Si të sillesh me të tjerët, ashtu do sillen me ty!

Nga libri “50 fanarë për të ndriçuar rrugën tuaj” të autorit Abdulkerim Bekkar, kisha mbajtur një shënim të një proverbe, në të cilën thuhej: “Në ballin e secilit shkruan: më dhuro interesimin tënd dhe mos kalo pranë meje pa më kushtuar vëmendje!”

Kjo proverbë më kujtoi edhe ‘rregullën e artë’ lidhur me këtë, që thotë: “Siç sillesh me të tjerët, ashtu do sillen me ty, atë që jep, atë edhe do ta marrësh.” Ngase, është thënë se moralet janë si puna e tregut, po pagove shtrenjtë, edhe ke për të marrë mall të shtrenjtë, po pagove lirë, ke për të marrë mall të lirë.
Në botën e sotme mosmirënjohëse, pa dyshim se të gjithë kemi nevojë të ndiejmë se na vlerësojnë e na duan. Disi, një ndjesi e tillë të bëhet forcë e motiv për të vazhduar rrugëtimin tënd jetësor përplot sfida dhe për të bërë më të mirën nga ajo që bën. Por, ndodh shpesh të takojmë njerëz që ndihen sikur askush nuk i vëren për të bëmat e përpjekjet e tyre. Dhe, si rezultat i kësaj, vihen në pikëpyetje marrëdhëniet mes njerëzve! Kështu që, për t’i lehtësuar këto ndjenja, pa dyshim se të gjithë ne duhet të jemi të gatshëm që t’i japim kujdesin, vëmendjen e meritën e duhur tjetrit. T’ua bëjmë me dije të tjerëve që i çmojmë për atë që bëjnë për ne, e jo t’i marrim si të mirëqenë ata. T’i bësh njerëzit të ndihen të rëndësishëm e të vlerësuar dhe të tregosh interesim për ta, ka qenë një nga karakterisitikat e një lidershipi të suksesshëm (e lexuar në një studim). Andaj, të qenët një lider i suksesshëm, pavarësisht se çfarë udhëheq, do të thotë të jesh pishtar ndriçues në rrugëtimin e tjetrit.
Pa dyshim se për gjithë këtë, një trajtim nga këndvështrimi fetar dhe rreth shëmbëlltyrës së umetit tonë, Pejgamberit a.s., është i pashmangshëm, ngase si i tillë, do të ishte i paplotësuar.
Feja Islame është fe e besimit, është fe e moralit. Nuk është vetëm fe e rregullave ashtu siç pretendohet nga disa. Si dy segmente që shkojnë paralel njëri me tjetrin, e jo njëri pranë tjetrit, edhe morali, edhe parimet themelore të kësaj feje, kanë lidhje të ngushtë mes vete. Këtë më së miri e vë në pah, burimi hyjnor, Kurani. Në Kuran, Allahu xh.sh. njoftoi për parimet themelore, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë lumturinë e njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër-ahiret. Për t’ua kumtuar njerëzimit këtë mesazh hyjnor, Allahu xh.sh. ka zgjedhur njerëz, të cilët i ka veçuar me profetësi dhe shpallje, që t’ia mësojë njeriut rrugën drejt Krijuesit, t’ia mësojë të mirën dhe atë që është e dobishme për të, dhe ta largojë atë nga ajo që është e dëmshme për të. Për atë, Allahu xh.sh. i ka zgjedhur të dërguarit e Tij nga njerëzit me moralet më të larta, nga familjet më të pastra, ashtu që ata të jenë shembull për mbarë njerëzimin. I tillë ishte vula e profetëve, Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s. Ai ishte shembulli më i bukur për njerëzimin, ashtu si në çdo fushë të jetës, edhe në jetën sociale, në marrëdhëniet me njerëzit. Andaj, sot, në kohën që po e jetojmë, modeli edukues për të cilin kemi nevojë më së shumti në formimin e vetvetes dhe të gjeneratave në vazhdim, është modeli edukues i Pejgamberit a.s. dhe sistemi i tij moral. Nga ky model kishin marrë shembull e frymëzim drejt së mirës: fëmija, i riu, i rrituri, i moshuari, i pasuri, i varfëri, jetimi e familjari, saqë secilin po ta pyesje për dertin e tij, të varfërin kush e ushqente, jetimin kush e kujtonte, të pikëlluarin kush e lumturonte, të vejën kush e ngushëllonte, të gjithë do të përgjigjeshin: Pejgamberi a.s. tregonte interes për secilën shtresë të shoqërisë, secili ndihej i vlerësuar nga ana e tij. Kushdo që ka biseduar me të, kushdo që e ka takuar, ka dëshmuar për madhështinë e tij, pavarësisht nëse është pajtuar me të apo jo. E për gjithë këto norma të përsosura etike, dëshmon ndikimi i tij në zemrën e çdonjërit. Shembulli i tij u përmend në Kuranin famëlartë, ku Allahu xh.sh. thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut...” (El Ahzab, 21). Ndërsa bashkëshortja e tij, Aisheja r.a. e cilësoi si Kuran të gjallë që ecte mbi tokë.
Andaj neve na mbetet t’i mishërojmë këto virtytet profetike dhe t’i vëmë në praktikë përgjatë jetës sonë. Si pasues të tillë, do të jemi model në çdo situatë, kudo dhe me këdo që jemi. Mbi të gjitha, me sjelljen tonë të bukur, do ta fitojmë dashurinë e Allahut xh.sh., dashurinë e Pejgamberit a.s. dhe shtëpinë në shkallët më të larta të xhenetit, ashtu siç na është premtuar nga hadithet profetike.



Xheneta Sahiti
Dituria Islame 349