Në Emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
Istiharja
Ka thënë i Dërguari i Allahut - Muhamedi a.s.: "Lumturia e birit të Ademit varet nga të qenurit i lumtur me çka Allahu i ka dhënë atij, mërzia e birit të Ademit vjen nga mosfalja e Isti'hares, dhe pakënaqësia e birit të Ademit rezulton nga qenia jo i kënaqur me çfarë Allahu i ka dhëne atij."
Duaja e Istihares është transmetuar nga Xhabir Ibn 'Abdullah i cili ka thënë se: "Pejgamberi, alejhi selam (paqja qoftë mbi të), na mësonte të bëjmë Istiharen për gjithë çështjet/punët tona, ashtu siç na mësonte suret e Kuranit. Ai (profeti) na thoshte: 'Nëse ndonjëri prej jush mendon të bëjë diçka, le të falë dy rekate namaz dhe të thotë (pas namazit) duanë e Istihares..."
Pra, Namazi i Istihares është ai namaz në të cilën në myslimanet pyesim Allahun e Gjithëditur dhe që i ka shkruar tashmë çështjet tona, se cilën rrugë duhet të marrim. Për të falur namazin e Istihares, njeriu duhet të falë dy rekate namaz (jo-farz), d.m.th. ato mund të jenë dy rekate sunet ose nafile dhe mund të falet natën.
Në këtë namaz, pasi ke falur dy rekate të zakonshme me Fatihanë, një sure dhe të gjitha të tjerat sipas rregullit, ulu në uljen e fundit tek "Etehijatu..." ,thuaj ato që thua zakonisht dhe pasi të japësh selam dhe të bësh pak dhikr pas selamit si p.sh. estagfirullah, estagfirullah, estagfirullah, Subhanallahi uel hamdulilahi ue la ilahe ilallah uallahu ekber, etj. thuaj këtë dua, që quhet "Duaja e istihares" (në qoftë se nuk e dimë përmendësh, por dëshirojmë të falim këtë namaz, atëherë mund ta mbajmë copën e letrës me duanë të shkruar afër vetes dhe pastaj, pas selamit, ta marrim letrën në gjunjë dhe ta lexojmë duanë.
DUAJA E ISTIHARES (Arabisht)
"Allahumme in-ni estekhiruke bi ilmike. Ue estakdiruke bi kudretike, ue es'eluke min fadlikel-adhim. Fe inneke takdiru ue la akdiru, ue ta'lemu ue la a'ëlemu, ue ente 'al-lamul - gujub. Allahumme, in kunte ta'ëlamu enne hadhel emru (emerton ketu nevojen tende) hairun li fi dini ue ma'ashi ue akibeti emri ue 'axhilihi ue axhilihi fakdirhu li ue jes-sirhu li thumme barik li fihi.
Ue in kunte ta'ëlemu en-ne hadhel emru sherrun li fi dini ue me'ashi ue akibeti amri ue 'axhilihi ue axhilihi fasrifhu anni uesrifni anhu uakdir li al-hajre haithu kana thum-ma ardini bihi"
DUAJA E ISTIHARES (Shqip)
" O Zot, me diturinë Tënde kërkoj hajrin! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm, e unë jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat.
O Zot, nëse kjo punë e imja (emëron këtu dëshirën, hallin, etj) është hajr për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko.
E nëse kjo pune është e dëmshme për fenë dhe jetën time , për të tashmen dhe të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hajrin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të."
Përgjigja e lutjes së këtij namazi mund të vijë në mënyra të ndryshme, si p.sh. dikush (mysliman) të këshillon me një këshillë të çmuar në lidhje me çështjen tënde, në ëndërr ndoshta, apo në zemër ndihesh i frymëzuar dhe i qetë në vendimin tënd dhe se kjo është rruga e drejtë dhe që e do Allahu.
Rastet për të cilat përdoret duaja e Istihares janë të panumërta, si p.sh. para se të niseni në ndonjë udhëtim, para se të vendosni për martesë, për fushën e studimeve që duhet të ndjekë, etj, d.m.th. në çdo situatë që ke të bësh me pasiguri dhe duhet të marrësh vendim.
Dhe së fundi theksojmë se është e rëndësishme të kesh besim dhe të mbështetesh tek Allahu:
"... e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që i mbështeten (Atij)." (Sure Ali Imran, 3:159)
Përgatiti: Visar ef. Koshi,