Intelekti është një dhuratë hyjnore, të cilën Allahu (xh.sh.) u ka dhuruar qenieve njerëzore dhe me të cilën Ai i ka mbinderuar ndaj të gjitha krijesave të tjera të gjalla.
Intelekti është mjeti me anë të të cilit qeniet inteligjente njohin bukurinë dhe shëmtinë, përsosjen dhe mangësinë dhe mjeti me anë të të cilit ato dallojnë të mirën më të madhe dhe të keqen më të madhe.
Intelekti i zotërisë sonë Muhammed (s.a.v.s.), i të Dërguarit të Allahut, ka arritur një nivel superioriteti dhe përsosmërie që nuk është arritur nga askush përveç tij, nëpërmjet mirësisë dhe favorit të Allahut ndaj tij (s.a.v.s.).
Allahu (xh.sh.) ka thënë: “Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Ti, me dhuratën e Zotit tënd, nuk je i çmendur!” (Kurani 68:1-2) d.m.th., ti je në nivelin më të lartë të shkëlqimit dhe të shquarjes intelektuale, sepse Allahu (xh.sh.) është betuar në fjalën e Tij (Nun), e cila është ndihma e bollshme hyjnore; në penën gjithëpërfshirëse zanafillore; në atë që regjistruesit e shkruajnë në pozitat më të larta, gërvishtjet e penave të së cilave i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i ka dëgjuar; dhe në atë që është shkruar nga të gjitha penat që e kanë prejardhjen nga ajo zanafillorja.
Më i dashuri prej intelekteve tek Allahu është intelekti i zotërisë sonë Muhammed (s.a.v.s.), sepse ai është më i shëndoshi, më i gjeri dhe më i kompletuari prej intelekteve. Përsosmëria e intelektit të tij (s.a.v.s.) dhe gjerësia e mendjes së tij manifestohet në të gjitha punët, veprat, thëniet dhe qëndrimet e tij.
Do të përmendim një numër të vogël shembujsh për këtë, që llogariten jo më shumë se një pikë e vetme nga oqeani i tij (s.a.v.s.).
Së pari: Mënyra se si ai (s.a.v.s.) u përball me një botë në të cilën injoranca ishte përhapur nëpër të gjitha mbretëritë dhe popujt, arabë dhe joarabë, ndërsa mendjet e tyre kishin devijuar në rrugë të gabuar dhe ata ishin injorantë ndaj fesë së tyre dhe kishin filluar të adhuronin idhuj dhe gurë, të cilët i kishin formuar vetë me duart e tyre. Konfrontimi me këtë mentalitet të ngurtë dhe të shtrembëruar dhe ndryshimi i tij në një mentalitet të shëndoshë dhe të rafinuar ishte një detyrë e rëndë, që kërkonte intelekt të shquar, mendje të shëndoshë, retorikë të fuqishme, të folur elokuent, dëshmi të pakundërshtueshme, argumente bindëse, qëndrueshmëri, durim dhe njohje të gjerë të llojeve dhe të metodologjive të argumentimit.
Së dyti: Kushdo që shqyrton mënyrën me të cilën Pejgamberi (s.a.v.s.) arsyetonte me idhujtarët dhe dëshmitë që u paraqiste çifutëve dhe të krishterëve, mënyrën se si i bindte dhe i shtangte ata me arsyetimin e tij dhe i rrëzonte argumentet e tyre, do të ndeshet me rrezet e ndritshme të intuitës së tij të pashoqe dhe do të bindet se ai posedonte intelektin më të kompletuar, më të shquar, më të gjerë dhe më të përsosur.
Së treti: Mënyra mjeshtërore me të cilën ai (s.a.v.s.) bashkoi zemrat e pjesëtarëve të popullit të tij që ishin në grindje me njëri-tjetrin dhe mënyra se si i zgjidhi mosmarrëveshjet mes tyre dhe i distancoi ata nga armiqësia dhe urrejtja, veçanërisht në mes të konflikteve, tribalizmit dhe fanatizmit. E gjithë kjo dëshmon për gjerësinë e intelektit të tij (s.a.v.s.) dhe madhështinë e mendjemprehtësisë së tij. Le të marrim parasysh ngjarjen e vendosjes së Gurit të Zi, për të cilin fiset arabe u grindën dhe bënë fjalë aq sa ishin në prag të konfliktit, nga i cili shpëtuan vetëm nëpërmjet arsyetimit të tij (s.a.v.s.) vendimtar, ashtu që të gjithë mbetën të kënaqur. Kjo ndodhi para misionit të tij (s.a.v.s.), kur ai ishte vetëm tridhjetepesëvjeçar.
Së katërti: Një nga dëshmitë më të mëdha të superioritetit të intelektit të tij fisnik (s.a.v.s.) dhe të mendjemprehtësisë së tij të madhe është mënyra vigjilente me të cilën ai u mor me ata që shpallnin armiqësi kundër tij, mënyra se si ai u mbrojt kundrejt tyre dhe se si bëri që planet e tyre të dështonin. Kjo mund të konstatohet nga studimi i ballafaqimeve të tij me ta.
Këtu do të paraqesim një përzgjedhje modeste të shembujve:
Maturia e tij (s.a.v.s.) kundrejt planeve dhe dredhive të tyre; misioni i zbulimit për të verifikuar numrat dhe përgatitjet e armikut dhe mënyrat që ai (s.a.v.s.) përdori për t’i përcaktuar ato; misioni i njerëzve të tij (s.a.v.s.) për të zbuluar fshehurazi lajme në lidhje me armikun; ngarkimi i njerëzve të tij (s.a.v.s.) për të përhapur rebelim brenda radhëve të armikut dhe zgjedhja e njeriut të duhur për të hyrë në radhët e tyre, për t’i mashtruar dhe për të prishur unitetin e tyre; fshehja dhe maskimi i çështjeve nga armiqtë e tij; zgjedhja e luftëtarëve kompetentë e të guximshëm për të luftuar në betejat e ashpra; përzgjedhja e emisarëve inteligjentë dhe mendjemprehtë për t’i dërguar te sundimtarët dhe mbretërit, për të përhapur mesazhin dhe për të dhënë argumente të mençura e të arsyetuara; diplomacia dhe sjellja e tij (s.a.v.s.) shoqërore dhe aftësia e tij për t’u përshtatur me lloje të ndryshme njerëzish në mënyrë miqësore, duke i bindur ata për të vërtetën, me sjellje dashamirëse dhe fjalë të buta.
Së pesti: Një nga treguesit më të mëdhenj të intelektit të tij (s.a.v.s.) fisnik, të përsosur dhe superior është gjerësia e njohurive të tij. Allahu (xh.sh.) i ka dhuruar atij mjaft njohuri të rëndësishme, i ka treguar shenjat e Tij, e ka ndihmuar me argumente të qarta, e ka mbështetur me mrekulli dhe e ka nderuar me të gjitha mënyrat e shpalljes hyjnore.
Nuk është e mundur që të gjesh gabime logjike ose gjëra të pamundura në atë që solli i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.); përkundrazi, ajo përmban mrekulli të urtësisë së lartë, në të cilën intelekti i njeriut nuk mund të depërtojë për shkak të dobësisë së intelektit në arritjen e kësaj, ashtu sikurse shikimi i syve është shumë i dobët për ta parë direkt diellin dhe për ta përfshirë dritën e tij: sytë shohin vetëm një sasi të mjaftueshme të rrezeve të diellit, sa për të vërtetuar ekzistencën e tij jashtë çdo dyshimi; por ata nuk mund ta përfshijnë atë në tërësinë e tij.
Imam Abdullah Siraxhuddin el-Husejni
Përktheu nga anglishtja: Mimoza Sinani
Dituria Islame 325/326