Koncepti i krenarisë në Kuranin famëlartë dhe në fjalorin e njeriut


Nëse e bëjmë një përsiatje të shkurtër në librin e Allahut xh.sh. mësojmë që fjala krenari, përmendet në shumë ajete të Kuranit famëlartë me shprehjen;
“El-Izetu”. Kjo shprehje është përkthyer shpeshherë si: fuqi, forcë.

Edhe pse disa herë është përkthyer si: krenari. P.sh: në fjalën e Lartëmadhërishmit: “Ata thonë: "Nëse do të kthehemi (prej luftës me Beni Mustalikët) në Medinë, ai më i forti(1) patjetër prej aty ka për ta përzënë atë më të dobëtin!" (ashtu thanë) Ndërsa e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” (El Munafikun, 8). Këtu fjala; “El-Izetu”, është përkthyer si forcë.
“E ata i hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre duke thënë: "Për hir të krenarisë së Faraonit, ne me siguri do të jemi ngadhënjyes!". (Esh-Shuara, 4). Ndërsa këtu fjala “El-Izetu” është përkthyer krenari, dhe ky është kuptimi primar i saj.
Edhe në këtë ajet të Kuranit famëlartë, që është ajeti kryesor kur fol për këtë çështje, shprehja “El-Izetu” është përkthyer nga përkthyesit e Kuranit ashtu siç iu është përshtat kontekstit të fjalisë: “Thuaj: "O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet Ti ke mundësi për çdo gjë"!(Ali Imran: 26).
Edhe në fjalorët e gjuhës arabe shohim që fjala “El-Izzetu”, është antonim e poshtërimit, por shpesh vjen me këto sinonime, p.sh: vjen si: forcë, qëndrueshmëri, mosnënshtrim, përmbajtje dhe lartësim.(2)
El-Izzetu në kuptimin terminologjik është një gjendje shpirtërore që shoqërohet me një force të brendshme nga e cila burojnë vepra dhe fjalë që tregojnë ndjenjën e krenarisë dhe pavarësisë nga të tjerët. Si rezultat i besimit të sinqertë në fe, e shoqëruar me modesti dhe mëshirë ndaj besimtarëve.
El-Izzetu është status i nderuar, si rezultat i njohjes së njeriut për peshën dhe aftësinë që ka, duke u shmangur nga sjellja e ulët, sikur e kemi mendjemadhësinë si rezultat i mos njohjes së aftësive të veta nga njeriu, dhe futja e tij në atë që është jashtë aftësive të tij.(3)
“Kjo sepse krenaria që i përket Zotit, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve është krenari e përhershme dhe e qëndrueshme, që është krenaria e vërtetë, dhe krenaria që u takon jobesimtarëve është mburrja, dhe në fakt është poshtërimi, siç thotë Pejgamberi paqja dhe bekimet qofshin mbi të: "Çdo krenari që nuk është te Zoti është poshtërim.”(4)
Nga kjo që u tha, mund të pasqyrohet një realitet, që na jep të kuptojmë se gjërat në Kuran shihen nga brenda. Kurse njeriu i sheh gjërat nga jashtë, dhe ashtu siç i sheh i përshkruan.
Kurani famëlartë i përshkruan gjërat nga brenda, nga burimi i saj i vërtetë. Dhe për këtë arsye, shpesh ndodhë që të kemi përfundime të kundërta mes asaj që konsiderohet krenari në librin Allahut xh.sh. dhe mes asaj që konsiderohet krenari në shoqëritë njerëzore. Pra ashtu siç shihen gjërat, ashtu edhe përkufizohen. Padyshim që për të qenë krenar, duhet të jesh i fortë, pra krenaria kërkon fuqi. Dhe në këtë pikë bashkohen të dy shikimet, shikimi i Kuranit famëlartë që i sheh gjërat nga brenda dhe shikim i njeriut që i sheh gjërat nga jashtë. Që të dy këto shikime të kundërta janë të pajtimit që pa fuqi ose forcë nuk mund të ndiesh krenar, aq më pak për të qenë krenar. Këtë e vërejmë edhe gjatë përkthimit të fjalës “El-Izzetu”, në disa vende në Kuran.
Dhe kjo vlen edhe si dëshmi për atë që thamë se krenaria nuk bëhet pa fuqi e forcë. Por problemi qëndron këtu, te burimi i kësaj force. Kurani famëlartë na bën me dije se fuqia e saj duhet të burojë nga brenda. Kurse nga ana tjetër shikojmë që njeriu e sheh që fuqia e krenarisë vjen nga jashtë. Dhe këtu bëhet ndarja që më pas nuk i bashkon më kurrë këto dy shikime, shikimi i Kuranit famëlartë ndaj vlerave në shoqëri dhe shikimi i njeriut ndaj këtyre vlerave. E si rezultat i këtyre dy shikimeve kontraste, kemi përkufizime të kundërta rreth vlerave shoqërore, që në këtë rast e kemi marrë për trajtim e studim “krenarinë” si vlerë njerëzore.
Kemi rastin e Faraonit, edhe pse në Kuran, Faraoni është njeriu më i poshtër që kishte ekzistuar ndonjëherë, sepse krahas krimeve që i bëri ai pretendoi se ishte zot, gjë të cilën nuk e kishte pretenduar ndokush më parë, madje as shejtani: “E u tha: "Unë jam zoti juaj më i lartë!"(5) ky është statusi i tij në
Kuranin kerim; njeriu më i poshtër dhe krijesa më e urryer, ngase pretendoi se është zot. Nga ana tjetër shohim që populli i tij betohej në krenarinë e tij! “E ata i hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre duke thënë: "Për hir të krenarisë së Faraonit, ne me siguri do të jemi ngadhënjyes!"(6)
Kjo ndodhë për arsye të shikimit të fuqisë që kërkon vlera e të qenit krenar. Ata shikonin që për të qenë krenar duhet të jesh i fortë. E Faraoni i kishte disa burime të fuqisë, e jo vetëm një; fuqinë e postit, fuqinë e pasurisë, fuqinë e rrethit dhe krahut. Secila nga këto burime të fuqisë së tij,
e bënin Faraonin të denjë para qytetarëve të tij, që të jetë jo vetëm krenar, por i pa shoq në krenari deri në atë masë që të betohen në të.
Ky është njeriu, sheh vetëm nga jashtë, nuk mund të shoh nga brenda, dhe në pamundësi të shikimit të vlerave nga burimi i tyre i brendshëm,(7) shpesh del me përkufizime të lajthitura mbi vlerat shoqërore.
Këtë llogari të gabuar e bënë edhe ithtarët e kryekokës së mynafikëve të Medinës. Abdullah ibën Ubeji, kur pretendoi që ai është “el-eaz” – më krenari! Ndërsa për Muhamedin thoshte se ai është: “el-edhel-lu” – më
i nënçmuari! Këtë thënie të tij ia regjistroi Allahu në librin e Tij që të jetë e përhershme dhe e pranishme për çdo kohë: “Ata thonë: "Nëse do të kthehemi (prej luftës me Beni Mustalikët) në Medinë, ai më i forti,8 patjetër prej aty ka për ta përzënë atë më të dobëtin!" (ashtu thanë) Ndërsa e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.”(9) Ata dolën në këtë përfundim për arsye se ai ishte vendas në Medinë dhe kishte krah e fis më të gjerë se Muhamedi a.s., që ishte dëbuar nga fisi dhe populli i tij dhe kishte kërkuar strehim te banorët e Medinës. Pra, ishte pa krah, i mungonin burimet e fuqisë së krenarisë, ishte pa rreth, pa pasuri, etj., sipas opinionit të këtij grupi mynafikësh. Që në fakt doli që kjo ishte vetëm iluzion, ngase Muhamedi a.s. ishte më krenari, dhe në fund ngadhënjeu mbi të gjithë.
Kështu ndodhë kur gjërat shikohen nga jashtë! Është e vërtet ajo që tha i Lartëmadhërishmi: “E tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.”
Padyshim se ajo që e përforconte shikim dhe përkufizimin që kishin këta hipokrit rreth krenarisë ishte edhe ky fakt, ata ishin të dërmuar nga lufta dhe betejat e stërzgjatura mes tyre. Kështu që në fund vendosën që për mbret të dy fiseve, fisit Eus dhe fisit Hazrexh, ta bënin Ibën Ubej ibën Selulin. Mirëpo me ardhjen e Pejgamberit a.s. në Medine, kjo ëndërr u shua.
Kurani famëlartë na njofton se fuqia e krenarisë buron nga brenda, buron nga fuqia e besimit, fuqia e karakterit të besimtarit, nga fuqia e ndërgjegjes së tij, fuqia e moralit. Edhe nëse ndodhë që besimtari të zhveshët nga forca/fuqia e jashtme siç është posti i lartë në shoqëri, pasuria apo krahu dhe rrethi, besimtari prapë llogaritet si person me krenari të lartë në shikim të Kuranit. Ndryshe, si do të kuptohej fjala e Lartëmadhërishmit:“E tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve”, kur dihet që në mesin e besimtarëve myslimanë çdoherë ka pasur dhe vazhdon të këtë një numër të madh të besimtarëve që janë të varfër, të poshtëruar nga pushteti e masat represive, të pa arsimuar, të dobët, të sëmurë etj.
Në shikim të njerëzve, këta nuk mund të jenë krenarë. Nga ana tjetër, Allahu xh.sh. thotë që të gjithë besimtarët janë krenarë pa dallim. E si mund ta kuptojmë që një besimtar i sprovuar me ato që thamë më lartë mund të jetë krenar, këtë përgjigje e jep Xhebaiu në tefsirin e tij, ku thotë: “I Lartmadhërishmi i poshtëron vetëm armiqtë e Tij në këtë botë si dhe në botën tjetër, por jo ndonjërin nga të dashurit e tij. Edhe nëse ata i sprovon me sëmundje e varfëri, apo i bën të kenë nevojë për të tjerët. Sepse i Lartmadhërishmi këtë e bën vetëm për t’i lartësuar e krenuar ata në botën tjetër, ndërsa konsiderimi i varfërisë si nënçmim është në mënyre alegorike, siç e quan Allahu xh.sh. butësinë e besimtarëve “edh-dhul -përulje” në fjalën e tij: “të butë ndaj besimtarëve”(10.11)
Nëse i referohemi mufesirit të shquar të Rraziut, ai thotë: “Mendimi ynë në këtë çështje është se Allahu xh.sh. i bën krenarë disa nga robërit e Tij me besimin dhe njohurinë që ua jep, kurse i përul disa nga ta me mosbesim dhe lajthitje.”(12)
Besimtari duhet të ndihet krenar me besimin e tij, moralin e lartë dhe sinqeritetin që ka edhe nëse i mungojnë fondet e krenarisë, që i kushtëzon trendi i ithtarëve që mendojnë që njeriu nuk mund të jetë krenar nëse nuk ka pasuri të mjaftueshme apo ndonjë pozitë të lartë në shoqëri. Këtë opinion të devijuar e kishte edhe mbreti Nemrud, gjatë debatit me Ibrahimin a.s., i cili pretendonte që mund të japë jetë dhe vdekje. "Edhe unë jap jetë dhe vdekje."(13)
Thuhet se Nemrudi urdhëroi që t’i sjellin dy burra para tij, njërin prej tyre e mbyti, kurse tjetrin e la të lirë. Me këtë veprim, u mundua ta dëshmonte para masës që edhe ai bënë vepra që i bën vetëm Zoti fuqiplotë. A thua si do të vepronte ky mbret, po t’i kërkonte Ibrahimi a.s. që t’i japë jetë atij që e kishte mbytur?! Ibrahimi ia rikujtoi atij, atë që nuk kishte mundësi ta pretendonte në asnjë mënyrë, duke i thënë: "Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi"? Paskëtaj, mbreti nuk foli, por foli gjendja e tij, siç njofton Kurani: “Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar.”(14)
Kjo që u tha për krenarinë, vlen edhe për vlerat e tjera shoqërore siç janë: morali, barazia, drejtësia, lumturia, ndershmëria, shpresa, mirënjohja, përgjegjësia, sakrifica, miqësia, dashuria, mirësjellja, respekti, durimi, toleranca, përkushtimi, bashkëpunimi, bujaria, përulësia, solidariteti, ndjeshmëria, pozitiviteti etj.
Me disa nga këto vlera, qasja e Kuranit famëlartë përputhet në masë të madhe, por jo plotësisht, me disa përputhet pjesërisht, por ka raste kur me disa nga to nuk përputhet fare.


_______________________
1. Të fuqishmit (H.N), të fortit (F.M). sikur Sh. Ahmeti në tekst lart.
2. Ibën Mendhur, Muhamed ibën Mukrem, v:711h, Lisanul Arab, sh.b: Dar
Sadir, 1990 Bejrut, vëll: 10, f: 232. - El-Fejruz Abadi, Mexhdudin ibën Jakub, v: 817h. El-Kamus el-Muhit, sh.b: Muesesetur Risale, Bejrut, botimi i II, 1987. f: 664. Po ashtu, Muaxhem el-Vasit, mexhme lugetil arabije, 1960 Kajro. f: 543
3. El-Husejn ibën Muhamed, Err-Rragib el-Asfahani, v: 502h, Mufradatul- Kurani. Sh.b: Darul Kalem, Damask, 1412h, f: 563.
4. Po aty, f: 563.
5. En-Naziat, 24.
6. Esh-Shuaraa, 44.
7. Që është burim i vërtetë.
8. Në tekstin e Kuranit në gjuhën arabe është: el- e az”, d.m.th. më krenari.
9. El-Munafikun, 8.
10. El-Mide, 54.
11. El-Xhbai, Ebu Ali Muhamed, v: 303h, Tefsir el-Xhebai, sh.b: Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 2007. Vëll: 1, f: 175.
12. Err- Rrazi, Muhamed bin Omer, (v. 605h), Mefatihul Gajb, botimi i tretë, sh,b: Dar Ihja et-Turath el-Arabij, Bejrut), vëll: 5, f: 43.
13. El-Bekare, 258.
14. El-Bekare, 258.



Dr. ass. Lulzim Esati
Dituria Islame 371


Artikulli i kaluar
Fjala dhe pesha e saj

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi