Në esencë shakaja është e lejuar, ajo është një atraksion dhe çlodhje nga puna dhe presionet e jetës, mirëpo nuk guxojmë që, nën petkun e shakasë, ta nënçmojmë, përgojojmë, ose të prekim dinjitetin dhe nderin e tjetrit...


Nuk ka dyshim se qëllimi kryesor i Islamit është që të formojë personalitetin e njeriut, t’ia sqarojë atij qëllimin e ardhjes së tij në këtë botë, ta mësojë si të ruaj gjuhën, veten dhe ndërgjegjen e tij para Zotit dhe para njerëzimit, ta bëjë atë një faktor pozitiv në përmirësimin dhe avancimin e jetës.
Maturia në fjalë është kriter që tregon devotshmërinë e besimtarit, sepse Muhamedi a.s. për besimtar të mirë atë definoi personin që nuk i ngacmon të tjerët me gjuhën dhe dorën e tij(1). Personaliteti, karakteri, ndërgjegjja, mënyra e matur e të menduarit të njeriut, vërehen nga gjuha dhe puna e tij, sepse, përmes gjuhës së tij, kuptojmë maturinë e tij, ndërsa përmes punës së tij, kuptojmë produktin, vlerën dhe sjelljen serioze të tij. Gjuha si mjet komunikues është mirësi shumë e madhe nga Zoti i Madhërishëm, mirëpo mënyra se si dimë ta orientojmë atë në kah të duhur, është lënë në kompetencën tonë. Pa dyshim që shfrytëzimi i saj në të mirë ka një domethënie mjaft të madhe, dhe si rezultat i saj, njeriu mund të fitojë dy botët, mirëpo edhe keqpërdorimi i saj mund të sjellë dëme marramendëse, sepse njeriu nganjëherë mund të rrëshqasë me gjuhën e tij më shumë sesa me këmbët e tij. Gjuha si një pjesë e vogël e trupit të tij, shumë njerëz mund t’i përçajë, nënçmojë, hidhërojë, blasfemojë, injorojë etj..


Norma e shakasë


Në thelb, shakaja është e lejuar, ajo është një atraksion dhe çlodhje nga puna dhe presionet e jetës, mirëpo nuk guxojmë që, nën petkun e shakasë, të nënçmojmë, të përgojojmë, ose të prekim dinjitetin dhe nderin e tjetrit, sepse edhe shakaja ka kornizat e saj. Ekziston një grup njerëzish që pamaturinë e gjuhës dhe veprave të tyre, përpiqen ta mbulojnë me shaka. Ndërsa, nëse shikojmë shëmbëlltyrën e njerëzimit - Muhamedin a.s., vërejmë se ai me familjen dhe shokët e tij luante dhe bënte shaka, por ishte shumë i kujdesshëm, në mënyrën më të mirë donte të mbillte hare në zemrat e besimtarëve, duke mos dashur që me gjuhën e tij të lëndonte askënd, as atëherë kur bënte shaka.


Kushtet e lejueshmërisë të shakasë


Sot, duke pasur parasysh angazhimin dhe obligimet e jetës, shoqërisë i nevojitet relaksimi, dashuria dhe mirëqenia në mes njerëzve, mirëpo nuk lejohet që kjo të tejkalojë kufirin dhe të bëhet adet dhe sëmundje e cila merr kohën dhe dobëson personalitetin dhe vlerën e besimtarit. Për këtë arsye, dijetarët islamë kanë vënë
re se shakatë e Pejgamberit a.s. ishin brenda kufijve të tolerancës islame dhe ato plotësonin këto kushte(2):


1. Bënte shaka vetëm me gjëra të vërteta, asnjëherë nuk fliste të pavërtetën në emër të shakasë. P.sh. në një rast ai i tha një shoku të tij, Enesit r.a.: “O ti me dy veshë”(3) duke pasur parasysh faktin se kjo fjalë nuk nënçmon dhe as prek dinjitetin e Enesit r.a., sepse çdokush prej nesh ka nga dy veshë. Ose në një rast tjetër ai bëri shaka me një grua të moshuar, së cilës i tha: “A është bashkëshorti yt ai që në sytë e tij ka të bardhë”?’(4), duke ditur se çdo person i ka sytë të bardhë, përveç bebëzës së syrit. Nga dy hadithet e lartpërmendura kuptojmë qartë se Muhamedi a.s. nuk fliste përveçse të vërtetën, edhe atëherë kur luante ose bënte shaka me të tjerët.
2. Bënte shaka edhe me njerëz të ngratë, të cilët kishin nevojë për relaksimin dhe butësinë e zemrës së tyre. Ai shumë herë bënte shaka me pleq dhe fëmijë, në mënyrë që t’i afronte. P.sh. ai në një rast bëri shaka me një grua të moshuar, e cila erdhi tek Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i dërguari i Zotit, lute Zotin të më bëjë prej banorëve të Xhenetit’’! Muhamedi a.s., duke buzëqeshur, iu përgjigj: “Plakat nuk do të hyjnë në Xhenet’’(5) dhe, kur vërejti se plaka po çuditej nga thënia e tij, atëherë Muhamedi a.s. lexoi dy ajete nga Kur’ani famëlartë (nga kaptina Elvakia: 35-36) dhe ia sqaroi se në Xhenet nuk do të ketë moshë të pleqërisë, atje të gjithë do të jemi në moshë të rinisë.
3. Bënte shaka, por nuk e shpeshtonte, nuk donte të shquhej për shaka, shaka bënte rrallë, nuk e humbte kohën me gjëra të kota, sepse donte të ruante personalitetin e tij, donte të na mësonte ne që të mos e teprojmë me shaka, sepse shakaja e tepërt humb seriozitetin e besimtarit, dhe në këtë vështrim Omer in Abdul Azizi ka thënë: ‘’Kini kujdes nga shakaja e tepërt, sepse ajo ta humb burrërinë’’. Ndërkaq, dijetarët islamë kanë theksuar se shakaja me të tjerët duhet të jetë si kripa në gjellë, me masë të caktuar, pa e tepruar dhe pa e munguar.
4. Bënte shaka, por shakaja e tij nuk shoqërohej me përgojim, me nënçmim, me prekjen e dinjitetit dhe të nderit të tjetrit, ashtu siç ndodh me ne në kohën tonë, kur shumë prej njerëzve tallen me të tjerët, i nënçmojnë, i përgojojnë ata me pretekstin e shakasë. Ai në shumë hadithe na porosiste që të bëhemi të matur dhe të ruajmë dinjitetin dhe nderin e tjetrit. Në një hadith thotë: ‘’Besimtari nuk gjuan me fjalë, nuk mallkon, nuk është i pamatur dhe nuk flet fjalë të pista’’(6).
5. Bënte shaka, por për shaka zgjidhte personin e duhur, momentin e duhur, kohën e duhur; ai nuk bënte shaka me të gjithë shokët e tij, por me disa prej tyre. Edhe nga ne, që të pajisemi me një karakter të lartë, kërkohet të ruajmë kodin e mirësjelljes islame duke respektuar kushtet e lartpërmendura, dhe të jemi të matur, si në fjalë ashtu edhe në vepra, ashtu siç ishte edhe vetë shëmbëlltyra e njerëzimit - Muhamedi a.s., i cili bënte shaka me të pasurin e të varfrin, me të riun e të moshuarin, po nuk fliste veçse të vërtetën, nuk lëndonte zemrat dhe ndjenjat e tyre, porse i relaksonte dhe i gëzonte ata.


Në fund, dëshiroj të theksoj një fjalë popullore siriane, që thotë: ”Nuk jam penduar asnjëherë nga heshtjet e mia, po jam penduar shumë herë nga fjalët e mia’’, dhe të porosis veten time dhe të gjithë lexuesit e nderuar, qëtë jemi të matur në fjalët dhe veprat tona, sepse maturia dhe urtësia në bashkëveprim me të tjerët, të shpie drejt
shpërblimeve të Allahut Fuqiplotë, dhe, përkundrazi, pamaturia në fjalë të shpie drejt ndëshkimit dhe përgjegjësisë para Allahut Fuqiplotë.



_________________
1) Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij (7086).
2) Muhtesar minhexh el-kasidin’’ (1/153-154) Ahmed bin Abdurrahman bin Kudame Elmakdesij.
3) Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij (12164).
4) Transmeton Imam El-iraki në ‘’tahrixhul-ihja’’ (3/30).
5) Transmeton Tirmidhiu në Shemail (240).
6) Transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij (3948).


 


 Dituria Islame  280


Nuk ka artikull pas ketij.