Hindusët strehojnë 200 muslimanë në tempullin e tyre gjatë përmbytjeve në Pakistan


Përmbytjet e shpejta për shkak të shirave të dendur që goditën Pakistanin gjatë muajve të fundit kanë detyruar miliona njerëz të humbasin shtëpitë, familjet, punën, pronat dhe madje edhe jetën e tyre.
Të dhënat tregojnë se të paktën 1300 njerëz kanë humbur jetën gjatë kësaj katastrofe.
Mes shkatërrimit, komuniteti hindu në Balochistan tregoi një qëndrim humanizmi dhe harmonie fetare duke hapur dyert e tempullit hindu për të mbrojtur njerëzit e prekur nga përmbytjet përreth tij.
Banorët hindu të fshatit të vogël Jalal Khan në distriktin Kachi të Balochistanit kanë hapur dyert e tempullit “Baba Madhudas Mandir” për të paktën 200 viktima të përmbytjeve, shumica prej tyre myslimanë.
Tempulli hindu thuhet se u prek vetëm pak nga përmbytjet pasi ndodhet në një pllajë, kështu që mund të shërbejë si strehë për njerëzit e prekur nga përmbytjet pasi zona ishte shkëputur nga provincat tjera.
Sipas përgjegjësit aktual të tempullit hindu, Ratan Kumar, tempulli ka më shumë se 100 dhoma, që zakonisht përdoren për të akomoduar pelegrinët nga i gjithë Balochistan dhe Sindh çdo vit. Djali i Kumar shpjegoi se megjithëse disa nga dhomat ishin dëmtuar nga përmbytja, shumica e ndërtesave ishin të sigurta.
Përveç sigurimit të ushqimit dhe strehimit për njerëzit e prekur nga përmbytjet, tempulli strehoi edhe bagëtitë e njerëzve, si dhitë dhe delet.
Refugjatët që humbën shtëpitë e tyre nga përmbytjet thanë se fillimisht ishin shkëputur nga rrethet e tjera dhe merrnin ushqim vetëm me helikopter. Por më pas, komuniteti hindu, përmes tempullit, filloi t'i ndihmonte ata.
Israr Mugheri, një mjek në Jalal Khan, i cili ka ngritur një kamp mjekësor brenda tempullit, shpjegoi se hinduët po bëjnë thirrje me altoparlantë që muslimanët të nxitojnë në tempull për t'u strehuar.