Hyrje
Në këtë punim do ta trajtojmë temën e kaptinës së Fatihasë nga aspekti juridik, si dhe leximin e ndonjë pjese të Kuranit që kërkohet t'i shoqërohet Fatihasë. Çfarë dispozite ka Fatihaja në namaz? A vlen namazi pa Fatihanë? Leximi i saj a bëhet në secilin rekat? Këto dhe çështje tjera të kësaj natyre do të jenë objekt elaborimi në këtë punim.
Leximi i Fatihasë është obligim (vaxhib)
Leximi i Fatihasë te shumica e dijetarëve konsiderohet obligim i domosdoshëm dhe pa të namazi është i pavlefshëm, sepse Fatihaja, sipas tyre, konsiderohet si kusht i namazit - shart. Të këtij mendimi janë shkollat juridike, me përjashtim të shkollës hanefite. Juristët e shkollës hanefite dhe hadithologu i madh Sufjan Thevriu janë të mendimit se leximi i Fatihasë është obligim - uaxhib,(1) mirëpo ajo nuk është kusht i vlefshmërisë së plotë të namazit, dhe si rrjedhojë namazi pa të është i plotfuqishëm, në rast se lexohet diçka nga Kurani, ndonëse lënia e Fatihasë qëllimshëm konsiderohet si gabim, dhe atë gabim e përmirëson sexhdeja që bëhet me rastin e harrimit.(2)
Ndonëse në shikim të parë ndokujt mund t'i duket i çuditshëm opinioni i hanefinjve, sidomos atyre që nuk janë të thelluar në shkencën e Fikhut, realiteti është se opinioni i hanefinjve është shumë i fuqishëm dhe mjaft argumentues, megjithëse për shkak të hapësirës nuk do të mund t' i paraqesim tërë argumentet e hanefinjve dhe analizën e tyre në këtë kontekst. Mirëpo, do të mjaftohemi me copëza margaritari të elaboruar nga kolosët e shkollës në fjalë.
Argumentet e hanefinjve
Te hanefinjtë pjesë përbërëse - rukn, konsiderohet leximi i një pjese nga Kurani, pa specifikuar se a është Fatihaja apo ndonjë kaptinë tjetër. E rëndësishme është që në namaz të lexohet Kuran, me theks të veçantë në dy rekatet e para, duke u bazuar në ajetin kuranor: " ... pra falnu duke lexuar Kuran sa t'ju vijë më lehtë nga namazi ... " (El Muzzemil, 20)
Praktikisht ajeti nënkupton obligueshmërinë e pjesës më të lehtë nga Kurani, dhe nuk e nënkupton Fatihanë, siç mendojnë shafiinjtë, sepse ky ajet ka zbritur në Meke, e Fatihaja në Medine. Andaj, si lejohet të themi se ajeti e nënkupton Fatihanë.?!(3)
Argument tjetër është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, që flet për keqfalësin e namazit: "Na ka treguar Musededi, i cili ka thënë: Më ka informuar Jahja bin Seid, nga Ubejdilahi, i cili thotë: "Na ka treguar Seid El-Makburij, nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut - salallahu alejhi ve selem - hyri në xhami. Pastaj hyri një njeri u fal dhe erdhi dhe e përshëndeti të Dërguarin e Allahut. I Dërguari ia ktheu selamin dhe i tha: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!" Ai u fal dhe erdhi tek i Dërguari i Allahut, të cilin e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha përsëri: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!" Kështu i tha tri herë, ndërsa ai ia ktheu: "Pasha Atë që ty të dërgoi, vërtet nuk di përveç asaj mënyrë (që u fala), prandaj më mëso!" I Dërguari i Allahut i tha: "Kur të hysh për namaz, shqiptoje tekbirin, pastaj lexo diç nga Kurani, që të vjen më lehtë ... !"(4)
Kuduriu, rreth kësaj çështjeje dhe këtij argumenti, shprehet: "Ky hadith është sqarim, e po të ishte Fatihaja obligim i domosdoshëm në namaz sigurisht se do ta përmendte (i Dërguari i Allahut) atë."(5)
Zejleiu në këtë kontekst thotë: "Ky hadith është në rolin e sqarimit të obligimeve të domosdoshme, e po të ishte Fatihaja obligim i domosdoshëm atëherë sigurisht se do ta përmendte atë, ngase ky njeri thuajse nuk dinte asgjë dhe ishte shumë i nevojshëm për t'i kuptuar gjërat, e përderisa atij nuk iu përcaktua leximi, atëherë u bë e ditur se Fatihaja nuk është farz.”(6)
Në një hadith tjetër, të transmetuar po ashtu nga Ebu Hurejre, që është në koleksionin e Ebu Davudit, thuhet: "Na ka treguar Ibrahim bin Musa Err-Rrazi, na ka treguar Isa nga Xhafer bin Mejmun El-Basrij, na ka treguar Ebu Othman En-Nehdij nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "Më tha i Dërguari i Allahut: "Dil dhe thirr në Medine: "Nuk ka namaz pa lexim (të Kuranit), qoftë edhe me leximin e Fatihasë, apo më tepër se aq."(7) Edhe këtu nuk është specifikuar leximi. Ndonëse në transmetimet tjera që janë përcjellë nga Ebu Hurejre përmendet Fatihaja, megjithatë transmetimet janë hadithe xhade(8), dhe përmes tyre nënkuptohet se namazi nuk është i plotë, mirëpo i plotfuqishëm. Hadithi në vijim, që tregon për leximin e Fatihasë në namaz, e tregon më së miri se pa të namazi mund të jetë juridikisht i plotfuqishëm e praktikisht jo i plotë: "Na ka treguar EI-Ka'nebij nga Maliku, ky nga Ala bin Abdurrahmani, i cili e kishte dëgjuar Ebu-s Saibin të ketë thënë: "E kam dëgjuar Ebu Hurejren të ketë thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut: "Kush fal ndonjë namaz dhe nuk lexon Fatihanë, namazi është jo i plotë, jo i plotë, jo i plotë."(9)
Kolosi maliki, Ibën AbdulBerri, për hadithin në fjalë dhe çështjen e Fatihasë thotë: "Nga hadithi i Ebu Hurejres obligohet leximi i Fatihasë në çdo namaz, e namazi që në të nuk lexohet Fatihaja është jo i plotë.”(10)
Praktikisht namazi është i vlefshëm dhe hadithi nuk sinjalizon se namazi është i pavlefshëm, ngase fjala "hidaxhun" sinjalizon se namazi është i vlefshëm, ndonëse jo i plotë. Këtë e potencon edhe kolosi i hadithit Zejleiu, i cili thotë: "Nuk ka sinjalizim nga hadithi për moslejimin (mospranimin) e namazit pa të (Fatihanë), mirëpo namazi pa të është i mangët dhe ne (hanefinjtë) themi ashtu."(11)
Këtë qëndrim e ka edhe eruditi nga shkolla shafiite, Neveviu, i cili në këtë kontekst shprehet: " ... hadithet në këtë aspekt namazin pa leximin e Fatihasë e kanë bërë jo të plotë, por jo të pavlefshëm ... "(12)
Gjithashtu edhe tekstet tjera nga, Suneti që kanë të bëjnë me tematikën e Fatihasë në namaz, janë të njëjta, dhe përmes tyre nuk nënkuptohet se namazi pa Fatihanë është i pavlefshëm, por i mangët, si hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre që e cituam më lart, apo nga Ebu Seid El-Hudriu, Aisheja, Ebu Katade, Abdullah bin Amri, si dhe hadithi që përcillet nga Ubade bin Samiti, ku decidivisht thuhet: "Na ka treguar Ali bin Abdullah, që thotë: "Na ka treguar Sufjani dhe thotë: "Na ka treguar Zuhriu nga Mahmud bin Rrebi', e ky nga Ubadeh bin Samit, se i Dërguari i Allahut kishte thënë: "Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon Fatihanë."(13)
Ndonëse sipërfaqësisht mund të kuptohet se nuk ka namaz pa Fatihanë, megjithatë ato tekste nuk e nënkuptojnë se namazi pa të është i pavlefshëm. Përkundrazi e nënkuptojnë se namazi pa të praktikisht është i mangët, por juridikisht i vlefshëm. Kështu mendojnë edhe shpjeguesit dhe komentatorët e mëdhenj të librave të hadithit.(14) Shembuj të këtillë të haditheve ka shumë, e sa për ilustrim do marrim disa prej tyre: "Na ka treguar Suvejd bin Nasër, i cili thotë: "Na ka treguar Abdullah bin El-Mubarek nga Shubeh, ky nga Katadeh, e ky nga Enesi, i cili transmeton nga i Dërguari i Allahut duke thënë: "Nuk ka besuar (me besim të plotë) askush derisa për vëllaun e vet të mos e dojë atë që e do për vete."(15)
Ndonëse ka ardhur shprehja "nuk ka besuar askush", dhe sipërfaqësisht mund të (keq)kuptohet se nëse nuk ua do të tjerëve ato që i do për vete atëherë nuk je besimtar, megjithatë hadithi nuk e nënkupton këtë, por hadithi nënkupton se ai që nuk ia do të tjerëve ato që ia do vetvetes është besimtar, por besimin nuk e ka të plotë. Ky dhe hadithet tjera të kësaj natyre janë sikur hadithet e Fatihasë në namaz, ku në mënyrë sipërfaqësore mund të kuptohet se ai që e lexon atë nuk ka namaz, ndërsa nga ana përmbajtësore ato nënkuptojnë se namazi është i mangët pa të, por edhe i vlefshëm.
Apo edhe hadithi: "Ai që vjen prej jush (në xhami) ditën e xhuma, le të pastrohet!" Ndonëse tekstualisht mund të kuptohet se pastrimi në ditën e xhuma është obligim i domosdoshëm duke u bazuar në këtë hadith, dijetarët eminentë janë të mendimit se hadithi nuk e nënkupton obligueshmërinë, por se pastrimi në ditën e xhuma është sunet. Gjithashtu edhe hadithi: "Nuk ka namaz për fqinjin e xhamisë, veçse në xhami." Mirëpo dijetarët janë të mendimit se hadithi nuk e nënkupton obligueshmërinë e patjetërsueshme të namazit në xhami, përkundrazi edhe namazi i falur në shtëpi është i pranuar, dhe për këtë ka edhe konsensus (ixhma) të dijetarëve. (Shih: Thën Betal, Sherh Sahihu-l Buhari, v. II, f. 369!).
Këtu nuk duhet kuptuar se hanefinjtë janë kundër leximit të Fatihasë, përkundrazi të gjithë, pa përjashtim, janë të mendimit se duhet dhe është më mirë dhe më e vlefshme të lexohet Fatihaja, sepse lënia e saj nënkupton se namazi ka mbetur jo i plotë, duke u bazuar në hadithet që e trajtojnë lënien e leximit të Fatihasë.(16)
Mirëpo problematika këtu ka të bëjë se a është patjetër të lexohet Fatihaja, apo bën edhe pa leximin e saj, e në vend të saj të bëhet leximi i ndonjë pjese nga Kurani. Hanefinjtë i kanë bërë analiza të thella haditheve, ku në një pjesë të madhe të haditheve ku përshkruhen gjërat kryesore të namazit përmendet leximi i një pjese nga Kurani që është më i lehtë. Në këtë kontekst ka përputhje të plotë mes haditheve dhe ajetit: " ... pra faluni duke lexuar Kuran sa t'ju vijë më lehtë nga namazi ... " (El Muzzemil, 20)
Pastaj hadithet e transmetuara në këtë kontekst, disa prej tyre, janë të llojit ahad, që e komplikojnë edhe më tutje çështjen, dhe se argumentet nga Suneti konsiderohen si argumente jo të prera dhe jo të sigurta në çështjen e vendimeve dhe dispozitave. Ibën Nuxhejmi, kur e trajton këtë pikë, analizon tekstet ku leximi i Kuranit është i përgjithshëm - mutllak dhe teksti i tij është i prerë - kat'i, ndaj edhe përputhet me tekstin e Sunetit, dhe se nuk lejohet (si në këtë rast) që të kufizohet - tukajjid teksti i Kuranit që është i prerë në bazë të transmetimeve nga Suneti. Gjithashtu kufizimi i tekstit të përgjithshëm nga Kurani me tekstin ahad është problematikë në vete, pra se a mund të shfuqizohet me tekstet ahad. Është vërtetuar se ai (Pejgamberi a.s.) e ka praktikuar leximin e Fatihasë në namaz, mirëpo nuk ka ndonjë argument të prerë që tregon se Fatihaja është përcaktuar si obligim i domosdoshëm (farz). Praktika e saj, pa ndërprerje, nënkupton obligueshmërinë (vaxhib), andaj namazi nuk konsiderohet i pavlefshëm me lënien e saj, qoftë me qëllim apo nga harresa, mirëpo obligohet sexhdeja e harresës për ta plotësuar mangësinë.(17)
Leximi i Fatihasë obligim në dy rekatet e para
Më lart kam përmendur se leximi i Fatihasë në shkollën juridike hanefite është obligim (vaxhib), mirëpo ky obligim është vetëm në dy rekatet e para të namazit, e në dy rekatet tjera (kur namazi është katër rekatësh), leximi i Fatihasë nuk është i obligueshëm, por është sunet leximi i tillë apo edhe i preferuar. Me fjalë të tjera, namazi konsiderohet i plotfuqishëm nëse në dy rekatet e para lexohet Fatihaja dhe një pjesë nga Kurani, e në dy rekatet tjera edhe nëse nuk lexohet asgjë, nuk ka ndonjë mangësi, ndonëse është e preferuar që edhe në ato rekate të lexohet Fatihaja ose ndonjë madhërim. Nuk ka dyshim se leximi i Fatihasë në rekatin e tretë dhe të katërtin në namazet farz është më i vlefshëm dhe më i qëlluar dhe se ai nuk duhet të shoqërohet me ndonjë lexim të ndonjë kaptinë ose të ndonjë ajeti. Por, shtrohet pyetja se, në rast të lënies së Fatihasë në rekatin e tretë dhe të katërt, a nevojitet sehvi sexhdeja apo nuk ka nevojë për të? Për këtë çështje na vijnë dy opinione nga Ebu Hanife: i pari përcillet nga Haseni, i cili transmeton fjalët e Ebu Hanifes, ku ky i fundit kishte konstatuar se është më
e qëlluar të lexohet Fatihaja në ato dy rekate, e lënia e saj qëllimshëm konsiderohet si mëkat, përderisa nëse bëhet nga harresa, mjafton sexhdeja në fund të namazit me rastin e harresës; ndërsa i dyti transmetohet nga nxënësi tjetër, Ebu Jusufi, ku parashihet që namazfalësi ka të drejtë të përzgjedhë në ato rekate mes leximit të Fatihasë, madhërimit të Zotit dhe heshtjes, e në rast të lënies së Fatihasë pa qëllim, nuk obligohet sexhdeja me rastin e harresës. Opinionin e fundit autori i librit voluminoz "El-Mebsut" e konsideron si më të qëlluar dhe më të saktë.(18)
Kuduriu është i mendimit se obligim është të lexohet në dy rekate, pa specifikuar se në cilat. Madje, sipas tij, nëse nuk lexohet në dy të parat, leximin e plotëson me dy të fundit. Ibën Humami dhe Hasen El-Basriu janë të mendimit se obligim i domosdoshëm (farz) është leximi në një rekat,(19) përderisa Maliku është i mendimit se obligohet të lexohet në tre rekate, e Shafiu ka mendim krejt tjetër nga të tjerët, Ai mendon se leximi duhet bërë në secilin rekat të namazit.
Hanefinjtë, kur mendojnë se leximi i Fatihasë në dy rekatet e fundit të namazit farz nuk është i domosdoshëm, qëndrimin e tyre e bazojnë në shumë argumente, si në opinionit e Aliut dhe Abdullah bin Mesudit, të cilët kishin thënë: "Lexo në dy rekatet e para dhe madhëroje (Zotin) në dy rekatet e fundit!"(20) Përderisa në dy rekatet e para leximi i Fatihasë dhe një kaptine apo disa ajete është obligim sipas hanefinjve, në dy rekatet e fundit (për namazet katër-rekatesh) leximi i Fatihasë është sunet apo edhe i preferuar. Por, në këto dy rekate nuk bën t'i bashkangjitet asgjë Fatihasë, ngase në rast të leximit të ndonjë ajeti apo kaptineje kjo konsiderohej si e papëlqyer (mekruh tenzihen). Ibën Nuxhejmi në "Bahru-rr Rraik" thotë: "Fatihaja është obligim (vaxhib) në dy rekatet e para të namazit farz, në të gjitha rekatet e namazit vullnetar (nafile), në namazin e vitrit dhe në namazin e bajrameve. Ndërsa, sa i përket dy rekateve të fundit të namazit farz, leximi i Fatihasë është sunet."(21) Mirëpo praktika e hanefinjve përgjatë gjithë historisë ka vepruar me leximin e Fatihasë edhe në dy rekatet e fundit të namazeve farz, duke aplikuar një sunet të namazit.
Ibën Abidini në "Hashijen" e tij thotë: "Nëse ia bashkëngjit një kaptinë Fatihasë në rekatin e tretë dhe të katërt, atëherë kjo padyshim që është veprim i papëlqyer, ngase është në kundërshtim me sunetin.
Bashkëngjitja e një kaptine me Fatihanë (në rekatin e tretë dhe të katërt) nga harresa e obligon sexhden e harresës - sexhdetus sehv sipas Ebu Jusufit, ndonëse sipas transmetimeve qera më të qëlluara nuk e obligon sexhden e harresës.(22)
Kur jemi te kjo çështje, duhet potencuar se qoftë në dy rekatet e para apo në dy të fundit, leximi i Fatihasë apo edhe i kaptinës përcjellëse duhet bërë nga imami, e jo nga xhemati, kuptohet nëse namazi falet kolektivisht. Në këtë kontekst Zejleiu në "Tebjinu-l Hakaik" shprehet: "Ai që falet pas imamit (me xhemat) nuk lexon, pa marrë parasysh nëse imami lexon (në namazet) me zë apo pa zë (në namazet pa zë) ... , heshtja në këtë rast është obligim i domosdoshëm me tekst - fardun bin nass, duke u bazuar në ajetin uranor(23): El Araf, 204.
____________________
(1) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. I, f. 111.
(2) Serhasiu, El-Mebsut, v. I, f. 22.
(3) Ebu-l Husejn El-Kuduri, et-Texhrid (el- mevsuatu-l fikhijetu-l mukarenetu), v. I, f. 486.
(4) Buhariu në Sahih, nr. 751; Muslimi në Sahih, nr. 602. Hadithi është autentik dhe transmetohet edhe përmes rrugëve tjera.
(5) Ebu-l Husejn El-Kuduri, Et-Texhrid (el-mevsuatu-l fikhijetu-l mukarenetu), v. I, f. 486.
(6) Zejleiu, Tebjinu-l Hakaik, v. I, f. 275.
(7) Ebu Davudi në Sunen, nr. 819. Xhafer bIn Mejmun El-Basrij nuk llogaritet i fortë në hadith. Transmeton edhe Buhariu në El-Kiraetu halfe-l imam, nr. 70.
(8) Hadithet e tilla që njihen si ahade-të vetmuara, sipas hanefinjve janë të pranuar, por me kushte të caktuara.
(9) Ebu Davudi në Sunen, nr. 821; Tirmidhiu në Sunen, nr. 2953. Hadithi me përmbajtje të njëjtë përcillet edhe nga Aisheja, që kishte thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: "Çdo namaz që në të nuk lexohet Fatihaja është jo i plotë." Ibën Maxheh, në Sunen, nr. 840. Albani thotë se hadithi është autentik.
(10) Ibën AbdulBerr, El-Istidhkar, v. II, f. 167.
(11) Zejleiu, Tebjinu-l Hakaik, v. I, f. 275.
(12) Nevevi, Mearifu-s Suneti, v. II, f. 392.
(13) Buhariu në Sahih, nr. 756; Muslim në Sahih, nr. 34 (394); Ebu Davudi në Sunen, nr. 822; Tirmidhiu në Sunen, nr. 247 dhe të tjerët.
(14) Shih Sahihu-l Buhari me re-cenzurë nga Muhamed Zuhejr bin Nasër En-Nasir, me koment e shpjegim të Mustafa El-Bega. Bot. I-rë, Dar tavku-n Nexhat, 1422, v. I, f. 151; Ibën Betal, Sherh Sahihu-l Buhari, me recenzurë nga Ebu Temim Jasir bin Ibrahim, bot. II-të, Mektebetu-rr Rrushd, Rijad-Arabia Saudite, 1423-2003, v. II, f. 369; Neveviu, el-Minhaxhu sherhu Sahihi Muslim, bot. II-të, darihjau-t turath el-arebij, Bejrut-Liban, 1392, v. IV, f. 101. Ibën Haxher, Fet'hu-l Bari Sherh Sahihi-l Buhari, Daru-l Marifeh, Bejrut-Liban, 1379, v. II, f. 241; Bedrudin El-Ajni, Umdetu-l Kari' Sherh Sahihi-l Buhari, darihjau-t turath el-arebij, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v. VI, f. 14
(15) Tirmidhiu në Sunen, nr. 2515, dhe thotë se hadithi është autentik. Edhe Albani hadithin në fjalë e vlerëson autentik. Buhariu në Sahih, nr. 13, Muslimi në Sahih, nr. 13, Ibën Maxheh në Sunen, nr. 66.
(16) Ebu-l Husejn El-Kuduri, Et-Texhrid (elmevsuatu-l fikhijetu-l mukarenetu), v. I, f. 489-490.
(17) Ibën Nuxhejm, El-Bahru-rr Rraik Sherh Kenzu-d Dekaik, bot. II-të, daru-l kitab el-Islami], pa vit dhe vend botimi, v. I, f. 312.
(18) Serhasiu, EI-Mebsut, v. I, f. 22.
(19) Ibën Humam, Fet'hu-l Kadir, v. I, f. 469.
(20) Ibën ebi Shejbeh në Musannef, v.I f. 327.
(21) Ibën Nuxhejm, El-Bahru-rr Rraik Sherh Kenzu-d Dekaik, bot. 11- të, daru-l kitab el-Islami], pa vit dhe vend botimi, v. I, f. 312.
(22) Ibën Abidin, Reddu-l Muhtar ale-d Durri-l Muhtar, bot. II-të, daru-l fikr, Bejrut-Liban, 1412-1992, v. I, f. 459.
(23) Ibën Nuxhejm, El-Bahru-rr Rraik Sherh Kenzu-d Dekaik, v. I, f. 131-132.
Mr. Ejup Haziri