Haxhi i pranuar në qiell, para se të është kryer në tokë


Secili kusht islam, rregull, obligim dhe detyrë që na është ngarkuar nga Allahu i Madhëruar është një nga pasqyrimet e shumta të urtësisë dhe mirësisë së Allahut ndaj robërve të Tij, të cilën Ai e ka caktuar për qëllimin dhe për të mirën e njeriut. Çdo ibadet përmban një dimension edukativ dhe synimi i tij është të ndërtojë, disiplinojë, edukojë dhe fisnikërojë njeriun/besimtarin.
Çdo mysliman dhe myslimane janë të obliguar që një herë në jetë të kryejnë haxhin në Qabe dhe të kryejnë detyrën e pestë islame pasi të kenë mbushur moshën madhore, pasi të plotësojnë kushtet fizike dhe shëndetësore dhe të fitojnë mundësi të mjaftueshme materiale për ta kryer këtë farz. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton).” (Ali Imran, 97)
Haxhi që kryhet si duhet, me qëllim të sinqertë dhe pa mëkat gjatë haxhit do të pranohet nga Allahu i Lartësuar, ky është haxhi mebrur për të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Ka nuk ka shpërblim tjetër për haxhin e pranuar (mebrur), përveç Xhenetit.”
Ebu Hurejre r.a., thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s., kur tha: "Kush e kryen haxhin për Allahun, kështu që nuk do të fletë fjalë të shëmtuara e as që mëkaton, ai do të kthehet (i pastër nga mëkatet), siç qe në ditën kur e lindi e ëma e vetë!" (Buhariu)
Në çdo ritual të haxhit, procedurë apo përgatitje për haxhin, ka urtësi që njeriu duhet ta zbulojë dhe ta mendojë, për shembull: përgatitja dhe udhëtimi në haxh, largimi nga shtëpia dhe ndarja nga familja, haxhiut duhet t'i kujtojë vdekjen dhe ahiretin, sepse, në çastin e vdekjes, secilit i vjen pa paralajmërim, njeri përgjithmonë ndahet nga familja e tij dhe gjithçka që ka fituar në këtë botë. Haxhiu largohet nga vendlindja e tij ashtu siç do të largohet nga dynjaja, udhëton me mjete transporti deri në destinacion dhe kështu do të udhëtojë — i shtrirë në një tabut dhe secili person do të sillet deri në varr. Haxhiu vesh vetëm ihrame që duhet t'i kujtojë atij se do të mbështillet vetëm me kefina. Qëndrimi në Arafat duhet t'i kujtojë haxhiut se ai do të qëndrojë ashtu në këmbë dhe do të presë gjykimin në Ditën e Gjykimit. Shqiptimi i vazhdueshëm i telbias, si përgjigje Zotit Fuqiplotë dhe konfirmim i besimit të tij, haxhiut i është përkujtues se fjalët e teuhidit dhe besimi i tij do të duhet të konfirmohen me përgjigjet Munkirit dhe Nekirit, engjëjve pyetës në varr.

Një ngjarje e vërtetë
Haxhi Seidi nga Egjipti, pas kryerjes së riteve të haxhit, ishte ulur në dhomën e pritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Xheda. Në të djathtë të tij ishte ulur një haxhi tjetër i cili iu drejtua me fjalët: “Unë jam një biznesmen, Allahu më ka dhënë mundësi që të vij në haxh këtë vit për të dhjetën herë!” Seidi bëri një lëvizje të butë të kokës dhe tha: “Allahu e pranoftë haxhin tuaj, ju shpërbleftë për mundin tuaj dhe ju faltë mëkatet!” Burri buzëqeshi dhe u përgjigj: “Të dyve! A keni qenë ju në haxh më parë?” Pas një pauze të shkurtër, Seidi u përgjigj: “Allahu e di më së miri, por ky haxhi im ka historinë e tij të gjatë, nuk do të doja t'ju shqetësoja me të.”
Njeriu i tha: “Pasha Allahun, më trego, se gjithsesi po presim në këtë sallë.”
Seidi buzëqeshi dhe filloi tregimin e tij: “Pikërisht, vetë pritja është fillimi i tregimit tim. Kam kaluar shumë vite duke pritur për të shkuar në haxh. Për tridhjetë vjet punova si fizioterapist në një spital privat derisa mblodha shumën e nevojshme për kryerjen e haxhit. Atë ditë, kur shkova në spital për të marrë paratë, takova nënën e një fëmije të pa lëvizur, të cilin e trajtoja në spital. Ajo ishte jashtëzakonisht e trishtuar dhe e shqetësuar. Ajo më tha: “Të lë në amenet Allahut, o Seid. Kjo është vizita jonë e fundit në këtë spital.” U habita nga fjalët e saj dhe mendova se ajo nuk ishte e kënaqur me trajtimin tim dhe se donte ta transferonte fëmijën në një spital tjetër. Megjithatë, ajo vazhdoi: “Jo vëlla Seid, Allahu është dëshmitari im se ti ishe më i vëmendshëm ndaj djalit tim sesa babai i tij. Trajtimi juaj i ndihmoi jashtëzakonisht shumë, pasi kishim humbur shpresat për shërimin e tij.” Pastaj ajo u largua e trishtuar. Burri u befasua dhe e ndërpreu fjalimin e Seidit duke e pyetur: “E çuditshme, nëse ajo ishte e kënaqur me trajtimin tuaj dhe gjendja e djalit të saj u përmirësua, atëherë pse e ndërpreu trajtimin?”
“Unë bëra të njëjtën pyetje. Shkova te administrata e spitalit dhe kontrollova. Mësova se babai i djalit kishte humbur punën dhe nuk mund të vazhdonte të paguante për trajtimin e djalit të tij”. Burri u pikëllua dhe tha: “Vetëm Allahu ka fuqi! Ajo grua ishte vërtet e pafat. Si veprove?” Seidi u përgjigj: “Shkova te drejtori dhe i kërkova që të vazhdonte trajtimin e djalit me shpenzimet e spitalit. Por ai refuzoi kategorikisht dhe më tha: “Kjo është një firmë private, e jo një organizatë humanitare!”
Unë dola nga zyra e drejtorit i pa kënaqur dhe u mërzita për atë grua dhe djalin e saj. Papritur vura dorën në xhepin ku ishin paratë e haxhit, u ndjeva i shtanguar për një moment, pastaj ngrita kokën drejt qiellit dhe iu drejtova Zotit me fjalët: o Allah i dashur, Ti e di se çfarë kam në shpirtin tim, Ti e di që kam pasur dëshirë më të madhe se shkuarja në haxh, në shtëpinë Tënde dhe të vizitoj xhaminë e të Dërguarit Tënd. Ti e di që kam punuar shumë gjatë gjithë jetës sime për këtë. Megjithatë, unë i jap përparësi kësaj gruaje të shkretë dhe djalit të saj ndaj vetes, ndaj mos ma këput mëshirën Tënde! Shkova te arkëtari dhe pagova të gjithë shumën që kisha për të trajtuar djalin gjashtë muaj përpara. I kërkova t'i tregonte gruas se këto paratë janë nga një fond special që spitali ka për pacientët e varfër. Burri u prek nga kjo, e lëshoi lotin dhe tha: “Allahu të dhashtë ty dhe njerëzve si ti çdo bereqet!”
Bashkudhëtari i Seidit më pas tha: “Nëse e ke shpenzuar shumën e parave, atëherë si ke ardhur në haxh?”
“Atë ditë u ktheva në shtëpi i pikëlluar që humba mundësinë e jetës sime për të kryer haxhin, por zemra ime ishte e gëzuar që arrita ta liroj atë grua dhe djalin e saj nga telashet e mëdha. Atë natë më zuri gjumi me lot në sy që më lagën jastëkun, por në ëndërr pashë se po bëja tavaf rreth Qabes dhe se njerëzit më përshëndesnin dhe më thoshin: 'U bëftë Kabuli haxhi yt, o Seid. Ti e ke kryer haxhin në Qiell, para se që e ke bërë në Tokë. Lutu për ne, o haxhi Seid!'”
U zgjova nga gjumi dhe ndjeva kënaqësi të papërshkrueshme. E falënderova Allahun xh.sh., për çdo gjë dhe isha i kënaqur me caktimin e Tij.
Sapo u ngrita nga shtrati, kur cingëroi telefoni, as më pak e as më shumë, ishte vetë drejtori i spitalit i cili më tha: “Më shpëto, pronari i spitalit tonë do të shkojë në haxh këtë vit, por ai nuk do të udhëtojë pa mjekun e tij personal. Megjithatë, bashkëshortja e mjekut të tij personal është në muajin e fundit të shtatzënisë, ndaj ai nuk mund ta lërë atë. Kështu që të lutem më bëni nder, shkoni ju në përcjellje të drejtorit në haxh. Pastaj bëra sexhden e falënderimit Allahut xh.sh., dhe kështu shkova në haxh si përcjellës i pronarit të spitalit.
Kështu që Allahu më nderoi me vizitën e shtëpisë së Tij, pa paguar asgjë. Falënderoj Allahun, për më tepër, pronari i spitalit ishte këmbëngulës për të më shpërblyer mirë sepse ishte i kënaqur me shërbimin tim. I tregova rastin me atë djalë dhe ai urdhëroi që djali të mjekohej me shpenzimet e tij. Më pas ai urdhëroi që në spital të formohet një fond për pacientët e varfër dhe përveç gjithë kësaj, e punësoi burrin e asaj gruaje si zyrtar në një nga firmat e tij dhe paratë e mia që kisha paguar m'i kthyen prapa. A mund të imagjinoni një mirësinë më të madhe se mirësinë e Zotit tim?!”
Burri u ngrit në këmbë, e puthi Seidin në ballë dhe tha: “Pasha Allahun, nuk jam ndjerë kurrë i turpëruar në jetën time siç ndihem tani. Unë bëra haxh pas haxhit, duke besuar se kisha arritur diçka të madhe dhe se derexheja ime tek Allahu shtohet pas çdo haxhi të kryer, por tani e kam kuptuar se haxhi yt është më i mirë se një mijë haxhe të mia dhe të ngjashëm. Unë shkova për të vizituar shtëpinë e Allahut, por ty Allahu të ka ftuar vetë në shtëpinë e Tij.” Pastaj u largua duke përsëritur: “Tekabellehau minna ve minke!” (Allahu e pranoftë prej nesh dhe prej jush!)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi