Dr. Jusuf El-Kardavi
Kjo është një formë e kontratës që përdoret si një prodhim financiar nga bankat islame, që mundëson qiradhënien e një pasurie për një kohë të caktuar kundrejt një pagese të caktuar; kjo është e lejuar në Islam duke u bazuar në dy burimet kryesore të Sheriatit, në Kur’an dhe Synet.
Njerëzit janë vëllezër dhe robër të Allahut
islami është fe e vëllazërisë dhe e drejtësisë. Erdhi për të vendosur qëllimin e madh në tokë, ku të gjithë njerëzit të ndihen si vëllezër. Erdhi për të ngritur dhe eliminuar të gjitha dallimet që ndajnë dhe klasifikojnë njerëzinë,
për shkak të të cilave njerëzit ngrihen më lart se tjetri. Erdhi për të vendosur vëllazërinë dhe drejtësinë në mes tyre, dhe për të shpallur se njerëzit janë të barabartë si dhëmbët e krehrit.
Mirëpo, Islami nuk u mjaftua me pohimin e këtij parimi në teori, nuk u mjaftua që t’i thotë çdo njeriu: Ky është vëllai yt, e më pastaj ta braktisë atë. Nuk ka vend për vëllazëri kur disa janë të uritur, kurse të tjerë janë të ngopur; kur disa nuk kanë veshmbathje, e të tjerë kanë veshmbathje të mjaftueshme, po vëllazëria e vërtetë realizohet kur të jepen frytet e tij me sinqeritet, kur të ketë bashkëpunim dhe solidaritet në mesin e tyre, kur
i forti të ndihmojë të dobëtin, i pasuri ta marrë për dore të varfrin, - dhe njerëzit të bëhen bujarë në mes tyre. Duke u nisur nga kjo, në parimet
e Islamit, ligjet dhe dispozitat e tij, ekziston një vend i posaçëm për realizimin e kujdesit ndaj të varfërve. Allahu xh.sh. ka obliguar që zekati t’u jepet të varfërve, dhe ky është shtylla e tretë e Islamit, ashtu siç e bëri dhënien e tij shenjë të besimit, kurse mosdhënien e tij e bëri shenjë të mosbesimit.
Përveç zekatit, Islami vendos edhe të drejta të tjera
Islami nuk mjaftohet vetëm me dhënien e zekatit, duke dhënë një pjesë të caktuar të pasurisë sonë, veçse shfrytëzoi çdo rast e mundësi që i pasuri ta ndihmojë të varfrin nevojtar, si:
1. Kur burri dëshiron ta shkurorëzojë gruan e tij, e i thotë asaj: “Ti për mua je si shpina e nënës sime”, në këtë rast, Islami ia ndalon burrit marrëdhënien seksuale me të derisa të lirojë nga robëria një rob; nëse nuk mund të gjejë rob për ta liruar, atëherë duhet t’i agjërojë dy muaj rresht pandërprerë; e nëse nuk mund të bëjë as këtë, atëherë duhet t’i ushqejë 60 të varfër.
2. Personi që bën marrëdhënie seksuale me gruan e tij gjatë ditës në muajin e Ramazanit, edhe ai e ka për obligim shpagimin e njëjtë si më sipër.
3. Kush betohet në Allahun, e pastaj shkel betimin dhe nuk e mban besën e dhënë, shpagimi i tij do të bëhet duke i ushqyer 10 të varfër, ose duke u siguruar atyre veshmbathje, ose duke liruar nga robëria një rob, e ai që s’ka mundësi materiale për këto gjëra, atëherë duhet t’i agjërojë tri ditë. Shpagimi për shkeljen e betimit nuk është agjërimi (siç mendojnë shumë njerëz), por ai është i caktuar për ata që s’kanë mundësi materiale.
Përkujdesja për të varfrit në dhënien e sadakatul-fitrit
Islami e konfirmoi këtë përkujdesje atëherë kur për çdo mysliman obligoi sadakatul-fitrin. Sadakatul-fitri emërtohet kësisoj për shkak të përfundimit të agjërimit dhe fillimit të ngrënies (mos agjërimit). Ky është një obligim vjetor, që nuk ka të bëjë me pasurinë, si zekati për të lashta dhe fruta, ose zekati mbi kafshët dhe në mallin e tregtisë, ose zekati mbi pasurinë e ruajtur, veçse është një sadaka që është e lidhur për kokat e njerëzve, është një lloj takse për individët, është obligim për çdo mysliman.
Urtësia e obligueshmërisë së Sadakatul-Fitrit
Transmetohet nga Pejgamberi a.s. se: “Sadakatul-Fitri është obliguar si pastrim për agjëruesin për fjalët e këqija dhe banale si dhe si furnizim për nevojtarët”. (Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi nga Ibn Abbasi r.a.).
Agjëruesi nuk le pa e përzier agjërimin e tij me fjalë të këqija e banale, të cilat i thotë ose i dëgjon, ose shikon gjëra të ndaluara a diçka të ngjashme. Allahu xh.sh. dëshiron që jeta e agjëruesit të jetë e pastër, pa fjalë të këqija e banale, Ai dëshiron që jeta në Ramazan të jetë si një pjesë e jetës në Xhennet, e cila u është paradhënë njerëzve në dynja. Nëse dikush shan a dëshiron ta rrahë agjëruesin, atëherë të mos ia kthejë sharjen me sharje, dhe as të keqen me të keqe, po të keqen le t’ia kthejë me të mirë, duke thënë: “Unë jam njeri që agjëroj, jam duke agjëruar”. (Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.).
Kështu duhet të jetë jeta e agjëruesit gjatë agjërimit. Agjërim nuk konsiderohet vetëm lënia e hajes dhe pijes, po gjithashtu edhe lënia e fjalëve të këqija e banale, braktisja e sharjes, dëshmisë së rrejshme dhe gënjeshtrës. Allahu i dëshiron këto nga agjëruesi, megjithatë, sa agjërues e arrijnë këtë nivel?!Të shumtën e rasteve, agjëruesi përdor fjalë të këqija, hidhërohet dhe flet gjepura, prandaj sadakatulfitri është përcaktuar në fund të agjërimit, që ta pastrojë agjëruesin nga ajo që e ndoti agjërimin e tij dhe që reduktoi vlerën e tij.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjërimi i muajit të Ramazanit është i varur në mes qiellit e tokës, dhe nuk lartësohet (tek Allahu) përveçse me dhënien e sadakatulfitrit”. (Sujutiu në “El-Xhamiu Es-Sagir” duke e cilësuar si hadith të dobët).Kuptimi i fjalës “është i varur” është: pranimi i tij nuk është i plotë, dhe agjërimi nuk plotësohet përveçse me dhënien e sadakatul-fitrit, sepse nga një aspekt, ai është pastrim për agjëruesin, dhe nga aspekti tjetër, është furnizim për nevojtarët.
Në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Bëjuni të mundshëm që të mos enden (të mos lypin të varfrit) në këtë ditë” (Ibn Adijju dhe Ed-Daru Kutniu nga Ibn Omeri r.a.), mos i lini të varfrit (pa marrë parasysh varfërinë dhe nevojën e tyre), që t’i zgjasin duart e tyre dhe të kërkojnë nga njerëzit në Bajram, gjatë ditëve të gëzimit dhe festës. Obligim i myslimanëve është që t’i shoqërojnë vëllezërit e tyre të varfër në gëzimet e këtyre ditëve, për këtë arsye është përcaktuar sadakatul-fitri, për t’ia dhënë të varfrit para se të lypë, para se t’ia lagin fytyrën lotët e tij, para se ta zgjasë dorën e tij.
Sasia e sadakatul-fitrit
Pejgamberi a.s. e obligoi sadakatul-fitrin një sa’a ushqim, nga: hurmat, rrush i thatë, gruri, elbi, djathi a diçka tjetër që hanë njerëzit. Prandaj, dijetarët kanë thënë: Sadakatul-fitri jepet kryesisht nga ushqime të vendit, ku njeriu e jep për veten e tij dhe për çdo person tjetër që e furnizon me ushqim dhe është i obliguar t’i furnizojë ata, si: për gruan e tij, fëmijët që jetojnë me të, dhe për shërbëtorët e tij. Për të gjithë këta duhet të jepet sadakatul-fitri, pa marrë parasysh nëse kanë agjëruar apo jo, sepse dhënia e sadakatul-fitrit edhe për ta është plotësim i agjërimit të vetë njeriut (agjëruesit). Pra, ai jep për: meshkujt e femrat, për të mëdhenjtë e të vegjlit dhe për të lirët e robërit.
Dhënia e sadakatul-fitrit me vlerën e të hollave
Imami Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë) ka lejuar që myslimani ta japë sadakatul-fitrin e sasisë së vlerës së ushqimit me vlerën e të hollave.
Transmetohet se Omer ibn Abdul-Azizi (halifja i drejtë) i shkroi guvernatorit të tij në Basra, Adijj ibn Urtah, të cilin e urdhëronte për ta marrë sadakatul-fitrin nga banorët, për çdonjërin nga gjysmë dërhemi. Në atë kohë, gjysmë dërhemi kishte vlerën e një sa’i të ushqimit. Të këtij mendimi janë edhe: Thevriu, Hasan El-Basriu e të tjerë. Ndoshta kjo do të ishte më e dobishme në disa raste, dhe sidomos nëse i varfri ka nevojë për të. Sepse, nëse të varfrit i grumbullohen ushqimet, ai nuk do të ketë dobi prej tyre, dhe do të detyrohet t’i shesë me çmim më të ulët.
Ndërkaq, prej të hollave mund të ketë dobi, se me to mund të blejë rroba, ëmbëlsira për fëmijët e vet, ose diçka tjetër të dobishme për familjen e tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Bëjuni të mundshme që të mos enden (të mos lypin të varfrit) në këtë ditë”. Siç realizohet mundësia me ushqime, gjithashtu realizohet edhe me vlerë në të hollave.
Mirëpo, nga një anë, Pejgamberi a.s. në kohën e vet përcaktoi dhënien e sadakatul-fitrit me ushqime, sepse dhënia e të hollave ishte një gjë e rrallë në atë kohë tek arabët, e sidomos për banorët e shkretëtirave, sepse ata nuk kishin të holla, përveç në raste të rralla.
Nga ana tjetër, vlera e të hollave ndryshon në varësi nga vendi, rrethanat dhe mjedisi. E sikur Pejgamberi a.s. ta kishte caktuar sadakatulfitrin, për shembull, një dërhem, ndonjëherë dërhemi nuk vlen hiçgjë, e ndonjëherë e ka vlerën e madhe. ndërkaq sa’i i ushqimit është i kufizuar dhe i mbulon nevojat njerëzore, që është ushqimi i njeriut, përkatësisht sasia e ushqimit që i mjafton atij për një ditë, dhe kjo nuk mund të ndryshojë me ndryshimin e kohës dhe vendit. Prandaj, dhënia e sadakatul-fitrit lejohet në vlerë të të hollave, madje, ndoshta një gjë e këtillë, preferohet më shumë në kohën tonë, sepse njerëzit të shumtën e rasteve gjatë veprimtarive të tyre, i përdorin të hollat. Për sa i përket dhënies së sadakatul-fitrit me ushqime apo me diçka tjetër të ngjashme me të, ndoshta kjo do ishte më e mirë për banorët e shkretëtirave. Ndërkaq, për banorët e qyteteve, ndoshta do të ishte më mirë dhe më lehtë që sadakatul-fitrin ta japin me të holla.
Kush obligohet për të dhënë sadakatul-fitrin?
Sadakatul-fitrin është i obliguar ta japë personi që posedon vlerën e tij, që i mbetet tepricë nga nevojat familjare të ditës dhe të natës së Bajramit.
Sadakatul-fitri nuk është si zekati, për të cilin kushtëzohet posedimi i vlerës së nisabit, por ky obligohet me kushtin e lartcekur (t’i teprojë vlera e sadakatul-fitrit nga nevojat familjare të ditës dhe natës së Bajramit për të dhe familjen e tij), sepse Islami dëshiron nga sadakatul-fitri një kuptim të mirë, pra, që ta mësojë myslimanin për të dhënë e shpenzuar, madje edhe i varfri të mësohet që një ditë edhe ai të japë e të shpërndajë (nga pasuria e tij) dhe të lartësohet dora e tij. Nuk ka gjë nëse i varfri jep sadakatul-fitrin për veten dhe familjen e tij, kurse të tjerët i japin atij. Prandaj, “Pejgamberi a.s. e ka obliguar sadakatul-fitrin një sa’a hurme ose një sa’a elb, për çdo njeri: të madh e të vogël; rob e të lirë; mashkull e femër; të pasur a të varfër”. (Transmetojnë të gjithë përveç Ibn Maxhes nga Ibn Omerit r.a.).
Më pas, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Për sa i përket të pasurit në mesin tuaj, Allahu do ta pastrojë atë. Ndërkaq, për sa i përket të varfrit në mesin tuaj, Allahu do t’ia kthejë atij më shumë sesa ka dhënë” (Bejhekiu dhe Ed-Daru Kutniu), nga njëra anë, i varfri jep sadakatul-fitrin, ndërsa nga ana tjetër i vijnë atij sadakatë dhe zekatet, e Allahu ia kompenson më mirë e më shumë se ajo që dha, pra myslimani mësohet të japë kur ka bollëk dhe kur është në gjendje mjerimi.
Koha e dhënies së sadakatul-fitrit
Koha e dhënies së sadakatul-fitrit fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të Ramazanit, dhe zgjat deri para faljes së namazit të Fitër-Bajramit. Ndërsa, për atë që e jep pas namazit të bajramit, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Atij që e jep sadakatul-fitrin para namazit (të Bajramit), i konsiderohet sadaka e pranuar, kurse atij që e jep pas namazit (të Bajramit), i konsiderohet sadaka (lëmoshë) e rëndomtë” (Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Hakimi nga Ibn Abbasi r.a.), nëse e vonon nga koha e tij, nuk e ka shpërblimin e sadakatul-fitrit. Në këtë rast, ai bën mëkat, po megjithatë nuk i bie obligueshmëria e tij në asnjë rast deri sa ta japë, edhe nëse vonohet.
Myslimani duhet të kujdeset që sadakatulfitrin ta japë me kohë, pra para namazit të Bajramit. Madje lejohet dhënia e tij edhe para Bajramit, për një apo dy ditë, siç transmetohet nga Ibn Omeri r.a., që ka thënë se ata e jepnin sadakatul-fitrin një a dy ditë para Bajramit. Madje, Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) e lejoi dhënien e sadakatul-fitrit prej fillimit të Ramazanit. Ndërkaq, Hanbelinjtë, dhënien e tij e lejuan nga mesi i Ramazanit. Sidoqoftë, të gjitha këto janë një lehtësim për njerëzit. Mirëpo,
preferohet që sadakatul-fitri të jepet pak kohë para Bajramit, në mënyrë që të mbetet për Bajram, sepse ai është caktuar për këtë qëllim, që edhe të varfrit t’i bëjë pjesëmarrës në gëzimin dhe festimin e Bajramit. Sa më afër Bajramit që të jepet sadakatul-fitri, aq më shumë do ta japë dhe do ta realizojë këtë qëllim.
Shënim. Në Kosovë, sasia e sadakatul-fitrit për një person është caktuar 2 euro nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, që është organizatore e mbledhjes dhe shpërndarjes së sadakatul-fitrit (përkthyesi). Një sa’a është e barabartë me 4 kg.
Dituria Islame 264