Agjërimi nga aspekti mjekësor


Krijesa njeri përbëhet nga komponentët truporë (komponenta fizike) dhe shpirtërorë (komponenta psikike). Mirëqenia e këtyre dy komponentëve padyshim që është domosdoshmëri e një shëndeti të mirë. Vetëm në një trup të shëndetshëm do të kemi një shpirt të shëndetshëm, e kur këto dy komponentë të jenë të ekuilibruar, atëherë edhe njeriu do të jetë i pranueshëm për shoqëri (komponenta sociale) dhe anasjelltas.
Me argumente shkencore mund të vërtetohet se nuk ka obligim që Zoti i ka bërë njeriut, e ai obligim të mos jetë në tërësi në të mirë të njeriut. Nga aspekti shkencor/mjekësor, me agjërim nënkuptojmë një formë të dietës, e cila karakterizohet me abstenim të përkohshëm nga një lloj, disa lloje apo të gjitha ushqimet. Ndërkaq, agjërimi në Islam nënkupton edhe më shumë se kaq. Në Islam për një kohë të caktuar agjëron e tërë qenia e njeriut (komponenta shpirtërore dhe trupore), agjëron goja, syri, veshi, trupi, mendja, si dhe abstenohet plotësisht për kohë të caktuar nga marrëdhëniet intime ndërmjet bashkëshortëve. Kur është fjala për ndikimin e agjërimit në shëndetin e njeriut, hulumtimet tregojnë se nuk ka qelizë trupore në të cilën agjërimi nuk ndikon. Agjërimi është një pushim/pastrues fiziologjik i organizmin. Këtë dhunti Zoti e ka mbjellë në natyrshmërinë e njeriut.
Prej se ekziston njeriu ka agjëruar në forma të ndryshme, qoftë me qëllim të kryerjes së obligimit që i është bërë nga Krijuesi i tij (në të gjitha religjionet në forma të ndryshme bëhet agjërimi), qoftë për qëllime mjekësore (Hipokrati, Sokrati, Galeni, Paracelsiusi nga kohët e mëhershme, si dhe shumica e mjekëve të tanishëm preferojnë forma të ndryshme të agjërimit si metodë kuruese). Egjiptianët e vjetër kanë agjëruar çdo verë nga dy javë, ndërkaq agjërimi te indianët amerikan është bërë për të rritur aftësitë e gjuetisë. Hipokrati, Sokrati dhe Platoni, për qëllime shëndetësore kanë bërë agjërime dhjetë ditore. Pitagora ka praktikuar të agjëroj nga 40 ditë, si dhe i ka nxitur studentët e vetë që të agjërojnë. Galeni, Paracelsiusi po ashtu kanë preferuar praktikën e agjërimit si metodë shërimi.
Janë bërë shumë hulumtime shkencore që në tërësi kanë dhënë rezultate të njëjta. Mjafton të përmendim hulumtimin e doktorit amerikan Herbert Shelton, i cili për 50 vjet ka hulumtuar ndikimin e agjërimit në mbi 40000 persona. Lidhur me ndikimin e agjërimit në shëndet, dr. Shelton ka botuar librin: “Shkenca dhe arti i bukur i agjërimit”.
Dr Shelton ka studiuar proceset e ndryshme vetëshëruese të organizmit, si p.sh. ndikimi i etheve në ngritjen e metabolizmit dhe forcimin e organizmit në shkatërrimin e mikroorganizmave patogjen (prandaj nuk duhet që me shpejtësi menjëherë të luftohen/ndalohen ethet). Sipas Dr Shelton gjëja apo veprimi më i mirë që duhet bërë pasi të sëmuremi është të ndërpresim të ushqyerit dhe të pushojmë.
Dr. Alexis Carrel (fitues i çmimit Nobel në mjekësi - 1940), në librin e tij "Njeriu, ky i panjohur” thotë: "Gjatë agjërimit shpenzohen dhjamërat dhe lëndët e tepërta të depozituara në trup, e më pas këto zëvendësohen me të reja, kështu ndodh një ripërtëritje në trup.”
Dr. Ehret ka thënë: “Pas 21 ditë agjërimi me ujë, do të bëhet pastrimi i organizmit dhe ngritja e funksioneve mentale.
Sipas dr. Et’har, gjatë namazit të taravisë mund të shpenzohen deri në 200 kcal. Nëse kësaj ja shtojmë edhe namazet e tjera brenda ditës, aktivitetin tjetër fizik brenda ditës, si dhe zvogëlimin e energjisë hyrëse (marrja e kujdesshme e ushqimit në dy pjesët e ditës), shumë lehtë mund të arrijmë një shpenzim ditor të kalorive prej 500-1000 kcal, respektivisht shpenzim javor prej 3500-7000 kcal që në gramazh d.m.th 0.5-1 kg humbje e peshës trupore brenda një jave. (Rexhepi, 2010)
Dr. Nouman ka vërtetuar se agjërimi gjatë Ramazanit shkakton një ngritje të shënuar të kolesterolit me dendsitet të lartë (HDL) dhe zvogëlon kolesterolin me dendsitet të vogël (LDL), si dhe trigliceridet.
Mekanizmi i ndikimit të agjërimit në shëndetin e njeriut ende nuk është plotësisht i shpjeguar, por mund të potencohen tre mekanizma të njohur deri më tani:

1. Aktivizimi i procesit të AUTOFAGISË (Yoshinori Ohsumi);
2. Ekonomizimi i punës së shumë organeve të organizmit;
3. Stimulimi i punës së SNQ (hipersekretimi i eukefalinës, endorfinës);

1. Procesi i autofagisë nënkupton “vetëngrënien” e komponentëve të dëmtuara të qelizave të organizmit, në ç’mënyrë organizmi duke i eliminuar komponentët e dëmtuara dhe të dëmshme për mbarë funksionimin e qelizës si njësi themelore, bënë vetë pastrimin e brendshëm të organizmit. Shpjegimin më të mirë të këtij procesi e ka dhënë biologu i njohur japonezë Yoshinori Ohsumi, për çfarë edhe është shpërblyer me çmimin Nobel (2016). Ohsumi me bindje të thellë e thekson ndikimin e praktikës së agjërimit në nxitjen e procesit të autofagisë. Sipas tij, koha e nevojshme e agjërimit për “fillimin” e këtij procesi është individuale dhe sillet nga 12-24 orë agjërim, e në disa raste mund të nevojiten edhe 48 orë. Mekanizmi/procesi i autofagisë deri më tani mund të merret si shpjegimi më i logjikshëm i ndikimit të agjërimit në shëndetin e njeriut (Ives, 2018; Davis, 2021).

2. Ekonomizimi i punës së organeve të organizmit. Agjërimi ndikon në sistemit nervor vegjetativ duke e zvogëluar aktivitetin e sistemit nervor autonom simpatik. Si rezultat zvogëlohet metabolizmi bazal si dhe frekuenca e zemrës, po ashtu shkaktohet një zgjerim (vazodilatacion) i lehtë i enëve të gjakut me ç’rast vije deri te një rënie e lehtë e shtypjes së gjakut;

3. Ndikimi i agjërimit në sistemin nervor qendror bazohet në lirimin e dy mediatorëve të fuqishëm: eukefalina dhe endorfina që kanë ndikim të fuqishëm në funksionimin e sistemit nervor dhe në gjendjen e përgjithshme shpirtërore.
Hulumtimet tregojnë se agjërimi ka ndikim në tërë organizmin, por ne do të përmendim disa prej tyre:
- Shkrirjen e masës dhjamore dhe detoksifikimin e organizmit (me shkrirje të masës dhjamore lirohen dhe largohen toksinat e deponuara më herët);

- Përmirëson gjendjen e depresionit, i ngadalëson problemet e Alzheimerit dhe Parkinsonit;
- Sistemin kardiovaskular, zvogëlon punën e zemrës për afërsisht 13000-14000 të rrahura në ditë, zvogëlon metabolizmin bazal dhe bënë zgjerimin e enëve të gjakut (Samudera, 2020);
- Zvogëlon punën e mëlçisë për 5-6 orë në ditë;
- Zvogëlon nivelin e lipoproteinave me dendsitet të ultë (në popull e njohur si kolesteroli i keq);
- Ka ndikim qetësues te sindroma e zorrëve të irrituara;
- Ka ndikim lehtësues te sëmundjet reumatizmale dhe artritet;
- Duke e fuqizuar epshin seksual ndikon në tejkalimin e problemeve të impotencës;
- Te një numër i madh i sëmundjeve malinje ka treguar ndikim inhibues dhe shkatërrues në zhvillimin e qelizave malinje;
Meqenëse qëllimi i agjërimi është të fuqizohet shëndeti psiko-fizik i njeriut, ka disa raste kur nuk preferohet:
- Çdo person i sëmur, tek i cili agjërimi do të ndikoj në shtyrjen e procesit të shërimit apo përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore;
- Sëmundjet malinje të mëlçisë;
- Shtatzënat dhe lehonat.
Gjatë agjërimit duhet kushtuar rëndësi marrjes së mjaftueshme të lëngjeve (30ml/kg + 10-12% e peshës trupore), si dhe marrjes së ushqimit të shpërndarë në disa racione. Ushqimi duhet të merret në sasi të pakët dhe shpesh. Në iftar, mos të ngarkohet organizmi me ushqime të shumta dhe hiperkalorike, mjafton të prishet agjërimi me 1-2 gota ujë dhe 1-3 hurme, të pihet një supë dhe të hahet një sallatë. Pas namazit të teravive të hahet darka që i përgjigjet drekës kur nuk jemi agjërueshëm, ndërkaq për syfyr preferohet kos (apo tambël) me drithëra. Gjatë syfyrit nuk preferohet çaji i zi, i gjelbër, i bardhë, kafja, dhe as ëmbëlsirat. Nga iftari në syfyr t’i kushtohet rëndësi marrjes së mjaftueshme të lëngjeve, pemëve dhe perimeve (por duhet pasur kujdes kohën kur merren dhe përzierjen e tyre – për shkak se mund të japin shqetësime dhe probleme në tretje).
Sa i përket agjërimit te sportistët, nëse ka mundësi kishte me qenë më mirë që ushtrimet e lehta të bëhen pas dite, ndërsa ushtrimet me intenzive të bëhen pas iftarit. Të ushqehen dhe hidratohen si duhet dhe nuk do të kenë asnjë problem as me shëndet e as me performancat e tyre morfo-funksionale. Këtë e kanë vërtetuar hulumtimet serioze të bëra nën mbikëqyrjen e FIFA-së.



Referenca

Davis, P.Ch. (2021) How long do you need to fast for autophagy? MedicineNet. Qasja në: https://www.medicinenet.com/how_long_do_you.../article.htm
Ives, L. (2018) Can the science of autophagy boost your health? Qasja në: https://www.bbc.com/news/health-44005092
Rexhepi, A. Nutricioni dhe sportistët, Prishtinë, 2010.
Samudera, S.W., Fernandez, V.G., Fitriyah, R. (2020) The Benefits of Fasting to Improve Health Conditions and to Prevent Cardiovascular Disease. January 2020, Jurnal NERS 14(3):383, DOI:10.20473/jn.v14i3.17168


Artikulli i kaluar
Ramazani dhe agjërimi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi