(shuabu’l iman)
Në hadithin të cilin e transmetojnë imam Buhariu, Muslimi dhe të tjerët, me transmetim nga Ebu Hurejre r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: “Imani është shtatëdhjetë apo gjashtëdhjetë e sa degë, më e larta e tyre është fjala la ilahe ilall-llah, kurse më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është një nga degët e imanit.” (Muttefikun alejhi)(1)
Shpjegimi i hadithit
Pejgamberi a.s. nuk ka thënë asgjë e që ajo mos të jetë e dobishme për myslimanët, e natyrisht se i tillë është edhe ky hadith.
Nuk është qëllimi ynë që t’i bëjmë analizë teknike hadithit, ngaqë të tjerët i kanë thënë para nesh ato që duhej thënë, por ne do ta analizojmë nga aspekti i akaidologjisë, edhe për faktin e thjeshtë se përmbajtja e tij aderon në këtë fushë.
Në lidhje me këtë hadith, dijetarët kanë ngritur së paku tri çështje për diskutim.
E para, ka të bëjë me përcaktimin e numrit të degëve të imanit, ‘gjashtëdhjetë’ apo ‘shtatëdhjetë’, pasi që hadithi i ka përmendur të dy opsionet. Duhet theksuar se që të dy opsionet kanë gjetur përkrahje edhe në hadithe të tjera, ashtu që diskutimet janë reduktuar te prioriteti në mes tyre.
Sipas mendimit të shumicës dërrmuese, versioni ‘shtatëdhjetë’ degë është bërë fakt përfundimtar në këtë çështje dhe studiuesit e kanë ndjekur këtë praktikë.(2)
Të këtij mendimi janë Ebu Abdullah el Halimij dhe Ebu Beker el Bejhekij, që kanë shkruar vepra voluminoze për këtë hadith, siç do të flasim më poshtë, andaj edhe ne do t’i përmbahemi këtij versioni gjatë parashtrimit të degëve të imanit.
E dyta, ka të bëjë me numrin e saktë të degëve të imanit, meqë fjala ‘bid'un’, e cituar në hadith është numër i papërcaktuar dhe lë opsion të hapur numëror. Ka të atillë që thonë se kjo fjalë nënkupton numrat prej 1-9, ka që thonë prej 1-10, ka që thonë prej 4-9, e kjo do të thotë se ato mund të jenë prej 73 degë deri në 79 degë.
Sipas prirjes së përgjithshme, fjala ‘bid'un’ konsiston numrin 7, ashtu që degët e imanit janë 77 sosh, dhe kjo është pranuar si e mirëqenë nga të gjithë.
Dhe e treta, ka të bëjë me identifikimin tematik të degëve të imanit, ngaqë ato nuk kanë ardhur si tërësi në Kuran e as në hadith.(3)
Krahasimi i imanit me trungun e pemës
Ky hadith e krahason imanin apo më mirë të themi e portretizon imanin e njeriut me imazhin e pemës, e cila ka gjallëri, trung, degë, bukuri dhe fruta.
Ashtu si pema që është e gjallë, edhe imani është ekzistencë e gjallë, aktiv dhe dinamik, që e motivon njeriun për punë të mira.
Ashtu si pema që e ka trungun e plotë e me rrënjë të fuqishme në tokë, ashtu edhe imani i ka rrënjët e thella në zemrën e njeriut.
Njësoj si pema që bëhet e dukshme mbi tokë me degët e saja, ashtu edhe imani bëhet i dukshëm te njeriu me veprat e tij.
Ashtu si pema që është e bukur me kurorën e degëve të saj, njësoj edhe imani është i bukur me tërësinë e veprave. Dhe e kundërta, trungu pa degët është tepër i shëmtuar, njësoj si imani pa veprat që është i pakuptim.
Këtë krahasim të bërë nga Pejgamberi a.s., natyrisht aspak të rastësishëm, mund ta zgjerojmë edhe më tej, sidomos për nga aspekti i rolit të trungut në efektshmërinë e degëve. Trungu i shëndoshë prodhon efekte pozitive në degët e pemës, njësoj si imani i shëndoshë që prodhon efekte motivuese për vepra të mira.
Në qoftë se degët e një peme vyshken, kjo tregon se trungu i saj është kapluar nga ndonjë sëmundje apo është tharë nga mungesa e ujit. Të njëjtën gjë e kemi te imani, veprat e këqija të njeriut përfshirë largimin e tij nga ibadetet, tregojnë për gafletin e zemrës dhe mungesën e efektit të imanit.
Dhe fare në fund, krahasimin mund ta bëjmë edhe nga aspekti i frutave. Pema e shëndoshë jep fruta të shëndoshë, ashtu sikurse imani i shëndoshë që jep vepra produktive.
Sakaq, Pejgamberi a.s. në këtë hadith ka konfirmuar se imani i përplotësuar përmban disa veti. Ai karakterizohet me shumë akte e vepra, prej tyre:
- Aktet e zemrës, siç janë njëshmëria e Krijuesit (tevhidi), dëshmia e shehadetit, frika ndaj Zotit, shpresa, mbështetja në Zotin, etj.;
- Aktet e gjuhës, sikurse janë deklarimi i shehadetit, leximi i Kuranit, duaja, etj.;
- Veprat e gjymtyrëve, siç janë namazi, agjërimi, etj.
Identifikimi dhe evidentimi i degëve të imanit
Siç shihet, hadithi në fjalë i ka shpalosur vetëm tri degë të imanit: fjalën e shehadetit, largimin e pengesës nga rruga dhe turpin, por nuk ka dhënë detaje apo emërtime për degët e tjera, e që ka zgjuar interesimin e dijetarëve të hershëm për identifikimin e të gjitha degëve të imanit.
Kjo ka bërë që t’i jepet një përkushtim i veçantë këtij hadithi, në përpjekje për gjetjen e degëve të tjera.
Të gjithë dijetarët që janë marrë me këtë problematikë, hulumtimin e degëve të imanit dhe identifikimin e tyre e kanë bërë nga Kurani dhe Suneti, nëpër vende e citate të ndryshme. Përmes analizimit të secilës degë, si dhe krahasimit në mes të dispozitave të fesë për nga aspekti i peshës së tyre, ata kanë evidentuar ato degë të imanit, sipas asaj që Allahu dhe Pejgamberi a.s. i kanë cilësuar se janë të tilla.
Gjersa koleksionet e haditheve e kanë cituar hadithin bashkë me një shpjegim rreth vargut të transmetuesve e nocioneve terminologjike, në anën tjetër dijetarët e kelamit janë ata që i kanë kushtuar vëmendje të posaçme, sepse vetë përmbajtja imanore e hadithit e ka diktuar një gjë të tillë.
Le të themi se janë shumë dijetarë të hershëm e të vonshëm, nga të gjitha profilet e shkencave islame, por unë do të veçoja dy prej tyre që kanë bërë emër në përmbledhjen e degëve të imanit, duke shkruar libra voluminoz dhe pothuajse janë të patejkalueshëm:
1) Ebu Abdilah el-Halimij, El-Buharij (v.403 h. / 1012 m.) me librin e tij “El-Minhaxhu fi shuabil iman”. Halimij ka qenë dijetar i madh i kelamit në pjesën e Transoksanisë dhe këtë vepër e ka parashtruar sipas metodologjisë së kelamologëve në tri vëllime të mëdha. Në veprën e tij, përveç argumenteve tradicionale, sjell edhe argumente mendore e prova logjike(4); dhe
2) Ebu Beker Ahmed bin Husejn el-Bejhekij (v. 458 h) me librin e tij ‘El-Xhamiul musan-nefu fi shuabil iman’, që u bë I njohur te gjeneratat e mëvonshme me emrin ‘El-Xhamiu lishuabil imani’ apo ‘Shuabul iman’. Bejhekiu, fillimisht i evidenton degët e imanit, dhe pastaj të njëjtat i sqaron dhe komenton në më se 14 vëllime voluminoze.(5)
Me rastin e hartimit të kësaj vepre, imam Bejhekiu e ka shfrytëzuar mjaft shumë metodologjinë e El-Halimij, pothuajse në të gjitha aspektet, natyrisht me disa dallime. Përveç metodologjisë kelamiste, Bejhekiu sjell të dhëna edhe rreth transmetuesve e transmetimeve të haditheve e që e bën dallimin. Megjithatë, dijetarët thonë se libri i tij është një hulumtim i zgjeruar në fushën e shkencës së kelamit.(6¬)
Trajtimi i hershëm i degëve të imanit ndër shqiptarë
Sikurse edhe në shumë disiplina të tjera, populli shqiptar ka pasur hoxhallarë të zotë, që kanë kontribuar në prezantimin e dijeve islame në vendin tonë, përfshirë degët e imanit.
Prej të hershmëve, kur ndoshta gjuha shqipe akoma nuk e kishte formën e sotshme, është hoxha i njohur hafëz Ibrahim Dalliu, i cili e përktheu një fletushkë me titull ‘Nji broshurë mbi degat e imanit’. Vepra është format i vogël dhe nuk e përmban titullin e origjinalit e as emrin e autorit, është e shtypur nga Qazim Kashari, kurse e botuar në vitin 1943 në Tiranë.
Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë vepër, është kategorizimi grupor dhe numerik i degëve të imanit, e që nuk e kam vërejtur te shumë autorë të tjerë:
- Pjesa e parë, i përket gjërave që besohen me zemër, e të cilat formojnë tridhjetë degë të imanit;
- Pjesa e dytë, i përket gjërave që kanë të bëjnë me gjuhën dhe ndahen në shtatë degë; dhe
- Pjesa e tretë, i përket gjërave që kanë të bëjnë me trupin dhe ndahen në dyzetë degë dhe janë tri llojesh.(7)
– vijon -
1 Shih: En-Nevevij, Sherhu Sahihi’l-Muslim, Daru’l-Marifeti, Bejrut – Liban, pa vit të botimit, Kitabul iman, vëll.1, fq. 194 e tutje; El-Askalanij, Fet’hu’l-Bari Sherhu Sahihi’l-Buhari, daru’s-selam, botimi i parë, Rijad, 2000, vëll.1, fq.72 e tutje.
2 Shih: En-Nevevij, po aty, fq.195.
3 Shih: El-Askalanij, po aty; En-Nevevij, po aty.
4 Shih: El-Halimij, Ebu Abdilah El-Husejn Ibnul Hasen, El-Minhaxhu fi
shuabil iman, me verifikim shkencor nga Muhamed Feudeh, botimi i parë, Darul Fikr, 1399/1979, pa vend të botimit.
5 Shih: El-Bejhekij, Ebu Beker Ahmed bin Husejn, El-xhamiu lishuabil iman, vërtetimin shkencor dhe nxjerrejen e haditheve dr. Abdul Alij Abdul Hamid Hamid, Mektebetur-Rrushd, botimi i parë, 1423/2003, Rijad, vëll.1, fq.60.
6 El-Bejhekij, po aty, vëll.1, fq.32.
7 Shih: ‘Nji broshurë mbi degat e imanit’, përkthyer prej H. I. Dalliu, shtypshkronja Tirana, botimi i dytë, Tiranë, 1943, fq. 5 e tutje.