Një njeri e quajmë udhëheqës, lider, prijës për shkak të aftësive të tij udhëheqëse, organizative dhe menaxhuese në fusha të ndryshme jetësore.

Prirjet e tilla, përveçse janë të lindura në masë të caktuar, ato zhvillohen dhe kultivohen nga faktorë të shumtë të jashtëm: prindërit, familja, rrethi më i gjerë, mjedisi shoqëror etj. Mirëpo, shumë elemente të liderizmit i gjejmë të pranishme edhe në parimet dhe rregullat e tjera të fesë islame, të cilat janë në ruajtje të jetës dhe besimit individual dhe kolektiv, në ruajtjen e pasardhësve, të pasurisë, urtësisë dhe nacionalitetit individual dhe kolektiv. Krahas namazit, si ibadeti kryesor shpirtëror dhe fizik, pastaj agjërimit dhe zekatit si ibadete shpirtërore dhe sociale, haxhi është paradigmë e të gjitha ritualeve, shpirtërore dhe fizike. Cilido haxhi (pelegrin) që nuk i vëren elementet e liderizmit në shtyllat e Islamit, ai do të emërohet si “haxhi turisti” ose “haxhi tregtari”, të cilit në Qabe më shumë i kanë bërë përshtypje bizhuteritë e pëlhurat sesa vetë ibadetet e përmendura më sipër.
Ritualet islame janë të ndërlidhura mes vete njësoj si shpina dhe barku. Njeriu duke falur namaz, drejtohet drejt Qabesë, ngrehinës të cilën e ndërtoi Ibrahimi a.s., njeriu më kryengritës në histori, i cili me fuqinë e besimit dhe me argumentet racionale i kundërshtoi autoritetet e kohës në të gjitha nivelet. Ndaj, namazi ynë, haxhi ynë, agjërimi ynë, duhet të bartë në vete së paku një pjesë të këtij rebelizmi ibrahimian, aq të nevojshëm në luftën kundër dëmtuesve të kësaj kohe dhe neglizhentëve të kësaj historie.
Këtë ritëm të rebelimit e mosnënshtrimit, që vetvetiu e kemi edhe ne shqiptarët, që me mijëra vite nuk jemi nënshtruar dhe nuk kemi qëndruar indiferentë, duhet ta zhvillojmë edhe më tej, në të gjitha poret e jetës, e sidomos nëpërmjet namazeve dhe haxhit, që në botën e tanishme t’i kundërvihemi të keqes dhe të shëmtuarës.

Perceptimet e konceptit ibadet

Mirëpo, nëse namazi, përkatësisht xhamia, dikur përfaqësonte synimet më të larta islame te individi dhe shoqëria, në qytet dhe shtet, tashmë një kohë të gjatë ato janë shndërruar në objekte pasive, në vende për socializim të disa individëve të dezorientuar dhe pa ambicie, të cilët kënaqen në ritualet fetare dhe, falë vizualizimit të përmbajtjeve të botës përtej, zbusin dhembjen, përkatësisht gjejnë prehje për shkak të mossuksesit politik, shoqëror, ekonomik e kulturor në këtë botë.
Megjithatë, kohëve të fundit individi musliman dhe shoqëria muslimane janë drejt rrugëtimit për një transformim rrënjësor dhe për një jetë të plotë. Ky qëndrim transformues vërehet atëherë kur njeriu fillon të përsiasë për implikimet e gjera të dispozitave islame, kur njeriu për haxhin të flasë me fjalë informuese dhe motivuese e jo me konstatime defensive, kapitulluese, të tipit “haxhi është i tillë që nuk kemi fjalë ta përshkruajmë”, të përcjella me fjalë të mëdha euforike, me lot, me patetizma e me ofshama të papërmbajtura. Bukur e ka thënë këtë një autor (Edin Tule) se për këtë përgjigje gjatë shkollës kemi marrë notën njësh (1) të pastër.

Përmasat shoqërore dhe politike

Haxhi si gjendje e shpirtit dhe trupit, si dispozitë juridike ose si lëvizje shoqërore e politike përfshin, në një apo në mënyrë tjetër, të gjitha ritualet e tjera, duke filluar me dëshminë e qartë se vetëm Allahu është Zot dhe se Muhammedi është i dërguar i Tij, që e skicon vendosmërinë tonë për braktisjen e robërisë ndaj të këqijave, të njerëzve të këqij ose të forcave ideologjike, politike...
Dijetarët theksojnë përmasa të shumta të haxhit, si atë shoqërore e politike, ndërsa ne do të shtonim edhe artistike, estetike etj. Fjala vjen, duke bërë tavafin, në rrethrrotullim, haxhiu dëshmon plotninë e fesë së tij, sikur flutura që fluturon rreth burimit të dritës. Mirëpo, duke ecur i nxituar në drejtim të Saffasë dhe Merves, haxhiu tashmë nuk bën rrethrrotullim rreth Qabesë, por ecë i nxituar në drejtim të dy orientimeve, në mënyrë dykahëshe, duke përshfaqur njeriun në raport me familjen, xhaminë, punën, shkollën etj. Në këtë rrugëtim të përshpejtuar Saffa-Merve, haxhiu e kujton Haxheren, në kërkim të fizikes, materiales, ujit dhe ushqimit të domosdoshëm për mbijetimin e saj dhe të birit të saj, Ismailit. Haxhiu, duke kryer haxhin, ngjan me shqiponjën e cila me vigjilencë dhe symprehtësi gjurmon ekzistencën, mbijetesën, për të qenë pjesë e simfonisë së quajtur natyrë. Edhe namazi para Mekami-Ibrahimit ka simbolikën madhështore, duke u zotuar se do të verifikojë çdo veprim individual dhe kolektiv, sipas shembullit të Ibrahimit a.s., për të vazhduar rrugës së shëndoshë, pa konformizëm dhe indolencë. Për më tepër, që në kohën bashkëkohore, jemi të rrethuar me idhujtari moderne, të kamufluara me humanitet e altruizëm, dhe jemi të robëruar verbërisht ndaj funksioneve të tyre, veshjeve të tyre, titujve të tyre shkencorë ose profesionalë.

Haxhiu në epiqendër të ngjarjeve

Haxhi nuk është vetëm evokim i thjeshtë për të kaluarën, nuk është një kujtim i amshtë që nuk e gudulis zemrën. Ai është diç më shumë se evokimi ose kujtimi i thatë. Ai mbëlton te njeriu ndjenja të pastra e të sinqerta, ai ndërton karaktere të fuqishme dypërmasashe (shpirtërore dhe fizike), ai nxit arsyen për ndërmarrje që janë në pajtim me misionin njerëzor të halifit. Për këtë arsye, haxhiu nuk është shikues i haxhit nga tribuna e caktuar për mysafirë të lartë, por pjesëmarrës i rrëmujës së tavafit në Qabe dhe ai nga brenda përpiqet të kontribuojë drejt së mirës dhe të dobishmes. Ai nuk ligjëron thatë për haxhin si për një teori politike, por konkretisht për aspektin e tij shoqëror dhe politik, ekonomik dhe kulturor, intelektual dhe shpirtëror. Ky perceptim primitiv i haxhit si: “Kam kohë për haxh, jam i ri, duhet të ndërtoj shtëpi, më vonë do të shkoj.”; “Tash jam i ri, po pres pak të plakem”; “Nuk mund ta bëj këtë punë, sepse po bëhem gati për haxh” etj. etj., është kundër bindjeve të mirëfillta të islamit. Ata të cilët e kalojnë trajtimin e haxhit, përkatësisht programin e liderizmit, plotësisht të parafinuar, të paprekur nga simbolika e thellë domethënëse e të gjitha hollësive të haxhit, pas kthimit në shoqëritë e tyre, vazhdojnë me ankth ta ruajnë një grumbull absurdesh dekadente kolektive, me të cilat janë frymëzuar, shpesh të bindur se në këtë mënyrë e ruajnë pastërtinë e haxhit të kryer, të cilin e trajtojnë si një gurë të çmueshëm me cilësi të diskutueshme. (Husein Djozo)
Omeri r.a., me pranimin e Islamit, pohoi se në ato vende ku ka madhëruar hyjnitë e tjera, tash do ta madhërojë Allahun, duke përshfaqur në këtë mënyrë mësimet islame me karakter udhëheqës. Ai nuk e shihte fenë me dispozitat e saj si ngarkesë, vetëm sa për të na konsumuar kohën që zakonisht e kemi të tepërt, por që të na i sensibilizojë ndjenjat dhe për ta ndihmuar dhe mprehur mendjen në menaxhimin e jetës së përditshme, ku sundon rendi dhe paqja. Detyra e fesë ishte islamizimi i jetës sonë, shprehive tona, xhematit tonë, islamizimit të dijes sonë, punës sonë, institucioneve tona. Omeri r.a. e kuptoi porosinë e fesë në plotninë e saj, përshtatshëm, natyrisht dhe pa komplekse. (Edin Tule)

“Haxhi është Arefat”

Haxhi ka disa përbërës, por përbërësi kryesor është Arefati, siç ka thënë edhe Muhammedi a.s.: “Haxhi është Arefat”. Përbërësit e tjerë janë edhe tavafi, namazi, sa’ji e të tjera. Nëse haxhiu vazhdon ta kuptojë haxhin në mënyrë statike, ai do të mbetet peng i perceptimit të mbyllur të jetës. Nëse muslimanët nuk e përjetojnë Qabenë si qendër orientuese të besimtarëve, si qendër emotive për të cilën janë të lidhur ngushtë, duke e kuptuar si Shtëpi të Zotit (Bejt’ull-Llah), nga Meka do të vazhdojnë të vijnë grupe e grupe të “njerëzve të humbur”, të thyer shpirtërisht dhe të paralizuar me nostalgjinë me “afërsinë e Allahut”. Kjo, sepse, kush nuk e ka njohur Allahun e madhërishëm dhe ligjësitë e Tij para vizitës së Qabesë dhe ritualeve në të, ky njeri në Mekë do të jetë ai që ka qenë edhe deri atëherë, inert, neglizhent, i frikësuar se nuk do të mund të pajtohet me koreografinë e skenës. (Edin Tule)
Prandaj, nëse “Haxhi është Arefat”, atëherë haxhiu është individi i vendosur që me përkushtim të ngjitet drejt lartësive shkencore, ekonomike, politike, me gatishmërinë e derdhjes së djersës si rezultat i ngjitjes dhe qëndrimit atje, i ekspozuar ndaj diellit përcëllues pa kurrfarë hije. Haxhiu është ai që e di se një ditë do të hyjë në rrëmujë me njerëzit, ai që me cilësi do ta ngrejë vetveten dhe me cilësi do të kontribuojë në jetën intelektuale, shkencore, ekonomike e shoqërore, duke e marrë rolin e liderit dhe përparimit të mjedisit ku jeton dhe vepron.

Vizualizimi i jetës nëpërmjet haxhit

Pamja (imazhi) e haxhiut e kujton botëroren (të kaluarën dhe të tashmen), por pamja e tij njëkohësisht e kujton, përkatësisht vizualizon, edhe botën e përtejme, ahiretin. Po ashtu haxhiu nëpërmjet biografisë së personaliteteve të mëdha kur’anore, të cilët kanë ecur në po këtë Mekë, kapet me hallet dhe problemet më të ndryshme shoqërore, duke merituar epitete tokësore dhe lartësi ahiretike.
Njëkohësisht, haxhiu para se ta vizitojë Mekën, Qabenë, duhet t’i përgjigjet vetvetes se a e ka përkufizuar çështjen, problemin shoqëror e politik me të cilën do të përballet dhe me të cilin veprim do të dëshmojë para Allahut, Muhammedit a.s. dhe të tjerëve, se posedon mendje që di të mendojë dhe zemër që di të ndiejë.
Kjo çon më tutje: si ta admirojmë tjetrin kur jemi të veshmbathur njësoj, me rrobat pa xhepa dhe pa valixhe dhe si t’i ndërtojmë dhe kultivojmë mendjet dhe zemrat tona?
Haxhiu, duke hedhur guralecë në Minë, duke goditur shtyllat që simbolizojnë shejtanin, ai hedhë botën materialiste, hedhë botën e keqe e të shëmtuar nga vetja në dobi të të dobishmes dhe të mirës. Ai përcaktohet për rolin udhëheqës, për rolin e bartësit të përgjegjësisë në një shoqëri dhe në një kohë dhe këtë e bën me tërë fuqinë shpirtërore, intelektuale dhe fizike. Por, në të kundërtën, nëse haxhiu nuk e përjeton këtë vizualizim të haxhit dhe elementeve të përmendura, ai i ngjan një njeriu jostabil, i ngjanë boksierit të nokautuar, përkatësisht i ngjan një njeriu që para pasqyrës e imagjinon suksesin e tij, por që nuk ka guxim të përballet me realitetin. Edhe pse kjo mënyrë duket paksa “luftarake”, megjithatë është një realitet, pas të cilit vjen dita e festës, e Bajramit. (Edin Tule)
Sikur që Qabeja që e simbolizon fillimin e haxhit, si ngjitja në mal (Arefat) që simbolizon një etapë drejt arritjes së dijes dhe suksesit, ashtu edhe kurbani, sakrifica në fund të haxhit, është rast i jashtëzakonshëm për vizualizimin e ngjarjes së kohës së vet, vizualizimin e mjeteve të veta, hapësirës së vet, shpirtit të vet, në dobi të sendërtimit të synimeve të larta kolektive. (Husein Djozo)

Në vend të përfundimit

Jeta jonë pas haxhit të kryer duhet të jetë e mishëruar thellë me ritualet e haxhit, tavafin, sa’jin, arefatin, xhemretet dhe ritualet e tjera. Nëse e shpërfillim tavafin (trajnimi i vazhdueshëm nëpërmjet ritualeve), sa’jin (gjurmimin drejt gjasave reale), arefatin (ngjitjen e mundimshme në shkallë të ndryshme shoqërore), xhemretet (përballja jonë me idhujtaritë moderne, individuale ose kolektive të kohës), atëherë ekzistenca jonë do të zbresë në nivel ekzistencial, material, tokësor, të pashpirt, pa vizion hyjnor, që e degradon qenien njerëzore vetëm në rrafshin njëdimensional, botëror.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi