Vlera e klasifikimit të haditheve - Merrni nga ajo që u ofron Pejgamberi

Allahu i Madhëruar, botën njerëzore e ka krijuar në mënyrë që njerëzit ta kalojnë një periudhë sprove në këtë botë dhe atyre u ka dërguar Pejgamber për ta gjetur rrugën e vërtetë. Duke filluar nga Ademi a. s. për ta përfunduar këtë me Muhammedin a.s., të gjithë emrat e tjerë të 28 pejgamberëve, ngjarjet, periudhat dhe misionet e tyre për ta vendosur besimin në Allahun, janë përmendur në Kuran. Çdo pejgamber ka paralajmëruar për pejgamberin tjetër i cili do të vinte pas tij, dhe më në fund Isai a.s. ka treguar se pas tij do të vinte edhe një i dërguar duke u shprehur:
“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni Israilë, unë jam i dërguar i All-llahut tek ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje, dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”(1)
Përveç kësaj, lidhur me emrin Ahmed, është cekur edhe në këtë hadith: “Unë posedoj shumë (lloj-lloj) emra. Unë jam Muhammed, Ahmed, Unë jam përmbledhës... Unë jam i fundit.”(2)
Të Krishterët, në Ungjillin e tyre përdorin fjalën “parakletus”, që e ka kuptimin “i lavdëruar (Muhammed), prijës, imam”. Kështu Juhanna në kapitullin 16/13 tregon se është paralajmëruar nga vetë Isai a.s. ardhja e një të dërguari: “Kur të vijë prijësi i vërtetë i shpirtit, ai do t’ju udhëheqë ju. Sepse ai nuk do të flasë nga vetja (hamendja)”.
Historiani i njohur islam, Ibni Is’haku ka regjistruar këtë kapitull të Juhannes (16/13) dhe ka treguar se fjala “paraklitus” ose “Biriklitus” në greqishte ka kuptimin “Muhammed”. Mirëpo është e mundshme që kjo fjalë -perakletus- në kohën e Ibni Is’hakut pra në shekullin VII, të jetë lexuar në formën “periklytos”.(3)

Fjalët, veprat dhe pëlqimet e Pejgamberit si argumente

Çdo fjalë e thënë nga Pejgamberi me përmbajtje fetare, çdo punë që ka bërë
dhe aprovuar, i lidh apo kushtëzon besimtarët. Sepse çdo fjalë, vepër apo pëlqim i Pejgamberit janë argumente kryesore pas Kuranit. Shumica e syneteve të tij, janë thënë gojarisht (kavli). Si: “Kur ta shihni hilalin (hënën e plotë) në Ramazan, agjëroni. Kur ta shihni hilalin e Shevvalit, lini agjërimin.”(4)
“Nëse dikujt i ikën namazi për shkak të gjumit apo harresës, le ta falë kur t’i kujtohet!”(5)
Si synet të veprave (fiili) të tij, mund ta japim shembullin e faljes së namazit dhe haxhxhit nga Pejgamberi. Ai falte pesë kohët e namazit dhe ua ka falur të tjerëve një vit e gjysmë në Mekë dhe dhjetë vjet në Medinë. Në vend që ta shpjegonte formën e faljes së namazit me fjalë, ai ka thënë: “Faluni edhe ju në atë mënyrë siç po më shihni mua.”(6)
Pejgamberi, i cili katër herë e ka bërë umren dhe një herë haxhxhin e lamtumirës, duke sinjalizuar synetin e tij fiili, thotë: “Ibadetet që kanë të bëjnë me haxhxhin, merrni nga unë.”(7)
Kurse syneti i tij i pëlqyer (takriri)
është kur Pejgamberi ka parë apo ka dëgjuar një gjë e ai e ka pëlqyer dhe pranuar atë. Ndonjëherë ai ka pranuar apo heshtur, kurse ashabët atë e kanë kuptuar si vërtetim apo aprovim nga Pejgamberi. P.sh. Kur Pejgamberi a.s. kishte dëgjuar se një person kishte falur namazin me tejemmum për shkak se nuk kishte gjetur ujë, dhe kur më vonë pati gjetur ujin, nuk e kishte përsëritur namazin, ketë e kishte pranuar apo vërtetuar.
Më tutje, njëherë kur kishte dëgjuar se një komandant nuk kishte mundur të merrte abdest, edhe pse kishte pasur ujë, sepse ishte frikësuar se do të sëmurej nga të ftohtët, dhe kishte falur namazin e sabahut me tejemum, Pejgamberi e kishte parë të arsyeshme dhe veprën e këtij ashabi e kishte aprovuar.
Sipas kësaj vërejmë se hadithet janë aq shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për të dhënë norma, saqë ndonjëherë japin norma më shumë se Kurani. Sepse Pejgamberi ka urdhëruar, ndaluar, tërhequr vërejtjen dhe përgëzuar.(8)
Në një hadith urdhërohet: “A dikush nga ju me mendjemadhësi duke u mbështetur në kolltuk, po mendon se Allahu nuk ka ndaluar asgjë përveçse me Kurani. Kini kujdes! Edhe unë urdhërova, vura norma dhe ndalova. Këto janë të ngjashme me Kuranin. Allahu nuk jua ka bërë hallall juve që të hyni në shtëpitë e pjesëtarëve të ehli kitabit, t’i rrihni gratë e tyre, t’i hani frutat e tyre, gjersa t’ua paguajnë borxhet dhe xhizjen.(9)
Syneti është plotësuesi dhe ndihmëtari i Kur’anit në aspektin e sqarimit të normave. Lidhur me këtë Shatibiu thotë: “Nuk është në rregull që kur të nxjerrim një normë të shikojmë vetëm në Kur’an dhe synet, sepse në Kur’an ka norma të përgjithshme. Kurse për ibadetet si namazi, agjërimi zekati dhe normat e tyre, syneti është një burim i pashmangshëm.(10)
Syneti është një burim i pavarur për nxjerrjen e normave. Ka edhe shumë argumente të tjera se syneti është burim argumentues (huxhxhet). Si:
“Atë çka t'ju japë Pejgamberi, merreni, e çka t'ju ndalojë, qëndroni larg saj”(11)
“Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut”(12)
“Ai (Pejgamberi) nuk flet nga dëshira e tij. Ajo (që flet ai), është vetëm Shpallja (vahji) që i ka ardhur atij”(13)
Syneti ka katër funksione:
a) Sqaron ajetet që janë të paqarta (mubhem) dhe të padetajizuara (muxhmel).
b) Specifikon ajetet e përgjithshme (âmm) në të posaçme (hâss).
c) Shpjegon kuptimin anulues (nâsih) dhe të anuluar (mensuh).
d) Vendos disa norma që nuk janë në Kuran.
Hadithet, sipas numrit të transmetuesve të tyre, ndahen në tri pjesë, në mutevatir, mesh’hur dhe ahad. Haberi ahad ndahet në sahih, hasen dhe daif.(14)
Hadithi Mutevatir; Janë hadithet që janë transmetuar nga një grup personash që nuk mund të mendohet se ata mund të gënjejnë për këtë. Sikurse më shumë se 100 ashabë e kanë transmetuar hadithin: “Ai që shpif për mua me qëllim, le ta përgatitë vendin nga zjarri”(15), po ashtu edhe 12 ashabë të tjerë e kanë transmetuar hadithin: “Mjerë për ato thembra të këmbeve të cilat mbesin pa u lagur me ujë gjatë abdestit”.(16)
Nga synetet mutevatire ka shumë, si ato të vepruara nga vetë pejgamberi (amelijj) si: abdesti, namazi, kryerja e haxhxhit etj. Kur të jetë norma e hadithit mutevatir e prerë (kat’ijj), atëherë është farz të veprohet me të. Këto lloje të haditheve, ajetet me kuptim të përgjithshëm (âmm) i specifikojnë (hâss), kurse ajetet që janë me kuptim të përgjithësuar / të papërcaktuar (mutlak) i përforcon.
Hadithi Mesh’hur; Janë hadithet që janë transmetuar prej disa personave nga Pejgamberi a.s. dhe që në shekullin e dytë apo të tretë hixhrijj kanë arritur shkallën e tevaturit. P.sh. hadithin “Veprat çmohen sipas qëllimit të tyre”, në fillim vetëm Omeri r.a. e ka transmetuar nga Pejgamberi a.s., mirëpo më vonë këtë e kanë transmetuar edhe ravij/transmetues të tjerë, të cilët e kanë ngritur në shkallën e tevaturit. Syneti mesh’hur siguron njohuri afër së vërtetës/të saktës.
Edhe ky ka mundësi që ajetet me kuptim të përgjithshëm (âmm) t’i specifikojë (hâss), kurse ajetet që janë me kuptim mutlak, t’i përforcojë. P.sh. tek ajeti i trashëgimisë (mirath) nuk është dhënë ndonjë përkufizim për sasinë e pasurisë e cila do të lihet me testament (vasijjet) dhe se kujt do t’i lihet si testament kjo pasuri. Kurse Pejgamberi, duke thënë: “Nuk ka testament për trashëgimtarin” në hadithin sikur e ka përkufizuar kufirin e testamentueseve, ai ka treguar se nga pasuria që posedohet, vetëm 1/3 mund t’u lihet me testament të tjerëve.
Pra, këtu shihet se Pejgamberi ka bërë përkufizimin e testamentit. Kështu Sa’d ibni Vekkas, kur ishe i sëmurë në shtrat, kishte vënë re se ishte shumë e madhe pasuria për t’ia lënë së bijës, që ishte trashëguesja e vetme, dhe në këtë mënyrë ai kishte dashur që shumicën e pasurisë t’ia linte tjetërkujt, mirëpo kur Pejgamberi dëgjoi për këtë, atij i tha që vetëm një të tretën e pasurisë mund t’ia jepte tjetërkujt. Dhe ka thënë se edhe nëse është vajzë, më mirë është që shumicën t’ia lërë asaj (vajzës) sesa ta lërë atë të nevojshme e t’i jepet tjetërkujt.(17)
Këto hadithe janë hadithe mesh’hur dhe shihet se kanë prurë përkufizimin e normës së testamentit.
Haberi Ahad; Janë haberet/hadithet që transmetohen nga një dy apo më shumë ashabë dhe të cilat arrijnë shkallën e haditheve mesh’hur. Shumica e synetit të Pejgamberit a.s. është transmetuar në këtë mënyrë. Për të qenë argument haberi ahad, sipas Ebu Hanifes, përveçqë transmetuesi (raviu) duhet të jetë i besueshëm dhe i drejtë, duhet ta njohë edhe fikhun, po
edhe të veprojë ai vetë me hadithin e transmetuar. Kurse Imam Maliku këtë lloj të hadithit e pranon vetëm nëse është në përputhshmëri me traditat e pjesëtarëve të Medinës (ameli ehli Medine). Syneti ahad, nuk shpreh çështje të prerë (katijj), por të paprerë (dhannijj). Për këtë shkak nuk mund të bazohemi në këto hadithe për çështje të besimit (imanit), por vetëm nëse nxirren norma të tjera (që nukm kanë të bëjnë me imanin) nga hadithi ahad, të cilat i plotësojnë kushtet e sipërpërmendura.
Kërkojmë nga Allahu që të na mundësojë që gjatë jetës sonë të veprojmë sipas Kuranit dhe Synetit, që të fitojmë kënaqësinë e Tij. Amin!



________________________

Fusnotat:
1. Saff, 6.
2. Buhari, Tefsiru’s Sure, 61/1, Menakib, 17; Tirmidhi, Edeb, 67; Darimi, Rikak, 59; Muvatta, Esmâu’n Nebi, 1; Ahmed Ibni Hambel, IV, 80, 81, 84.
3. Muhammed Hamidullah, Aziz Kur’an, Saff, 6.
4. Buhari, Sav, 11; Muslim, Sija, 4,18.
5. Ebu Davud, Salat, 11; Darimi, Salat, 26.
6. Buhari, Ezan, 18, Edeb, 27, Ahad, 1.
7. Ahmed Ibni Hanbel, III, 318, 366.
8. Shih, Ahzab, 44, 45; Sebee, 28.
9. Ebu Davud, Dare Kutni, transmetojnë nga Irbaz Ibni Sarijje.
10. Shatibi, El-Muvafakat, botim nga Ticariye, III, 369.
11. Hashr, 7.
12. Nisa, 80.
13. Nexhm, 3, 4.
14. I vërtetë, i mirë dhe i dobët.
15. Buhari, Ilm, 38; Xhenaiz, 33, Enbija, 50, Edeb, 109; Muslim, Zuhd, 72; Ebu Davud, Ilm, 4; Tirmidhi, Fiten, 70, Ilm, 8, 13; Tefsir, 1. Menakib, 19; Ibni Maxhe, Mukaddime, 4; Darimi, Mukaddime, 25, 46; Ahmed ibni Hanbel, II, 47, 83, 125, 150, 159, 171, 202, 214.
16. Buhari, Ilm, 3, 30; Vudu’, 27, 29; Këtë thënie Pejgamberi a.s. e ka thënë kur e ka parë një grup i cili gjatë abdesit nuk i fërkonte mirë thembrat.
17. Buhari, Xhenaiz, 37, Menakib, 49, Merda, 16; Muslim, Vasijje, 5; Ibni Maxhe, Vesaja, 5; Malik, Muvatta, Vasijje, 4.


Prof. Dr. Hamdi Döndüren
Përktheu: Zymer Ramadani
dituria islame 203


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)