Gjuha është prej të mirave më të mëdha të Allahut xh.sh. që i është dhënë njeriut. Ajo për nga vëllimi është shumë e vogël, por për nga nënshtrimi dhe mëkatimi, është gjithsesi e madhe, sepse dy gjëra të cilat janë të mëdha: besimi dhe mosbesimi, si e mira më e madhe dhe e keqja më e madhe, shprehen dhe manifestohen pikërisht nëpërmjet gjuhës.
Gjuha është organ i vogël në trupin tonë, por ka rëndësi të veçantë në jetën tonë. Ajo është lajmëtarë i besimit a mosbesimit, i së vërtetës apo i së pavërtetës, së mirës apo së keqes. Ne për besimin e dikujt gjykojmë në bazë të shehadetit apo pranimit të Allahut xh.sh. për Zot, e për kufrin në bazë të mohimit të ekzistimit të Tij. Nuk ka asgjë në këtë botë për se nuk flet gjuha, qoftë e saktë apo e pasaktë, e vërtetuar apo e pavërtetuar, konstruktive apo destruktive, afi rmative apo devalvuese.(1)
Prandaj begatia e të shprehurit është prej dhuntive të mëdha që Allahu i Madhëruar i fali njeriut. Islami na e ka sqruar se shumë mirë si duhet ta shfrytëzojnë njerëzit këtë dhunti të çmuar, dhe si t’i bëjnë fjalët që flasin gjatë ditës. Allahu xh.sh., nëpërmjet kësaj feje, i edukon robërit e Vet që në jetën e tyre të zgjedhin gjithnjë vetëm atë që është më e mira. Këtu bëjnë pjesë, gjithsesi, fjalët, veprat, mendimet, qëndrimet, pamja etj.. Ajo që duhet ta preokupojë muslimanin, është fakti që prej tij duhet të burojnë vetëm të mirat.
Në anën tjetër, fjalët janë ato që kanë ndikim të dukshëm në raportet në mes njerëzve në përgjithësi dhe për të cilat njeriu zakonisht merr më së tepërmi përgjegjësi. Në këtë rrafsh, udhëzimet islame janë shumë konkrete dhe precize. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Dhe njerëzve u thoni fjalë të mira”.(2)
Ky ajet madhështor paraqet udhëzimin hyjnor për mënyrën se si duhet të flasë dhe të komunikojë muslimani me të tjerët. Komentatorët e Kuranit thonë se fjala “njerëzve”, e përmendur në ajet, përfshin të gjithë njerëzit, pa dallim etnie, race apo përkatësie fetare. Pra, urdhri nënkupton se duhet t’u flasim mirë muslimanëve dhe jomuslimanëve, qofshin ata ithtarë të Librit, idhujtarë apo çfarëdo. Të gjithëve u takon që t’u drejtohemi me fjalë të mira, ngase të folurit është pasqyrim i brendësisë së atij që flet, pavarësisht se kujt i drejtohet.
Muhamedi, a.s, ishte shëmbëlltyra e fjalës dhe e sjelljes së mirë dhe qëndrimeve korrekte, njerëzve u drejtohej gjithnjë në mënyrën më të mirë. Edhe kur kishte të bënte me kundërshtarë të hapur, mohues të Fjalës së Allahut dhe armiq të përbetuar, ai megjithëkëtë, fliste mirë. Janë të njohura transmetimet që dëshmojnë se ai nuk e kishte zakon të shante, të fyente dhe as të mallkonte. Edhe në rastet më të vështira, kur e fyenin, e ofendonin ose e luftonin, ai fliste rrjedhshëm dhe fjalë të mira, duke kërkuar mëshirën e Allahut për ata që nuk dinë, e që konkretisht mund të ishin armiqtë e tij që i shkaktonin shumë shqetësime e telashe. Duke qenë se gjuha është ajo që duhet të shërbejë për të reflektuar ndjenjat e brendshme të njeriut, është shumë e logjikshme të përfundohet se fjala e mirë është lidhja më e fortë dhe më e mirë që mund të krijohet në mes njerëzve. Krejt pesha e imperativit islam, që muslimanët të jenë vëllezër, sikur vëllezërit e gjakut e edhe më shumë, gjithsesi reflektohet në rëndësinë e të folurit me muslimanët vetëm fjalë të mira. I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., na ka mësuar që të folurit e muslimanit ka vetëm dy alternativa: Të fl iten fjalë të mira, ose të heshtet.
Ebu Hurejre r.a. ka transmetuar se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë”.(3)
Nga kjo thënie e Muhamedit a.s. kuptojmë se Zoti xh.sh. nuk e ka krijuar gjuhën në gojët tona për të folur shkel e shko, por për të folur fjalë të mira dhe për të dhënë mësime e udhëzime të dobishme. Zoti xh.sh. në Kuran thotë: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim në mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim më vonë (në Botën tjetër) shpërblim të madh”. (En-Nisa, 114.)
Edukata në bisedë dhe sjellje
Feja Islame i ka dhënë rëndësi të madhe edukimit të besimtarëve për mënyrën e bisedës dhe të shprehjes. Fjalët e dala nga goja e njeriut dëftojnë se sa i mençur dhe sa është i edukuar me edukatë hyjnore është ai. Para se të fl asë, njeriu duhet ta pyesë veten a duhet dhe a ka nevojë të flasë. Nëse është e nevojshme të flasë, atëherë le të shprehet dhe le të shfaqë mendimet e tij me fjalët të matura dhe më të mira, që kështu të mund të ketë efektin e duhur dhe të ushtrojë ndikimin e vet. Sepse, organi që më së shumti shkakton komplikime në jetën e njeriut, është gjuha. Abdullah ibn Mesudi r.a. ka thënë: “Për Allahun, që nuk ka zot tjetër, nuk ka asgjë në sipërfaqe të Tokës, që të ketë nevojë për një burgosje afatgjatë, më shumë se gjuha”.(5)
Njeriu që flet shumë dhe pa kontroll, do të gabojë, sepse nuk ka kohë të mendojë dhe do të bjerë në situata të vështira, kur nuk mund të dalë dhe të shpëtojë lehtë e pa mëkate. Kjo është më se e vërtetë, ngase një fjalë e gojës mund të shkaktojë aq shumë pasoja, saqë njeriu të pendohet gjatë gjithë jetës së tij për fjalën e thënë pa vend. Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk drejtohet besimi i një njeriu pa u drejtuar zemra e tij, dhe nuk drejtohet zemra e tij, pa u drejtuar gjuha e tij”.(6)
E mjeti i parë që të ofron në këtë drejtim, është të heqësh dorë nga gjërat që nuk të përkasin dhe të mos ndërhysh ku nuk të pyesin. Largimi nga bisedat e kota është prej bazave të suksesit në jetë, dhe këtë e ka përmendur Kurani në mes dy parimeve të Fesë Islame: Namazit dhe Zekatit: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, dhe ata të cilët i shmangen së kotës (fjalë a punë). Dhe ata që e japin zekatin rregullisht”. (El Mu’minun, 1-4)
Erdhi një burrë tek Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i dërguar i Allahut! Më trego një vepër të mirë, që t’i përkushtohem totalisht”. Muhamedi a.s. iu përgjigj: “Thuaj:”Zoti im është Allahu dhe qëndro në rrugë të drejtë”. Burri e pyeti: “Cila është ajo gjë së cilës duhet t’i druhem, o i dërguar i Allahut?” Muhamedi a.s. e nxori gjuhën, e kapi me dorë dhe i tha: “Kësaj duhet t’i druhesh më së shumti”.(7)
Një burrë tjetër erdhi tek Pejgamberi a.s. dhe e pyeti: “O i dërguar i Allahut? Si të shpëtoj në dynja dhe në Ahiret?” Muhamedi a.s. iu përgjigj: “Kape me dorë gjuhën dhe mos e lër të dërdëllisë! Bëji vetes vend në shtëpinë tënde dhe vajto për gjynahet e tua!”(8)
Besimi në Zotin dhe Botën tjetër janë gjëra që i përkasin zemrës, por që tregues kanë gjuhën. Është gjuha ajo që e vërteton besimin e vërtetë në Zotin dhe në Botën tjetër. Gjuha është pasqyra e zemrës së njeriut. Ajo nuk mund të flasë veçse atë që gjendet në zemër. Nëse dëshiron t’i dish lidhjet e tua me Zotin, shih se çfarë flet gjuha jote gjatë gjithë ditës. Imam Shafi u ka thënë: “Kur dikush dëshiron të fl asë, le të mendojë mirë para se ta thotë fjalën, nëse është e dobishme ajo që ka dashur ta thotë, le ta thotë, e nëse nuk është, është më mirë të heshtë”.(9)
Se sa mund të jetë dëmi nga fjala e thënë, nëse me të vërtetë nuk kujdesemi kur themi diçka, këtë e ilustron më së miri hadithi në vazhdim, të cilin Ebu Hurejre r.a. e transmeton nga Pejgamberi a.s.: “Njeriu nganjëherë e thotë ndonjë fjalë së cilës nuk i kushton rëndësi dhe, për shkak të saj, do të bjerë në zjarr aq thellë, sa është distanca ndërmjet lindjes e perëndimit”.(10)
Ky burrë që thotë një fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, mund të shajë dikë, mund të përgojojë dikë tjetër, mund të merret me nderin e një gruaje, etj..
A e kupton tani sa e rrezikshme është gjuha?
Muadh ibn Xhebeli erdhi tek Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i dërguar i Allahut! Më trego për një vepër që më afron me Xhenetin dhe më largon nga Xhehenemi!” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Më ke pyetur për një çështje të madhe, por që është e lehtë për atë të cilit ia ka lehtësuar Zoti. Të adhurosh Zotin dhe të mos ibësh rivalë, të falësh namazin, të agjërosh Ramazanin, të japësh zekatin dhe të kryesh Haxhin”. Pejgamberi a.s. e donte shumë Muadhin dhe më pas i tha: “O Muadh! A të të fl as për dyert e mirësisë?” Muadhi i përgjigjet: “Po, o i dërguar i Allahut”. Pejgamberi a.s. i tha: “Agjërimi është mburojë, lëmosha shuan zemërimin e Zotit ashtu siç shuan uji zjarrin, namazi në mesin e natës, dhe lexoi: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin etyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin”. (Es Sexhde, 16) Më pas e pyeti Muadhin: “O Muadh! A të ta tregoj cila është koka e gjithçkaje?” Muadhi iu përgjigj: “Po, o i dërguar i Allahut”. Pejgamberi a.s i tha: “Koka e gjithçkaje është Islami, shtylla që e mban atë, është namazi dhe maja më e lartë është xhihadi”. Pas gjithë kësaj, Pejgamberi a.s. e pa në sy Muadhin dhe i tha: “Tash, a të ta përmbledh gjithçka që përmendëm? ”Muadhi u përgjigj: “Po, o i dërguar i Allahut”. Muhamedi a.s., duke kapur gjuhën me gishta, i tha: “Frenoje këtë! Kush e kontrollon gjuhën e tij, ka kontrolluar dhe ka poseduar çdo të mirë dhe është udhëzuar drejt çdo të mire”. Gjuha është krijuar që të flasë dhe, nëse e frenon nga të folurit gjëra të kota, ajo do të orientohet drejt gjërave të dobishme. Nëse nuk do të fl asë haram, do të fl asë hallall, kujtimin e Zotit, ftesën për leximin e Kuranit etj.. Kur Muadhi e dëgjoi këshillën për ta frenuar gjuhën, u habit dhe e pyeti: “O i dërguari i Zotit! A thua, do të japim llogari edhe për atë që fl asim?” Pejgamberi a.s. mori pamje serioze dhe iu përgjigj: “E çfarë tjetër i tërheq njerëzit për hunde në Xhehenem, përveç asaj që korrin me gjuhët e tyre”?!11 Thotë Zoti në Kuran: “…dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf, 18)
Secili prej nesh ka në anën e djathtë një melek, që i shënon veprat e mira, dhe një tjetër në anën e majtë, që i shënon veprat e liga.
Shtrohet pyetja: Si nuk të vjen turp nga këta dy melekë, teksa vepron gjynahe, o vëlla?
A të ndodh që ta përmbash veten ndërkohë që dëshiron t’i bërtasësh gruas, nga frika se mos të dëgjon komshiu? Pse qenka komshiu më i rëndësishëm se dy melekët?
Pse nuk të vjen zor nga dy melekët, o i nderuar, teksa merresh me thashetheme me të tjerët?
Si nuk i vjen turp nga melekët atij që flet fjalë banale me shokët dhe shoqet?
Nëse çdo ditë flasim një mijë fjalë, vallë sa prej tyre vihen në peshoren e fjalëve të mira, e sa në peshoren e fjalëve të liga dhe sa të tjera janë të padobishme?
Muhamedi a.s. thotë: “Rrëshqitja e gjuhës është më e dëmshme se rrëshqitja e këmbës”.
________________
1) Dr. Shefi k Kurdiq, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008.
2) Sherif Ahmeti. Kur’ani, Përkthim me komentim në gjuhën shqipe. El Bekare, 83.
3) Imam Neveviu, Ruajtja e gjuhës. 2004. Prishtinë.f.6. (Transmetuar nga Buhariu)
4)Muhamed Gazali, Karakteri i muslimanit.Shkup 2001.f.82. (trs.Taberaniu).
5) Po aty.f.84. Transmeton Ahmedi.
6) Imam Neveviu, Ruajtja e gjuhës. 2004. Prishtinë.f.8. transmeton. Tirmidhiu dhe Ahmedi Sahih.
7) Po aty.Sahih. Ahmedi
8) Dr. Shefi k Kurdiq, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008.f.10.
9) Po aty. Shënon Buhariu.
10) Po aty. Shënon Tirmidhiu.
Isa Tërshani