"Qabeja është një gur kristali në udhëkryqin e katër horizonteve; ajo është një kub i thjeshtë, anët e së cilës shikojnë nga katër anët kryesore; ajo është poli i fìksuar dhe zemra e të gjitha lëvizjeve të besimit islam. Haxhinjtë muslimanë mësyjnë drejt saj nga të gjitha anët e botës dhe nga ajo rrezatojnë në rrathë koncentrikë. Ajo është kibla e të gjitha xhamive. Thekët e të gjithë qilimave ku bëhen lutjet dhe shikimet e të gjithë besimtarëve gjatë namazit janë të magnetizuar nga ky pol i jetës spirituale". R. Garodi
Të gjithë muslimanët në zemrat e tyre kultivojnë dashurinë ndaj Mekës dhe ëndërrojnë të vijnë në gjirin e saj mikpritës, Nënës së qyteteve. Ata nga të gjitha skajet e botës ia mësyjnë asaj sepse shkuarja atje është qëllimi, destinimi dhe fundi i të gjitha udhëtimeve. Meka është zemra e universit islam, ngase në qendrën e saj është Qabeja, faltorja e parë e ndërtuar në Tokë në të cilën madhërohet e adhurohet Allahu, Zoti i vetëm dhe i vërtetë: "Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Meke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin." ( 3:96)
Qabeja me brendinë e saj të zbrazët nga çfarëdo lloj idhujtarie, pa figura, statuja, afreske apo pikturë murale ofron një atmosferë dhe ambient shpirtëror që i mundëson besimtarit të zbrazë zemrën e tij nga çdo gjë tjetër dhe të kujtojë e adhurojë vetëm Zotin, të Padukshmin. Aty nuk dëgjohet asgjë tjetër pos lutjeve të besimtarëve që gumëzhijnë si bletët.
Duke shkuar në Qabe ne kthehemi drejt Zotit. Dëshmimin dhe pranimin që i kanë bërë shpirtrat tanë Allahut për Zot me “kalu bela“, ne e shprehim dhe manifestojmë me forma të ndryshme. Prandaj ardhja në Qabe do të thotë lirim nga prangat që e ngushtojnë shpirtin tonë dhe me këtë i mundësojmë atij që pa pengesë të përkujtojë premtimin/mithakun e dhënë.
Qabeja ka formën e kubit dhe prandaj ajo quhet me emrin Ka'ba, që në gjuhën arabe do të thotë kub. Ajo ka dimensione, të cilat sipas të të kuptuarit Pitagorian të harmonisë, janë reciprokisht në lidhje harmonike.
Qabeja ka domethënie me rëndësi kozmike e madje edhe metakozmike. Ajo mban harmoninë kozmike. Katër qoshet e saj tregojnë për katër drejtimet kryesore të cilat paraqesin katër shtyllat e kozmosit tradicional. Prandaj të jesh aty do të thotë të jesh në qendër.
Qabeja tokësore dhe qiellore
Qabeja është qendra e aspiratave dhe dëshirave tona. Të gjitha mihrabet e xhamive të botës janë të drejtuara në drejtim të saj dhe janë të lidhura me një linjë të padukshme me të. Qabeja në tokë gjendet nën Qabenë (Bejtul Ma’mur) që gjendet në qiell, pra ajo qëndron në boshtin i cili bashkon Qiellin dhe Tokën.
Sipas një transmetimi Allahu i Madhërishëm ka ndërtuar Bejtul Ma’mur nën Arsh dhe i ka urdhëruar melaikët që të bëjnë tavaf rreth saj. Pastaj Allahu i ka urdhëruar melaiket që gjendeshin në tokë të ndërtonin një faltore të ngjashme me faltoren e qiellit dhe të bënin tavaf rreth saj sikurse bënin tavaf banorët e qiellit rreth Bejtul Ma’murit.
Melekët kanë ndërtuar Qabenë me mijëra vjet para së të krijohet Ademi a.s. Kur Ademi, pas një kohe që ka kaluar në xhennet, është zbritur në Tokë, melekët i kanë thënë: “Bëj tavaf rreth kësaj faltore sepse ne jemi duke bërë tavaf në të që 2000 vjet. Ademi i ka dëgjuar melaikët dhe ka filluar të bëj tavaf. Këtë e kanë bërë edhe pasardhësit e tij deri në kohën e Nuhut.
Në kohën e Nuhut a.s., kur është përmbytur Toka, Qabeja është ngritur në qiell. Ajo është ruajtur nga përmbytja. Më pas është rindërtuar nga Ibrahimi - babai i besimit, ndërsa me ardhjen e Muhammedit a.s. është pastruar përfundimisht nga të gjithë idhujt.
Në një rast Pejgamberi i pyeti as'habët: "A e dini ç'është El-Bejtul Ma’mur (faltorja qiellore e banuar dendësisht)?" As'habët u përgjigjen: "Këtë e dinë më mirë All-llahu dhe Pejgamberi i Tij". Pejgamberi a.s. u tha: "Ajo është shtëpia në qiellin e shtatë (nën Arsh), e cila gjendet saktësisht përmbi Qabe. Çdo ditë në të hyjnë 70 mijë melaqe dhe nuk kthehen më."
Qabeja qendër e energjisë shpirtërore
Në drejtim të Qabesë lirohen energji të mëdha shpirtërore nga miliona besimtarë ditë e natë gjatë faljes në namaz. Prandaj ajo është qendër tërheqjeje ku graviton e gjithë forca e tyre shpirtërore dhe më pas ajo e shpërndan atë energji në formë ta valëve magnetike në të gjitha anët, fuqia e së cilës ndihet deri në skajet më të largëta të botës muslimane.
Qabeja është epiqendra shpirtërore, morale, fetare e hapësinore e fesë islame dhe atdheu shpirtëror i çdo muslimani. Në drejtim të saj ndërtohen mihrabët e të gjitha xhamive dhe kthehen fytyrat e gjithë muslimanëve të botës gjatë faljes. Por, në drejtim të saj madje duhet të kthehen jo vetëm fytyrat dhe kraharorët tanë, por edhe zemrat, shpirtrat, mendjet dhe mendimet tona.
Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm që të gjitha pikat në tokë, me linja të padukshme, janë të lidhura me qendrën unike, Qabenë, në drejtim të së cilës e kthen pesë herë në ditë në namaz fytyrën e vet. Shtëpia e Zotit gjatë gjithë kohës është nikoqire e miliona besimtarëve të sinqertë të cilët me vite të tëra kanë qenë në pritje të vizitës së këtij vendi të shenjtë.
Haxhi
Haxhi zhvillohet në një pikë të caktuar gjeografike, në Mekë, dhe në një kohë të caktuar. Ai është udhëtim dhe shkuarje me qëllim dhe çdokush që lëviz në këtë rrugë, me përpjekje dhe devotshmëri, arrin lumturinë dhe të vërtetën. Haxhi është përgjigje ndaj thirrjes së Ibrahimit të bërë qysh prej mijëra vitesh, një zë që jehon nëpër kohë dhe që zë vend në zemrën dhe shpirtin e miliona besimtarëve. Ky lum i qenieve njerëzore nuk është shterur kurrë. Nëpër shekuj, ata kanë ardhur me numër të madh nëpër “Derën e Shpëtimit (Babu Selam)”, duke thënë: “Lebbejke All-llahumme lebbejk” - "Të përgjigjem o Allahu im, të përgjigjem ...!” “Të përgjigjem Ty, që je Një dhe i Vetëm …”
Haxhi është një mundësi për të gjithë besimtarët që nga të gjitha anët e ndryshme të botës të shpejtojnë drejt Qabesë së shenjtë që me pendim dhe lutje të pastrojnë trupin dhe shpirtin nga mëkatet dhe, kur të kthehen, të kthehen në vendin e tyre si të rilindur.
Ai ofron një pamje impozante me njerëz me ngjyra dhe pamje të ndryshme, të cilët në haxh janë të barabartë dhe nuk ka asnjë dallim mes tyre, ashtu sikurse në Ditën e Ringjalljes kur njerëzit do të qëndrojnë të barabartë para Allahut duke pritur fatin e tyre, kur nuk do të merret parasysh prejardhja, raca dhe ngjyra e tyre dhe ku dallimi i vetëm do të varet nga niveli i devotshmërisë.
Haxhi është kthim drejt Burimit dhe udhëtim në kërkim të zbulimit të identitetit shpirtëror. Ky identitet shpirtëror i cili i mungon njeriut të sotëm është një nevojë jetike dhe qëndron mbi të gjitha identitet e tjera sepse në mungesë të tij, ai rrezikon të ardhmen e vet.