Muhamedi a.s., shëmbëlltyra më e mirë


Janë transmetuar shumë hadithe për madhështinë e Muhamedit a.s., dhe zgjedhjen e tij. Të gjitha transmetimet e përshkruajnë Pejgamberin a.s., si krijesën më të mirë, tek ai ishte plotësisht i barabartë pasaniku dhe i varfëri. Këshillat e tij ndryshuan karakterin e njerëzve. Urrejtja u shndërrua në dashuri, zemërimi në butësi, krenaria në modesti, egoizmi në zemërgjerësi.
Allahu xh.sh., thotë në Kuran: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t'u lexojë shpalljen e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë Kuranin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164)

Muhamedi a.s., si shëmbëlltyrë

Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., u dërgua si shëmbëlltyrë, mëshirë jo vetëm për një popull, por për të gjithë njerëzimin, jo për një brez, por për të gjithë brezat deri në Ditën e Gjykimit. Ai iu dërgua jo vetëm njerëzve, por të gjitha krijesave e botëve. Pejgamberët e tjerë Allahu i Madhëruar i thërriste me emrat e tyre: “O Adem”, “O Ibrahim”, “O Musa”, ndërsa për nder të Muhamedit a.s., Zoti i botëve nuk i drejtohet atij me fjalët: “O Muhamed”, por: “O i Dërguar” dhe “O Pejgamber”.
Muhamedi a.s., është shembull unik se si dhe me sa dashuri duhet të kujdeset për pasuesit e tij, sepse ai nuk kujdesej vetëm për myslimanët e kohës së tij, por edhe për brezat që do të vijnë pas tij. Ai shpesh iu drejtonte Allahut të Lartësuar, me lutje për ta mëshiruar ymetin e tij, për ta mbrojtur atë nga sprovat, fatkeqësitë dhe zullumi. Pejgamberi a.s., do të recitonte vetëm një ajet kuranor gjatë gjithë natës duke i lutur Allahut xh.sh., që t’i mbronte pasuesit e tij nga dënimi.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut” (Ahzab, 21)
Pra, me këtë ajet kuranor, Zoti i Plotfuqishëm na bën të ditur të gjithëve se shembulli ynë më i mirë është Muhamedi a.s. Siç theksojnë komentuesit e Kuranit, ky ajet është një platformë e madhe dhe shumë e përshtatshme për ta pasuar të Dërguarin e Allahut a.s., atë që tha, bëri dhe si veproi në raste të ndryshme. Morali i të Dërguarit të Zotit a.s., ishte morali që myslimanët duhet të ndjekin, sepse ai është morali më i mirë dhe më i përsosur.
Ne pyesim veten pse Zoti i dha njerëzimit një pejgamber që lindi jetim. Mesazhi për të gjithë ne është se ne mësojmë nga kjo se duhet të kujdesemi për ata në shoqërinë tonë që janë të cenuar, dhe sigurisht ndër më të cenuarit janë fëmijët pa prindër. Pejgamberi a.s., me një rast tha: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin në Xhenet do të jemi pranë njëri-tjetrit.” (1)
Pejgamberi a.s., është shëmbëlltyrë për ymetin si në moral ashtu edhe në të gjitha rrethanat e jetës. Ai ishte i stolisur me butësi në marrëdhëniet e tij me njerëzit dhe sillej më mirë me familjen e tij. Përkundër faktit se Pejgamberi a.s., nuk kishte nga kush të mësonte butësinë atërore, mënyra e jetesës së tij tregoi se ai ishte Mjeshtri i njerëzimit në këtë aspekt, si shembulli më i bukur për njerëzit. Më të afërmit me Pejgamberin a.s., dëshmuan se ata nuk shihnin person me më shumë konsideratë dhe butësi ndaj të gjithëve, dhe veçanërisht ndaj familjes së vetë, siç ishte Pejgamberi a.s.(2) Kurse Aishja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit a.s., na shpjegon: “Pejgamberi a.s., nuk goditi kurrë një shërbëtor/e, as gruan, as ndonjë tjetër me dorën e tij.” (3)
Muhamedi a.s., nuk hakmerrej ndaj askujt, por do të falte edhe ata që e ngacmonin dhe ishin të padrejtë ndaj tij. Ai ishte shumë i vëmendshëm dhe i butë ndaj fëmijëve dhe të varfërve. Ai i trajtonte gratë me respekt të veçantë. Ai kurrë nuk i nënvlerësoi, nënçmoi ose poshtëroi ato.

Ymeti im, ymeti im!

Në hadith autentik përmendet se në Ditën e Gjykimit, njerëzit do t'u drejtohen pejgamberëve të tyre për ndihmë dhe shefaat, dhe ata do të përgjigjen: “Shefaati i është dhuruar Pejgamberit të fundit – Muhamedit a.s.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a., se kishte thënë: “Ishim ulur një herë me Pejgamberin a.s., kur ai tha: - Unë jam i pari mes njerëzve në Ditën e Gjykimit. A doni që t'ju tregojë pse? Ditën e Gjykimit, Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të gjithë popujt, si të parët ashtu edhe të fundit në një vend, në mënyrë që një njeri do të jetë në gjendje t'i shohë ata dhe t'i thërrasë së bashku. Dielli do të zbritet shumë afër, dhe ata do të jenë në telashe dhe shqetësime të mëdha. Do të presin. Do të qëndrojë. Atëherë paritë e njerëzve, të parët e atyre popujve që i udhëhoqën në këtë botë, do të thonë: - Mjerë ne, le të kërkojmë një rrugëdalje, le të kërkojmë dikë që të ndërmjetësojë për ne. Le të shkojmë së pari te paraardhësi ynë Ademi a.s. Më tej hadithi thotë se së pari do të shkojnë te Ademi a.s., kurse ai do t'i dërgojë te Nuhu a.s., që ai të kërkon shpëtim nga Allahu. Nuhu a.s., do t'i dërgojë tek Ibrahimi a.s., kurse Ibrahimi a.s., do t'i dërgojë te Musai a.s. Pasi që as Musai a.s., nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesën e njerëzve, do t'i dërgojë ata te Isai a.s., kurse Isai a.s., do t'u thotë atyre: Shkoni te Muhamedi. Ata do të vijnë tek Muhamedi a.s., dhe do të thonë: - O Muhamed, ti je robi më i zgjedhur i Allahut, ti je vula e të gjithë të pejgamberëve, i dërguar i fundit. Ndërmjetëso tek Allahu për ne. Thotë Muhamedi a.s., më tej në hadith: “Unë pastaj do të shkojë nën Arsh dhe do të bijë në sexhde Allahut. Atëherë Allahu do të më mbulojë me lavdërime dhe falënderime si askënd më parë dhe do të më thotë: - O Muhamed, çohu dhe kërko, do të të plotësohet. Ndërmjetëso, ndërmjetësimi yt do të pranohet.” (4)
Nga fjalët e hadithit të mësipërm mësojmë se Muhamedi a.s., nuk do të thotë: nëna ime, gjyshja ime, fëmijët e mi. Ai nuk do të thotë "Unë", por do të thotë: “Ymeti im, O Zot”. Dhe në shtratin e vdekjes, prej brengave të tij të fundit ishin: “Ymeti im, ymeti im...!”
Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë nuk bën dobi as ndërmjetësimi, përveç atij të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë...” (Ta Ha, 109)

Si e përshkruan Muhamedin a.s., ata që e njohën

Ata që folën për jetën e Muhamedit a.s., përmendin një ngjarje të bukur kur Abdullah ibn Revvaha r.a., një poet në mesin e shokëve të Pejgamberit a.s., iu kërkua të përshkruante pamjen e Pejgamberit a.s. Pyetësit ishin njerëz si ne, ata që nuk kishin mundësi të takonin Pejgamberin a.s. Abdullah ibn Revvaha iu përgjigj: “Një ditë isha duke ecur ndërsa dielli po shkëlqente në qiell dhe e pashë Pejgamberin duke u afruar. Pasha Zotin, në sytë e mi fytyra e tij ishte më e bukur se vetë dielli.” (5)
Në vitin e çlirimit të Mekës, kur erdhën qindra njerëz dhe e përshëndetën Muhamedin a.s., në Meke erdhi edhe Halimja. Një plakë mbi 80 vjeç, e mbështetur në një shkop, e shikon Muhamedin a.s., ndërsa fytyra e saj shkëlqente, gëzohej për atë që e ka ushqyer me gji, atë që e sheh si njeri të rritur, për më tepër të dërguarin e Zotit. Në pyetjen e Muhamedit a.s., se kush është kjo grua, ata u përgjigjën se ishte Halimja nga fisi Benu Sad. Fytyra e Muhamedit a.s., i shkëlqeu, zbriti nga deveja dhe tha se është nëna e tij, e hoqi mbështjellësin e tij nga supet dhe u ul me të për të biseduar në heshtje. Nga ata që erdhën për ta ndërprerë, Muhamedi a.s., kërkoi që të lejohej pak kohë për të biseduar me nënën e tij. (6)
Ne nuk duhet të harrojmë bamirësinë që bën dikush ndaj nesh. Ai që harron bamirësinë e të tjerëve ka harruar veten. Ai ka harruar Zotin i cili, në fakt, na jep gjithçka. Ky është edebi, ky është ahlaku, ky është morali i Pejgamberit a.s., tek i cili duhet të kthehemi dhe të cilin duhet ta ndjekim.
E gjithë jeta e Pejgamberit a.s., që nga lindja e tij deri në vdekjen e tij, rrezatonte dhembshuri, sinqeritet, fisnikëri, mirësi dhe dashuri. Ne mund ta njohim shumë lehtë këtë kod të jetës në sjelljen dhe fjalët e tij. Ai fliste: “Ata që janë të mëshirshëm, Mëshiruesit do t’i mëshirojë ata! Jini të mëshirshëm ndaj atyre që janë në Tokë, që t'ju mëshirojë Ai që është mbi ju.” (7)
Enes ibn Maliku r.a., transmeton një transmetim që përshkruan maksimumin e fisnikërisë dhe kulmin e moralit të bukur të Muhamedit a.s.: “Si djalosh, i shërbeva të Dërguarit të Allahut, a.s., në Medinë për dhjetë vjet. Nuk ishte gjithmonë ashtu siç donte ai, por kurrë nuk më tha uh, as nuk më tha kurrë: “Pse e bëre këtë, ose pse nuk e bëre këtë.” (8)
Muhamedi a.s., posedonte moral, mirësi dhe modesti, të cilat u admiruan edhe nga armiku i tij më i madh, dhe kjo ishte një arsye për ta respektuar atë. Pejgamberi a.s., sillej mirë me jomyslimanët dhe nuk i jepte vetes të drejtën të ushtronte ndonjë presion ndaj njerëzve për të pranuar Islamin, por, gjatë gjithë misionit të tij pejgamberik, udhëhiqej nga parimi kuranor: “Në fe nuk ka dhunë.” (Bekare, 256)
Njerëzit mbetën të magjepsur nga morali dhe mënyra e tij e jetesës. Kështu Islami u përhap, falë bukurisë së sjelljes së tij dhe personalitetit të tij të bekuar. Thotë Abdullah bin Harith r.a.: “Nuk kam parë njeri të buzëqeshë më shumë se Pejgamberi a.s.!” (9)
Xherir ibn Abdullahu r.a., thotë: “Nuk kishte rast që Pejgamberi a.s., e dëgjoi zërin tim para shtëpisë së tij pa më futur brenda në shtëpi. Që kur kam pranuar Islamin, kurrë nuk më ka takuar e të mos ishte i buzëqeshur!” (10)
Nëse Pejgamberi a.s., do të donte t’ua rekomandonte sahabëve diçka për të bërë, ai do ta bënte vetë së pari, dhe njerëzit, duke e parë atë, vepronin ashtu siç e kishin parë Pejgamberi a.s. të bënte. Padyshim, mësimi praktik ka një efekt më të fortë te njeriu dhe është më efektiv në arsyen dhe kujtesën, çon në imitim dhe ndjekje, sesa mësimi teorik. Mësimi praktik është një metodë e lindur në mësim dhe është një nga metodat më të mëdha dhe më të zgjedhura të Pejgamberit a.s., në mësim.
Pasuesit e vërtetë të Pejgamberit a.s., mund të njihen nga sjellja e tyre e mirë ndaj të gjithë njerëzve, nga mëshira, butësia dhe qetësia. Këta janë ata që japin, ndihmojnë nevojtarët, kujdesen për jetimët. Ata që nuk ndahen dhe që ruajnë bashkësinë e tyre.
Pasuesit e Pejgamberit a.s., nuk mund të jenë njerëz mizorë, zemër fortë, ata që bëjnë dhunë ndaj njerëzve të tjerë, ata që bëjnë thirrje për dhunë dhe padrejtësi, justifikojnë ata që e bëjnë atë dhe madje edhe ata që nuk bëjnë asgjë për ta parandaluar atë! Kundër të keqes duhet vepruar, paralajmëruar, përçmuar për veprime të tilla!



1. Muttefekun alejhi.
2. Kenan Musi?, „Allahov poslanik Muhammed, s.a.v.s...“, Novi Muallim, 2007, Nr. 29, f. 15.
3. Hadithin e shënon Muslimi.
4. Muttefekun alejhi.
5. https://hafizkenanmusic.com/resulullah-savs-kao-najbolji-uzor/
6. Po aty.
7. Hadithin e shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
8. Hadithin e shënon Ebu Davudi.
9. Hadithin e shënon Tirmidhiu.
10 Hadithin e shënon Buhariu.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi