Ebu Hurejra r.a. tregon se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Kushdo që ia zgjidh besimtarit një brengë prej brengave të kësaj bote, Allahu do t'ia zgjidhë një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. E kush ia lehtëson (barrën) atij që ka vështirësi, Allahu do t'ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër. E kush ia mbulon myslimanit (të metat e tij - mëkatet), Allahu do t'ia mbulojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu është në ndihmë të robit përderisa robi është në ndihmë të vëllait të vet. Kush e pason rrugën për të kërkuar diturinë, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në xhenet. Dhe nuk janë tubuar një grup njerëzish në një shtëpi prej shtëpive (xhamive) të Allahut të Lartësuar duke e lexuar dhe duke ia mësuar Kuranin njëri-tjetrit, përveçse atyre u zbret qetësi (shpirtërore), mbulohen me mëshirë, rrethohen me melekët dhe Allahu i përmend tek ata (tek Pejgamberët, melekët e respektuar). E kush neglizhon punën e tij, nuk do t'i bëjë dobi gjenealogjia (farefisi - përkatësia)."
Fjalët e panjohura në hadith
Fjala nef-fese d.m.th. dalje e frymëmarrjes, kur njeriu merr frymë dhe lehtësohet në organizmin e tij. Këtu nënkupton zgjidhje dhe shkarkimin e barrës apo problemit, gjithashtu nënkupton lehtësimin e preokupimit, mërzisë dhe barrës.
Fjala kurbe d.m.th. vështirësi e madhe që njeriu paramendon t'i ndodhë, vuajtje, dhembje, torturë apo preokupim, brengë dhe mërzi. Origjina e saj është marrë nga toka, e cila është e shpuar në zemër të saj.
Fjala jeltemisu ka kuptimin kërkon synimin dhe shkakun e diturisë. Kjo fjalë aludon për diçka që shihet e preket me dorë. Dija duhet të hulumtohet dhe të preket me dorë.
Fjala es-sekine ka kuptimin qetësi, heshtje, strehim, pushim, mëshirë. Fjala këtu në hadith është për qetësinë - ettumeëninetu pasi pas saj është përmendur mëshira. Kjo fjalë është krahasuar me shpendin, i cili fluturon dhe zbret ashtu sikurse qetësia vjen dhe shkon.
Fjala haf-fet'hum ka kuptimin rrethim dhe sjellja rreth njerëzve, ka përfshirë ata - ehatat bihim.
Fjala bet-tae d.m.th. vonon, ngadalëson, neglizhon - ehharahu, e përfundon veprën e keqe.
Fjala nesebuhu d.m.th. përkatësia nga njëri prej prindërve, farefis, afërsi, origjinë, gjenealogji. Shumësi i kësaj fjale është ensab - lidhjet familjare, gjenealogjitë dhe prejardhja.
Shpjegimi i hadithit
Ky hadith konsiderohet prej haditheve që përmbledh njohuri të ndryshme, rregulla dhe norma të rëndësishme të individit në raport me klasat e ndryshme të shoqërisë, ashtu siç udhëzon për t'iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të njerëzve në situata të palakmueshme duke e sensibilizuar opinionin dhe duke u solidarizuar me ta në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë me ndihmë materiale, fizike apo shpirtërore. Kjo e fundit, ndihma shpirtërore, nënkupton kur e ndihmon nevojtarin me përkrahje, këshillë, njohuri, orientim të duhur etj.
Zgjidhja e problemit dhe shkarkimi i barrës
Pra, njeriu besimtar ndërmerr një seri aksionesh dhe iniciativash për t'ia zgjidhur dhe lehtësuar vëllait të tij pengesat dhe vështirësitë në të cilat ndodhet, pasi secili prej nesh ka sfida, brenga dhe vështirësi në jetën e tij. Disa prej vështirësive të shpien në sëmundje dhe dhembje të rëndë, disa të shpien në pesimizëm, pikëllim dhe vetizolim nga rrethi dhe shoqëria, e kushdo që mundohet t'ia lehtësojë vëllait të tij besimtar dhe njeriut në përgjithësi në shenjë bamirësie dhe humaniteti, do ta marrë shpërblimin nga Allahu i Lartësuar në bazë të peshës së rëndë të veprës. Ky shpërblim do t'i jepet njeriut në këtë botë dhe shpërblimi më i madh do t' i jepet në botën e pastaj me, shpërblimi kapital në botën e shpërblimeve (ahiretit). Një vepër e lehtë e bërë në këtë botë për t'ia lehtësuar tjetrit vështirësinë që ka, në botën tjetër do të marrë një shpërblim shumë më të madh se vështirësia e asaj vepre të bërë në këtë botë, ngase brenga e kësaj bote në krahasim me brengën e ahiretit nuk është asgjë. Prioriteti ynë duhet të jetë se si t'i eliminojmë brengat dhe pengesat e ahiretit, i cili do të jetë vendbanimi i domosdoshëm i yni. Në këtë kontekst, Pejgamberi s.a.v.s. apeloi te besimtarët me këtë shprehje:
"Kush do t'ia zgjidhë besimtarit një brengë - problem prej problemeve të kësaj bote, Allahu do t'ia zgjidhë një brengë - problem prej problemeve të botës tjetër (Ditës së Kiametit)."
Ky shpërblim është një nderim i madh për ne, ngase lodhja, mundi ynë në ndihmë të tjetrit në fatkeqësi nuk po na shkon huq, por po na kompensohet shumëfish në botën e ahiretit. Gjithashtu nga kjo pjesë e hadithit rezulton që ne si njerëz jemi krijuar në këtë tokë për të qenë ndihmëtarë dhe humanë e jo indiferent ndaj njëri-tjetrit. Përmes këtij hadithi jeta në shoqëri na kultivon dashuri dhe respekt, lidhje të fortë për njëri-tjetrin dhe jeta jonë bëhet e lehtë, e dashur dhe fisnike.
Meqenëse në hadith është specifikuar nocioni mu'minun - besimtar, atëherë shtrohet pyetja: Kur besimtari ndihmon jomyslimanin, a ka shpërblim për të? Përgjigjja nuk është e vështirë ngase të gjithë jemi njerëz dhe jemi krijesa të Allahut xh.sh .. Në këtë botë na bashkon jeta, ajri, toka, uji, dielli, hëna dhe furnizimi nga Krijuesi. Për secilën vepër ndihme ndaj njëri-tjetrit do të kemi shpërblim të ndërsjellë. Për pozitën e barabartë në shpërblim flet edhe ky argument i Kuranit: "Ne i kemi respektuar bijtë e Ademit." Edhe ne duhet të bëjmë mirë ndaj tyre, edhe ata duhet të bëjnë mirë ndaj myslimanëve. Gjithashtu për shpërblimin ndaj jomyslimanëve flet edhe ky hadith: "Vërtet Allahu bamirësinë e ka bërë detyrim ndaj çdo gjallese." "Në çdo gjallesë - frymor kemi shpërblim."
Pra, për çdo vepër të mirë që njeriu vepron në raport ndaj çdo krijese, do të ketë shpërblim tek Allahu xh. sh .. Njeriu sa më i madh dhe i ngritur të jetë në pozitë, aq më i madh do të jetë shërbimi, respekti dhe dobia e tij.
Lehtësimi si masë preventive
Përderisa fillimi i hadithit apelon për ndihmesë në probleme, zgjidhje të brengës, shkarkim të barrës, eliminim të fatkeqësisë, atëherë pjesa tjetër e hadithit në vijim apelon për lehtësim të barrës dhe brengës. Pejgamberi a.s. thotë: "E kush ia lehtëson (barrën) atij që ka vështirësi, Allahu do t'ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër."
Kushdo që e sheh një mysliman në vështirësi për sa i përket ushqimit, veshmbathjes, strehimit apo ndonjë çështjeje tjetër dhe merr iniciativë për t'ia lehtësuar çështjet, atëherë dije se Allahu xh.sh. ka për t'ia lehtësuar këto çështje në këtë botë dhe në botën e pastajme.
Lehtësimi material si masë preventive ndaj myslimanit borxhli dhe jomyslimanit bëhet në dy forma:
a) T'i japësh borxhliut afat dhe hapësirë kohore të mundshme, të mjaftueshme për ta kthyer borxhin, e kjo është obligative bazuar në fjalën e Allahut Fuqiplotë:
"Dhe në qoftë se borxhliu është në vështirësi, atëherë i lini kohë atij derisa t'i lehtësohet mundësia për t'i kthyer detyrimet." (El-Bekare, 280)
Ky parim dhe rregull duhet të vlejë si në raport të individit ndaj individit, ashtu edhe në raport të shtetit me individin. Jemi dëshmitarë të faktit që mbi pesë mijë biznese janë mbyllur në Kosovë për shkak të pamundësive të kthimit të borxhit dhe tatimeve ndaj shtetit. Në këtë drejtim qeveria e vendit duhet të krijojë masa lehtësuese ndaj tatimpaguesve si në biznes, pronë, tregti, bujqësi etj. Njëra prej masave lehtësuese karshi qytetarëve konsiderohet edhe afatizimi i borxheve publike dhe private për një kohë të mjaftueshme. Sot një prej problemeve kyçe të krizës ekonomike në Eurozonë apo në Bashkimin Evropian është edhe mosafatizimi i borxheve të shteteve të forta kundrejt shteteve në zhvillim apo më pak të zhvilluara.
b) Me eliminim, falje apo pakësim të borxhit. Kjo është një formë më e vështirë për huadhënësin, por pa dyshim se shpërblimi tek Allahu xh.sh. është më i madh. Shpërblimin e lehtësimit mund ta përfitojë edhe ai që bëhet shkak apo ndërmjetësues për t'u arritur njëra prej dy formave të përmendura të lehtësimit. Çështja e lehtësimit është një cilësi dhe virtyt i madh i shoqërisë islame, ku njerëzit si parim kanë zgjedhur lehtësimin e punëve që shpie në shpërblime të mëdha në këtë botë dhe shpërblime të pakufishme në botën e pastaj me, në xhenetin e përgatitur për njerëzit të cilët bëjnë lehtësime ndaj të tjerëve.
- vijon-