Detyra më e rëndësishme e të gjithë pejgamberëve ishte pastrimi i shoqërive nga politeizmi dhe thirrja në teuhid. Ashtu si pejgamberët e tjerë, edhe Pejgamberi ynë a.s. lindi në një shoqëri ku politeizmi ishte i përhapur. Madje në struktura shoqërore dominonte i forti dhe i pasuri. Prandaj nëse e hulumtojmë jetën e Pejgamberit, shohim se ai nuk u angazhua vetëm në thirrjen në teuhid nga ana teologjike, por u angazhua edhe më shumë për sigurimin e unitetin shoqëror.
Në jetën e të Dërguarit të Allahut a.s., i cili paraqitet si një shembull i mirë për besimtarët në Kuran, ka shembuj të panumërt, të përshtatshëm për t'u marrë si model për çdo individ dhe shoqëri. Për sigurimin e unitetit shoqëror, Pejgamberi a.s. ndërmori hapa të rëndësishëm në çështjet politike, shoqërore, administrative, ekonomike dhe arsimore. Këta hapa, Pejgamberi a.s. i ndërmori menjëherë pasi shkoi në Medine me pajtimin e fiseve medinase, me ndërtimin e xhamisë, me hapjen e shkollës Darul Erkan, si dhe me hapjen e tregit të ri në Medine. Përmes këtyre Pejgamberi a.s. arriti që në mesin e shoqërisë së degraduar të siguronte unitet shoqëror.
Në këtë drejtim, shembulli i Pejgamberi a.s. përfshinë jo vetëm pjesën që lidhet me besimin, por edhe çdo fushë të jetës. Allahu xh.sh. ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.(1)
Në këtë ajet nuk janë kufizuar karakteristikat shembullore të Pejgamberit a.s.. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. për të gjithë është shembull në të gjitha aspektet e jetës: fetare, politike, shoqërore, administrative, ekonomike.
Pejgamberi a.s. si gjithë pejgamberët e tjerë, në radhë të parë e thirri popullin ku jetoi në besimin e teuhidit. Sepse besimi në teuhid, përbënë bazën për ekzistencën e të gjithë universit si një strukturë harmonike (vahdet) brenda vetes. Besimi politeistë në aspektin teologjik e ndan shoqërinë në kuptimin politik, shoqëror dhe moral. Kjo bëhet shkak që të prishet uniteti dhe integriteti shoqëror.
Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. ndërmori hapa për të siguruar unitetin në fushat politike, shoqërore, ekonomike, administrative dhe morale, veçanërisht në besimin e teuhidit që rregullon marrëdhënien ndërmjet Allahut dhe njeriut.
Metodat që zbatoi dhe ndoqi Pejgamberi a.s. në sigurimin e unitetit fetar, moral, politik, social dhe ekonomik dhe mesazhet që ai dha kishin për qëllim reformimin e ideve që nxisnin ndarjet dhe përçarjet shoqërore si ekstremizmi, racizmi, rajonizimi, sektarizmi dhe obsesionet ideologjike.
Duke u nisur nga kjo, do të shohim disa metoda dhe praktika shembullore të Pejgamberit a.s. që ndoqi në ndërtimin e unitetit shoqëror.
Uniteti në besim
Në shoqëritë ku nuk ka unitet besimi, mendimi dhe ideali, nuk është e mundur të flitet për unitetin shoqëror, politik, administrativ dhe ekonomik, të cilat e përcaktojnë jetën shoqërore. Qëllimi më i rëndësishëm i Pejgamberit a.s. ishte t'i pastronte besimet e njerëzve nga të gjitha llojet e politeizmit dhe të vendoste besimin e teuhidit ndërmjet Allahut dhe robit të Tij, dhe më pas të siguronte strukturën harmonike (vahdet), pra unitetin ndërmjet besimtarëve.
Pejgamberi a.s. për të krijuar besimin e teuhidit dhe për të realizuar unitetin shoqëror, përpjekjen e tij e filloi nga familja dhe të afërmit e tij. Kjo ngase elementi kryesor që përbën shoqërinë është familja. Aq sa është e qetë dhe e lumtur familja aq është edhe shoqëria. Nëse në familje sigurohet paqe, besim, unitet dhe harmoni, shoqëria do të jetë e qetë. Fakti që Pejgamberi a.s. i ftoi të afërmit e tij të ngushtë për drekë(2) në përputhje me paralajmërimin e Allahut, “Paralajmëro të afërmit tuaj më të afërt”(3), na tregon se për të siguruar unitetin dhe mirëqenien e shoqërisë, gjëja e parë që duhet bërë është të sigurohet uniteti dhe solidariteti i familjeve që përbëjnë shoqërinë.
Pejgamberi a.s. pasi thirri në besimin e teuhidit të afërmit dhe miqtë të tij të ngushtë, me kalimin e kohës thirrjen e tij e zgjeroi në të gjithë Mekën, qytetet dhe fiset pranë Mekës, si në Taif, dhe gjithashtu komunikonte me të huajt që vinin në Mekë me rastin e panaireve dhe sezonit të pelegrinazhit. Pejgamberi a.s. për t'i bashkuar njerëzit rreth besimit të teuhidit thirri të gjithë pavarësisht gjuhës, racës, ngjyrës apo gjeografisë. Njerëzit e njëjtë që besonin në politeizëm dhe që jetonin larg unitetit dhe solidaritetit me kalimin e kohës u bënë 'një” rreth besimit të teuhidit nën udhëheqjen e Pejgamberit a.s. dhe shumë shpjet arritën forcën për të ndryshuar fatin e botës. Edhe pse uniteti në besim nuk është arsyeja e vetme për të arritur këtë fuqi, kjo luan rol udhëheqës në krijimin e unitetit politik, shoqëror, administrativ dhe ekonomik.
Uniteti në adhurim
Fetë nuk kanë të bëjnë vetëm me gjërat që duhen besuar. Në çdo fe ka forma të caktuara dhe rregulla të sjelljes në të cilat besimi kthehet në veprim. Në literaturën islame, sjellje të tilla shpjegohen me konceptin e adhurimit. Ka adhurime të caktuara që janë theksuar veçanërisht si në Kuran ashtu edhe në hadithet e Pejgamberit. Namazi, agjërimi, zekati, haxhi, kurbani janë disa prej tyre. Sigurisht, adhurimet nuk kufizohet vetëm me këto. Çdo veprim i bërë me ndërgjegjen e robërisë, duke marrë parasysh pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut, konsiderohet gjithashtu brenda konceptit të adhurimit. Duke parë si një gjë të thjeshtë në jetën e përditshme, për shembull, të mirëpresësh një besimtar me fytyrë të qeshur dhe të heqësh një pengesë në rrugë me mendimin se do të dëmtojë njerëzit është e vlefshme në kuptimin fetar dhe hynë në konceptin e adhurimit.
Në Islam, disa adhurime inkurajohen e disa urdhërohen të kryhen kolektivisht. Shembull: pesë namazet e përditshme, namazi i xhumasë, bajramit dhe haxhi. Adhurimet si agjërimi, zekati dhe kurbani janë gjithashtu adhurime që kanë dimensione dhe reflektime shoqërore.
Në këtë kontekst, disa adhurime nga aspekti i sevapeve inkurajohen të kryhen kolektivisht me qëllim që të sigurojnë unitet në kohë dhe vend. Pesë namazet e përditshme në xhami - mesxhid dhe haxhi i kryer në Mekë në muaj të caktuar sigurojnë unitetin e kohës dhe vendit. Për këtë arsye Pejgamberi a.s. gjatë migrimit në Medinë, së pari ndërtoi xhaminë(4) ku besimtarët mund të kryenin namazet e tyre kolektivisht. Fakti që Pejgamberi a.s. ndërtoi një xhamil - mesxhid para se të arrinte në destinacionin e tij, para se ta ndërtonte një shtëpi për vete ose para se të krijonte një shtet me kufij të caktuar, tregon se sa i rëndësishëm është një vend që do t'i mbledhë të gjithë anëtarët e shoqërisë islame. Ndërtimi i një qendre të tillë si xhamia - mesxhidi që do t'i mbledh të gjithë besimtarët krah për krah pavarësisht nga statusi i tyre ekonomik dhe social ishte e domosdoshme dhe kishte një rëndësi të madhe. Nxitja e Pejgamberit a.s. për t'u falur me xhemat në xhami(5) dhe kërcënimi i atyre që nuk shkojnë për t'u falur në xhami me xhemat(6) është i mjaftueshëm për të treguar kontributin e xhematit në unitetin dhe integritetin e shoqërisë.
Fakti që Pejgamberi a.s. ndërtoi xhami sapo mbërriti në Medine, pati ndikim në arkitekturën e qytetit islam dhe xhamitë formuan qendrën e jetës shoqërore në qytetet islame të themeluara gjatë historisë, madje edhe në qytete dhe fshatra.
Për këtë arsye, myslimanët, të cilët ndoqën të Dërguarin e Allahut a.s. në këtë drejtim për të ndërtuar xhami, fillimisht ndërtuan xhami në tokat që çliruan dhe vendosën xhaminë në qendër të jetës. Për këtë arsye, në qytetërimin islam, xhamia ka qenë gjithmonë në qendër të qytetit. Përveç kësaj, xhamia ishte një qendër sociale e mbledhjes së shoqërisë.
Sot pavarësisht përdorimit të gjerë të mjeteve të komunikimit, njerëzit janë gjithnjë e më të vetmuar dhe me problemet e tyre personale. Nëse shikojmë nga kjo pikëpamje mund të kuptohet më mirë rëndësia që Pejgamberi i jepte xhamisë dhe komunitetit. Nëse krahasojmë funksionin e xhamive të kohës së Pejgamberit a.s. me xhamitë e sotme për sa i përket sigurimit të kohezionit social, mjerisht vërehet se shumica e xhamive të sotme funksionojnë vetëm për faljen e namazit.
1. El-Ahzab, 21.
2. Ebu Muhamed Abdulmelik b. Hisham ibën Hisham, Es-Siretu’n-Nebevijjee. Mustafa es-Seka, Beyrut: Daru Ibn Keshir, 2005, 238.
3. Esh-Shuara, 214.
4. Ibën Hisham, Sire, 426.
5. Muslimi, Mesaxhid, 272.
6. Buhariu, Ahkam, 52, Hadithit nr: 7224”. Muslimi, Mesaxhid, 251, 254.
Mr. Fatmir Hadri