Duke tentuar ta imitojmë, harruam ta pasojmë atë

Roli dhe pozita që duhet të ketë i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. në jetën e besimtarit ishte dhe mbetet ende thelbi i shumë shkrimeve e hulumtimeve të fushave të ndryshme që u ofruan nga eruditët e Islamit. Ata, gjithnjë bënë përpjekje që figura e të Dërguarit a.s. të ndriçohet deri në detaje, në mënyrë që të mundësohet marrja e tij si shëmbëlltyrë tejkohore nga të gjithë ata që e duan pasimin dhe ndjekjen e hapave të tij. Niseshin nga parimi i kthjellët në të cilin thërrasin citatet kuranore, të tilla sikur ky: “Ju e kishit shëmbëlltyrën ideale në të Dërguarin e Allahut, (kuptohet) ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El Ahzab, 21). “Shëmbëlltyrë ideale” është cilësimi hyjnor i Zotit për të, dhe ajo mbetet shprehja apo “nofka” më e bukur e kuptimplotë që përshkruan rolin e tij në jetën e secilit besimtar, pavarësisht se a ka jetuar ai me të, apo i ka besuar atij pa e parë.
Porse, të gjendur në një situatë magjepsjeje pranë madhështisë së personalitetit të tij, dhe të joshur nga aspirata e frymëzimit nga modeli i jetesës së tij, jo rrallëherë ne u rrekëm pas imitimit të tij edhe në veprimet që ai i bënte thjesht si qenie njerëzore, i zhveshur nga cilësia e tij prej një Pejgamberi të Zotit.
Zoti i Madhërishëm nga ne kërkoi ndjekjen e shëmbëlltyrës së tij, mësimeve, këshillave e predikimeve që Pejgamberi i bënte në emër të Tij. Por, ai nuk na ngarkoi që ta imitojmë atë në stilin e veshjes së të Dërguarit a.s., e as në llojet e petkave që ai i përdorte, megjithëse vendosi kritere juridike për to. Nuk na sugjeroi llojet e ushqimeve që ai pëlqente, por porositi për një etikë gjatë ngrënies, sigurisht, që të fillojmë me emrin e Allahut e të përfundojmë me falënderim ndaj Tij. Ne nuk u ngarkuam që të mbështetemi gjatë ecjes në ndonjë shkop (nëse nuk kemi nevojë për të), me pretendimin se edhe ai mbështetej në të. Ai, nuk na porositi që të udhëtojmë me deve, e as me gomar, meqë ato qenë mjetet e udhëtimit me të cilat ai rëndom udhëtoi. As nuk na tha që të jetojmë në shtëpi prej balte e të pa gëlqerosur, apo të shtrihemi e të flemë në dyshek të mbushur me gjethe hurmash, ani pse këto ishin ambientet dhe pjesët e përditshmërisë së tij.
Këto e shumë veprime të tjera të ngjashme, metodologët e jurisprudencës islame i kanë nxjerrë nga kornizat e synetit profetik, andaj pët to, ne nuk ngarkohemi me ndjekjen e tij.
Ta pasosh të Dërguarin e Zotit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!), në porositë e tij, e ta marrësh shëmbëlltyrë në virtytet e larta morale dhe vlerat njerëzore që ai i sublimoi me anë të mesazheve të tij, është kërkesë hyjnore e Allahut. Ndërsa imitimi i tij në shprehitë, zakonet, shijet e preferencat personale të tij, është stërngarkesë për njerëzit, andaj edhe llogaritet si ndjekje e tij në ato veprime që s’kanë të bëjnë me misionin e tij.
Edhe më anakronike se kjo, është bindja se çdo gjë që kanë qenë prezente e traditë në kohën e tij, është synet që duhet ngjallur dhe traditë islame që duhet rikthyer.
Imam Shatibiu, njëri ndër kolosët e Islamit thoshte: “T’ua imponosh gjithë njerëzimit zakonet e një populli të caktuar është në kundërshtim me parimet universale të Islamit, sepse Islami i ka pranuar natyrat e ndryshme të njerëzve dhe zakonet e traditat e rajoneve të ndryshme. Kjo do të ishte ngushtim i dispozitave të Kuranit.” (El I’tisam)
Universaliteti i mesazhit të Islamit, kërkon nga ne, sot më shumë se kurrë, që të kursejmë shoqërinë njerëzore nga konfuzioni e shpërqendrimi prej thelbit të misionit profetik të të Dërguarit të Allahut a.s..
Duke e pasuar e ndjekur shëmbëlltyrën e virtytet e tij, e jo duke imituar shprehitë e zhveshura njerëzore të tij, ne kryejmë amanetin e kumtimit besnik dhe atë të ruajtjes së misionit të shenjtë të tij.



Editorial
Dituria Islame 383


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi