Filozofia e edukimit parashkollor

Njeriu si qenie njerëzore, nuk mund të jetojë i vetëm, ai mund ta vazhdojë jetesën vetëm brenda një grupi.

Studimet më të avancuara psikologjike e pedagogjike vërtetojnë se gjashtë vitet e para të jetës së fëmijës kanë ndikim të madh në formësimin e personalitetit të njeriut. Në synim që zhvillimi i fëmijës deri në gjashtë vjeç të jetë sa më i suksesshëm, njerëzit e profesionit e të shkencës bëjnë përpjekje ta ndërgjegjësojnë shoqërinë për edukimi cilësor të fëmijëve parashkollor. Mirëpo, shkencat e ndryshme që studiojnë zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve nuk ofrojnë një të vetmen përgjigje universale në pyetjen: “çfarë duhet të jetë edukimi parashkollor cilësor?”.
Me qëllim që filozofia e edukimit parashkollor në Kosovë të jetë në hap me të arriturat shkencore, praktikat e përparuara dhe konform rrethanave specifike dhe synimeve të vendit, duhet t`i ngërthejë në një sistem të integruar, në një anë, këto të arritura dhe, në anën tjetër, përvojat pozitive vendore e të vendeve më të përparuara. Taban i filozofisë së edukimit parashkollor është qëndrimi se edukimi është proces që nisë me jetën e fëmijës dhe vazhdon gjatë gjithë moshës parashkollore, duke vazhduar në periodat pasuese jetësore.
Edukimi i fëmijëve të grupmoshës deri në tri vjeç dhe i grupmoshës deri në gjashtë vjeç, konsiston në zhvillimin e aspektit shëndetësor e fizik, emocional-ndjenjorë, mendor e social të tij. Nga se aspektet e personalitetit fillojnë të zhvillohen që në fëmijëri të hershme e vazhdojnë të zhvillohen në periodat pasuese jetësore, mu për këtë nuk arsyetohet tendenca e anashkalimit të procesit edukativ në grupmoshën deri në tri vjeç dhe identifikimit të këtij procesi me kujdesin shëndetësor dhe mirërritjen e fëmijës. Kjo tendencë, nuk ka mbështetje shkencore andaj, si e dëmshme për fëmijën parashkollor, nuk bënë të jetësohet në praktikën edukative në Kosovë.
Një tjetër ide e filozofisë së edukimit parashkollor është respektimi i karakteristikave të përgjithshme të moshës së fëmijës parashkollor. Njëkohësisht afirmohet respektimi i dallimeve individuale midis fëmijëve me potencialin gjenetik të tyre, cilësinë dhe tempon e zhvillimit, specifikave në të nxënit, nivelit dhe cilësisë së paranjohurive, shkathtësive shprehive etj. Këto karakteristika janë fare individuale edhe nga arsyeja se i nxisin mikromjediset sociale të ndryshme në të cilat jeton dhe vepron fëmija, specifikat sociale dhe fizike në familje, ato në institucionet parashkollore shumë të ndryshme, mjedisi shoqërorë specifik i fëmijës, etj.
Filozofia e edukimit parashkollor afirmon idenë “Me fëmijën në qendër”, e cila bazohet në disa parime më themelore: Fëmijët përfitojnë njohuri, zotërojnë shkathtësi dhe shprehi të ndryshme, fitojnë përjetime nga ndërveprimet me botën që i rrethon; Të rriturit (prindërit, edukatorët dhe të tjerët) nxisin rritjen dhe zhvillimin e gjithmbarshëm dhe aktiv të fëmijëve, duke vënë në bazë të punës mundësitë, interesat, nevojat dhe aftësitë e fëmijëve. Filozofia “Me fëmijën në qendër” mundëson pra, krijimin e kushteve për zgjimin e mundësive dhe për zhvillimin e potencialeve individual të fëmijëve në mënyrë aktive dhe manifestimin kreativ e maksimal të tyre. Nga kjo rezulton se edukimi parashkollor duhet t`u mundësojë fëmijëve shprehjen dhe zhvillimin aktiv të nevojave, interesave njohëse dhe të tjera, botës emocionale, aftësive të tyre, shkathtësive të ndryshme dhe shprehive të shëndosha.
Loja aktive është veprimtaria më qenësore e fëmijëve të moshës parashkollore. Loja duhet t`u mundësojë fëmijëve t`i zhvillojnë aftësitë motorike e njohëse, pastaj duke bashkëvepruar me moshatarët, t`i kultivojnë shprehitë shoqërore dhe aftësitë sociale dhe, duke i zotëruar sfidat individuale e shoqërore, zhvillohen edhe në aspektin mendor, emocional dhe moral. Loja aktive dhe atraktive për fëmijën dhe grupin luan rol edhe në krijimin e atmosferës së përshtatshme për jetë të shëndoshë të fëmijëve parashkollorë, bashkëveprimin social.
Filozofia e edukimit parashkollor përshkohet me frymë demokratike dhe humane. Afirmon zhvillimin e lirë dhe emancipimin socio-kulturor të secilit fëmijë në çdo mjedis social në të cilin jeton fëmija. Kjo filozofi është e hapur për analizën, zgjedhjen dhe jetësimin e strategjive alternative të edukimit parashkollor dhe mundëson fleksibilitet të veprimeve edukative të të rriturve (prindërve, edukatorëve dhe të tjerëve).
Filozofia e edukimit parashkollor afirmon domosdoshmërinë e bashkëveprimit reciprok e të ngushtë të përbërësve brenda faktorëve edukativ (faktorëve brendapërbrenda familjes apo faktorëve brendapërbrenda institucionit parashkollor) dhe ndërmjet faktorëve të ndryshëm, por gjithnjë duke i respektuar specifikat e edukatës familjare.
Fëmija dhe të rriturit duhet të kuptojnë se të nxënit është proces shumë kahor, gjatë të cilit fëmijët mësojnë nga njëri-tjetri, mësojnë nga të rriturit, por edhe të rriturit mësojnë nga fëmijët. Ka, pra rrugë të ndryshme për t`u arritur një qëllim, dhe pikërisht për këtë duhet, jo të ju imponohen fëmijëve idetë apo zgjidhjet, por të inkurajohen të provojnë, të bëjnë diçka të re, dhe idetë e përvojën e tyre t`i këmbejnë me të tjerët.
Një segment i pashmangshëm i filozofisë së edukimit parashkollor është mbështetja, përforcimi pozitiv i fëmijës, që nënkupton të qendërzuarit në sjelljet e mira dhe tiparet pozitive të fëmijës, që si rrjedhojë ka dëshirën dhe angazhimin e fëmijës të bëhet i mirë.
Filozofia e edukimit parashkollor synon inkurajimin e zhvillimit tërësorë të personalitetit të fëmijës, të nevojshëm për fëmijën që të sfidohet dhe t`i sfidojë ndryshimet të cilat sot zhvillohen me shpejtësi.(1)
Qëllimet e edukimit parashkollor Zhvillimi tërësor i personalitetit të fëmijës, potencialit dhe shfaqjes maksimale të aftësive të tij.
- Zhvillimi dhe formësimi i individit të lirë, të përgjegjshëm, aktiv e ndërveprues.
- Zotërimi i aftësive dhe kompe tencave komunikuese, shprehëse, logjike dhe vepruese e ndërvepruese.
- Zhvillimi dhe përvetësimi i aftësive njohëse, afektive – emocionale, shoqërore, morale dhe psikomotore.
- Respektimi i barazisë së shanseve edukative për të gjithë fëmijë.
- Fëmija i lumtur, i aftë për t`u përballur me sfidat e jetës.
Njeriu si qenie njerëzore, nuk mund të jetojë i vetëm, ai mund ta vazhdojë jetesën vetëm brenda një grupi. Me bashkimin e njerëzve formohen grupe, ndërsa me bashkimin e grupeve formohen shoqëritë. Në një situatë të tillë, shoqëria, për të përballuar nevojat e saj, bashkohet duke ndarë mes vetes një kulturë të përbashkët. Në rastet kur shumë njerëz bashkohen në një grupim marrëdhënia e tyre formon një rrjet. (Hunt, 1972: 20).
Në një kohë kur shkenca dhe teknologjia botërore përparojnë me shpejtësi, edhe shoqëria njerëzore po përjeton ndryshime të mëdha. Bashkë më një ndryshim të tillë, kombet e ndryshëm duhet t’u bëjnë ballë dhe zgjidhin probleme të shumta politike dhe morale. Nga këto probleme mund të përmendim: luftërat, urinë, armët kimike, shkeljet e të drejtave të njeriut, terrorizmin ndërkombëtar, gjenocidin, racizmin ekstrem, si dhe problemin gjithnjë në rritje të korrupsionit. (Sandin, 1992: 1).
Çdo fëmijë, sikurse fara, kur t’i vijë koha, do të çelë profilin e vetes në shërbim të familjes dhe shoqërisë. Për formimin e personalitetit dhe individualitetit të fëmijëve, roli dhe rëndësia e prindërve është e madhe. Edukimi i fëmijës nga prindërit është përgjegjësi e dorës së parë. Sipas ?engün, struktura e parë e mbrojtjes dhe kujdesjes për fëmijët, është familja. Ajo nuk është vetëm vendi i lindjes së tij, por edhe i rritjes, formimit dhe pjekurisë.
Familja është institucioni themelor i përgatitjes së fëmijëve, i transmetimit të vlerave kulturore e morale, i traditave dhe zakoneve familjare, shoqërore dhe kombëtare. (?engün, 2003: 217).
Sipas Kaya, familja është autoriteti i parë dhe i vetëm në procesin e zhvillimit të mirë të fëmijëve, sidomos gjatë viteve të para të fëmijërisë, ku atij i transmetohen vlera morale. Fëmijës duhet t’i jepet shembulli model, me anë të cilit të dallojë sjelljen e kulturuar e të saktë. Babai duke u bërë disiplinori e vendimmarrësi, ndërsa nëna individi që luan rolin pajtues e përfshirës në marrëdhëniet midis individëve. Kështu që fëmija me anë të shembullit prindëror miraton dhe përvetëson vlerat e shëndosha morale që i përkasin familjes së tij e i demonstron ato në shoqëri. (Kaya, 1993: 24).
Sipas Gündüz, fëmija shpërfaq në mënyrë të plotë ndikimin e familjes së tij në të gjitha rolet e saj, përgjatë zhvillimit të personalitetit në shkollë, sidomos në vitet e para të edukimit, për shkak të formimit të individualitetit dhe personalitetit, brezat e kësaj periudhe janë shumë delikatë. Prandaj duhet kujdes, durim dhe përkushtim, me qëllim plotësimin e vlerave të larta morale familjare, shoqërore dhe kombëtare. (Gündüz, 2003: 195).
Sipas Kaya, edukimi formal që jepet nëpër shkolla, për përgatitjen e individit për shoqërinë, vepron në përputhje me objektivat e caktuar. Njerëzit, thekson ai, duhen rritur me vlerat kombëtare, morale, njerëzore dhe kulturore. Qëllimi është të mirërriten si njerëz të ekuilibruar nga ana emocionale, morale, mendore dhe trupore. Kështu që roli i edukimit në shkollë dhe qëllimi i përgjithshëm i edukimit moral zë një vend të rëndësishëm. (Kaya, 1993: 24).
Ndërkohë që sipas Güngör, ndër qëllimet e përgjithshme të edukimit moral është arritja e pjekurisë morale e individit. Qëllimi i edukimit moral në shkolla është të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë për shekullin e zhvillimit, duke u fshirë atyre të gjitha ndikimet negative jashtë shkolle, t’i përgatitë ata të bëhen anëtarë të mirë dhe të denjë të shoqërisë. (Güngör, 1998: 46).
Sipas Aydin, morali nuk duhet të mbetet vetëm teorik, praktika e tij është e rëndësishme për jetën, ajo mund të përforcohet me aktivitete humane. Ashtu si njeriu, nëse nuk ndjek një vizatim sipas ngjyrave që beson, edhe morali mbetet thjesht një sistem e jo bindje. Në këtë situatë, kur morali individual, shoqëria dhe familja nuk ndikon, roli i një moralizuesi teorik gjithashtu nuk kryen punë. Edukimi moral është procesi i rritjes së individit gjatë të cilit nuk duhet të hiqet kurrsesi dorë nga sjelljet e drejta pasi i përfiton ato. Një komb që dëshiron të garantojë gjeneratën e ardhshme, duhet të luftojë të rrisë një brez të respektueshëm ndaj vlerave morale. Edukimi moral i brezit të ri duhet të jetë një nga qëllimet më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. (Ayd?n, 2003: 50).

Bashkëjetesa e nënës dhe babait (familja e shëndoshë)

Çdo fëmijë vjen në këtë botë i pajisur me aftësi të caktuara dhe familja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij. Koha më e mirë për të edukuar fëmijën janë vitet e fëmijërisë, kur formohet pjesa më e madhe e karakterit. Vendi më i mirë është familja dhe edukuesit më të mirë janë nëna dhe babai. Familja është vendi ku fillon komunikimi dhe zhvillimi social. Bashkë me zhvillimin social mësohet gjuha dhe transmetimi te brezi tjetër i rregullave morale dhe vlerave tradicionale. Këto realizohen vetëm në një familje të shëndoshë. Fëmijët e rritur e të edukuar në një ambient ku prindërit jetojnë së bashku dhe i përshtaten njëritjetrit zënë vend në shoqëri si individë të pavarur. Në një studim të realizuar mbi të rinj të burgosur është vënë re se 70% prej tyre vijnë nga familje të ndara, të cilët janë rritur të ndarë për arsye të ndryshme. Bazuar në këtë përfundim mund të themi, se bashkëjetesa harmonike e prindërve dhe mbështetja e familjes në themele të shëndosha, mundëson rritjen e fëmijës në mënyrën më ideale dhe fitimin e sjelljeve të dëshiruara. (Menderes, 2005: 135).

Niveli arsimor i nënës dhe i babait

Sigurisht që edhe ambienti përreth luan një rol shumë të rëndësishëm në pasqyrimin e vlerave morale të fëmijës. Fëmija ka nevojë për një model të një nëne dhe babai të arsimuar dhe të informuar për të realizuar një zhvillim sa më të shëndetshëm. Para se fëmija të arrijë periudhën e përcaktimit të vlerave në mënyrë të vetëdijshme, pranon sjelljet dhe shpjegimet e prindërve. Këtu duhet të nënvizojmë rëndësinë e nivelit arsimor të prindërve në zhvillimin e paragjykimeve morale të fëmijës dhe në shndërrimin e tyre në gjykim. Niveli arsimor i prindërve është i rëndësishëm në përcaktimin e vlerave morale të fëmijës që do të zhvillojë më pas. Prandaj niveli i tyre arsimor duhet të jetë i mjaftueshëm për ta realizuar këtë. (Acuner, 2004: 110).
Vendi ku jeton dhe qyteti nga vjen - Veçoritë shoqërore, ekonomike, kulturore të familjes janë faktorë shumë të rëndësishëm të cilët ndikojnë në zhvillimin fizik dhe social të fëmijës. Faktorë si feja e nënës dhe babait, mosha, zgjuarsia, të ardhurat, vendi ku jeton, qëndrimi i familjes dhe pritshmëritë, veçoritë e shtëpisë ku jeton, largësia e shtëpisë nga shkolla, librat në shtëpi etj., pra, secili prej tyre janë faktorë efektivë në suksesin dhe edukimin e fëmijës. Veçoritë etnike të vendit ku jeton fëmija, veçoritë shoqërore e ekonomike të ambientit, përjashtimi shoqëror i lagjes ku jeton, ndikojnë në vlerat morale dhe qëndrimet e fëmijës. (Richards, 1986: 128).

Qëndrimi i prindërve ndaj fëmijës

Qëndrimi i nënës dhe babait ndaj fëmijës ndikon në formimin e personalitetit të fëmijës duke krijuar efekte pozitive ose negative në mësimin e ndjenjave dhe sjelljeve. Në të njëjtën kohë qëndrimet e nënës dhe babait ndikojnë edhe te suksesi akademik i fëmijës. Studimet e realizuara flasin për lidhjen e fortë mes qëndrimit të prindërve dhe përshtatshmërisë sociale dhe individuale të fëmijës. Ndërkohë që marrëdhënia e krijuar me prindërit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës, për fat të keq prindërit nuk kanë një politikë të matur dhe të shëndetshme në sjelljen ndaj fëmijës. Nëse prindërit njohin cilësitë e sjelljes dhe informohen rreth tyre mund të luajnë një rol më efektiv në fitimin e vlerave pozitive nga ana e fëmijës. Megjithëse klasifikimi i këtyre qëndrimeve mund të pasqyrojë qëndrimet kryesore, të cilët janë: qëndrimi autoritar, qëndrimi i pavendosur, qëndrimi demokratik, qëndrimi mbrojtës, qëndrimi i pa interesuar dhe qëndrimi indiferent. (Ersanl?, 1986: 57).
Gjendja ekonomike e familjes - Profesioni i nënës dhe babait, të ardhurat dhe niveli ekonomik janë faktorë që përcaktojnë nivelin socio-ekonomik. Veçanërisht gjendja social-ekonomike brenda të cilit gjendet individi ndikon në zhvillimin dhe sjelljet e fëmijës. Niveli i lartë ekonomik i familjes ndikon në ndryshimin e formës së shikimit të ngjarjeve dhe te disa familje sjell lehtësira dhe efekte pozitive në edukimin e fëmijës duke krijuar një atmosferë më pozitive. Fëmijët të cilët janë pjesë e familjeve me një nivel të lartë ekonomik zotërojnë më shumë mundësi dhe si rrjedhojë mund të ngrihen më lart në edukimin dhe zhvillimin moral. Fëmijët e familjeve të tilla nuk arrijnë të shpalosin aftësitë e tyre për shkak të mungesës së kushteve. (Tural, 2002: 35).



1. kurrikula-e-edukimit-parashkollor-ne-kosove-3-6-vjec_1.pdf; f. 6.



PhD (C) Melihate Zeqiri
Dituris Islame 379-380


Artikulli i kaluar
Rëndësia e diturisë
Artikulli radhës
Besimi dhe veprimi