Besimi në caktimin (kaderin) e Allahut xh. sh. është kushti i gjashtë i besimit islam. Mirëpo, duke e marrë parasysh se kaderi dhe kadaja në aspektin e tyre përmbajtësor, terminologjik nuk përmbahen në Kur’an, por as në kohën e as’habëve nuk dolën në sipërfaqe si tema thelbësore, ato përbëjnë njërën prej çështjeve të akaidit islam, të cilat çojnë mes vullnetit hyjnor dhe vullnetit njerëzor, mes përsosmërisë së atributeve hyjnore dhe përgjegjësisë njerëzore.
A. Përkufizimi i kadasë dhe i kaderit
Ulemaja islame ndahet lidhur me përkufizimin e konceptit “kader” dhe “kada”. Disa, madje, këto dy shprehje i konsiderojnë shprehje sinonimike. Megjithatë, ne do t’i trajtojmë të dy kuptimet parësore.
Në kuptimin gjuhësor fjala “kader” do të thotë: matje, vlerësim, përcaktim, formësim, trajtësim etj. Në arabishte folja kadere do të thotë: vlerësoi, caktoi, ndau në pjesë, i caktoi secilit pjesën e vet, si dhe mundi, pati fuqi, qe i aftë. Kurse trajta foljore kaddere do të thotë: vendosi, ekzekutoi, veproi.(1)
Në kuptimin përmbajtësor “kaderi” është vendim i Allahut, ndërkaq “kadaja” është ekzekutim i këtij vendimi nga ana e Tij, respektivisht kadaja është kryerja e asaj gjëje për të cilën është marrë vendimi dhe vetë zbatimi i vendimit. Me fjalë të tjera, kaderi është ”planifikim dhe programim nga Krijuesi i Lartë, që zotëron dijen e pasosur, që sheh dhe di të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen si një pikë të vetme dhe për të Cilin nuk ka të shkuar, të tashme dhe të ardhshme, e tërë gjithësia etj. Ndërkaq, kadaja është zbatim nga Zoti i gjërave të caktuara dhe të vendosura prej Tij në pafillimësi, kur t’u vijë koha, me anë të vullnetit dhe fuqisë së Tij dhe në përputhje me dijen e tij eternale.”(2)
Të këtij mendimi janë edhe maturidijtë, të cilët shprehjes kada` ia atribuojnë kuptimin e krijimit (halk), kurse shprehjes kader ia atribuojnë kuptimin e përcaktimit (takdir).(3)
Imam Ebu Hanife e jep këtë përkufizim: “Caktimi (kada`) dhe përcaktimi (kader) dhe vullneti (meshi`atu) janë cilësitë e Tij të amshueshme, pa (modalitetin) si”.(4)
Duke menduar për kaderin, do të përfundojmë se ai është “përkatësia ndaj Allahut xh. sh. e çdo gjëje në planin informativ dhe me qenien e vet, me karakter informativ para se të ndodhë. Gjëja që ka hyrë në kushtet e ekzekutimit dhe që përpiqet të zërë vendin e vet mes vargut të aksidencave, shkruhet e shënohet me anë të engjëjve të respektuar në formë kopjesh të Librit të Kujtesës (Levhi Mahfudh) në Librin e Kujtesës dhe me provë, përsëri me kusht, që të jetë brenda dijes së Allahut xh. sh. Kaderi është bashkëshoqërim i përpjekjes njerëzore me aktin krijues të Allahut xh. sh. Mohimi i kaderit merr kuptimin e mohimit të të gjitha atributeve të Zotit, që çon në mosbesim.”(5)
B. Kaderi si parim besimi
Ekzistenca e Allahut xh. sh., pejgamberia e Muhammedit a. s., madje edhe ringjallja, mund të provohen shkencërisht. Por, kaderi nuk është i tillë, as nuk është çështje teorike dhe shkencore, sepse ai është çështje shpirtërore dhe i ndërgjegjes.
Domosdoshmëria e besimit në kader në Islam bazohet në dy argumente:
1) Në numrin e madh të ajeteve dhe të haditheve që flasin për domosdoshmërinë e besimit në kader dhe; 2) Në domosdoshmërinë e besimit në atributet absolute, të pakushtëzuara e të pakufizuara të dijes, të vullnetit dhe të fuqisë së Zotit.(6)
Kur’ani në shumë ajete na bën të qartë për ekzistimin e kaderit lidhur me njeriun. Allahu xh. sh. thotë:
“S’ka mjerim (fatkeqësi) që e godet tokën dhe juve, përveç asaj që është shënuar më parë në Libër; kjo për Allahun me të vërtetë është lehtë! Për të mos u dëshpëruar për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë juve, Allahu nuk i do lavdëruesit dhe vetëmburrësit.” (El-Hadid: 22-23)
Ajeti i sipërm në mënyrë eksplicite tregon se të gjitha qeniet, dukuritë dhe ngjarjet, e edhe njeriu dhe çdo gjë lidhur me të para se edhe të dalin në ekzistencë, janë të shkruara në dijen hyjnore.
Edhe hadithet flasin qartë lidhur me kaderin:
“...(besim do të thotë) të besosh Allahun, në engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e ahiretit dhe kaderin, të mirën dhe të keqen...” (Muslimi, Iman)
Pjesa e hadithit “...dhe të keqen...” tregon qartë se besimi në të mirën, ashtu edhe në të keqen, e kanë prejardhjen nga Allahu dhe do të thotë se çdo gjë bëhet me vullnetin dhe fuqinë e Allahut, por jo pse Allahu e do të keqen, por nga urtësia e Tij se e di paraprakisht se ç’do të ndodh me njeriun dhe se Ai nuk vepron spontanisht, por me dije hyjnore.(7)
Në një hadith Muhammedi a. s. u ka tërhequr vërejtjen besimtarëve të tij, të cilët justifikoheshin me kaderin dhe duke lënë anash rolin dhe përgjegjësinë e njeriut në aktin e vet. Kjo lidhet me rastin kur Pejgamberi a. s. pas namazit të jacisë shkoi tek Aliu r. a., i cili po bëhej gati të flinte. E pyeti atë:
“A ngrihesh natën për ta falur namazin e tehexhudit?” Aliu r. a. është përgjigjur: “O i Dërguari i Allahut, jeta jonë është në dorë të Allahut; po deshi, na e jep; po deshi, na e merr; po deshi, na zgjon!” Atëherë Pejgamberi, duke i zënë me pëllëmbë gjunjët e Aliut r. a., ka thënë: “Sa shumë po përpiqet njeriu.” (Buhariu)
Kështu e shprehu pakënaqësinë e tij Muhammedi a. s. ndaj perceptimit justifikues të kaderit nga ana e Aliut r. a.. Kjo do të thotë: Edhe pse njeriu përballet me një kader të përcaktuar nga ana e Allahut xh. sh., ai posedon edhe vullnetin edhe pëlqimet e tij, që së bashku kanë rol të rëndësishëm dhe për këtë rol të tyre kanë shpërblimin apo ndëshkimin. Në shikim të parë duket se ekziston kundërthënie, por gjendja nuk është ashtu.
1) Le të shohim nga dy shembujt vijues lirinë dhe përgjegjësinë e njeriut:
“Ne ia treguam atij rrugën, e ai (do të jetë) ose mirënjohës ose jomirënjohës.” (El-Insan: 3)
“Dhe, thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti yt. Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë’...” (El-Kehf: 29)
2) Le të shohim nga dy shembujt vijues vullnetin hyjnor si bazë të veprimit të njeriut:
“Por, ju nuk mund të doni, përveç nëse do Allahu…” (El-Insan, 30)
“Po të mos donte Allahu, nuk do të besonin!” (El-En’am: 111)
“Thuaju: ‘Për të gjitha vendos vetëm Allahu!’” (Ali Imran: 154)
Analiza e ajeteve kur’anore të grupit të parë tregon se njeriu është i lirë të dëshirojë, vetëmse realizimi i gjësë së dëshiruar prej tij varet nga vullneti dhe fuqia hyjnore; dëshirimi i njeriut nuk ka asnjë vlerë po qe se Allahu nuk e dëshiron po atë gjë dhe nuk jep leje për realizimin e saj. Këtë meditim tonin dijetari F. Gylen e elaboron kështu: “Allahu e ka pranuar aktin tonë, që është një realitet konvencional, si ftues të dëshirës dhe vullnetit të Tij; i ka dhënë rëndësi atij, ka premtuar se do t’i bëjë realitet projektet më të mëdha duke u mbështetur mbi të dhe e ka krijuar këtë element konvencional si një pretekst për mirësinë dhe mëkatin, e ka bërë bazë atë për shpërblimin dhe ndëshkimin...”(8)
C. Vullneti absolut i Allahut dhe liria relative e njeriut
Vullneti i Allahut (kaderi) është i paraqenë, i pasqenë, i pafund, i pakufizuar, i pakushtëzuar me diçka, si dhe absolut, dhe në gjuhën arabe quhet el-iradet’ul-mutlaka apo el-iradet’ul-kul-lijjeh. Ai është i përkryer, sikurse që është e përkryer edhe pasqyra, e cila me besnikëri e kopjon objektin që qëndron përballë saj. Para dijes së Allahut e kaluara dhe e ardhmja nuk ekzistojnë, sepse Allahu e di ç’ka ndodhur, ç’po ndodh dhe ç’do të ndodhë. Sado i pjekur të jetë njeriu, urdhri dhe vullneti i përkasin Allahut xh. sh.. Asnjë element nuk sendërtohet pa dëshiruar dhe pa treguar vullnet Ai. Pa dëshirën e Tij, sot nuk do të ekzistonte as koha, as hapësira dhe do të ishte një hiç.
Ndërkaq, vullneti i njeriut ka një fund të caktuar, është i kufizuar dhe i kushtëzuar nga faktorë të tillë si koha, hapësira dhe kjo në gjuhën arabe quhet el-iradet’ul-xhuz’ijjeh etj. Vullneti i njeriut lidhet me të kaluarën dhe të tashmen, deri te të cilat ka ardhur nëpërmjet shqisave dhe arsyes.(9)
Edhe pse në shikim të parë duket se ka dallim, Vullneti i Allahut nuk është në kundërshtim me lirinë e njeriut, por që të dyja shkojnë paralelisht. Ky pohim konsiston në faktin se të besosh në kaderin e Allahut, në parim do të thotë të besosh se çdo gjë që ekziston është me dijen, dëshirën, fuqinë dhe aktin krijues të Allahut, se nuk ka krijues tjetër veç Allahut. Besimi në kader nuk do të thotë mohim i lirisë së njeriut, ku edhe buron mirësia dhe ndëshkimi për njeriun. Në këtë mënyrë, besimi në kader dhe parimi i zgjedhjes bëhen bashkë, partnerë dhe heq mundësinë që njeriu të kërkojë pretekst që gabimin e bërë t’ia hedh kaderit. Këtë ndryshe A. Tantavi e thotë në mënyrën vijuese: Inxhinieri projekton objektin dhe tërë atë që nënkupton projektimi, ndërsa sipërmarrësi e realizon projektin e inxhinierit. E para është kaderi, kurse e dyta është kadaja. I pari mban të drejtën për ndryshime në projekt nëse këtë e kërkon nevoja, sikurse që Allahu xh. sh. e ndryshon planin nga mëshira e Tij, duke pranuar duanë dhe sadakën në dobi të njerëzve.(10)
Është fakt se ne nuk e bëjmë një gjë pse Allahu e di në pafillim dhe pse e ka shënuar këtë që di, pra, pse i tillë është kaderi ynë, përkundrazi, Allahu i shënon ato që kemi bërë dhe kemi për t’i bërë sepse e di që më parë. Po qe se Allahu do të kishte shkruar jo për ta karakterizuar gjendjen, por me një vendim me anë të të cilit do të zbatohej ajo që duhej, atëherë vullnetit të njeriut nuk do t’i mbetej vlerë. Mulla Alij El-Karij këtë e shpjegon edhe me fjalët se sikur Allahu ta kishte detyruar njeriun të veprojë sipas dijes së Tij të paraqenë, nuk do t’i thoshte “do të bëhet kështu e ashtu”, por do t’i thoshte “të bëhet kështu e ashtu.”
Këtë mendim do ta ilustrojmë me një shembull të përshtatshëm:
“Dukuritë dhe ngjarjet astronomike, si eklipset e diellit dhe të hënës, përcaktohen që më parë dhe shënohen me ditë, orë e minuta në raportet dhe kalendarët shkencorë. Tani, a mos eklipset e diellit dhe të hënës realizohen në atë orë dhe minutë pse u njohën e u përcaktuan nga shkencëtarët, se u shënuan në kalendarë, apo shënohen në raportet e shkencëtarëve pse dihet që më parë se do të realizohen në atë orë? E vërteta është se eklipsi i diellit dhe i hënës nuk ndodhin pse janë shënuar në kalendarë, përkundrazi, shënohen në kalendarë pse dihet që më parë se do të ndodhin.(11)
Ç. Dallimi ndërmjet kaderit dhe fatalitetit
Në Islam ekziston kaderi (paracaktimi), por nuk ekziston fataliteti, siç pretendojnë disa grupime besimore apo individë me ndikim. Të tillët pohojnë se “rrjedha e ngjarjeve në natyrë, në shoqëri ose në jetën shpirtërore, sikurse edhe ekzistenca apo joekzistenca, janë të paracaktuara, nuk varen nga njeriu e njerëzimi”. Mirëpo, në Islam kaderi nuk kërkon nga njeriu që ta lëshojë veten në rrjedhën e ngjarjeve dhe t’i braktis ibadetet dhe masat parandaluese. Kaderi është ndër kushtet e besimit, por ikja nga besimi dhe aktiviteti nuk është justifikim për t’i arsyetuar mëkatet dhe gabimet e ndryshme se “kjo ka qenë kështu e shkruar”, pikërisht siç ndodh me një gjeth druri përballë erës. Përballë këtij qëndrimi xhebrit, hashevit etj., ekziston edhe qëndrimi kaderit dhe mu’tezilit, i cili mendon se njeriu është i lirë në mënyrë absolute dhe se përzgjedhjen e veprës e bën vetë, me fuqinë krijuese që ia ka dhënë Krijuesi.(12)
Shkolla e ehlis-sunnetit dhe e xhematit (maturidijtë dhe esh’arijtë) përdorin një rrugë të mesme, duke i ndarë detyrimet në:
- Veprime të detyrueshme të pavullnetshme. - Rrahja e zemrës, frymëmarrja, puna e trurit e të tjera janë reflekse të pavetëdijshme dhe, natyrisht, të pavullnetshme, respektivisht janë rezultat i vullnetit dhe përcaktimit hyjnor dhe njeriu nuk ka përgjegjësi për punën e tyre.
- Veprime të vullnetshme. – Ecja dhe mosecja, puna dhe mospuna, falja apo mosfalja janë veprime të vullnetshme dhe për to njeriu ka përgjegjësi (shpërblim apo ndëshkim), por, sërish, krijues i të dyja grupeve është Allahu.(13)
“Kurse Allahu ju ka krijuar juve dhe ato që i bëni ju.” (Es-Saffat: 96)
“Allahu është Krijues i çdo gjëje….” (Ez-Zumer: 62)
Pra, parapëlqimi dhe përzgjedhja e veprimeve është nga njeriu, kurse krijimi është nga Allahu xh. sh..
Këtë e vërteton edhe ajeti kur’anor:
“E mira që të gjen ty, o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet është nga merita jote…” (En-Nisa`: 79)
Ibni Abbasi ajetin “kurse e keqja që të godet është nga merita jote” e shpjegon me fjalët: “Për shkak të mëkateve tua. Unë t’i kam përcaktuar.”
Imam El-Maturidiu këtë e shpjegon si vijon: “E keqja që e ka goditur njeriun për shkak të joedukatës së tij nuk mund t’i përshkruhet Allahut... Allahu e ka krijuar mundësinë e mosbesimit dhe ashtu ka dëshiruar të veprojë, por mosbesimin (kufrin) nuk e ka urdhëruar dhe mosbesimtarit i ka urdhëruar besimin, por ai nuk e ka dashur atë.”(14)
Këtë e forcon edhe ajeti kur’anor vijues:
“... Pasi të kesh vendosur për diçka, mbështetu tek Allahu. Allahu pa dyshim i do ata që mbështeten tek Ai.” (15)
Sheh Gavoçi, dijetar shqiptar, thotë se ndodhitë në këtë gjithësi janë dyllojëshe:
1. Gjërat që ndodhin plotësisht vetëm nga Zoti dhe në to nuk mund të ndërhyjë askush prej krijesave;
2. Gjërat që ndodhin dhe në to merr pjesë edhe njeriu apo edhe krijesat tjera.
Kjo nuk do të thotë se Allahu nuk ka dije për ato që ndodhin.(16)
D. Urtësia e sugjerimit për mospreokupim me temën e kaderit
Pejgamberi a. s. nuk e kishte për qejf marrjen me temën e kaderit dhe të kadasë. Niveli intelektual dhe qytetërues tek arabët ishte në shkallë të ulët dhe nuk lejonte që ata të merreshin me tema të vështira. Mjaftoheshin me informacionet më elementare. Me një rast, kur vërejti se besimtarët po debatonin për çështjen e kaderit, ai iu tha as’habëve:
“A mos ju jeni urdhëruar për këtë apo mos unë u dërgova tek ju për këtë? Kur ata që qenë para jush nisën të debatonin mbi këtë çështje, u shkatërruan!”
Me një rast tjetër tha:
“Nëse theksohet kaderi, përmbahuni.”(17)
Përse e bëri Muhammedi a. s. këtë rekomandim rigoroz? Ka shumë urtësi:
Çështja e kaderit është çështje besimi, kurse debatimi dhe polemizimi me çështjet e besimit nuk është i drejtë, për shkak se tema është delikate. Por, nuk ka ndonjë të keqe nëse kjo temë diskutohet në mënyrë kompetente, konstruktive, pa stërhollime dhe ngatërresa. Kjo gjë ka rezultuar me një sërë shkrimesh dhe kontributesh të vyeshme, mjaft të nevojshme për këtë temë.
Njeriu ka kaderin e vet të lidhur me vullnetin e vet, si dhe kaderin e vet që vepron jashtë vullnetit të vet. Duke u nisur nga fakti se mendja e njeriut është e krijuar dhe nuk ka kapacitet t’i perceptojë gjërat metafizike si Krijuesin, në pajtim me mësimin islam, ajo nuk do të mund t’i kuptojë të gjitha urtësitë dhe misteret e kaderit. Të tilla fshehtësi të kaderit janë: vendlindja, gjinia, prindërit, fatkeqësitë etj. Ato vijnë nga faktorë jashtë vullnetit të njeriut, prandaj edhe për këtë dimension të kaderit pejgamberi i Allahut e ka ndaluar të debatohet e të polemizohet.
Përpjekja e njeriut për ta zgjidhur në mënyrë të prerë çdo specifikë lidhur me kaderin, do të thotë përpjekje për një gjë që e kapërcen kapacitetin e tij. Kaderi nuk është koncept vendor dhe kohor dhe nuk lejon që të eksplorohet nga po këta faktorë.(18)
Pejgamberi a. s. e ka ditur se kaderi është një ndër temat filozofike, në të cilën nuk mund të jepet përgjigje nëpërmjet të arriturave shkencore të kohës së tyre. Polemika në këtë rast do t’i shpiente në hapësirat ku do të lajthiteshin. Për këtë arsye, prioritet i ka dhënë besimit me zemër, kundrejt përpëlitjeve sterile e racionale.(19)
________________________________________
(1) Vehbi S. Gavoçi, Erkan’ul-imani, fq. 33-35.
(2) Udhërrëfyesi, I, fq. 248.
(3) Sipas: Orhan Bislimaj, Akaidi hanefij, po aty, fq. 229.
(4) Imam Ebu Hanife, El-Fikh’ul-ekber, po aty, fq. 69.
(5) Fethullah.Gylen, Kaderi, po aty, fq. 19...
(6) El-Buti, Të vërtetat e patundshme, po aty, fq. 150.
(7) Udhërrëfyesi, I, po aty, fq. 250.
(8) Udhërrëfyesi, I, po aty, fq. 218-219; F. Gylen, Kaderi, po aty.
(9) Mehmed Handzic, VI, po aty, fq. 570 etj.
(10) Ali Tantavi, Prezentimi i përgjithshëm i fesë islame, Prishtinë, 2000, fq. 87-95.
(11) Sipas: Udhërrëfyesi, I, po aty, fq. 255-256.
(12) Ali Tantavi, po aty, fq. 93.
(13) Es-Sabuni, po aty, fq. 121...; F. Gylen, Kaderi, po aty, fq. 35...
(14) Imam El-Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, po aty, fq. 226.
(15) Kur’ani, Ali Imran: 159. Es-Sabuni, Akaidi maturidij, po aty, fq. 124-125.
(16) Vehbi S. Gavoçi, Degët e imanit, po aty, fq. 33-34.
(17) Mustafa Mahmud, El-Kur’an muhaveletun li fehmin asrijjin, Kajro, 1980, fq. 26.
(18) Udhërrëfyesi, I, fq. 257-258.
(19) Mustafa Mahmud, El-Kur’an, fq. 26.