Legjislaturë e përkryer dhe kompatibile për çdo kohë e vend, llogaritet ajo e zbritur nga i Gjithëdijshmi, e cila pos sqarimeve e detajizimeve të tjera, përcakton qartazi edhe rrugët e përfitimit të pasurive, por edhe mënyrat e shëndosha të shpenzimit të tyre.
Ashtu siç edhe mund të imagjinohet, i Drejti nuk ligjëson asnjëherë që një pasuri e huaj të pronësohet nga kushdoqoftë, pa pajtimin apo pëlqimin e pronarit të saj. Në këtë kontekst vërejmë që gjësendet e humbura dhe for ma e trajtimit të tyre në të drejtën islame, janë edhe një element që dëshmojnë për shenjtërimin dhe paprekshmërinë që Allahu ia ka bërë pronës deri në Ditën e Fundit.
Një kapitull të tërë në të drejtën islame e gjejmë se është emërtuar me titullin “Gjësend et-kafshët e humbura apo të gjetura” e në të cilin është elaboruar detajisht nga juristët islamë gjithçka që ka të bëjë me gjësendet e humbura, se si duhen trajtuar e si duhet ve pruar me to.
Për të trajtuar në formë më të renditur, doemos do të duhej që kjo tematikë të ndahej në tri shtylla të shtjellimit, të cilat në fakt janë edhe fazat se si duhet vepruar me gjësendet e humbura që nga çasti i gjetjes së tyre. Ato janë:
a) Veprimi i duhur në momentin që hasim në gjësende të humbura
b) Njoftimi për gjetjen e gjësendit të humbur
c) Pronësimi dhe shfrytëzimi i asaj pasurie që është gjetur
Veprimi i duhur në momentin që hasim në gjësende të humbura
Sipas juristëve hanefitë e kështu mendojnë edhe ata shafiitë, nëse një njeri has një gjësend të humbur (dhe natyrisht nëse aty afër nuk qëllon pronari i tij duke e kërkuar), kurse ky vetë është i bindur se do të përpiqet që të gjejë pronarin e atij gjësendi, është më e mirë që ta marrë atë. Ky qëndrim buron nga parimi se myslimani obligohet të ruajë pasurinë e vëllait të tij aq sa të ketë mundësi. Madje nëse ka frikë të sigurt se ai gjësend do të humbë për shkak se zona ku e has njihet si zonë e pasigurt që humbin e vidhen vazhdimisht gjësendet edhe kafshët e humbura, atëherë përveçqë është e preferuar, mund edhe të obligohet marrja e gjësendit të humbur. Është kështu sepse pota linte atë në atë vend, ndoshta atë do ta gjente pas tij ndonjë person i pandershëm dhe do ta përvetësonte për vete.(1) Por, nëse ky që e gjen, dhe nuk është i sigurt në sinqeritetin dhe korrektësinë e vet personale dhe anon më shumë kah përvetësimi i atij gjësendi të gjetur sesa që synon ruajtjen e tij, atëherë ai në këtë rast nuk duhet ta marrë atë, sepse mundësia që ky të bjerë në mëkatin e përvetësimit me pa të drejtë është më e mad he, madje ndoshta atë do ta gjente ndonjë njeri tjetër i sinqertë e i cili do të përpiqej që t’ia kthente atë pronarit të vet.
E sa i përket kafshës së humbur kemi një hadith të cilin e transmeton Zejd ibn Halid El Xhuhenij se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë kur është pyetur për delen e humbur: “Ajo ose do të mbetet në dorën tënde, ose do të kalojë në dorën e një vëllai tënd, ose do ta hajë ujku. Ndërsa kur është pyetur për devenë e humbur, ai ka thënë:” Ç’ke ti me të, ajo e ka me vete ujin dhe ushqimin e nevojshëm, por edhe të mbathurat e veta. Ajo vetë afrohet për të pirë ujë dhe vetë merr nga gjethet për t’u ushqyer, derisa atë ta gjejë pronari i saj”.(2)
Për çështjen e deleve të gjithë dijetarët pajtohen se nuk duhen lënë të vetmuara, nëse ato kanë humbur dhe pranë tyre nuk është bariu i tyre, por ato duhet t’i marrë ai që i gjen. E juristët hanefitë kur interpretojnë çështjen e devesë ose kafshëve të tjera që janë në madhësi të saj e të cilat na japin përshtypjen se mund ta mbrojnë vetveten në rast rreziku nga egërsirat, e theksojnë faktin se, kur gjendet deveja dhe kemi frikë reale se mos po e mbysin atë kafshët e egra, atëherë është më e mirë marrja e saj sesa lënia e saj si e vetmuar e në rrezik, ani pse ato janë të mëdha në trup.(3) Madje sipas katër imamëve të mëdhenj, nëse pronari i tyre përcakton ndonjë shumë si shpërblim për atë që e gjen, lejohet me pajtimin e të gjithëve që ai që e ka gjetur kafshën ta marrë shumën e atyre parave të premtuara për gjet je nga pronari i saj.(4)
Nëse ndodh humbje, shkatërrim i asaj pasurie, apo ngordhje e kafshës gjatë kohës sa është duke qëndruar tek ai që e ka gjetur, ai person nuk garanton e as nuk kompenson vlerën e tyre, vetëm në rast se konfirmohet se ai ka neglizhuar dhe me qëllim ka lënë anash ruajtjen e asaj pasurie.
Njoftimi-publikimi për gjetjen e gjësendit të humbur
Pas gjetjes dhe marrjes së gjësendit ose kafshës së humbur, atëherë përmbi supet e atij që e ka gjetur bie një obligim jo edhe aq i lehtë. Ai tashmë duhet të bëjë publikim in-informimin adekuat (duke thënë se ka gjetur një shumë të hollash, ose një kafshë të humbur e të ngjashme, por jo të përshkruajë detajisht gjësendin-kafshën e gjetur, sepse ashtu do të shtohej numri i pretenduesve të saj). E në ditët e sotshme, ai është e rrugës që të ljmërojë organet e rendit, dhe kjo ndoshta është më së miri dhe më së lehti, duke treguar se ai posedon një shumë të parave, ose një kafshë të caktuar. Këtë njoftim ai duhet të bëjë për një periudhë njëvjeçare, (rëndom juristët kanë porositur që së paku një herë në muaj gjatë atij viti të dalë me një njoftim publik) nëse gjësendi i gjetur ka vlerë të konsiderueshme, që sipas hanefitëve është saktësuar me mbi 10 dërhemë, e të cilat sot janë të baraspeshueshme me 30 gramë argjend.(5) Këtë normë e gjejmë tek vazhdimi i hadithit të lartcekur tek Buhariu ku Muhamedi s.a.v.s. thotë: “...publikoje atë gjatë një viti, e nëse vjen pronari i saj, ktheja atij atë, e nëse nuk vjen, atëherë ajo është jotja...”.(6) Pra në momentin që pronari lajmërohet dhe ofron fakte që ai është pronari reali asaj pasurie, ai që e ka gjetur obligohet t’ia kthejë pasurinë e tij.
Është e rrugës të vihet theksi për një element me peshë tek kafshët e humbura-gjetura, qofshin ato dele, lopë apo dele, se nëse ato shtohen dhe prej tyre lindin të vegjlit e tyre, atëherë i duhen kthyer që të gjitha së bashku pronarit. Pra edhe të vegjlit që kanë lindur përderisa nënat e tyre kanë qenë nën kujdesin e atij që i ka gjetur. E nëse ka vlerë më pak se kaq, atëherë ai duhet të bëjë njoftimin për të për disa ditë sa ta mendojë që është e mjaftueshme, që sipas disa juristëve hanefitë është parashikuar deri një muaj më së shumti.
E nëse është diç që nuk ka vlerë fare në llogari të njerëzve, dhe ai që e ka gjetur është i bindur që pronari i saj nuk do të kthehet që ta marrë, edhe po ta kuptonte se e ka humbur, për shkak të vlerës së ulët të atij malli, sikur që mund të jetë ndonjë fryt i ndonjë peme, hurme, ndonjë leckë të rrobave, ose ndonjë kalli gruri që mund t’i gjejë në rrugë, ato i merr dhe i shfrytëzon e shpenzon ai që i ka gjetur, pa pasur nevojë që të bëjë njoftimin për to. Mirëpo gjatë kohës sa është duke e bërë njoftimin për gjësendin e humbur që gjendet në duart e tij, ai që e ka gjetur nuk bën t’ia japë askujt vetëm nëse ai pretenduesi ofron argumente, fakte e dëshmi të mjaftueshme e bindëse se ajo pasuri ka qenë e tij, çfarëdo qoftë lloji i saj.(7) Në kuadër të argumenteve më bindëse për të llogaritet edhe dëshmia e dy dëshmitarëve të besueshëm të cilët dëshmojnë se ai gjësend i takon atij pretenduesi.
Pronësimi dhe shfrytëzimi i asaj pasurie që është gjetur
Pas kalimit të periudhës së publikimit ose njoftimit dhe mosardhjes së pronarit të atij gjësendi, atëherë ai që e ka gjetur nëse është person i pasur do të duhej që atë pasuri ta jepte sadaka-lëmoshë, dhe ai vetë do të jetë pjesëmarrës në shpërblimin e asaj lëmoshe, kurse pronari i vërtetë i tij gjithsesi më apriori. E nëse ai që e ka gjetur ka qenë i varfër, atëherë ai mund ta pronësojë atë dhe ta shpenzojë siç do ta shpenzonte cilëndo pasuri të veten. Ndërsa tre imamët e shkollave të tjera juridike i japin të drejtën e pronësimit atij personi që e ka bërë publikim për një vit radhazi (së paku nga një herë në muaj gjatë atij viti), pavarësisht se a është ai i varfër apo i pasur personi që i ka gjetur.(8) Mendimi i juristëve hanefi ka për bazë dhe argument ajetin kuranor: ”Mos i hani pasurinë njëri-tjetrit me pa të drejtë....”. (El Bekare, 188). Dhe nëse pronari i asaj pasurie nuk ka dhënë të drejtën e pronësimit e shpenzimit, atëherë po i bie se ajo pasuri po hahet me pa të drejtë. Mirëpo, ekziston edhe një transmetim i hadithit, ani pse rreth zinxhirit transmetues ka dilema, megjithatë kuptimi i tij përputhet me ajetin paraprak, ku Muhamedi s.a.v.s.thotë:”Nuk lejohet pronësimi i gjësendit të gjetur, e nëse dikush gjen diç, atëherë le të publikojë atë për një vit. Nëse vjen pronari i saj le t’ia japë atij, e, nëse nuk vjen, le ta japë lë moshë atë pasuri”.(9)
Kështu që nëse dëshirojmë mirësinë e botës tjetër, atëherë gjësendet e gjetura, le të bë
jmë përpjekje maksimale që t’ua kthejmë pronarëve të tyre, sepse ndoshta ata janë shumëfish më të nevojshëm për to se ne. Tekefun dit ato janë pasuri të tyre dhe nuk kanë bërë me dije në asnjë formë që ata kanë dhënë leje për dikë që t’i pronësojë ato pasuri. E nëse nuk i gjejmë pronarët e atyre pasurive të gjetura, le t’i japim si lëmoshë, sepse kjo është më e mirë për ne edhe në këtë botë edhe në Botën Tjetër. Kjo pikëpamje që është kristalizuar bukur mirë nga juristët hanefitë, përputhet me shpirtin e besueshmërisë e të solidaritetit që duhet të mbretërojë në mesin e besimtarëve myslimanë.
____________
1. El Mevsilij El hanefij, El Ih’tijar li Ta’lil Muh’tar (2/489).Bot. i parë. Shtëpia botuese Err Rrisale. Viti i botimit, 2009. Bejrut.
2. Muttefak alejhi. Buhariu në “Sahihun” e tij (nr:6112). Muslimi në “Sahihun” e tij (nr:1722), e të tjerë.
3. Shih: Bedruddin El Ajnijj, El Binajetu Sherh El Hidajeh (7/334). Bot. i parë. Darul Kutub El Ilmijje. Bejrut. 2000.
4. Ibn Kudame El Makdesijj. El Mugnij (6/93). Bot. Mektebe tul Kahire. Kajro. Pa vit dhe numër të botimit.
5. 1 gram argjend sot ka vlerën e 0.40 centë afërsisht në tregun e argjendit, kështu që 30 gr x0.40 centë=12 euro.
6. Muttefak alejhi. Buhariu në “Sahihun” e tij (nr:6112). Mus limi në “Sahihun” e tij (nr:1722), e të tjerë.
7. Dr. Vehbetu Ez Zuhejli, El Fikh El Islamij Ve Edil-letuhu (6\4863). Bot. Darul Fikr. Bot. i katërt. Damask. 2003.
8. Po aty. Si dhe: Bed ruddin El Ajnijj, El Binajetu Sherh El Hidajeh (7/339). Bot.I parë. Darul Kutub El Ilmijje. Be jrut. 2000.
9. Transmeton Bezzari e Darukutniu nënëpërmjet Ebu Hurejres, por në zinxhirin e tij transmetues ka dobësi të tolerueshme.