Vdekja, këshilluesi më i mirë

Jeta e kësaj bote sado e gjatë që të jetë, prapëseprapë e ka fundin e saj. Secili prej nesh ka përjetuar çastet kur është ndarë nga ndonjë i afërm i tij, pra jemi dëshmitarë se vdekja është e pashmangshme dhe një e vërtetë. Zoti xh.sh. këtë e vërteton kur thotë: “Secili njeri do ta shijojë vdekjen.” (Ali Imran, 185); “I Madhëruar është Ai, që në Dorën e Tij është i tërë sundimi dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo send. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepër mirë. Ai është Ngadhënjyesi, Falësi i mëkateve.” (El-Mulk, 1-2).
Në momentin që vjen vdekja, e ndien që të gjitha kënaqësitë e kësaj bote shemben para syve të tu, dëshirat, shpresat, dëfrimet, kurse atyre që në kaluarën dhe sot mundohen t’i ikin vdekjes u drejtohet e u thotë: “Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni tek Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar” (El-Xhumua, 8).
Andaj secili njeri duhet të ndalet dhe të mendon rreth vdekjes, veprave dhe jetës kalimtare të cilën jeton. Transmetohet nga Enes ibën Maliku se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Të vdekurin e shoqërojnë tri gjëra, dy prej të cilave kthehen prapë, kurse njëra mbetet me të. E shoqëron familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Familja dhe pasuria kthehen prapë, kurse veprat i mbeten.”(1)
Hasan el Basriu ka thënë: “O biri i Ademit! Jeta jote përbëhet nga ditët. Kur ikë një ditë, ikë një pjesë e jetës tënde. Nëse ikë një pjesë e jetës tënde, nesër do të ikë e gjitha.”
Transmeton Abdullah ibën Omeri r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të vdes dikush i shfaqet vendi sabah e aksham, qoftë Xhehenemi apo Xheneti, dhe i thuhet: Ky do të jetë vendi yt kur të ringjallesh.”(2)
Transmeton Aisheja r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos i shani të vdekurit! Ata sigurisht kanë shkuar me atë çka kanë punuar.”(3)
Jeta kalon, ditët, muajt, vitet ecin shpejt, na vjen dita kur do të dëshirojmë të kthehemi sërish në dynja për të bërë ndonjë vepër të mirë, por atëherë do të jetë shumë vonë. Zoti xh.sh. na e ka treguar këtë duke thënë: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen. E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin. E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit. Ndërsa, atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në Xhehenem përgjithmonë.” (El-Muminun, 99-103)
Njerëzit habiten duke grumbulluar pasuri, duke u argëtuar dhe harrojnë plotësisht vdekjen të cilën e kemi secili shumë afër, e për të cilën Zoti xh.sh. thotë: “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembulli i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë , mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënim i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga Alllahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.” (El-Hadid, 20)

Dobia e të rikujtuarit të vdekjes

Dije se zemra e atij që i dorëzohet kësaj bote, i përkushtohet mashtrimeve të saj dhe i nënshtrohet epsheve, me siguri që ta harrojë kujtimin e vdekjes. Të tillët janë ata për të cilët Zoti xh.sh. ka thënë: “Thuaj: S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshëm, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.” (El-Xhumua, 8).
Lidhur me pikëpamjen mbi vdekjen, njerëzit ndahen në tri lloje:

a)ata që i janë dorëzuar kësaj bote,
b)ata që vetëm pendohen, dhe
c)ata që tanimë e kanë kuptuar kuptimin e vdekjes.

Ata që i janë dorëzuar kësaj bote, thuajse aspak nuk e kujtojnë vdekjen, ose e kujtojnë vetëm për të shprehë pikëllimin për këtë botë. Njerëzit e tillë të rikujtuarit e vdekjes vetëm se i largon edhe më nga Zoti xh.sh.. Ata që pendohen shpesh e kujtojnë vdekjen, në mënyrë që në zemër të nxisin frikën, të cilët si të tillë kontribuojnë që pendimi i njeriut të jetë i plotë.
Sa u përket atyre që e kanë njohur kuptimin e vdekjes, vdekja kurrë nuk u del nga mendja dhe në çdo kohë janë të gatshëm për të. Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kujtojeni sa më shumë atë që i ndërprenë kënaqësitë” d.m.th. neutralizoni kënaqësitë e kësaj bote me anë të kujtimit të vdekjes, në mënyrë që më lehtë të liroheni nga varësia prej saj, dhe kështu pastaj t’i përkushtoheni Allahut të Madhërishëm dhe rrugës së Tij.


______________________
1 Sahihul Buhari në gjuhën shqipe nga F. Mehdiu, hadithet, 6227-7563,
Prishtinë, 2015, fq.143.
2 Po aty.
3 Po aty.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi