- “Ve la tehasedu” — “Mos ia keni zili njëri-tjetrit”
Fjala zili do të thotë: lakmi ta futësh në dorë një të mirë që ka dikush. Zilia është cilësi e munafikut. Duhet ta lutim Allahun xh.sh. të na ruajë nga ziliqarët. Në suren Felek qëndron lutja: “O Zot, (më ruaj) Nga e keqja (zilia) e ziliqarit, kur ai vepron (bën zili)”.
Ziliqari vazhdimisht ka qëllim të keq, mendon keq dhe fjalët i ka të këqija. “Besimtari lakmon (të mirën e tjetrit), munafiku bën zili.” Zilia është pasojë e mosbesimit. Ziliqari shpreh moskënaqësi edhe me Kaderin (përcaktimin) e Zotit xh.sh. Se çdo e mirë që e ka besimtari tjetër është kader (caktim) i Zotit xh.sh., kurse ziliqari mendon si ta zhdukë ose ta përvetësojë atë të mirë, prandaj plotësisht është në kundërshtim me përcaktimin e Zotit xh.sh.
Zilia (smira) nuk kufizohet vetëm tek individët, ajo gjendet edhe te popujt ndaj popujve të tjerë. Çifutët ua kishin zili arabëve për Pejgamberin a.s. dhe për zbritjen e Kur'anit etj. Kështu sot, armiqtë na e kanë zili se jemi pjesëtarë të Islamit, se jemi popull tjetër (shqiptar), kemi atdhe me shumë begati, e këto janë dhunti të Allahut. Në Kur'an thuhet: “A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij? (En-Nisaë, 54)
“Ve la tedaberu ve la tebegadu - Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, as mos e urreni njëri- tjetrin.”
Domethënia e kësaj pjese të hadithit është që asnjëri të mos flasë pas shpine për tjetrin, as të mos e presë të largohet ndonjëri, pastaj të thotë për të fjalë që nuk i dëshiron ai. Kështu fjala: tedaberu do të thotë “Et-tekatiu vel-earadu” - “ndërprerje, kundërshtim” që vjen si pasojë e hidhërimit, e fjalosjes, për shkak të fjalëve që dëgjohen pas kontakteve të fundit me njëri-tjetrin.
Në jetën e përditshme është më se e domosdoshme ta kemi parasysh këtë hadith, pasi i bashkon zemrat, i largon veset dhe dukuritë negative.
Edhe: “tevel-la jevmel zehfi” - dezertimi është një nga shtatë mëkatet më të mëdha që i ka përmendur Pejgamberi s.a.v.s. në hadithin e tij, e që ky veprim ka të bëjë me kthimin e shpinës muslimanëve. Këto shtatë mëkate të mëdha janë: shirku, mosrespektimi i prindërve, mbytja e njeriut e ndaluar nga sheriati, përveç sipas ligjit, përvetësimi i pasurisë së jetimit, kamata, magjia, dezertimi (në momentin kur i del përballë armikut).(1)
Urrejtja - tebegadu është ndjenjë e fortë armiqësie. E kundërta e saj është dashuria, diçka që e do shpirti. Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar urrejtjen, sepse Allahu xh.sh. na ka bërë vëllezër. Cilësi e vëllazërimit (e harmonisë) është dashuria për njëri-tjetrin dhe jo urrejtja.
Urrejtja lind nga haramet që përdoren në atë shoqëri, si: bixhozi, kamata, alkooli, falli. Kjo thuhet edhe në Kuran, në ajetin me të cilin ndalohen alkooli dhe bixhozi. Ky ajet mbyllet me këto fjalë: ”Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush...” (El Maide, 91)
E kundërta e urrejtjes është dashuria, baza e imanit dhe e Xhennetit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhennet derisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të mos duheni, ...”(2)
“Ve kunu ibadall-llahi ihvanen - Bëhuni robër të Zotit, se do të jeni vëllezër.”
Nuk ka forcë më të madhe se vëllazërimi, bazë e të cilit është besimi.
Allahu xh.sh. thotë: “Vërtet besimtarët janë vëllezër”. (El Huxhurat,10)
Sipas këtij ajeti muslimanët janë një familje, përkundër asaj se janë popuj të ndryshëm, për nga gjuha, ngjyra, aca dhe prejardhja. Ajeti nuk thotë se njerëzit, fiset dhe kombet, janë vëllezër, por thekson se besimtarët janë vëllezër.
Besimi i bashkon njerëzit e racave, të ngjyrave, të kombeve e të gjuhëve të ndryshme në një forcë dhe unitet të madh, që quhet “Ummet”. Besimtarët duhet ta ndiejnë veten vëllezër dhe të mbështeten në kushtetutën e Allahut xh.sh., në të cilën thuhet: “Të gjithë kapuni për litarin e Allahut (Kur’anin) e mos u përçani”. (Ali Imran, 103)
Ne, si komb (shqiptar), kemi nevojë më së tepërmi të besojmë në një Zot xh.sh., pasi imani na mban të bashkuar, na jep detyra, përgjegjësi dhe na ndërgjegjëson për gjërat e kombit tonë. Imani besimtarët shqiptarë i konsideron si një trup. Pejgamberi a.s thotë: “Shembulli i besimtarëve për dashuri ndaj njëri-tjetrit, në mëshirë dhe në përjetime është sikur një trup, kur një gjymtyrë lëngon, me të lëngon i tërë trupi nga dhembja, tensioni e temperatura.”
- “El-muslimu ehul muslimi, la jedhlimuhu ve la jehdhuluhu - Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën mizori dhe nuk e lë të vetmuar.” Ata i ndihmojnë njëri-tjetrit në vështirësi, sëmundje, rast vdekjeje, varfëri, vuajtje etj.
- Fjala “El-Ehu” - “vëlla” në të gjitha hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. do të thotë vëllazërim në emër të Islamit dhe jo vëllazërim sipas emërtimeve të ndryshme të reja: p.sh. siç janë vëllazërimi për nga gjaku, atdheu, puna, sistemi politik etj. Të gjitha këto emërtime (kritere) janë të papranueshme për Islamin.
- Fjala: “Edh-dhulmu” - “mizori” do të thotë: “Të vësh diçka jo në vend të vet e që nuk i përket atij”, ose ka pakësim, a shtim, duke anuar nga koha dhe vendi i tij.
Sipas disa njerëzve të urtë, mizoria është tri llojesh:
1- Mizoria ndërmjet njeriut dhe Allahut xh.sh.. Më të mëdhatë janë: shirku (politeizmi), mosbesimi dhe dyfytyrësia (hipokrizia). Allahu xh.sh. thotë: “Me të vërtetë politeizmi është mizori e madhe. (Lukman, 13)
2 - Mizoria te njerëzit, për të cilën Allahu xh.sh. thotë: E ka rrugë për ndëshkim vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve mizori.” (Esh-Shura, 42)
3 - Mizoria ndërmjet njeriut dhe vetes së tij, për të cilën Allahu xh.sh. thotë: “E prej tyre ka që edhe vetvetes i bëjnë mizori. Gjithashtu thotë: “E kush e manipulon atë, ia ka bërë vetes një mizori. (El Bekare, 231)
Fjala e Muhammedit s.a.v.s.: “La jehdhuluhu - nuk e lë të vetmuar”, d.m.th. besimtari i ndihmon besimtarit dhe e përkrah atë kur ka nevojë për ndihmën dhe për përkrahjen e tij. Fjala: “havlan” d.m.th. kur shpreson se do të të ndihmojë, por nuk të ndihmon kur ke nevojë. Nuk është njerëzore ta lëmë njëri-tjetrin të vetmuar, se këtë e bën shejtani (djalli). Allahu xh.sh. thotë:
“Shejtani shpeshherë e lë njeriun të vetmuar. As ithtarët e vet djalli nuk i do, i lë pa ndihmë, prandaj ne, si besimtarë, nuk bën ta lëmë njëri-tjetrin në vuajtje e në vetmi sikur djalli, prandaj njerëzit këtë cilësi, në veçanti besimtarët, nuk duhet ta bëjnë të vetën.
- Fjala e tij: “ Ve la jahkiruhu —- Nuk e nënçmon atë”. “El-Ihtikaru” lidhet me nënçmimin, me të cilin ndokush përpiqet ta poshtërojë autoritetin e ndokujt dhe të përfitojë nga e drejta e tij, duke bërë presion të vazhdueshëm me sjellje arrogante ose me fyerje. Që nënçmimi i muslimanit është poshtërsi e madhe duket në vazhdimin e komentit të pjesës së hadithit bazë: “Nga e keqja (mëkati) që i mjafton njeriut, është nënçmimi i vëllait të tij musliman.”
Nënçmimi njeriun e bën mendjemadh, duke dashur ta ngrejë veten mbi të gjithë të tjerët, pra njeriun e zhyt në të këqija, dhe të mirat ia largon. Më e keqja e tij është se mbi të rëndon Hidhërimi i Allahut xh.sh.
- Pejgamberi s.a.v.s., në vazhdim, thotë: “Kul-lul-muslimi alel muslimi haramun demuhu ve maluhu ve irduhu - Çdo musliman i ka të ndaluara gjakun e muslimanit, pasurinë dhe nderine tij”.
Këtu Pejgamberi s.a.v.s. na ka tërhequr vërejtjen se kemi për detyrë ta ruajmë muslimanin, jetën, pasurinë dhe nderin e tij. Sa i përket ruajtjes së muslimanit, me gjithë këtë, ajo nuk kufizohet vetëm në këto gjëra që u përmendën në hadith, sepse është detyrim të ruhen të gjitha gjërat që i përkasin atij. Këtë më së miri e ilustron një rregull e përgjithshme e sheriatit: “Kul-lul-muslimi alel muslimi haramun — “Muslimani për muslimanin në tërësi është i ndaluar.”
- Pjesa e fundit të hadithit: “Me të vërtetë Allahu nuk e shikon trupin as fizionominë tuaj, por i shikon zemrat dhe veprat tuaja (Pejgamberi tha:) Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu duke vënë dorën në zemrën e tij.”
Pejgamberi s.a.v.s., në vazhdim të hadithit, nga Ummeti i tij kërkon të jetë largpamës, të gjykojë me mendje të shëndoshë, në gjykime për bazë t'i ketë veprat dhe jo fizionominë dhe formën e jashtme, ngase forma e jashtme dhe fizionomia të mashtrojnë. Shumë njerëz propagandojnë çështje me vlerë, por janë të pamoralshëm. Veshjen e kanë mahnitëse, por mendimet i kanë të çoroditura, nga jashtë janë të hijshëm, kurse brenda të shëmtuar. Trupin e mba- jnë të pastër, kurse zemrën e kanë përplot zili e padrejtësi.
Këtë që u tha më lart e vërteton edhe ky hadith: “Një njeri kaloi pranë Pejgamberit s.a.v.s., i pyeti dhe u tha shokëve: “Çka thoni për këtë njeri” Ata thanë: “E meriton, nëse kërkon për t'u martuar duhet të martohet, nëse ndërmjetëson pranohet ndërmjetësimi i tij, nëse flet duhet të dëgjohet. “Pastaj heshti. Ndërkohë kaloi një musliman i varfër. Ai tha: “Çka thoni tash për këtë (njeri)? Ata thanë: “Nëse kërkon të martohet, nuk e meriton martesën, nëse ndërmjetëson, nuk i pranohet ndërmjetësia, madje edhe nëse flet nuk duhet t'i dëgjohet fjala. Mandej Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Hadha hajrun min mil’il erdi mithle hadha”
- “Ky është më i mirë se gjithë njerëzit që gjenden në Tokë se sa ai (i pari).(3)
1) Sahihul Buhari -kitabul Hudud: 6351
2) “Sahihu Muslim”, v. f.180, nr.81.
3) “Sahihul Buhari”, v.16, f.34, nr.4701.
Prof. Ass. Dr. Musa Vila