Kur mblidhen të gjitha tekstet që janë kërcënues për vepruesin e mëkatit të madh, e në të cilat mbështeten murxhiet, dhe ato tekste ku mbështeten havarixhët dhe mutezilët, të bëhet e qartë se mendimi i tyre është i pabazë. Pra, shpjegimi i kësaj çështje nuk është i nevojshëm, ngase kur i lexojmë mendimet e tyre vetë e kuptojmë se secili prej tyre e ka mendimin e pabazuar.
Pas kësaj pajtueshmërie bëhet e qartë se Ehli suneti kanë divergjenca mes vete, por që ato janë vetëm formale dhe është rreth asaj se a mundet që kufri të kategorizohet, sikur që kanë divergjenca rreth asaj se a mundet që imani të kategorizohet. Prandaj, kjo divergjencë e ka zanafillën në vetë emërtimin e imanit: se imani a është vetëm fjalë dhe vepër, se imani a pakësohet dhe shtohet, apo jo?
Pas gjithë kësaj, pajtueshmëria e tyre është që: atë të cilin Allahu dhe i Dërguari i Tij e ka emërtuar si jobesimtar, edhe ne e emërtojmë si jobesimtar. Atëherë, është e pamundur që Allahu i Lartësuar ta emërtojë si jobesimtar atë që gjykon jo në emër të Allahut, sikur që edhe i Dërguari i Allahut nuk e emërton si jobesimtarë. Andaj, ne nga vetja nuk i emërtojmë si jobesimtarë.
Por, ai që thotë se imani është me fjalë e me vepër, shtohet e pakësohet, mendon se kufri i tillë është mosbesim në vepër e jo në aspektin e bindjes. Pra, kufri te këta është i kategorizuar, e po ashtu edhe çështja e besimit.
Ai që thotë se imani është vetëm me shprehje, ndërsa kufri është përgënjeshtrimi që as nuk pakësohet e as nuk shtohet, mendon se ky është kufër alegorik dhe jo i vërtetë. Ngase, kufër esencial është ajo që njeriun e nxjerr nga besimi. Gjithashtu, thuhet edhe në emërtimin e disa veprave, sikur që është fjala e Allahut:
"Allahu nuk është që t'jua humbë besimin tuaj.",' e që domethënë se llogaritet edhe namazi që e falim të drejtuar kah Kudsi. Kjo është emërtuar si besim në mënyrë alegorike, duke u bazuar në atë se me kryerjen e namazit vërtetohet ajo se vepruesi i tillë është besimtar. Pikërisht për këtë gjykohet si mysliman, nëse e fal namazin sikurse ne.
Të gjithë juristët myslimanë janë të pajtimit për mëkatarët që e pranojnë duke mos e kundërshtuar atë që e ka sjellë i Dërguari s.a.v.s., dhe ajo që transmetohet në mënyrë të besueshme prej tij. Të tillët, për shkak se bëjnë mëkat, janë prej të kërcënuarve (me dënim prej Allahut). Por, mendimi i devijuar është se vepruesi i mëkatit të madh do të jetë përgjithmonë në Xhehenem. Të këtij mendimi janë havarixhët dhe mutezilët. Por, më e keqja është të kundërshtohen të tillët në mënyrë të ashpër, ngase ne tanimë jemi të urdhëruar të bëjmë dialog me jobesimtarët, dhe atë në mënyrën më të mirë. E si të mos sillemi mirë me njëri-tjetrin?' Allahu i Lartësuar ka thënë: "O ju që besuat, bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t' i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro Allahun se Allahu di hollësisht për atë që veproni!"
Çështja e tillë duhet analizuar me vëmendje, e kjo është gjykimi me atë që nuk e ka zbritur Allahu. Ky veprim mund të jetë dalje nga besimi, pra që e nxjerr njeriun nga besimi, dhe mund të jetë mëkat i madh ose i vogël. Ky veprim mund të jetë dalje nga besimi në aspektin alegorik, apo mosbesim më i vogël, pra sipas dy mendimeve të përmendura. Kjo ka të bëjë veçanërisht me gjykatësin. Kjo ndodh kur ai ka bindje se gjykimi me atë që e ka zbritur Allahu nuk është obligim, por është zgjedhje e lirë e tij (ose e merr për gjykim ose jo), apo e injoron vendimin e Allahut me bindje. Kjo është dalje nga besimi - kufri më i madh. E po që se ai ka bindje se është obligim të gjykohet sipas asaj që ka zbritur Allahu, por ai nuk i përmbahet këtij rregulli, atëherë i tilli meriton ndëshkimin dhe konsiderohet mëkatar, si dhe emër tohet si jobesimtar alegorik apo si mosbesim i vogël. E nëse gjykatësi është injorant ndaj ndonjë vendimi të Allahut edhe përkundër asaj se ai harxhon mund mendor për ta njohur vendimin e Allahut, apo gjatë angazhimit mendor ai gabon, atëherë ky konsiderohet muxhtehid që ka gabuar në gjykimin e tij, por ka shpërblim për angazhimin e tij dhe se gabimi i tij është i falur për shkak të ixhtihadit te tij.
Ajo çfarë ka synuar dijetari (Allahu e mëshiroft) kur është shprehur "Ne nuk themi se mëkati nuk e dëmton besimin e atij që e vepron atë", ka qenë për ta kundërshtuar mendimin e murxhive dhe atyre që përkrahin mendimin e tyre. Sahabët kanë rënë në ujdi që të mbyten ata (murxhiet), nëse nuk pendohen. Vërtet Kudamete bin Abdilahi kishte konsumuar pije dehëse pasi ato ishin ndaluar, e që ky dhe një grup prej njerëzve filluan të komentojnë fjalën e Allahut të Lartësuar: "Ata që besuan dhe bënë punë të mira, nuk kanë mëkat për atë që u ushqyen (më herët)"." Pasi që ky rast iu përmend Umer bin Hatabit r.a., atëherë ai, Ali bin Ebi Talibi dhe të gjithë sahabët tjerë ishin të pajtimit që, nëse ata e pranojnë se pijet dehëse janë të ndaluara, ata (konsumuesit) duhet rrahur, e po qe se e mohojnë normën e ndalesës d.m.th. nëse mendojnë se pijet dehës nuk janë të ndaluara, dhe ngulin këmbë në këtë mendim, atëherë ata duhet mbytur. Umeri r.a. i kishte thënë Kudames: "Ke gabuar sikur vërtet ti të kishe frikë nga Allahu, të besoje, të veproje vepra të mira dhe të mos pije pije dehëse". Kjo është se ky ajet ka zbritur për atë se Allahu i kishte ndaluar pijet dehëse pas betejës së Uhudit.
Disa nga sahabët kishin thënë: "Çfarë do të jetë gjendja e shokëve tonë që kanë vdekur dhe kanë pirë pijë dehëse?"
Atëherë Allahu e zbriti këtë ajet, dhe e sqaroi se ata që kanë shijuar haramin gjersa nuk ishte i ndaluar, për ta nuk ka mëkat, nëse ata kanë qenë besimtarë të devotshëm dhe bamirës. Pra, njësoj sikur që ka qenë çështja e faljes drejt Kudsit.
Këta që kishin gabuar dhe më pas kishin humbur shpresat të pendohen tek Allahu, në këtë rast Umeri r.a. i kishte shkruar Kudames kështu: "Ha, Mim.
Kjo shpallja e librit është prej Allahut, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit. I Cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është Ndëshkues i Ashpër."
Unë nuk di se cili është mëkati më i madhe i yti? Ajo që e ke konsideruar të lejuar pijen dehëse, apo humbja e shpresës nga mëshira e Allahut?!
Ky është mendimi unanim i të gjithë imamëve prej sahabëve.
Hasan El-Hudajbi
Përktheu nga gjuha arabe:
Mr. Sci. Flamur Sofiu