‘Gjëja e parë që duhet ta synojë mësuesi dhe lexuesi i Kur’anit është kënaqësia e Allahut.’
Fudajl Ibn Ijjadi ka thënë: ‘Braktisja e një pune për shkak të njerëzve është dyfaqësi, puna për hir të njerëzve është shirk, kurse sinqeritet është që Allahu të të shpëtojë prej këtyre dy gjendjeve (të para).’
Ndërsa Pejgamberi [alejhi’s selam] ka thënë:
Kush e mëson një shkencë me të cilën (do të duhej të) kërkohet kënaqësia e Allahut, ndërsa ai e mëson për ndonjë interes material të kësaj bote, ai nuk do ta ndiejë erën e xhenetit në Ditën e Kiametit…”[Transmeton Ebu Davudi, ndërsa Albani e cilëson autentik (shën. i përkth.)]
Më pas Imam Neveviu flet për sinqeritetin e mësuesit në raport me studentin, duke nënvizuar disa gabime në të cilat bien shumë mësues, profesorë dhe hoxhallarë (shujuh). Ne do të shkëpusim disa fragmente nga fjalët e tij:
Sinqeriteti i mësuesit ndaj studentit: Mësuesi duhet të ketë kujdes që qëllimi i tij të mos jetë grumbullimi i një numri sa më të madh studentësh afër vetes, sikurse që duhet të jetë i kujdesshëm që të mos ketë zili nëse ata që mësojnë tek ai frekuentojnë edhe dijetarë të tjerë prej të cilëve ata përfitojnë. Fatkeqësisht, disa mësues injorantë sprovohen me këtë gjë, gjë që dëshmon për qëllimin e keq të tyre, apo më drejt, kjo është dëshmi se ata nuk kanë synuar kënaqësinë e Allahut me punën e tyre, përndryshe ata nuk do ta ndienin këtë urrejtje.
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
“O bartës të Kur’anit (ose ka thënë: o bartës të diturisë), punoni sipas dijes suaj, ngase dituri është veprimi sipas saj dhe përputhja e veprës me dituri. (Në të ardhmen) Do të ketë njerëz dituria e të cilëve nuk do ta tejkalojë fytin e tyre; dituria e tyre do të nuk përputhet me veprat e tyre, fshehtësitë e tyre do të jenë në shpërputhje me veprat e tyre publike. Ata do të qëndrojnë në grupe dhe do t’i i mburren njëri-tjetrit, saqë ndonjërit prej tyre nuk do t’i pëlqejë që shoku i tij të ulet tek tjetri… ata janë njerëz veprat e të cilëve nuk ngrihen nga ato mexhlise deri tek Allahu…”
Preferohet që mësuesi t’i favorizojë nxënësit dhe mësimin e tyre ndaj interesave të tij, të cilat nuk i ka të domosdoshme. Në kohën kur i mëson ata, duhet të jetë i distancuar nga çdo gjë që ia zhvendos vëmendjen nga mësimi. Ai duhet t’ua ofrojë njohuritë nxënësve në përputhje me kapacitetin e tyre; ata që nuk kuptojnë shumë, nuk duhet t’i ngarkojë shumë dhe, anasjelltas, ata që kanë kapacitete të mëdha për të mësuar nuk bën t’i lërë me pak. Kohë pas kohe, ai duhet të bëjë përsëritje nëse nxënësit i mbajnë mend apo jo ato që i kanë mësuar më herët.
Ai mund të bëjë përjashtime, nëse ia merr mendja për ndonjërin se nuk ka nevojë. Ndërsa ata që nuk tregohen shumë të suksesshëm duhet t’i qortojë, por jo ashpër ngase kjo mund të shkaktojë largimin dhe neveritjen e tyre nga mësimi. Mësuesi nuk duhet t’i xhelozojë nxënësit nëse ndonjëri shfaq zgjuarsi, ngase nëse një gjë e tillë ndalohet në raport me të huajt atëherë si mund të mos ndalohet në raport me mësuesin dhe nxënësin e tij, për të cilin në fakt ai është si prind i dytë?! Pastaj, ai nuk do të privohet nga shpërblimi i tij në ahiret, për shkak se ky ka qenë shkaktar i mësimit dhe edukimit të tij.
Mësuesi duhet të dalë para tyre i buzëqeshur, të interesohet për ta dhe të pyesë kur ata mungojnë.



Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
EDUKATA E MËSUESIT DHE STUDIUESIT TË KUR’ANIT – Vështrim edukativo-islam mbi librin e Imam Neveviut “Et-Tibjan fi Adabi Hamleti’l Kur’an”


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi