Mirësjellja ndaj prindërve, portë e Xhenetit

“Prindërit janë një nga dyert më madhështore nga të cilat njeriu do të hyjë në Xhenet. Shfrytëzimi ose e humbja e mundësisë për të hyrë nga kjo derë varet nga vullneti yt.” (Muhamedi a.s.)

Bindja dhe dëgjueshmëria ndaj prindërve njihet si “Birrul Validejn”. Kuptimi i fjalës El-Birr është vërtetësi, bindje dhe përmirësim. E kundërta e saj është Akuk. Në ligjin islam, fjala El-Birr ka kuptime më të gjera dhe përfshin ndihmën ndaj prindërve, zbatimin e urdhrave hyjnore, respektimin dhe bindjen ndaj tyre, punën e vazhdueshme për t’i kënaqur, shërbimin ndaj tyre me përkushtim, trajtimin e tyre me butësi dhe largimin e ndonjë vështirësie që i shqetëson ata.(1)

Prindërit nën dritën e mësimeve kuranore dhe profetike

Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik, menjëherë pas urdhrit që ta adhurojmë vetëm Atë, na porositë me këshillë për respektim të prindërve. Ashtu siç na përmend në suren El-Bekare, kërkesën drejtuarpopujve të mëparshëm që të sillen mirë me prindërit: “(kujtoni) Kur ne e morëm zotimin e bijve të Israilit; mos adhuroni askënd tjetër, përveç Allahut, të silleni mirë ndaj prindërve...” (El-Bekare, 83), ngjashëm me urdhër të njëjtë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asnjë send dhe silluni mirë me prindërit...” (En-Nisa, 36) na drejtohet edhe neve. Është tejet mbresëlënëse që mirësjelljen ndaj prindërve e përmend bashkë me urdhrin “dhe mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij”, ngase përmes prindërve te fëmijët shfaqen atribute hyjnore si krijimi nga hiçi, dhuntia e faljes, mbrojtja, përdëllimi e dhembshuria.(2)
Në ajetin e sipërcituar, sjellja e mirë ndaj prindërve nënkupton bamirësinë, e cila duhet të tregohet me fjalë të ngrohta dhe të buta, me edukatë, me dhembshuri dhe me vepra të mira. Të gjitha këto arrihen duke zbatuar urdhrat dhe duke respektuar porositë e tyre, duke shpenzuar për t’i kënaqur ata dhe këdo që ka lidhje me ata. Nuk është rasti i vetëm i sures En-Nisa, ku Zoti pas urdhrit për adhurim të vetëm Një Zoti, jep mesazhin për sjellje të mirë ndaj prindërve. Ngjashëm me këtë, Zoti xh.sh., në suren El-Enam, ka thënë: “Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit...” (El-Enam, 151).
Mirësia ndaj prindërve nuk njeh kufi, e kjo do të thotë se çdo mirësi është e pranueshme. Madje për këtë, Allahu i Lartësuar sikur na tërheq vërejtjen që prindërve mos t’u thuhet as “uh”: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El-Isra, 23).
Allahu xh.sh. e lavdëroi një Pejgamber në Kuranin fisnik duke u nisur nga historia e raporteve të mira që kishte ai me prindërit: “Ai (Jahja), ishte njeri që i frikësohej Allahut, që sillej mirë me prindërit. Nuk ishte një kryengritës e tiran.” (Merjem, 14).
Ngjashëm me këtë, përmendet edhe Pejgamberi Isa a.s., i cili ishte shumë i bindur ndaj nënës së tij. Në Kuranin fisnik, Zoti xh.sh. ka thënë: “... dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Merjem, 32).
Lidhja ndërmjet fëmijëve dhe prindërve duhet të shihet si një mundësi dhe një mjet për ta fituar kënaqësinë e Allahut. Në këtë kontekst ka ardhur edhe shprehja e Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është te kënaqësia e prindërve. Edhe hidhërimi i Allahut është te i hidhërimi i prindërve.”(3)
Në të gjithë librat e hadithit gjejmë thënie të shumta pejgamberike të cilat flasin për raportet dhe mirë- sjelljen ndaj prindërve. Është më se i njohur tregimi i sahabiut, i cili kishte arritur në Medine që të takohej me të Dërguarin a.s.. Që në fillim, ai dëshironte që besimin e tij ta forconte edhe më tej duke i dhënë besën Pejgamberit a.s., e më pas, duke qenë një shpirt i entuziazmuar donte ta shijonte hixhretin me të Dërguarin a.s.. Pas vetes kishte lënë familjen që kishin nevojë për mbështetje, nënën dhe babanë me lot në sy, me zjarrmi në zemër e të mërzitur. Kur doli para Pejgamberit a.s., nuk mundi të mos e shpaloste qëllimin e vet: “O i Dërguari i Allahut! Erdha te ti për të bërë të pamundurën për fenë. E Pejgamberi a.s. i tha: “Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin, siç i bëre të qajnë!”(4)
Aq shumë u kishte kushtuar rëndësi prindërve Pejgamberi a.s., aq sa nuk kishte pranuar që të shkonte dikush në xhihad pa lejen e tyre.
Transmetohet nga Abdullah bin Amri të ketë thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dëshiroj të luftoj”. Pejgamberi a.s. i tha: “A i ke prindërit gjallë?” “Po” – u përgjigj ai. Pejgamberi a.s. i tha: “Bëje xhihadin tënd tek ata (duke iu shërbyer atyre).”(5)
Shoku i Pejgamberit a.s., Abdullah ibën Mesudi r.a., shquhej për kryerjen e veprave të mira. një herë ai e pyeti të Dërguarin e Allahun a.s., për veprën më të dashur tek Allahu. Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Namazi në kohën e tij.” Pastaj, Ibën Mesudi vazhdoi: “Pastaj cila është vepra më e dashur tek Allahu?” Pejgamberi a.s. i tha: “Të jesh i mirë, i bindur dhe i dëgjueshëm ndaj prindërve.”(6) Pejgamberi a.s. e radhiti bindjen dhe dëgjueshmërinë ndaj prindërve menjëherë pas namazit.
S’do mend se Kurani fisnik na porosit që të jemi të kujdesshëm dhe të respektueshëm ndaj prindërve, pa bërë dallimin ndërmjet tyre. Por Pejgamberi a.s., po i tregon Muavije ibën Hejdes r.a., se nëna është ajo që meriton më tepër respekt e shoqërim. Kjo ngase në shumicën e rasteve, toleranca, buzëqeshja e butësia i përshkruhen nënës. Ani pse në Kuran gjejmë edhe baballarë të cilët ushqyen dashuri e mall ndaj fëmijëve të vet, siç ishin Ibrahimi a.s. e Jakubi a.s..(7)
Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kush është më meritori prej njerëzve për shoqërimin tim?” Pejgamberi a.s. i tha: “Nëna jote.” “Pastaj kush?” “Nëna jote” – përsëri iu përgjigj i Dërguari. “Pastaj kush?” – pyeti prapë ai. “Nëna jote” – i tha përsëri Pejgamberi a.s.. “Pastaj kush?” – tha ai. “Babai yt” – i tha Pejgamberi a.s..(8)
Mirësia ndaj prindërve ishte bërë shkak edhe për shpëtim nga ngujimi i tre personave në shpellë. Na rrëfehet nga Pejgamberi a.s. t’u ketë treguar shokëve të vet rrëfimin për tre të rinjtë, se si mirësia ndaj prindërve arriti që ta bëjë copë shkëmbin që kishte zënë hyrjen e shpellës. “Tre veta ishin duke ecur kur nisi të bjerë shi dhe u strehuan në një shpellë malore. Por një shkëmb që u shkëput nga mali u rrokullis dhe zuri hyrjen e shpellës, duke i lënë brenda. Pas kësaj, njëri u tha të tjerëve: “A keni ndonjë punë që i keni bërë vetëm për ta fituar kënaqësinë e Allahut? T’i lutemi Allahut duke i kujtuar ato. Ndoshta i Madhi Zot në saje të atyre veprimeve na e hap shpellën.” Pas këtij propozimi, njëri prej shokëve filloi të përgjërohej: “O Zoti im! Unë kam pasur prindërit pleq dhe fëmijët e vegjël. I rritja duke ruajtur bagëtinë. Në mbrëmje, kur kthehesha nga kullotat, i milja kafshët dhe së pari u jepja prindërve të pinin qumësht. Një ditë vajta në një kullotë të largët dhe mbeta deri vonë atje. Kur erdha në shtëpi, pashë se nëna dhe babai kishin rënë të flinin. Si çdoherë, mola bagëtinë dhe me një enë me qumësht qëndrova pranë tyre. S’më bëhej t’i zgjoja. Nga ana tjetër s’e shihja me vend që t’u jepja qumështin së pari fëmijëve, të cilët para këmbëve të mia qanin nga uria. Prindërit flinin gjumë, kurse unë derisa u zbardh, gjithë natën, qëndrova pranë tyre. Zoti im! S’ka dyshim se Ti e di që këtë veprim e kam bërë vetëm për ta fituar kënaqësinë Tënde, ndaj të lutem hape derën e shpellës që të shohim pak dritë.” Dhe Zoti ua hapi një vrimë sa të shohin dritën. Pasi edhe i dyti tregoi mirësinë e vet të sinqertë, e çara e shpellës u zmadhua dhe drita kaploi shpellën. Dhe kur personi i tretë përfundoi tregimin për mirësinë e bërë, dera e shpellës u hap plotësisht.(9)

Rregulla të arta të mirësjelljes me prindërit

Respektimi dhe mirësjellja ndaj prindërve është detyrë dhe obligim i çdo besimtari, ndërkaq mosrespektimi i tyre është i ndaluar.
Mosrespektimi ndaj tyre lejohet vetëm në rastet kur ata kërkojnë t’i bëhet shok Allahut në adhurim, por edhe atëherë prej fëmijëve kërkohet sjellje e mirë dhe e butë: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë...” (Llukman, 15).
Ndaj tyre kërkohet që të sillemi mirë e me butësi, e t’i lëshojmë krahët e përuljes, ashtu siç na ka mësuar Allahu: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet.” (El-Ahkaf, 15).
Ata kanë nevojë për sjellje të mira të fëmijëve të tyre sidomos kur e arrijnë pleqërinë e kur dobësohen. Pejgamberi a.s. e ka mallkuar dhe e ka përbuzur atë personi tek i cili kalojnë pleqërinë njëri ose të dy prindërit e tij, e që nuk bëhen shkaktar ata për hyrjen e atij personi në Xhenet. “I përbuzur është, i përbuzur është, i përbuzur është ai që e arrin pleqërinë e njërit ose të dy prindërve të tij dhe (për shkak të moskujdesjes ndaj tyre) nuk hyn në Xhenet.”(10)
Respekti ndaj prindërve nuk ka të bëjë vetëm me prindërit besimtarë myslimanë, sepse mbi të gjitha ata dy janë prindër, që nga fëmijët meritojnë respekt dhe bamirësi. Dijetarët kanë thënë se nuk kushtëzohet që prindërit të jenë myslimanë për t’u respektuar.(11)
Për këtë, Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “Allahu nuk ju ndalon të shprehni mirësinë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre, të cilët nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë (suaj) dhe që nuk ju dëbojnë juve prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtit.” (El-Mumtehine, 8).
Besimtari mysliman është i kujdesshëm me sjellje ndaj prindërve të tij, nuk e ngre zërin mbi zërin e tyre, nuk i kundërshton me zë të lartë, “... mos u thuaj as “uh”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El-Isra, 23), nuk ecën para tyre, nuk hynë e as nuk del pa kërkuar lejen e tyre. Ai është modest para tyre dhe i lëshon krahët e përuljes në shenjë mëshire ndaj tyre.(12)
Në kapitullin e parë e përmendëm se besimtari mysliman duhet të kërkojë leje dhe miratim nga prindërit edhe kur kërkon që të shkojë në xhihad. Pejgamberi a.s. në disa raste i kishte kthyer personat me këshillën që të kujdeseshin për prindërit e tyre.
Ndër këshillat e arta të mirësjelljes me prindërit është edhe ajo se njeriu nuk duhet të tregohet koprrac me prindërit e tij. Pejgamberi a.s. i kishte thënë një njeriu: “Ti dhe pasuria jote jeni e prindit tënd.”(13)
Nuk lejohet sharja e tyre ose të bëhemi ne shkak për sharjen e tyre, ngase kjo llogaritet ndër gjynahet e mëdha dhe ndër gjërat më të shëmtuara. Kështu na ka mësuar Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: “Ndër gjynahet e mëdha është që njeriu t’i shajë prindërit e tij.” Një i pranishëm i tha: “Po a ndodh që njeriu t’i shajë prindërit e vet?” Pejgamberi a.s. i tha: “Po! Ky e shanë babanë e ndonjë njeriu, e ai e shanë babanë e tij, e shanë nënën e ndonjë njeriu, e ai e shanë nënën e tij.”(14)
Krahas sjelljes së mirë, respektit dhe dëgjueshmërisë së prindërve në të gjallë të tyre, obligimet dhe mirësjellja ndaj tyre nuk përfundojnë me vdekjen e tyre. Ndër rregullat e
mirësjelljes me prindërit e vdekur janë edhe lutja për ta. Besimtari mysliman duhet të lutet shumë pas vdekjes së tyre, madje-madje edhe më shumë se sa është lutur sa kanë qenë gjallë, ngase lutja për ta nënkupton shtimin e të mirave të tyre. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet përveç tri rasteve: sadakasë së përhershme (hajratit), nga dituria prej së cilës kanë dobi të tjerët ose nga fëmija i vyeshëm i cili lutet për prindërit.”(15)
Përveç lutjes, besimtari mysliman duhet të kërkojë falje (istigfar) për prindërit, ashtu siç na ka mësuar Allahu në Kuranin fisnik: “O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën kur do të jepet llogari.” (Ibrahim, 41).
Këto fjalë i kishte përmendur Pejgamberi Ibrahim a.s.. Pas vdekjes së prindërve, mbesin shumë njerëz me të cilët ne duhet t’i mbajmë lidhjet farefisnore. Ata janë xhaxhallarët, gratë e tyre, dajallarët, tezet, hallat, gjyshi, gjyshja, fëmijët e tyre etj., e për këta Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush dëshiron t’i mbajë lidhjet me prindin e tij në varr, le t’i mbajë lidhjet me vëllezërit e prindit të tij pas vdekjes së tij.”(16)
Përveç me familjarët, me të cilët kërkohet të mbahet e të vazhdohet lidhja, na besimtari mysliman kërkohet edhe respektimi i shokëve të prindërve. I biri i Omerit r.a. e kishte takuar një fshatar në rrugët e Medinës dhe e kishte përshëndetur, e kishte hipur në gomarin e tij, të cilin e kishte pasur me vete dhe ia kishte dhënë kapelën, të cilën e mbante në kokë për ta mbuluar kokën. IbënDinari ka thënë: “I thamë: “Të drejtoftë Allahu, a nuk e vërejte se ishte fshatar dhe se ata kënaqen me pak?!” I biri i Omerit tha: “Babai i këtij ka qenë shok i dashur (mik) i Omer ibën el-Hatabit. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., duke thënë: “Vërtet, bamirësi më e mirë është që njeriu t’i mbajë lidhjet me dashamirët e babait të vet pas vdekjes së tij.”(17)

Tregimi motivues i Uvejs el-Karnit

Bindja, dëgjueshmëria, sjellja e mirë dhe respektimi i prindërve ka bërë që në historinë islame, disa personave emri t’u njihet në qiej, duke qenë fare të panjohur në tokë. I tillë ishte edhe Uvejs el-Karni, për të cilin, njëherë i Dërguari i Allahut a.s. u tregoi shokëve të tij se në mesin e gjeneratës së dytë të myslimanëve ndodhej një person i quajtur Uvejs, i cili e trajtonte nënën e tij me mirësi dhe ishte i dëgjueshëm ndaj saj. Ai
tha: “Nëse ai do t’i lutej Allahut, Ai do t’i përgjigjej. Ai (Uvejsi) ka një shenjë të lebrës, (nëse keni rastin ta takoni),kërkoni të lutet për falje për ju.” Pasi Omer ibën Hatabi u bë kalif, ai shpesh i pyeste delegacionet e Jemenit: “A është Uvejs ibën Amiri në mesin tuaj?” Kur më në fund Omeri u takua me Uvejsin e pyeti nëse e kishte nënën gjallë. Ai i tha: “Po.” Pastaj Omeri tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., duke thënë: “Do të vij te ju një person i quajtur Uvejs ibën Amiri me një grup nga populli i Jemenit. Ai i takon fisit Karan, i cili është degë e Muradir. Ai ka pasur lebër nga e cila është shëruar përveç një pjese sa madhësia e dërhemit, e cila i ka mbetur. Ai është shumë i mirë dhe i dëgjueshëm ndaj nënës. Nëse do të betohej në emrin e Allahut, Ai xh.sh. do ta nderonte atë. Nëse është e mundur, kërkoni të lutet për falje për ju.”(18)
Pas transmetimit të këtij hadithi, Omer ibën Hatabi r.a., i kërkoi Uvejsit që të lutet për falje (nga Allahu) për të. Kështu Uvejsi u lut për falje për kalifin e myslimanëve.
Të ndalemi pak dhe të mendojmë statusin dhe superioritetin që kishte personi që ishte i dëgjueshëm dhe i respektueshëm ndaj nënës së tij. Kjo bëri që ai të përmendej nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ani pse nuk ishte sahabi, por i takonte gjeneratës së dytë të myslimanëve.
Në të vërtetë, ai gëzonte një privilegj të madh për trajtimin dhe shërbimin e mirë që kishte ndaj nënës së tij. Krejt në fund, gjithnjë duhet kujtuar lutjen kuranore, e cila duhet të jetë shoqëruesja jonë e përhershme: “Zoti ynë! Më fal mua, prindërit dhe besimtarët Ditën kur do të jepet llogaria!”



1. Abdul Malik Muxhahid, Dashuria ndaj prindërve, fq. 14, Prishtinë, 2005.
2. Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, “Islami nëpërmjet haditheve IV”, fq. 188.
3. Transmeton Tirmidhiu, 1899.
4. Suneni Ebu Davud III, Libri mbi xhihadin, nr. 2528.
5. Transmetojnë Buhariu, 3004 dhe Muslimi, 2549.
6. Transmeton Buhariu.
7. Saffat, 102; Jusuf, 94.
8. Transmetojnë Buhariu, 5971 dhe Muslimi, 2548.
9. Transmetojnë Buhariu, 2215 dhe Muslimi, 6949.
10. Transmeton Muslimi, 2551.
11. Muhamed Ratib Nabulsi, Respekti ndaj prindërve, fq. 16, Prishtinë, 2022
12. Abdul Aziz en-Neda, Enciklopedia e sjelljeve dhe rregullave islame, fq. 143, Shkup, 2010
13. Transmetojnë Ahmedi, 2/204, Ebu Davudi, 3530 dhe Ibën Maxhe, 2292.
14. Transmetojnë Buhariu, 5973 dhe Muslimi, 90.
15. Transmeton Muslimi, 1631.
16. Transmeton Ibën Hibani, 433.
17. Transmeton Ibën Hibani, 433, marrë prej librit “Enciklopedia e sjelljeve dhe rregullave islame”, Abdul Aziz en-Neda, fq. 148, Shkup, 2010.
18. Transmeton Muslimi.



Bajram Zeqiri