresion, duke humbur shpresën në Allahun e Madhërishëm. Ai do të na ofroj strehë gjithmonë, vetëm duhet t’i kthehemi Atij.

7. A nuk të gjeti të paditur (për islamin) e të udhëzoi – Ku do të ishim sot ne, nëse Allahu nuk do të na udhëzonte në Rrugën e drejtë, ku do të ishim nëse Allahu nuk do ta lëshonte mëshirën e Vet mbi ne? Nuk faleshim, ndërsa tani falemi, nuk agjëronim, por tani agjërojmë, lexojmë Kuranin, dhe kështu mundohemi të tregojmë falënderimin ndaj Allahut për udhëzimin tonë. Vallë, si është e mundur që të besojmë Zotin dhe të biem në gjendje dëshpërimi dhe depresioni! Kërko strehim tek Allahu me dua dhe vepra të mira, dhe do ta shohësh se si shpirti kënaqet.

8. A nuk ishe nevojtarë e të bëri të mos i kesh nevojën e askujt – Allahu na jep pasuri të shumta, vetëm se nuk i shohim apo se nuk jemi të kënaqur dhe nuk ngopemi dhe gjithmonë kërkojmë më shumë. Pasuria nuk është vetëm tek paraja, por, është edhe tek fëmijët, shëndeti, dija, sjellja dhe fëmijët e edukuar dhe hallall. Allahu na furnizon në mënyra të ndryshme dhe ndonjëherë na jep më shumë se sa e meritojmë, mirëpo jemi jo falënderues dhe për shkak të varfërisë së paramenduar, biem në dëshpërim dhe humbim gjithçka.

9. Andaj, mos e shtyp jetimin – Mesazhi i qartë se jetimit nuk duhet t’i bëhet asnjë lloj padrejtësie.

10. Dhe lypësin mos e largo me ashpërsi – Nëse dikush të lyp dhe nuk ke mundësi t’i japish, mos e nënçmo dhe ofendo. Allahu i Madhërishëm na jep dy mesazhe që ndaj dy llojeve të njerëzve, duhet të jemi të kujdesshëm, këto janë: jetimët dhe lypësit. Dhe a e dini se cila është mënyra më e mirë për ta qetësuar shpirtin? Nëse i ndihmon jetimit dhe lypësit, kur sheh se ata janë të buzëqeshur, dije se buzëqeshja do të banojë në zemrën tënde.

11. Dhe shpalli mirësitë e Zotit tënd – A mund t’i numëroni mirësitë e Zotit tënd? Nuk mundeni, sepse nuk jemi në gjendje t’i numërojmë e jo më diçka tjetër. Mirësia e shikimit, të folurit, dëgjimit… Nëse Allahu nuk na donë, përse jemi gjallë atëherë, Allahu i Madhërishëm dëshiron që ne t’i kthehemi Atij me pendim dhe vepra të mira, që Ai të jetë i kënaqur me ne.

Një këshillë për mua dhe ju!Kur të bini në gjendje dëshpërimi, mërzie dhe brenge, lexoni dhe studioni suren Ed-Duha, lexoni përkthimin e saj, mendoni për mesazhet e Zotit që vazhdojnë deri në Ditën e Gjykimit. Kjo sure mbolli qetësinë dhe rehatinë në zemrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., duhet të mbjell edhe në zemrat tona.



Përshtati: Arsim Dauti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi