Cilat kaptina nga Kurani duhet lexuar gjatë kohës së depresionit dhe stresit

Disa kaptina nga Kurani janë në veçanti të vlefshme dhe të rëndësishme për t’u lexuar gjatë periudhës së anksiozitetit dhe depresionit meqë mesazhet dhe rëndësitë e tyre mund të lehtësojnë dhe mënjanojnë gjendjet e rënda psikike me ndihmën e Zotit ...

Jeta e kësaj bote nuk është e mbushur me trëndafila. Si qenie njerëzore shpesh vuajmë nga zemra e thyer, pikëllimi dhe sprovat.
Secila prej këtyre situatave mund të na sjell në depresion. Mirëpo, ndonjëherë edhe nuk nevojitet shkaku me qenë depresiv, por kur ndodh kjo e kemi obligim të kërkojmë ndihmë. Allahu i madhërishëm e ka shpallur Kuranin si udhëzim për llojin njerëzor deri në ditën e Gjykimit, duke na bërë udhëheqës që mund të na ndihmojë në gjendjet depresive. Ja kaptinat nga Kurani që janë posaçërisht të vlefshme më të rëndësishme për lexim gjatë periudhës së anksiozitetit dhe depresionit të cilat me mesazhin dhe rëndësinë e tyre mund të lehtësojnë dhe mënjanojnë gjendjet e rënda psikike me lejen e Zotit.

Kaptina El-Inshirah (zemërgjerësia)

Allahu i madhërishëm së bashku me kaptinën Ed-Duha (Paraditja) e shpalli edhe kaptinën El-Inshirah (Zemërgjerësia). Në këtë kaptinë, i Lartësuari e këshillon Muhammedin s.a.v.s. që Ai ia ka mënjanuar dhembjen e brendshme dhe pikëllimin të cilin e ndiente Pejgamberi s.a.v.s. për shkak të Shpalljes së Kuranit dhe vështirësive me të cilat u ballafaqua. Allahu i madhërishëm potencon që Ai do t’ia ngrit famën e Pejgamberit të Vet, s.a.v.s. Dhe sot, gjatë tërë rruzullit tokësor nuk kalon asnjë sekondë e që në ndonjë pjesë të Tokës nuk dëgjohen fjalët e ezanit: Esh-hedu enne Muhammeden Rresulullah.
Në kaptinën El-Inshirah përmendet që pas çdo vështirësie, sado e rëndë qoftë vjen lehtësi dhe ajo doemos vjen pas fatkeqësisë. Si këshillë e fundit, i Lartësuari e këshillon Pejgamberin s.a.v.s. që kohën e pritjes deri te arritja e lehtësisë ta shkurtojë me ibadet ndaj Zotit, por kjo është edhe këshillë për ne që gjatë kohës së depresionit të përpiqemi ta mënjanojmë problemin tonë shëndetësor duke u mbështetur dhe përqendruar synimin vetëm te Zoti.

Kaptina Jusuf

Njëra prej kaptinave më të hershme e shpallur Pejgamberit s.a.v.s. është kaptina Jusuf. Nga kjo kaptinë unikale mund të nxirren mesazhe të panumërta dhe shumë prej tyre janë të lidhura me tejkalimin e gjendjeve të rënda psikike. Le të mendojmë për mënyrën sesi Jakubi a.s. dhe Jusufi a.s. luftuan me dhembjen shpirtërore dhe vuajtjet e kësaj bote dhe si Allahu i madhërishëm të dy i lartësoi për shkak të durimit të tyre. Kjo kaptinë u shpall edhe si ngushëllim për Pejgamberin s.a.v.s. por edhe secilit nga ne mund t’i shërbejë si ilaç për depresion.

Kaptina El-Isra, El-Kehf, Merjem, Ta ha dhe El-Enbija

Sahabiu i nderuar Abdullah ibn Mes’udi r.a. në lidhje me kaptinat e përmendura ka thënë: “Këto janë në mesin e kaptinave të para të shpallura dhe këto janë thesari im.”
Imam Bejhekiu në komentin e kësaj thënie ka thënë: “Ibn Mes’udi flet për superioritetin e këtyre kaptinave për shkak se këto përmbajnë rrëfime për pejgamberët dhe popujt e tyre. Këto janë shpallur në fillim të islamit në periudhën mekase dhe renditen në pjesët e para të Kuranit që janë lexuar dhe mësuar përmendësh.”
Kaptinat Isra, Kehf, Merjem, Taha dhe Enbija përmbajnë shumë rrëfime për pejgamberët, popujt e lashtë e në veçanti për benu israilët. Secila prej këtyre rrëfimeve mund të ndihmojë në shërimin e depresionit dhe anksiozitetit dhe ndihmojnë që ta ndiejmë fuqinë dhe madhështinë e Allahut të madhërishëm.

Kaptina Er-Rrahman (Mëshiruesi)

Kjo kaptinë përmban mbase përshkrimin më të bukur dhe më elokuent të Xhennetit ashtu edhe Xhehennemit. Kjo flet për shumë begati që na ka dhuruar Allahu.
Kjo kaptinë është qetësi për veshë, ilaç për zemër dhe ushqim për shpirt. Duke falënderuar me imazhet e saj të tejbukur dhe përshkrimin mahnitës të Xhennetit si dhe përmendjen e begative të Zotit tonë, kaptina Er-Rrahman është ilaç madhështor për depresion.

Kaptina En-Nas (Njerëzit)

Shpesh herë shkaku kryesor i depresionit është vetëvlerësimi i dobët dhe dyshimi në aftësitë personale. Shumë nga këto gjëra janë të stërmadhuara duke falënderuar pëshpëritjeve të shejtanit, ndërsa ai është betuar që do të përpiqet ta humb çdo njeri në Tokë. Mirëpo, Allahu është më Mëshiruesi ndaj robërve dhe nuk i lë vetëm.
Në mesin e kaptinave që janë shpallur si ilaç për cytjet e shejtanit përmendet kaptina En-Nas. Leximi i shpeshtë i kësaj kaptine mund të na ndihmojë që t’i mënjanojmë dyshimet dhe pëshpëritjet e shejtanit, me ndihmën e Zotit, ngase kemi të bëjmë me kaptinën e cila thërret mbrojtjen e Allahut.



Hafiza Rejhana Umer
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi