“Babë deri më sonte kamë qenë djali yti, sonte e mbrapa jam djalë i Kosovës”
Fëmijëria e tij
U lind më 01.01.1976 në fshatin Morinë të Gjakovës, në një kullë të vjetër, e cila ishte halë në sy të armikut, por derëhapur për të mirën e Atdheut.
Edhe pse gjyshi për disa vite qëndroi larg shtëpisë, prapë se prapë u kthye për t’i ndërtuar muret në themelet e të parëve dhe për t’i lënë amanet të birit të tij Imerit, i cili me shumë vështirësi, sakrificë arriti të qëndroi besnik i atdheut. Ai u bëri ballë të gjithave vetëm për ta përcjell amanetin e pastër te i biri i tij Muhameti, i cili ishte drita e vetme që u pa në mes të errësirës në jetën e prindërve, të cilët pas pesë vajzave pritën lindjen e Muhametit.
Muhameti u rrit në prehër të prindërve, në duar të motrave bashkë me dy vëllezërit që lindën pas tij. Katër vitet e para të shkollës i filloi në fshatin Morinë, me një sukses të shkëlqyeshëm, pastaj katër vitet tjera i kreu në fshatin Ponoshec. Qysh në moshën e re u interesua për çështjen kombëtare. Muhameti ishte pjesëmarrës në demonstratat e nxënësve kundër mbylljes së shkollave nga regjimi serb. Në Çdo fletore të tij, ai i kishte shënuar fjalët “LIRI DEMOKRACI”.
Çdo herë që takohej me policinë, ngriste dy gishtat, me këto veprime fillon ti bie ne sy armikut, të cilët e njihnin mirë historinë e familjes së tij. Muhameti, lëndën e historisë sipas programit shkollorë e mësonte vetëm për një notë suksesi, ndërsa “historinë e vërtetë të popullit shqiptarë të Kosovës”, e kishte mësuar nga babai i tij, i cili shumë shpesh i tregonte për të kaluarën e shumëvuajtur të shqiptarëve.
Muhameti si talebe – regjistrimi i tij në Medrese
Pas përfundimit të tetëvjeçares në fshatin Ponoshec, regjistrohet në Medresenë e mesme “ALAUDIN” në Prishtinë, ku mësimet i vijoi me shumë vështirësi... situata e vështirë, kontrollet e shumta ...
U shoqërua me shumë shokë nga Drenica, Llapi, e viset tjera gjithandej të trojeve shqiptare, pas shumë vuajtjesh, ndaljesh nga policia serbe, torturash e maltretimesh që ishin të përditshme, arriti deri në vitin e tretë të medresesë. Në një vikendet, përderisa kthehej nga familja për në medrese, rrugës së fshatit Morinë, pak pa hyrë në fshatin Ponoshec, tek lumi i quajtur “Llabenica”, më 10.06.1992, ndalet nga forcat serbo-çetnike, të cilët qëndronin dy vite radhazi në fshatin morinë. Për pesë orë të tëra u rrah dhe malltretua deri në alivanosje. Pas gjithë asaj katrahure, në fund e liruan, por me ftesë, që të paraqitet prapë të nesërmen në polici. Një gjë e tillë ishte e pa mundur sepse ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Për këtë u desh të shërohej në një vend të fshehtë.
Largimi nga Medreseja dhe ikja e tij në Zvicer
Pas këtij rasti Muhameti u detyrua ta braktis medresenë e të qëndroj në shtëpi. Por pas një kohe të shkurtë u detyrua të shkoj tek motra e tij në
Zvicër, vend ky që nuk deshi të shkel këmba e tij, por iu desh të shkoi që trupi i tij të qëndroi atje, por mendja dhe shpirti jo, këtë e tregon fakti se Muhameti edhe sa ishte në Zvicër nuk e ndërpreu kontributin e tij për Kosovën.
Nga malli e mërzia që e kishte kapluar shpirtin e tij të njomë, filloi të shkruaj ditarin e jetës për t’ia lënë motrës si kujtim. Në ditar kishte shënuar të kaluarën, por ai kishte shkruar edhe për të ardhmen thajse e dinte se çka e pret Kosovën.
Kthimi në Kosovë
Muhameti u kthye në Kosovë në vitin 1994, ku menjëherë ra në sy të armikut. Në shtator të vitit 1994, ndalet nga policia serbe, në tregun e qytetit të Gjakovës, prej aty e dërgojnë në Sekretariatin e Punëve të Brendshme. Në fillim pritet mirë, duke e lutur që të bashkëpunoi me ta, por Muhameti nuk pranoi. Më pas ndërron situata krejtësisht. Policia e ndërron tërësisht sjelljen, duke filluar me kërcënime dhe maltretime, por me ndihmën e Zotit, Muhameti arriti t’iu shpëtoi, dhe u bashkohet shokëve të cilët e prisnin për t’u kthyer në shtëpi.
Zgjedhja e Muhametit në organet drejtuese të forumit rinor të LDK-së
Muhameti ishte i vendosur për të shkuar në mbledhje, në fshat ku në atë mbledhje, nga bashkëfshatarët u zgjodh kryetar i forumit rinor të LDK-së. Për disa vite me radhë kontribuoi aq sa kishte mundësi, por i bindur se pa luftë nuk mund ta shijohet liria.
Muhameti ishte pjesëmarrës në çdo varrim të atyre që vriteshin nga policia serbe, për të nda dhembjen me të afërmit e tyre, e kur kthehej në shtëpi me aq mllef që kishte thoshte “LAVDI” ju qoftë, ju që sot ratë SHEHID dhe u mbuluat me “Flamurin e Lirisë”.
Bashkimi me ushtarët e UÇK-së
Muhameti ishte pjesëmarrës i protestave popullore. Në vitin 1997, Muhameti shumë herë largohej nga shtëpia pa i thënë askujt se ku shkon, duke u takuar me disa shokë, ndër të cilët ishte Gazmend Imeri nga fshati Ponoshec, e të tjerë që ishin në të mirë të Kosovës. Siç duket kishte interesim të binte në gjurmë të UÇK-së. Me rastin e daljes në skenë të UÇK-së, më 28.XI.1997. Muhameti dukej më i gëzuar edhe pse e dinte se çka do të thotë lufta, por për atë, më me rëndësi ishte LIRIA!
Kështu vendosi të iu bashkohet shokëve në luftë për Liri, për këtë tokë të shenjtë që aq shumë e deshi, më shumë se vet jetën e tij. Krismat e para që jehuan në Drenicë, masakra e Prekazit e bënë edhe më të ndjeshëm me plotë urrejtje ndaj hordhive çetniko – serbe. Me këtë rast Muhameti bashkë me kushëririn dhe shokun e tij Blerim Ukshinin, morën rrugën për në Shqipëri. Edhe pse atë kohë binte borë dhe ishte acar i vërtetë, por për këta thuaj se po ngroh dielli, sepse filluan rrugën për të marr armën e Lirisë. Armët e para i blenë me para të veta e të nesërmen u nisën për në shtëpi. Në të kthyer rrugës për në Kosovë, në mal u takuan me ushtarët e UÇK-së. Pas mesnate u kthyen në shtëpi. Në mëngjes i tregoi babait se ku kishte qenë, por jo, se me kënd ishte takuar, veç se i tha ... “babë pasi e mora këtë armë, për të gjallë timin këmba e shkaut nuk ka me shkel pragun e derës..”, baba ia ktheu: “...je i ri mor birë mos e ke shpejt..”.
Muhameti filloi të organizoi me shokët e tij më të ngushtë, dhe pasi që i informoi shokët me të ngushtë për një punë të tillë, vet shokët e tij ishin të ishin të mendimit që Muhameti të jetë komandant edhe pse ishte i ri dhe pa përvojë lufte. Ata kishin besim të plotë në mençurinë e tij, por ai nuk pranoi për shkak se ishte më i ri se djali i axhës Samiu dhe këtë detyrë ia dha atij. Ky organizim ishte i pa ditur nga familja e tyre. Kështu, në fillim të marsit, kur lufta filloi në Drenicë, Muhameti me shokët e tij vendosën të shkojnë të marrin armatim nga Shqipëri, për t’iu dal në ndihmë të tjerëve. Ato ditë të caktuara, disi ishte më i ngushtuar për shokë, se e kishte të vështirë t’iu tregonte prindërve, jo se do ta pengonin, por do t’iu shtoi më shumë dert.
Përshëndetja e Muhametit me prindërit
Atë ditë Muhameti filloi t’i ofrohej nënës duke i thënë: “Nënë a e sheh Drenicën si po digjet, a i sheh trimat si luftojnë, e nënat e tyre po qëndrojnë të forta, se e dinë se ai që vdesë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le, ata po vdesin për “Liri” për të fituar pavdekësi, kështu duhesh të qëndrosh edhe ti, se sot nuk e ke afër djalin tënd, por e ke një ushtar të ri të Kosovës. Ti e din sa herë kamë thënë se nuk i shërbejë askujt përveç atdheut. Pra sonte më përgatit do bukë për mua dhe shokët se do ta fillojmë një rrugë natën, e ndoshta do të vonohem e na duhet bukë..”
Nëna e shtangur nga fjalët e tij e shikoi me lot në sy, e përqafoi duke i uruar udhëtim të lehtë e sukses dhe pas këtyre fjalëve, Muhameti e luti për t’i treguar babës, kështu në të filluar të errësirës së asaj nate Muhameti u ul për të dëgjuar lajmet se çfarë ka ndodhur sot. Për rreth kishte familjen e tij, pas përfundimit të lajmeve, Muhameti iu drejtua babait, a e sheh se çka ka ndodhur, Adem Jashari nuk ka vdekur, ai do të jetoi gjithmonë i gjallë sepse u bë legjendë e Kosovës, pra, babë ma jep atë armë se edhe mua më duhet sonte, këtu i ndërhynë nëna, po, po kishte vendosur me shokë që të udhëtonin sonte. Muhameti uli kokën e i tha: “ Babë deri sonte kamë qenë djali yt, sonte e mbrapa jam djalë i Kosovës. Jam betuar para Zotit dhe shokëve se do të jemi për Kosovë, “o vdekje o Liri”, edhe emrin e kamë ndërrua, e kam zgjedhur Ylli. Babë ndoshta më duhet të shkoj në Drenicë, ndoshta në Pashtrik, i gatshëm jam, ja ku i ke dy djemtë tjerë Ajetin e Smajlin, bile edhe Ajeti duhet të kujdeset këtu për fshat. Smajli le të qëndroj me ju se është shumë i ri, unë nuk e di se a do të kem fat ta shijoi “Lirinë”, por si do që të bëhet, për mua nuk ka rëndësi se ku do ta derdhë djersën, se ku do të më bie gjaku im, e ku do të lë eshtrat. Amaneti im të shkon në vend..” Kështu përfundoi këto fjalë shumë prekëse për familjen. Baba e shikoi si i habitur, por me një buzëqeshje të çeltë i tha: “Zoti të ndihmoftë o biri im se edhe unë jam i kënaqur me lanë një djalë në “Liri” se sa në robëri. Pas kësaj bisede Muhameti u ngrit në këmbë dhe u nis për t’u takuar me shokët e tij. Morën rrugën e shumë pritur nga ai, por shumë të rëndë për familjen e tij, po atë natë u kthyen nga Shqipëria, me plotë armatim që kishin sjell me krah. Muhameti donte të mbetej besnik edhe i shokëve të mbledhjes së LDK-së, e cila këtë herë u mbaj në fshatin Ponoshec. Muhameti në atë mbledhje iu kishte bërë me dije shokëve të forumit rinor se na duhet një rrugë tjetër se armikun e kemi të atillë se nuk e njeh gjuhën e drejtësisë, por të forcës, siç dukej shumica bëhen sikur nuk e dëgjuan. Me të përfunduar mbledhjen, Muhameti me të vëllanë Ajetin, e djalin e axhës Xhaferin, nisen për në shtëpi, para postës policore, Muhamtin e ndalen policia, e nxorën nga makina e tij, e i thanë se kemi dëgjuar se ke hyrë në një grup terroristësh, je bë UÇK-në”. Muhameti iu tha si në të qeshur nuk jam njeri i punës, jam njeri i sofasë, ju më shihni se gati çdo herë udhëtoi me makinë, e jo po bartë armë me krah maleve. Edhe kësaj here u nxor nga duart e tyre. Pas kësaj, Muhameti më nuk mund të dalte i lirë jashtë fshatit të tij, por shkonte në mënyrë të fshehtë për t’u takuar me shokët. Bartja e armatimit vazhdonte çdo të tretën natë. Nganjëherë Muhameti detyrohej të qëndroi në Shqipëri për të ndihmuar në armë, e shumë herë në fshat për të bërë roje, meqë ishin zonë kufitare me Shqipërinë. Tërë natën takoheshin me kolona të njerëzve duke kaluar me armatim. Kështu u grumbullua një sasi e madhe armësh. Tani ishin ne gjendje të gatshme për një luftë frontale e pa u bërë e ditur në tërë fshatin, por vetëm nga këta shokët e besës, të cilët u morën vesh mes vete për t’iu ofruar armët në dorë të gjithëve që banonin në fshat, por nga disa u pritën mirë e nga disa as që u pranuan.
Ballafaqimi me patrullat serbe
Më 25. prill 1998, me të kthyer nga Shqipëria, një grup, rreth 100 vetash, të vendeve të ndryshme të anës së Deçanit, hasën në një pritë serbe, që ruante kufirin. Patrulla serbe në kufi menjëherë hapi zjarr. Grupi ia doli disi të fshefet në mal. Më pas iu vijnë në ndihmë djemtë e Morinës duke i strehuar. Tani, duhej prapë të ktheheshin në Shqipëri. Në këtë rast, ata të cilët nuk donin t’i bashkoheshin luftës për liri, e braktisën fshatin. Në fshat mbeten Muhamet Ukshini dhe vëllezërit e tij Ajeti, Smajli dhe prindërit e tyre, djemtë e axhës Samiu, vëllai i tij Xhaferi dhe prindërit e tyre, vëllezërit Arbeni e Avniu me nën e tyre, Blerimi me prindër, e disa të tjerë nga familja Ukshini. Ndërsa shokët ishin: Sylejman Avdyli, shok i jetës, besës dhe i vdekjes, me vëllezër e prindër, Canë Demiri me vëllezër e nën, Luan Salihu me nën, Nezir Elezi, Shkelzen Syla, Sadri Avdyli, Abz Salihu e të tjerë. Në këtë ditë u godit një shtëpi në fshat nga tanku i armikut. Këta heshtën, që të mos i frikësojnë të rinjtë që ishin strehuar nëpër male, të pa njohura për ata.
Lufta frontale me ushtrinë serbe
Më 03 maj 1999, u hap lufta frontale në fshatin Ponoshec, Morinë, Smolicë. Nga mbrojtja e fortë dhe goditjet e rrepta, armiku tërhiqet nga Morina, për t’iu kthyer Ponoshecit, por me shpejtësi iu dalin në ndihmë disa nga ushtarët e Morinës, kurse të tjerët ruanin sigurt Morinën. Këtë ditë Muhameti me shokët qëndron në pozicion afër shkollës, ku më parë ishte rrugë kalimi. Forcat serbe, që nga ajo ditë, filluan më shpesh të sulmojnë Morinën, por trimat e Morinës, edhe pse ishin një numër i vogël, ishin përgatitur që të mos i lëshojnë për asnjë hap pozicionet duke bërë roje në kohë shumë të gjatë.
Luftimet ishin të tmerrshme, goditjet shtoheshin çdo ditë me artileri të rëndë, nga anët e ndryshme si: Pllaniku, Boka, Qafë Morina, Çabrati, Podi i Gështenjave, Kodra e Babaj të Bokës. Qëllimi ishte që të shkatërrohet ky grup trimash, e t’iu pengohet kjo pikë kalimi për në Shqipëri, e cila iu shërbente tërë Rrafshit të Dukagjinit.
Por, edhe kur armiku pushonte gjuajtjet, Muhameti asnjëherë nuk rrinte i qetë i godiste forcat serbe, herë pas here, me ushtarët e Morinës. Goditje më të suksesshme ishin më 14 maj 1998, me mortajë dhe top, me këtë rast armiku pëson humbje të mëdha. Në këtë ditë Muhameti qëndron në gatishmëri të lartë duke mbrojtur “Rrafshin e Gështenjave”. Më 15 maj 1998, nga armiku goditet lagja e Ukshinëve me granatime të ashpra.
Më 16 maj 1998, prapë armiku fillon granatimet në lagjen e Ukshinëve, e cila ishte bazaë e fortë e UÇK-së.
Më 25 maj 1998, ushtria serbe sulmon Morinën, me një forcë të madhe dhe ofrohet afër pozicioneve, ku qëndronte Muhameti, Korabi i disa ushtar tjerë. Djemtë e UÇK-së, iu kundërvihen armikut me një sulm të ashpër dhe e detyrojnë armikun të tërhiqet i turpëruar.
Ndërkaq, një ditë më e shënuar në histori dhe më e vështirë, por me më shumë fitore ishte 29 maj 1998. Këtë ditë ushtria serbe me një përgatitje të fortë armatimi dhe forca ushtarake, policore dhe paramilitare, dhe me shumë tanke e rrethojnë Morinën. Këtë ditë mungojnë disa nga ushtarët e fshatit, të cilët kishin shkuar në fshatin Beleg të Deçanit, dhe me të vërtetë ishin shumë pak në mbrojtje, por me një teknik të mirë ushtarake, përballë iu dolën Muhamet, Samiui, Abazi, Sylejmani e të tjerë, me ç’rast armikut i shkatërrohen 3 tanke, si dhe humbje në njerëz. Armiku zmbrapset. Të nesërmen me 30 maj 1998, Muhameti, Arbeni, Samiu e ushtarë të tjerë ndalën konvojin ushtarak serb me një sulm të rreptë, duke lënë të vrarë një oficer dhe disa ushtarë, si dhe të plagosur të tjerë.
Më 31 maj 1998, ushtria serbe merr një sulm të rreptë në shenjë hakmarrje, me ç’rast u dëmtuan tërësisht shtëpitë e familjeve Ukshini, u dëmtua gjithçka pati mbi tokë, se vetëm në katër shtëpitë e këtyre familjeve u hodhën 32 granata e shumë gjuajtje të ndryshme nga ajri. Pas këtij sulmi ajror, armiku fillon të futet me tanke në afërsi të pozicioneve ku përball shkollës ishte pika kryesore për t’ia ndërprerë rrugën e armikut.
Në këtë pikë gjithnjë qëndronte Muhameti, me automatikun e tij, në një afërsi shumë të afërt me forcat serbe. Kur ata filluan të zbrisnin nga tanku për të hyrë në këmbësori. Në të zbritur ata goditen nga Muhameti, me ç’rast u detyruan të ngrehen zvarrë e të tërhiqen të turpëruar. Në këtë ditë, Muhameti i tregoi të vëllait Ajetit, për një gëzim që e ndiente në shpirt, dhe i tha: “vëlla edhe pse me veti i kisha automatikun me shumë fishek, e bomba dore si dhe revole në brez, nuk mu desh t’i përdori, se më kënaqësi ishte të godasësh, pra edhe nëse vdes mos më qani se sot jam hakmarr për të gjithë e për të gjitha që i kemi përjetuar nga armiku....”
Largimi i familjes për në Shqipëri
Kur u kthyen në trojet e tyre të rrënuara, ata panë se familjarët më nuk mund të qëndrojnë aty, patjetër duhet larguar për në Shqipëri. Kështu, më 1 qershor 1998 Muhameti u nda nga prindërit e vëllai, si dhe me të afërt të tjerë, ku për të paska qenë hera e fundit. Muhameti, në mungesë të prindërve, tërë dashuria iu kthye në vëllanë Ajetin. Çdoherë dhe në çdo vend ishin bashkë. Shumë herë iu hidhte në qafë për ta përqafuar. Muhameti ishte i urtë dhje i sjellshëm ndaj të gjithëve, kështu që të gjithë kishin kujdes për të.
Beteja e fundit dhe rënia heroike e shehidit ...
Më 13 qershor 1998, Muhameti pasi kthehet nga roja, hynë për t’u pastruar, shokët e pritnin për të ngrënë drekën. Pas buke Muhameti e thërret vëllanë Ajetin, e përqafon dhe i thotë kujdes. Me të ndarë nga vëllai ju thotë shokëve se kush po vjen me mua për të vëzhguar terrenin, menjëherë ngrihet në këmbë Shkelzeni dhe dy të tjerë. Marrin rrugën për në Morinë të Ulët. Me këtë rast ndahen, Shkezeni në njërën anë kah shtëpia e tij, kurse Muhameti me dy shokët tjerë në anën tjetër. Pas pak hasin në një grup diversantësh. Me që Muhameti qëndronte i pari dhe me uniformë të UÇK-së, armiku qëllon me armë dhe shoku i tij Shkëmbim Elezi, merr arratinë pa ditur së ç’ndodhi, duke e lënë Muhametin të plagosur, vetëm, në mëshirën e Zotit. Pas dëgjimit të krismave, vjen Shkelzeni, edhe ai mbetet i vrarë. Në këtë luftë të rreptë, me grupe diversantësh luftuan të gjithë ushtarët e vërtetë duke u hakmarrë disa herë për shokët. Po atë ditë, në atë sulm mbeten të plagosur Abaz Salihu dhe Gazmend Elezi. Në pa mundësi për të arritur deri në vend luftimi, te Muhameti, trupi i tij i pa jetë bie në duart e armikut, të cilin më pas e sjellin në morgun e spitalit të Gjakovës. Pas një lufte të gjatë dhe të rreptë, shokët Samiu, Blerimi e të tjerë, arrijnë të shkojnë në vend ngjarje. Menjëherë informuan Gjakovën, se çka ka ndodhur dhe a mos është i zënë i gjallë edhe pse ishin të bindur se një gjë të tillë nuk do ta lejonte, se gjithnjë thoshte: “fishekun e fundit e ruaj për veti, e i gjallë në duar nuk iu bie”. Pas pak, morën lajmin se ai është i pa jetë në morgun e spitalit të Gjakovës. Kështu të mërzitur për humbjen e dy shokëve, iu desh t’ju ndihmojnë të plagosurve për të shpëtuar jetën. Ajeti, edhe pse vëllanë nuk e pa më, dhe e dinte të pa jetë, u përpoq që të bëhet i fortë e t’ju del në ndihmë të plagosurve, për t’i qit përtej kufirit, për shërim në Shqipëri. Shkelzeni u varros në Morinë ndërsa Muhameti qëndron në morg të spitalit të Gjakovës.
Të nesërmen më 15 qershor 1998, Imeri Hadri nga fshati Skivjan u informua nga një i afërt i tij që punonte në spital se Muhameti ende është i pa varrosur. Pas marrjes së këtij lajmi, Imeri menjëherë shkoi për të kërkuar leje për varrimin e mikut. Ai e dinte se çka mund ti ndodhë, por ai nuk mund të heshtë e të mos dijë se ku do të mbetet trupi i tij. Imeri për shkak të mikut dëshmor u rrah 5-6 orë pa ndërprerë, dhe nuk pranoi të tregoi asgjë për familje e tij e as për vepër të Muhametit. Më pas policia ia tregon fotografinë e tij, se ne këtë e kishim për qëllim ta zëmë të gjallë, por ishte e pamundur, ky ishte i kërkuar shumë nga ne, se ky me shok me 13 maj 1998, na vrau oficerin me disa ushtar, ky ishte terrorist, e tash do ta veshim uniformën e tij ty e të dërgojmë në kufi për të vra se ju kërkoni ta varrosni me nderime terroristin dhe vazhdonin rrahjet në trupin e tij të moshuar 65 vjeçar, i cili iu bëri ballë të gjitha këtyre torturave dhe me lëndime të rënda trupore u largua nga policia, vetëm për tu bërë e ditur se ku do ta varrosin.
Më 16 qershor, pak para se ta marrin për ta varrosur, njëra nga motrat, e maskuar me rroba të punonjësve të spitalit, arrin që t’i afrohet trupit të tij, duke i shikuar plagën e vetme të një plumbi që kishte marr jetën e tij, pa ndonjë lëndim tjetër, për kujtim ia morri vetëm zinxhirin dhe përqafimin e fundit dhe në sytë e saj mbetën, mbetën sytë e tij që nuk i kishte mbyllur as atëherë pa e parë “L I R I N Ë”.
Varrosja e shehidit
Më 16 qershor 1998 në varrezat e qytetit të Gjakovës u bë varrimi i Muhametit. Por, ai nuk pushon i qetë deri sa armiku i sillej ende në këtë tokë të përgjakur, ku përballej me shokët e tij, besnikët e jetës, luftës dhe të vdekjes. Pas shumë betejash, më 7 korrik 1998, ranë në fushë të ndertit shokët e tij dhe të pa ditur nga familja, ata qëndruan afër të rreshtuar, në krah të djathtë të Muhametit, ku edhe të vdekur nuk u ndanë, shokët e Muhametit: Arbeni, Blerimi, Sylejmani, Neziri si dhe Imer Bytyqi nga rrethi i Suharekës, ku nuk pushuan të qetë plotë një vit gjerë në ditën e “Lirisë”, që ajo ditë shënonte dy data, datën e një vjetorit të Muhametit dhe datën më historike të kombit shqiptar, ditën e Lirisë, 13 qershori 1999. Kjo ishte dita që trimat të pushojnë të qetë, e familjet t’iu shkojnë te varri për t’iu thënë lavdi. Edhe pse aq afër i kishte shokët, e pa ditur nga familjet e tyre, më 14 gusht 1999, u bë identifikimi i tyre, aty Sylejmanit iu gjet fotografia e shokut më të ngushtë të jetës, Muhametit.
Me shumë krenari e dhembje u bë rivarrimi i të gjithë dëshmorëve që derdhen gjakun në këtë fshat.
Më 28 gusht 199 në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë, ku murrën pjesë shumë epror, ushtarë, qytetarë në nderimin e fundit të trupave të tyre.
Në këtë ditë u rreshtuan varret e këtyre dëshmorëve: Shkëlzen Syla, Sylejman Avdyli, Muhamet Ukshini, Nezir Elezi, Ahmet Salihu nga Morina si dhe Imer Bytyqi nga Suhareka, për të pushuar të qetë në thellinë e tokës së Kosovës, të cilën e deshën më shumë se jetën.
Lavdi për herë të gjithë dëshmorëve të kombit ! L A V D I !
Nga motra dhe vëllai i dëshmorit:
Fshati Morinë, Gjakovë
E zgjodhi për shtyp:
Esat Rexha