Muaji i mëshirës, i Faljes dhe i rrugëtimit, më të lehtësuar për në xhenet, momentit të konkretizimit të shpërblimeve sa një jetë njerëzore, kaloi, e shfrytëzuam apo jo, e arritëm apo jo. Të uroj apo të ngushëllojë! Ti merre uratën apo ngushëllimin!!
Por, ofertat e Allahut për ty, o njeri nuk perënduan me lindjen e Hënës së re, jo jo ato vetëm sa kanë filluar dhe deri sa të lind dielli nga perëndimi nuk kanë për të pushuar.
Vetëm kërkohet nga ti vigjilencë, interesim, kureshtje e dorëzim Atij.
Specifik e ofertës së kaluar ishte se mysafiri na vizitoi derë më derë e oxhak më oxhak dhe kërkohej solidarizim material (trupor) e shpirtëror.
Oferta e radhës për ty është:
Ti thirresh nga zëri qiellor që daton mijëra vite më herët që iu drejtua edhe babait të pejgamberëve Ibrahimi a.s. e që gumëzhin nëpër qiell vazhdimisht dhe që të atakoi ty, vetëm ty, shpirtin tënd, ti komunikon në mënyrë indirekte me zërin, e të dërguarin e të dërguarve dhe iu përgjigjesh me kodin që vë në kulminacion besimin:
“ Të përgjigjem O Zot të Përgjigjem. Të përgjigjem se nuk ke rival, Të Përgjigjem Vërtet Falënderimi, Madhërimi të takojnë vetëm Ty. Ti nuk ke rival”.
A je i privilegjuar o haxhi i sivjetmë?
Përgjigje që është spastrim, energji shpirtërore
Ti do të vizitosh vendlindjen e artikulimit të fjalës së parë hyjnore, fjalën që e mban në zemrën tënde e që reflektohet ky grumbuj simbolesh në personalitetin tënd: në dukjen, sjelljet, moralin, e fjalët e tua.
Nga ky grup kodesh, i tërheqim disa prej tyre që komunikojnë për përgjigjen tënde:
Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.
Në rrugëtimin tënd që ti lenë mënjanë çdo gjë që është përditshmëri e jotja, por që e tëra një ditë ta kthen shpinën, e ecën e vrapon nga El-Evelu vel Ahiru,drejt Atij Që është I Pafillim dhe I Pambarim, që kujdeset për ty gjithnjë…
Ti udhëton drejt Tij, drejt simbolit të Tij, ti udhëton drejt BEJTULLAHUT.
Përgjigje që shpalosë të kaluarën - historinë
Haxhi shpalos gjurmët e të dërguarve, ju shkelni tokën që kanë shkelur edhe ata.
I nderuar haxhi ti viziton shtëpinë e parë të ndërtuar në planetin tokë:
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin”.
Rikthehesh vite më herët dhe kujton lutjen e më të dashurve të tij, kur duke ndërtuar objektin magnetik që tërheq zemrat e miliarda njerëzve, që me të i kanë të lidhura shpirtrat më nurin që lirohet nga ai katror energjik, ku në drejtim të saj I kthejmë trupat, fytyrat tona me të vetmin qëllim që të bashkëbisedojmë me Krijuesin tonë.
“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes - luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”!.
Përgjigje e cila është simbol i Barazisë
Bota e shekullit XXI, mund të pandeh se ka ecur, përparuar në sfera materiale të civilizimit, avancimit e zhvillimit teknologjik madje madje, pretendon se jeton edhe në hënë dhe ka gjetur elemente të jetës edhe në planetë të tjera, por jetën në tokë e ka harruar dhe e ka anashkaluar, shfrenuar e rrënuar dhe është larg të konceptuarit e jetës, e ndjenjën e barazisë që ti e përjeton në këtë udhëtim, për të është vetëm ëndërr e iluzion, ndjenjën tënde nën një petk, me një ritëm, në një gjuhë, në një vend, nën një qiell, në një vend, në një qëllim, miliona pelegrin, të gjithë në një flamur, duke brohorit njëzëri nën rrethin në qendër të qendrës frazën magjike që bashkon e nuk ndan, dashuron e nuk urren, beson e nuk mohon:Të përgjigjem O Zot Të përgjigjem.
Këtë simbol të barazisë njeriu që udhëton në hënë mund ta sheh ëndërr vetëm nga orbita, e ti përjeton këto qaste të shkurta lumturie që zgjasin vetëm me sekonda, por ne me tavaf , namaz vrapim në mes safas e mervas jetojmë më ndjenja të tilla, ne me rite të tilla e shkelim me këmbë urrejtjen racore, kulturore, gjinore dhe botës së kësaj kohe me ritualet e Haxhit I përcjell mesazhin që u përcoll për 14 shekuj me radhë:
Stop dhunës, Jo racizmit, ndal dallimeve…. sepse të gjithë njerëzit kemi një baba dhe një nënë dhe një planet për të jetuar e qëllimi I dallimeve është shkëmbimi I përvojave e assesi urrejtja e luftimi.
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.
Përgjigje që të Rilind - falë
Haxhi është rasti ideal, kulminant për pastrim të mëkateve, të çlodhësh nga e kaluara e brishtë e të fillosh një fletë të bardhë në ditarin tënd të jetës që një ditë do të dëshmojë çdo harf për ty.
Ti o Haxhi ke një rast që të rilindësh si atë ditë kur të qarat e tua I bën të qeshën të tjerët:
Ja fjala origjinale e të dërguarit a.s., I cili thotë:
“Ai që bën haxhin dhe qëndron larg nga grindjet e sharjet është I pastruar nga mëkatet, sikur atë ditë që kur ka lindur nga nëna e tij”.
A ja vlen lënia e një udhëtimi që të rilind?
Në këtë kontest Ibën Mes`udi deklaron:
“Çdo besimtarë që qëndron I veshur në ihram gjatë ditës do t`I perëndojnë mëkatet me perëndimin e diellit”.
Njeriu I parë, gabimi I parë, pendimi I parë u pranua në afërsi të shtëpisë së parë:
Përgjigje që është përjetim i veçantë
O I nderuar! që Allahu të ka privilegjuar pikërisht ty, sepse ty te zgjodhi mu në këtë kohë, të thirri dhe ja ti u përgjigje:
Të përgjigjem, o Zot të përgjigjem!!!
Ndoshta më herët, ke dëgjuar, ke lexuar dhe je mallëngjyer për Mekken, Medinen, kopshtin ku pushon trupi I Çiltër I Muhamed Mustafas, ….ja sot, je protagonisti kryesor. Ku mund të shohësh, por jo t` ju besosh syve të tu, që mund të dëgjosh por jo edhe të flasësh çfarë ke parë, sepse mimika jote është e varfër, të përjetosh emocion që nuk të ka ndodhur më parë, të prekësh por jo edhe të gjesh forcë ta përmbledhësh, të pish nga zemzemi e assesi të ngopesh.
Ti do shohësh vendlindjen e Pejgamberit, ku u persekutua, u sakrifikua, derdhi djers, mund e gjak për ty që sot të dish pse jeton, e frymon.
Ti do të vizitosh gjurmët e Ibrahimit a.s. do e vëresh shputën e tij dhe do ta kuptosh një fakt që të gjithë të dërguarit të vetmin Zot dëshmuan e adhuruan.
Do vraposh në mes Safas e Merves dhe do kujtosh, mallëngjimin, durimin e në fund shpërblimin e Haxherës dhe të Ismailit.
Do të bësh Tavafin duke të kujtuar se je duke u sjellur mu në qendër të globit dhe sipër teje në Bejtul Mamur të përcjellin krijesat e dritës-melaiket.
Do të shkelësh në tokën ku u puqitën shputat e Pejgamberëve, ndoshta balli yt do të puqitet me vendin ku ka rënë në sexhde Muhamedi a.s.
Do e vizitosh edhe kopshtin e kopshteve, vendin ku prehet drita e dritave, dhe dërgon salavat dhe shumë selam nga vendlindja yte, nga ymeti yt që emrin tënd gumëzhijnë çdo çast Muhamedu Resulullah.
Përgjigje që I thua JO simbolit të së keqes
O vëlla I nderuar, e motër e bekuar, do të gjuash me gurë vendin ku simbolizon djallin, godite njëmend edhe të keqën, të neveriturën, haramin që inspirohesh nga I mallkuari, braktise dhe thuaj një herë e përgjithmonë JO
Thuaj JO përgojimit sepse shkakton përçarje,
Thuaj JO urrejtjes ngase të shpie në humnerë, zëvendësoi:
Me Namazin që të kënaq shpirtin e gëzon Allahun.
Me dashurin vëllazërore që të sjellë buzëqeshjen në fytyrën tënde,
Me …
Përgjigje e pranimit të lutjeve
Që nga momenti I parë, ti je personi që je në favor dhe për çdo çast ka arsye për pranim lutje, do ti numëroj vetëm shtatë prej tyre :
E para – udhëtimi, është momenti kur nuk të refuzohet lutja jote
E dyta – gjendesh në Mekke vendin e shenjtë
E treta- në Harem, ku I tërë vendi është paqe dhe lutja yte përçohet nga pëllumbat e paqes që të shoqërojnë sipër.
E katërta Je pran haaxherul esvedit, I cili është nxirë I tërë nga mëkatet e birit të Ademit.
E pesta- Medina vendin e dytë të shenjtë ku je pran më të Dashurit të njerëzimit.
E gjashta-Arafati, dita me vlefshmja nga 364 ditë, vendin e pendimeve, takimeve, të robit me Allahun.
E shtata-Melaiket të shoqërojnë dhe për ty luten dhe tek Zoti ndërmjetësojnë.
Pas një përshkrimi të tillë, e përjetimi të ndjenjave të tilla a është ky udhëtim e obligim vetëm për të moshuarit e për ata që kanë mëkatuar?
Jo, jo assesi një iluzion I tillë duhet të flaket me faktin :
“…vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo,..”.
Ngase Pejgamberi në një rast na ka këshilluar:Seid elhuderiu transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë :”Robit Tim që I kam dhënë shëndet në trupin e tij dhe pasuri në jetën e tij dhe I kalojnë pesë vite pa e kryer haxhin ai është I privuar”
Ja harrova për këshillën, që është e parë, por ja që mu përvodh dhe u rendit e fundit: Përgatitja e valixhes. Gjërat që iu nevojiten për këtë udhëtim:
“…pajisuni me gjëra qe u nevojiten, por më e mira është devotshmëria”(Kur`an).
Kujdes !Allahu është kujdesur për ty edhe për këtë detaj.
Shtatë përgjigjet që I numëruam le të përkojnë me shtatë tavafet,ecje-vrapimet tua, e urojmë që lutje yte në shtatë palë qiell ka për të depërtuar. Amin !
Të përgjigjemi O Zot, Të Përgjigjemi!