Lidhjet e para që ka njeriu apo fëmija paraqesin kufijtë e personalitetit të tij, duke i siguruar baraspeshë në hapat e tij të sjelljes me të tjerët. Ato përcaktojnë nëse fëmija do të sillet mirë apo keq, do të falë apo do të urrejë, do të jetë i hapur apo i mbyllur në vetvete, do të jetë i arsyeshëm apo naiv, i guximshëm apo frikacak. Në këtë kontekst imam
Gazaliu thotë: “Dije se fëmija është amanet te prindërit e vet, e zemra e tij është një diamant i pastër që pranon gjithfarë gdhendjesh. Nëse tek fëmija kultivohet e mira dhe i bëhet shprehi ajo, do të vazhdojë i tillë deri në pleqëri, edhe prindërit e tij edhe edukatori i tij do të ketë sevap për të. Por, nëse tek fëmija kultivohet e keqja dhe i bëhet shprehi ajo, do të vazhdojë i tillë deri në pleqëri, gjynahu shkon në qafë të kujdestarëve të tij, të cilët është dashur ta ruanin, ta edukonin, ta mësonin për sjellje të mirë dhe ta mbronin nga shoqëria e keqe..”1
Kjo bazë apo natyrë e pastër pozitive (që nga lindja) fëmijës do t’i japë baraspeshë deri në fund të jetës së tij. Ky fakt mbështet në një hadith, ku Pejgamberi (s) thotë: “Çdo foshnjë lind me natyrë të pastër (fitre), e prindërit e tij e bëjnë të krishterë, hebre apo adhurues të zjarrit.” 2 Kur’ani i madhëruar e përcakton qartë identitetin e myslimanit: “Thuaj: "Vërtet Zoti im më udhëzoi në rrugë të drejtë, që është fé e drejtë, fé e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota. Ai (Ibrahimi) nuk ishte idhujtar! Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.3 Problemet më të mëdha që paraqiten ndërmjet prindërve dhe fëmijëve vijnë nga mosekzistimi i identiteti të drejtë. Identiteti në të cilin e edukojmë fëmijën tonë lë gjurmë shumë të thella në personalitetin e tij. Për këtë arsye, ndikimi mbi fëmijën gjatë fëmijërisë së tij të hershme e vulosë atë me një identitet të caktuar, gjë që është një çështje shumë e rrezikshme, jo më pak e rrezikshme se loja me gjenet e njerëzve. Kur’ani tregon për Faraonin, i cili kur e kuptoi se do të lind një fëmijë, që do të ketë identitet të kundërt me atë që e dëshironte ai, bëri të pamundurën që ta zhduke atë identitet, duke vrarë çdo fëmijë mashkull të porsalindur.
Identiteti i çdo personi kërkon relativisht një ndjenjë personale të qëndrueshme dhe ekuilibruese mbi unitetin e vet, e pyetjet siç janë: Kush jam unë dhe çfarë duhet të bëhem?, janë ato, përgjigja e të cilave i jep personit mundësinë që të provojë ndjenjën e përkatësisë grupit social dhe mundësinë që të jetë i atillë çfarë në të vërtetë edhe është. Me fjalë tjera, identiteti është pikërisht rregullimi i marrëdhënieve të një personi me
vetveten, me Zotin, natyrën dhe shoqërinë ku jeton.
E kundërta e kësaj, konfuzioni në identitet dhe në rolin shoqëror në shumicën e rasteve provohet në mënyrën që i riu nuk e di kush është dhe çfarë roli ka në shoqëri, përse ka lindur, ku shkon dhe ç’do të bëhet me të, e në qoftë se e kaplon dëshpërimi dhe humbja e vetëbesimit, njeriu i ri në vend të kontaktit me njerëz, tërhiqet në izolim, në vend të motivimit dhe stimulimit ai kalon në gjendje depresioni dhe shkatërrohet. Kështu që në vend të vetëdijes dhe formimit të identitetit, kalon në gjendje pasigurie dhe papërcaktueshmërie dhe kur është në pyetje roli i tij, ekuilibri i tij psikik dhe shpirtëror, do të çrregullohen dhe me atë rast do të shkaktojnë krizën e identitetit.
Rreziku nga kjo krizë në fund të fëmijërisë dhe fillim të pubertetit (rinisë së hershme) është shumë serioz, sepse ekziston mundësia e përballjes me dyshimin kur është fjala për qëllimet afatgjate në lidhje me zgjedhjen e profesionit, mikut, prirjes seksuale, përcaktimit fetar, vlerave morale dhe përkatësisë së ndonjë grupi.
Përgjithësisht, kriza e identitetit mund të quhet kërkim për një botëkuptim të drejtë e me qëllim të gjetjes dhe identifikimit të qëllimeve jetësore. Në të vërtetë, personi i ri përjeton një lloj krize të paranjohjes praktike, e cila e josh dhe e fton në drejtim të gjetjes së të vërtetës së botës ekzistuese e pastaj në veprim të përshtatshëm. Ndjenja e identitetit dhe zgjidhja e kësaj krize varet nga aftësia e njeriut të ri që të përfshihet në rrjedhat jetësore apo dëshira e tij/ e saj dhe pritjet me qëllim të njohjes së vetvetes si qenie e cila gjendet në procesin e zhvillimit dhe e cila në dritën e kulturës fetare ka filluar zgjidhjen e drejtë të problemeve themelore të botëkuptimit dhe formimit të sjelljeve personale dhe shoqërore.
Ky proces i formimit dhe përkryerjes së identitetit në personin e ri kurrë nuk pushon. Madje edhe atëherë kur arrin në një shkallë të tillë identiteti dhe uniteti të personalitetit, i cili për të është ideal dhe i dëshiruar, përsëri ndjen zbrazëti dhe përpiqet të arrijë një nivel edhe më të lartë, gjë që vazhdimisht përsëritet gjatë gjithë jetës së tij.
Njohja e fesë
Feja (din) është stil dhe mënyrë e jetës e cila e bën lidhjen e jetës sociale dhe ibadetit ndaj Zotit të Lartësuar, dhe pastaj në çdo aktivitet personal dhe shoqëror tek personi besimtar krijon ndjenjën e përgjegjësisë para Zotit. Kjo seri bindjesh dhe dispozitash shkencore - morale është shkaku i lumturisë së njeriut në këtë botë por edhe mirëqenie, shpëtim dhe jetë e përjetshme në botën e ardhme.
Feja e lartëson njeriun në shkallët më të larta morale dhe e pengon nga bërja e çfarëdo veprimi të keq, sepse feja (besimi) është rezultat i arsyes.
Feja është si një pemë e gjelbër: imani (besimi) në Zotin është si uji i saj, namazi rrënja e saj, zekati trungu i saj, vëllazëria në emër të Zotit degët e saj, morali islam (ahlaku) fletët e saj dhe ruajtja e largimi nga gjynahet janë frytet (rezultatet) e saj.
Feja i jep përgjigje personit të ri në procesin e formimit dhe zbukurimit të identitetit, sepse personi i ri ka dëshira (teka), pyetje dhe etje të cilat shuhen vetëm duke iu kthyer Krijuesit të Lartësuar. Kthimi fesë, studimi i saj dhe të menduarit mbi dituritë e saj janë këshilla të vazhdueshme të Pejgamberit (s). Ai, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Bekimi më i madh i All-llahut ndaj robërve të Tij është që t’u dhurojë të kuptuarit e fesë dhe t’i frymëzojë që të shkojnë rrugës së drejtë ”4
Mësimi i hallalit dhe haramit (të lejuarës dhe të ndaluarës) janë veçanti të moshës rinore, e në qoftë se njohja e personit të ri do të jetë e bazuar në shkencë, arsye dhe logjik, identiteti i tij, nderi dhe krenaria do të jenë të ruajtura. H. Alia thotë: “O ju të rinj” Ruajeni fenë tuaj me dituri.”
Feja nuk është asgjë tjetër përveç se dashuri dhe miqësi, e kjo dashuri ndaj Zotit të Mëshirshëm, realizohet vetëm duke e ndjekur Pejgamberin e zgjedhur (s). All-llahu (xh., sh.) thotë: “Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merrni, e çka t'ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.” 5
“Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur'ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” 6
“Thuaj: "Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.”7
Besimi është i lidhur ngushtë me nevojat e njeriut që t’i japë kuptim jetës së tij, sepse njeriu nuk mund të jetojë pa ndonjë qëllim. Kjo do të thotë që njeriu nuk është i vetëmjaftueshëm. Vetëm Zoti është Ai që mund ta qetësojë dhe ta plotësojë. Meqë njeriu është qenie që pyet, ai kërkon dhe mundohet të kuptojë cili është plani i Zotit për njerëzit që të arrihet vizioni i vërtetë i jetës dhe i botës. Ai zbulon vlerat, të cilat e tërheqin dhe për hir të të cilave ia vlen të jetohet. Besimi nuk është çështje private e individit, veç dhuratë për ta ndarë dhe gëzuar me të tjerët, për të jetuar me të në bashkësi. Besimi, më parë është akt i dashurisë se sa pohim teorik i arsyes, çështje e besimit të vërtetë për të cilin duhet jetuar, çështje e besimit në Zotin dhe mbështetjes tek Ai. Kush ka besim te Zoti, ai tejkalon kufijtë e arsyes së vet dhe vërejtjet e të kuptuarit të tij. Mirëpo, nuk është i mjaftueshëm vetëm besimi në Zotin, por duhet pranuar dhe zbatuar edhe planin e tij për ne. Duhet pranuar dhe ndjekur të Dërguarin e Tij, përmes të
cilit shpalli planin dhe programin e tij për njeriun historik dhe udhëzimin e
mesazhin e fundit për gjininë njerëzore.
Besimi, mbase nganjëherë mund t’i duket dikujt jointeresant, por është i rëndësishëm. Kush e kalon jetën me besim të sinqertë, do të gjejë rregullin e mrekullueshëm të jetës: hapje, besnikëri, siguri, ilimunim (shkëlqim) etj. Kush e merr besimin me seriozitet dhe sinqeritet, nuk mbetet pa përgjigje karshi pyetjeve më të thella të qenies së tij. Besimi është i rëndësishëm për të gjithë, e veçanërisht për të rinjtë në zhvillim, sepse i vetmi ai mund t’u ndihmojë në mbizotërimin e vështirësive dhe përmirësimin e shoqërisë ku ata jetojnë. Vetëm feja mund t’ua rikthejë vetëbesimin dhe shpresën e humbur në labirintin e dynjallëkut, vetëm ai u jep siguri ekzistenciale.
Në shoqërinë ku gjithnjë e më shumë përhapet synimi për informim në shije, nevoja, konsum dhe së fundi në sjellje, duhet ndihmuar të rinjtë që me ndjenjën kritike t’i realizojnë përcaktimet e lira dhe të përgjegjshme, që besimin ta përjetojnë brenda bashkësisë së besimtarëve si shprehje të besimit të lirë në Zotin. Vetëm kështu mund t’i rezistojnë robërisë së manipulimit, konformizmit shoqëror dhe rënies morale. Vetëm në dritën e lirisë së brendshme mund të realizohet zgjedhja e vërtetë religjioze. E tek ajo liri është e mundur të arrihet duke kërkuar sinqerisht afërsinë e Zotit, duke qenë i hapur para vëllezërve në fe brenda bashkësisë, duke u lutur, duke u përpjekur për pastrimin e vetëdijes nga të gjitha ngarkesat si gjynahu dhe presioneve tjera morale dhe me edukimin e gjithëmbarshëm islam si dhe me njohjen e realitetit dhe fshehtësive të besimit.
Njohja dhe besimi në Zot mund të jetë një burim i madh sigurie dhe mbështetjeje për adoleshentin. Një gjë ë tillë do të thotë se adoleshenti beson se fjala e All-llahut është e vërteta dhe se kjo jetë është shumë e shkurtër në krahasim me jetën e përtejme, e cila është e përhershme. Ai është i vetëdijshëm se nuk ia vlen të sakrifikohet Përjetshmëria në llogari të një periudhe të shkurtër dhjetëvjeçare, sa zgjat adoleshenca. Ai beson se shpërblimi i All-llahut është aq i madh, saqë i duket shumë e lehtë ta sakrifikojë përkohësisht dëfrimi në këtë jetë të shkurtër. Ky shpërblim i bukur në xheneti, do të jetë gjithmonë para syve dhe në mendjen e tij, deri në atë shkallë sa ky përkujtim do t’i japë forcën që i duhet për t’u thënë “jo” tundimeve, me të cilat haset.
(Vazhdon)
• Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga libri me titullin: “Sfidat e rinisë
bashkëkohore në kohën e globalizmit” (Mr. Muhidin Ahmeti).
1. Sipas citimit të Ahmet Muadh El-Hatib, marre nga:www.studio-din.com
2. Buahriu
3. El-En’am (6:)161-162.
4. Buhariu
5. El-Hashr, 7
6. En-Nexhm, 3-4
7 Ali Imarn, 31