Nga Abdurrahman ibni Ja’mer r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Haxhi është Arafat” (1)
Ky hadith tregon se qëndrimi në Arafat njëherësh përmbush kryerjen e Haxhit.
Çdo obligim islam ka disa veçori që e bëjnë të jetë karakteristikë nga forma, mënyra, kryerja, aplikimi etj.. I tillë është edhe Haxhi, i cili manifestohet si obligim trupor-shpirtëror dhe financiar. Prej veçorive të Haxhit është edhe metodologjia e përsosur e thirrjes islame, apelit islam për obligueshmërinë dhe domosdoshmërinë e tij.
Fillimisht Allahu xh.sh. sinjalizon për domethënien esenciale të themelimit të Qabesë, që nga ngritja e saj nga Ibrahimi a.s., dhe tregon për rolin dhe rëndësinë e saj në të ardhmen për shumë e shumë gjenerata ndër shekuj. Allahu xh. sh. e ngarkoi të dërguarin e Tij, Ibrahimin a.s., që bazë e ngritjes së shtëpisë-Qabesë të ishte monoteizmi si dhe të mohonte nga ajo politeizmin e të bëhej shtëpi universale për të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, race dhe kombi. Në kontekst me këtë, Allahu xh. sh. thotë: “Përkujto kur e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e Shtëpisë së Shenjtë (Qabesë), që të mos më bëjë rival në adhurim (politeizëm), shtëpinë Time ta pastrosh prej politeizmit për ata që e vizitojnë, që falen dhe bëjnë sexhde”. (El Haxh, 26)
Thirrja botërore për një obligim mbarëbotëror
Shtëpia e shenjtë nuk kufizohet vetëm për Mekën dhe Kurejshitët, ajo është shtëpia e Allahut në tokën e Tij të gjerë. Për këtë Allahu xh. sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s. t’i thërriste të gjithë njerëzit për Haxhin në ditë të caktuara dhe të njohura, që njerëzit të këmbejnë në mes njëri-tjetrit mirësitë, dobitë,të përmendin Allahun xh. sh. për dhuntitë dhe vlerat që u ka dhënë, për furnizimin e lehtë me gjëra ushqimore, kafshë ... etj..
Në këtë thirrje, Allahu xh. sh. i thotë Ibrahimit t’i thërrasë njerëzit për Haxh në Shtëpinë e Allahut: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin. Ata do të vijnë tek ti në këmbë dhe hipur (në lloje të ndryshme udhëtimi), do të vijnë nga rrugët e largëta. Për të qenë të pranishëm në dobitë (mirësitë) e tyre dhe që të përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) për faktin që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të varfrin e mjerë”. (El Haxh, 27-28)
Me shprehjen kuranore me trajtën urdhërore me fjalë “edh-dhin”– “thirr”: nënkuptojmë tri pika të thirrjes, ose të shprehemi më saktë, nënkuptojmë tri komponente të ndërlidhura me njëri-tjetrin, që janë: El-edhan – thirrja, El-muedhin – thirrësi, dhe Mustemiun–të ftuarit (njerëzit). Të shprehurit në këtë mënyrë sinjalizon rëndësinë e obligueshmërisë së këtij ibadeti (Haxhit), për se Allahu xh. sh. e urdhëroi të dërguarin e Tij, Ibrahimin a.s., në mënyrë të prerë, që të bënte thirrje haptazi për këtë të vërtetë të Haxhit... Këtu tregohet edhe pozita e lartë dhe e përhershme e thirrjes (apelit), që buron nga natyrshmëria e Haxhit, e kjo është thirrja për në Shtëpinë e shenjtë të Allahut xh. sh..
Për sa i përket komponentit të parë, që është El-edhan–thirrja, këtë me përkushtimin më të madh e kishte kryer Ibrahimi a.s. si urdhër nga Allahu xh. sh. Ai i thirri njerëzit për Haxh. Këtu fjala “thirrje”simbolizon qartazi një adresë, ftesë të qartë për një adhurim mbarënjerëzor e me karakter ndërkombëtar, për një shtyllë të rëndësishme të Islamit, që është HAXHI.
Për sa i përket komponentit të dytë, i cili është El-muedhin – thirrësi, ky simbolizon Ibrahimin a.s., i cili ishte i urdhëruar nga Zoti i tij që të ishte në detyrën e komunikuesit për tubimin e njerëzve për një samit mbarënjerëzor. Ai ishte vetëm ekzekutues i vendimit që vjen nga lart. Mirëpo, Ibrahimi a.s. në vetveten e tij ndiente një lloj zbrazëtire rezervë në zbatimin e urdhëresës që kishte marrë nga lart. Kjo më së miri shprehet tek komponenti i tretë, që janë të ftuarit (njerëzit). Ai ishte i brengosur nëse do t’i përgjigjeshin ose jo njerëzit thirrjes së tij, prandaj tha: “O Zoti im, njerëzit janë të shkapërderdhur në vise të largëta, e zëri im nuk u arrin dot atyre. Zoti i tha: Ti thirr, e detyrë Imja është publikimi dhe komunikimi i thirrjes sate. Atëherë Ibrahimi a.s. u ngjit në kodrën Ebi Kubejs dhe tha: “O ju njerëz, vërtet Zoti juaj ka ndërtuar një shtëpi, e ju kryejeni haxhin” – e thirrjen e tij e dëgjuan të gjithë krerët e fiseve, bile edhe ata që gjendeshin në mitrat
e nënave, për të cilët Allahu e dinte se do ta kryenin Haxhin. Të gjithë iu përgjigjën thirrjes duke thënë: LebbejkeAllahummelebbejk – Të përgjigjemi, o Zoti im, të përgjigjemi.(2)
Për besimtarët që do ta kryejnë Haxhin, Allahu xh. sh. ka vendosur disa shenja dhe synime që fshihen në haxhin e tyre.
- Synimi i parë: Haxhinjtë prezantojnë në dobitë dhe mirësitë e Haxhit. Ata janë të pranishëm në një samit të madh me karakter mbarëbotëror. Në këtë samit të madh botëror, ai, haxhiu takon myslimanë ngjyrë dhe gjuhësh të ndryshme, të ardhur nga viset e largëta. Secili i gëzuar pyet vetveten: A është e mundur që unë të gjendem në këtë kongres madhështor, ku edhe kodrat, duke jehuar, kthejnë zërat e hanxhinjve: “LebbejkeAllahummelebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejke. Innelhamde ven-niamete leke vel mulk la sherike lek” – “Të përgjigjemi, o Zoti ynë, përgjigje pas përgjigjesh, të përgjigjemi se nuk ke rival, vërtet falënderimi, begatia (pasuria) janë për Ty, e Ti nuk ke rival.”(3)
Haxhinjve në jetën e tyre u mjaftonte fati që gjendeshin në tokën më të bekuar, në shtëpinë më të respektuar, në rrotullimin më të mrekullueshëm (tavafin) përreth shtëpisë së shenjtë, në vendin më të sigurt të paqes.
Në këtë kontekst Allahu xh. sh. thotë:“Me të vërtetë shtëpia e parë për adhurim dhe lutje për njerëzit është në Beka (Mekë) përplot bekime, mirësi, dhe udhëzuese për mbarë njerëzimin. Në të ka shenja të qarta, vendqëndrimi i Ibrahimit, kushdo që hyn në të (në Mekë), është i sigurt... ”. (Ali Imran, 96-97)
Siguria krijon kushte për këtë kongres të madh, jeta nuk njeh një gjë të tillë e as bota nuk ka dëshmuar asnjëherë një qytetërim të tillë, si në pastërti, në bamirësi, në kënaqësi dhe respekt. Këtu zemrat pastrohen si asnjëherë më parë, shpirtrat lidhen me njëri-tjetrin, hapen rrugët e bashkëpunimit, mirësisë, devotshmërisë, këmbehen begati materiale dhe kulturore në dritën e Islamit. Këtu përjashtohen ecuritë negative, mohohet egoizmi. Njeriu e sheh se nuk i mjafton jeta në vetmi, duhet të jemi të organizuar si shoqëri në institucione, e kjo arrihet duke i mposhtur intrigat e shejtanit, mendjemadhësinë, mbizotërimin mbi tjetrin; sado që të ngrihemi në aspektin e jetës, pozitës, pushtetit, - nuk duhet të harrojmë se jemi krijesa si të tjerët, të krijuar prej ujit e dheut. Etniteti dhe identiteti nuk luajnë rol pa vepra të mira, që burojnë nga shpirtdëlirësia dhe zemërgjerësia.
- Synimi i dytë: Gjuha mendja dhe zemra e kujtojnë vazhdimisht Allahun xh.sh.. Kujtojnë madhështinë, veprat e mëdha të Krijuesit, ndër to edhe këtë tubim madhështor, i cili është vepër e Allahut xh. sh. në sipërfaqen tokësore. Haxhinjtë mahniten deri në piedestalin shpirtëror për vullnetin e gjuhës dhe zemrës, që janë në lëvizje pandërprerë, ato ndiejnë një afërsi të veçantë tek Krijuesi i tyre dhe një çlodhje të madhe fizike e shpirtërore.
- Synimi i tretë: Ky manifestohet pasi të zhveshin ihramin. Haxhinjve u lejohen ndalesat që kishin më përpara, e kjo përputhet me Fjalën e Allahut xh.sh.: “Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre”. (El Haxh, 29) Fjala Et-tefeth, d.m.th. mbeturinë, papastërti(4), ngase haxhiu në atë kohë është i pluhurosur, i pakrehur, i paparfumosur. Kur të kryejnë obligimin e Haxhit, ata zhveshin ihramet, rruajnë kokat e tyre, presin thonjtë, pastrojnë trupin, parfumohen dhe veshin teshat e zakonshme, kështu që, me këto veprime mënjanojnë papastërtitë dhe vazhdojnë jetën e tyre normale.
- Synimi i katërt: Realizimi i premtimeve. Allahu xh. sh. thotë: “Le t’i zbatojnë premtimet e veta” (El Haxh, 29), për ato që kishin premtuar nga veprat e mira para dhe gjatë ditëve të Haxhit. Ç’kanë premtuar prej therjeve të kurbaneve, dhënies së lëmoshës, sadakasë, për hir të pamjes së Qabesë, vizitat në vendet që kanë peshë në historinë islame, etj.. Po dhe prej premtimeve të tjera që ndërlidhen me jetën e përditshme, që janë prej të drejtave njerëzore e që ndikojnë në zhvillimin e marrëdhënieve reciproke të njëri-tjetrit. Këto veprime është më së miri të zbatohen në Vendet e shenjta, aty ku gjendet haxhiu.
- Synimi i pestë: Një synim mjaft me rëndësi dhe peshë të madhe për haxhiun në obligimet e Haxhit, është tavafi. Allahu xh. sh. thotë:“Dhe le të sillen rreth shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh, 29). Pra, le ta kryejnë tav afin. Këtu bëhet fjalë për tavafin që është farz, i cili vjen pas qëndrimit në Arafat. Urdhri në këtë ajet për tavafin vjen sipas radhës (et-tertib), pas therjes së kurbaneve, që nënkupton tavafulifada - tavafin farz pas zbritjes nga Arafati. Me këtë tavaf përfundojnë edhe detyrimet e Haxhit, dhe mbetet edhe tavafi lamtumirës(5), i cili është si ndarje e fundit nga Qabeja, sepse pas tij haxhiu nis udhëtimin për t’u kthyer në gjirin familjar.
Thirrja për Haxhin lamtumirës
Pas obligueshmërisë së Haxhit në vitin e dhjetë të hixhretit, i cili quhet edhe Haxhi islam, i Dërguari s.a.v.s. i bëri thirrje masës islame se ai do ta kryejë haxhin në Shtëpinë e shenjtë të Allahut xh. sh. në Mekë. Ky ishte apeli i parë i Pejgamberit s.a.v.s. për Haxh. Këtë e tregon më së miri shoku i Pejgamberit s.a.v.s., Xhabir ibn Abdilah, i cili thotë: “Një numër i madh i njerëzve kishin ardhur në Medinë nga vise të ndryshme, që të gjithë dëshironin t’i bashkoheshin Pejgamberit s.a.v.s. e të vepronin ashtu siç vepronte Ai, s.a.v.s.. Këta kishin për qëllim që t’i kryenin me saktësi shtyllat dhe obligimet e Haxhit, pa risi dhe devijime, ashtu siç është e vërtetë se duhet kryer”. Xhabiri r.a. thotë: “Drejtova shikimin tek Pejgamberi s.a.v.s., pashë turmën e kalorësve dhe këmbësorëve që, si nga ana e djathtë edhe nga e majta edhe nga prapa, ishin në numër të njëjtë... ”.
Në bazë të transmetimeve, numri i hanxhinjve atë vit arrinte njëqind e katërmbëdhjetë mijë e më tepër. Të gjithë ishin të flaktë që takoheshin, tuboheshin me Pejgamberin s.a.v.s. për të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë obligimet nga ai, a.s.. Dëshironin të përfitonin sa më shumë nga veprat dhe thëniet e tij. Në anën tjetër, i Dërguari s.a.v.s. ishte i urdhëruar në misionin e tij që t’u printe hanxhinjve dhe të takohej me ta, për t’u përcjellë mesazhin e Zotit me fjalë përmbledhëse me domethënie të gjerë, që përmbanin porosi, këshilla, fondamente të qarta dhe të vërteta. Pejgamberi s.a.v.s. ata haxhinj i shihte si misionarët dhe trashëgimtarët më të mirë të fjalës së tij prej gjeneratave që do të vinin pas tyre ndër shekuj, deri në Ditën e Kiametit. Kjo përputhet me thënien e Tij: “Dëgjoni dhe kuptoni, prej jush do të dëgjojnë të tjerët, nga ata që dëgjojnë nga ju do të dëgjojnë të tjerët”.(6)
Pejgamberi s.a.v.s. në fytyrat e tyre të ndritshme hidhte vazhdimisht shikimin e tij, një shikim për ardhmërinë e shumë gjeneratave të ardhshme. Ai kësodore shihte se si Bota Islame do të jetë e madhe, do të mbushet toka me besimtarë në lindje e perëndim, në veri dhe jug. E falënderonte pandërprerë Allahun xh. sh., që i mundësoi të përmbushte dhe të kryente misionin e tij të shenjtë. Në Kuran thuhet:“Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi) dhe i pe njerëzit që po hynin turma-turma në fenë e Allahut. Ti, pra, lartëso lavditë dhe falënderimet e Zotit tënd dhe kërko faljen e Tij. Ai vërtet pranon shumë pendim dhe fal shumë”. (En-Nasër, 1-3)
Thirrja për tevhid dhe haxh
Ditën e shtunë, dita e njëzetepestë e muajit Dhul- Ka’de, Pejgamberi s.a.v.s., së bashku me atë turmë të madhe haxhinjsh, doli nga Medina dhe arriti në vendin DhulHulejfe (vend ku medinasit veshin petkun e ihramit dhe nisen për Haxh). Aty e kaloi natën. Në mëngjes u pastrua për ihram, u parfumos, e leu kokën e tij dhe fali dy rekate namaz. Pastaj hipi në devenë e tij, duke thirrur për tevhid dhe haxh: LebbejkeAllahummelebbejke, lebbejke la sherike leke lebbejk, innelhamde ven-niamete leke vel mulk, la sherike lek – Të përgjigjemi, o Zoti ynë, përgjigje pas përgjigjeje. Të përgjigjemi, Ty që nuk ke rival, vërtet falënderimi, begatia dhe pasuria janë për Ty, Që nuk ke rival.(7)
Apeli, thirrja e dytë, Lebbejke: Të përgjigjemi – d.m.th. do të qëndrojmë në nënshtrimin Tënd me një qëndrim të paluhatshëm, do të përgjigjemi me përgjigje të plotë duke u orientuar tek Urdhri Yt, o Allah... Për secilin që ia mësyn Haxhit, hyrja në Haxh fillon me thirrjen e njohur, që është ngritja ezërit me telbije–përgjigje për ftesën e Allahut. Njëherësh kjo është edhe thirrja për të hyrë në ihram..., kjo përgjigje është thirrje individuale dhe kolektive, e shoqëruar me përkushtim ndaj Urdhrit të Allahut.
Apeli, thirrja për Haxh, nënkupton nxitje në përkushtimin dhe të përmbajturit ndaj asaj për se na ka informuar i Dërguari s.a.v.s. me praktikën e tij në Haxhin dhe obligimet e tij. Thirrja e tij për tevhid nënkupton të kundërshtuarit e traditës paraislame në thirrjet e tyre përplot shirk (politeizëm) dhe padrejtësi.(8)
Allahu xh. sh. nuk ka nevojë për ngritjen e zërave të myslimanëve në telbijen-përgjigjen e tyre. Ai dëgjon gjithçka, zërin e ulët dhe të lartin, por thirrja në atë formë ka për burim natyrshmërinë e Haxhit thirrës (publik). Me këtë formë thirrjeje, haxhiu përmbledh-bashkon në mes nijetit të pastër në formën e fshehtë dhe thirrjes, që është forma e jashtme. Të shprehurit shpirtërisht në këtë formë të përshtatshme në mediet e sotme bashkëkohore konsiderohet shtyllë e rëndësishme për t’u realizuar me sukses një obligim që ka përmasa të gjera.
Thirrja (informimi) dhe mjeti informativ thirrës
Pasqyrën e Haxhit lamtumirës më së miri na e përshkruan Xhabiri r.a., i cili tregon për masën e madhe të njerëzve që iu bashkuan Pejgamberit s.a.v.s. në vitin e dhjetë, me qëllim që të mësonin sa më shumë për fenë e Allahut, duke filluar nga namazi, agjërimi, zekati, deri tek çështjet jetësore, si adhurimi, shitblerja, ekonomia, jurisprudenca, gjykata e, më së fundi, kishte mbetur shtylla e pestë e Islamit, që është Haxhi.
Tradita dhe simbolet e xhahilijetit ishin zëvendësuar me traditën e pastër islame. Fishkëllimat, brohoritjet, duartrokitjet, të zhveshurit, shtyrjet, grumbullimet e palejueshme të të rinjve – ishin zëvendësuar me norma dhe rregulla të pastra të Haxhit. Por, cila është mënyra e komunikimit? S’ka dyshim se i Dërguari s.a.v.s. mesazhin e Zotit të botëve e komunikonte... përmes besës, zotimit, marrëveshjes kuvenduese e ligjore, të përcjellë në hytben (ligjëratën) historike lamtumirëse, që përmban porosi, këshilla, fondamente islame dedikuar turmës së madhe të njerëzve me ndërmjetësimin e disa personave që dalloheshin për nga fuqia e zërit komunikues, të cilët përpiqeshin pandërprerë që çdo fjalë të bartej prej burimit – gojës së Pejgamberit s.a.v.s. deri tek dëgjuesi-turma, apo audienca e Tij. Xherir bin Abdullah mbante qetësinë ndër njerëz, ndërsa Rebia bin Umejje u komunikonte njerëzve fjalët e të Dërguarit s.a.v.s. duke ia përsëritur turmës se këtë po e thoshte i Dërguari s.a.v.s..(9)
Thirrja (informimi) dhe komunikimi
I Dërguari s.a.v.s. në këtë komunikatë, për mbështetje kishte mjetet natyrore të fjalimit (komunikatës), si: thirrjen, fjalinë urdhërore (imperativin), pjesëzat përforcuese, pjesëzat që tërheqin vëmendjen, pjesëzat hyrëse të fjalive, ngase këto përbënin metodën më të përshtatshme të komunikimit përplot retorikë. Me këto mjete kishte për qëllim të arrinte synimin për se e mbante ligjëratën, e cila përfshinte komunikatën, që përmbante njohje të çështjeve të ndryshme, dispozita, ndalesa, urdhëresa. Me këtë metodë, turma e njerëzve e kapte shumë lehtë fjalimin historik. Pejgamberi s.a.v.s. nganjëherë i drejtohej masës: “O ju njerëz...”; një herë tjetër thoshte: “Dëgjoni fjalën time”; nganjëherë thoshte: “A nuk ju komunikova?”... pjesëza “ela”–“a nuk”, këtu është përdorur për t’ia tërhequr vëmendjen dëgjuesit se ç’do të pasonte pas atyre fjalëve. Pastaj përdori pjesëzën “hel” – “A...?” që kërkonte vërtetësi të fjalëve se i kanë dëgjuar. Si duket, Pejgamberi s.a.v.s., përmes këtyre fjalëve, tregonte se misioni i tij në Tokë, po përfundonte. Këtë e vërteton përsëritja e fjalës së tij: “me të vërtetë, unë nuk e di se a do të takohemi me ju pas këtij viti tim”.
Komunikata dhe vërtetësia
Pejgamberi s.a.v.s., në hytben e tij historike, jo rrallë u drejtohej me pjesëzën pyetëse, që kishte për qëllim vërtetësinë dhe saktësinë e të dëgjuarit të fjalëve. Me pjesëzën e parë pyetëse “hel” – “A...?”, aludonte sasinë e fjalëve të kuptuara, sa ishin të kuptueshme ato fjalë, ndërsa me pjesëzën e dytë pyetëse synonte shpjegimin dhe shtjellimin e fjalëve që i thoshte më herët. Ai thoshte: “A e dini se cila ditë është kjo?”Ata përgjigjeshin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë!!” Një pyetje e tillë i shtynte ata të dyshonin në të kuptuarit e tyre. Ata supozonin se edhe në këtë pyetje (cila ditë?) fshihej ndonjë emër tjetër që ata nuk e dinin (f. v. për ditën). Ata mendonin se ajo ditë kishte edhe ndonjë emër tjetër të ri, që vinte nga Islami e që nuk ishte i njohur në etapën e injorancës. Madje edhe vetë transmetuesi i hadithit (Ebu Bekrete) në shpjegimin e tij thoshte: Ata mendonin se Ai, s.a.v.s., do ta quante këtë ditë me ndonjë emër tjetër!! E kur u thuhej: “A nuk është dita e haxhit të madh?” Ata përnjëherë përgjigjeshin: “Po, si jo!”
Nga këto që u thanë, pamë se si Islami në thirrjen për Haxh ka përdorur metodat më të përsosura që përdorin sot mediet bashkëkohore dhe të komunikimit masiv, si bazë për të realizuar me sukses aspiratat e tyre duke filluar nga burimi informativ, përmes mjetit komunikues, deri tek synimi, që është arritja e lajmit në vendin për ku është dedikuar.
__________________________
1. “Sunen Et-Tirmidhij”, v. 3 f. 439, nr. 814.
2. Sahihu Ibn Hiban”, v. 9 f. 5, nr. 3692.
3. “Sahihul Buhari”, v. 2 f. 561, nr. 1474.
4. Shënon Ibn Xherir dhe Ibn El-Xhevzij fi “Zadilmesir”, v. 5 f. 423.
5. “Zadulmesir”, li Ibni Xhevzij, v. 5 f. 427.
6. El-Hakim, “El-Mustedrek ales-sahihajn”, v.1 f. 174, nr. 328.
7. “El-Buharij”, v. 2 f. 561, nr. 1474; “Sahihu Muslim bi sherh En- Nevevij”, v. 8 f. 88.
8. “Sahihu Muslim bi sherh En-Nevevij”, v. 8 f. 174.
9. “Sire Ibn Hisham”, v. 4 f.. 86.