Agjërimi dhe disa nga dispozitat sheriatike të tij (III)

Ç’e prish agjërimin?

Si çdo adhurim tjetër, edhe agjërimi i Ramazanit dhe agjërimet e tjera në përgjithësi kanë disa rregulla të cilat agjëruesi duhet t’i respektoj. Por, para se t’i numërojmë disa nga rregullat që e prishin agjërimin, le të konstatojmë se këto rregulla kanë të bëjnë me dy lloje situatash:

1. Situatat që e prishin agjërimin dhe që kërkojnë që ai të bëhet kaza; dhe,
2. Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë edhe kundërshpërblimin (kefaretin) e tij.

1. Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza:

Para se t’i numërojmë këto raste, le të shpjegojmë se ç’do me thënë “kaza”?
Agjërimi i një dite të prishur me arsye e të cilën e agjëron në një kohë tjetër, quhet kaza (origj. “kada”). Pra, sa ditë që të kanë mbetur pa i agjëruar, po që duhet agjëruar në një tjetër kohë, ditë për ditë, kjo është kaza.

Janë shumë raste të kësaj natyre, ne do t’i përmendim vetëm disa:

• Agjërimi prishet nëse personi hanë ose pinë gjëra të cilat nuk përdorën zakonisht si ushqime dhe si pije dhe që natyra njerëzore nuk është e prirë për t’i përdorur si ushqime dhe pije, p.sh. ngrënia e dheut, gurit, orizit të pagatuar, brumit të papjekur, miellit, arrat jeshile që akoma nuk kanë thelb e tjera të kësaj natyre. Ngrënia e tyre e prish agjërimin dhe atë duhet bërë kaza;
• Përdorimi i ilaçeve duke i futur në rektum (anus-zorrë të trashë), ose në hundë apo në vesh me hedhë pika për shërim, ose, nëse dikush plagën e tij e shëron me ilaç të lëngët sa që ajo lagështi arrin në brendi të kokës së tij, ose, hyrja në thellësi të trupit e ilaçit të lyer mbi plagën në bark ose në kokë, ose gëlltitja pa dashje e shiut, borës apo breshrit të hyrë gjerë në grykë;
• Nëse ha syfyr duke menduar se akoma nuk është koha e imsakut, ose nëse bënë iftar duke menduar se ka perënduar dielli e pastaj vërtetohet e kundërta;
• Kalimi pa dashje në kanalet hundore e ujit të marrë me gojë ose të tërhequr me hundë gjatë marrjes së abdesit;
• Nëse personi detyrohet në marrëdhënie seksuale me përdhunë. (Përdhunë konsiderohet përdorimi i forcës duke ia prerë një organ ose duke ia dëmtuar një gjymtyrë ose organ me anë të rrahjes. Për këtë lypset vetëm kaza. Kurse, prishja e agjërimit nga viktima vetëm për shkak të një rrahje vetëm dhimbse ose dëshpëruese, kërkon edhe bërjen kaza edhe kundërshpërblimin (kefaretin)).
• Ngrënia ose pirja me dashje duke pandehur se është prishur agjërimi për shkak të harresës.
• Vjellja me dëshirë, qoftë edhe më pak se sa mbushet goja plotë.
• Nëse pa dashje i futet në gojë ndonjë fjollë bore ose shiu dhe i shkon teposhtë, ose i shkon në fyt ujë duke marrë abdes ose gusëll, sepse nuk ka treguar kujdes atëherë kur është dashtë;
• Konsumimi i ekstazës seksuale (ejakulimi te mashkulli dhe orgazma te femra me anë të puthjes, përqafimit ose përkëdheljes (kuptohet pa kryer marrëdhënie seksuale). Agjërimi nuk prishet pa konsumimin e ekstazës seksuale edhe nëse puthja, përqafimi, përkëdhelja, etj. bëhen me epsh. Edhe masturbimi pa dashje e prish agjërimin.

2. Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza dhe duhet dhënë kundërshpërblim-kefaret:

Me këtë rast bëhet fjalë për personin i cili agjëron gjatë Ramazanit pa qenë i detyruar dhe pa harruar, por me vetëdëshirë dhe ndërgjegje të plotë e bënë ndonjë veprim, siç do t’i numërojmë, ai krahas zëvendësimit të asaj dite që e ka prishur obligohet edhe me kundërshpërblimin (kefaretin) përkatës:

• Me ngrënë, me pi ose me përdorë ilaçe në veçanti ato që kanë veti ushqyese;
• Në qoftë se pinë duhan ose i hanë fletët e tij, ose thith avull;
• Gëlltitja e një gjëje të vogël qoftë edhe sa një kokërr gruri e mbetur ndër dhëmbë nuk e prish agjërimin. Por, në qoftë se e njëjta gjë futet në gojë nga jashtë dhe gëlltitet, e prish agjërimin dhe për rrjedhojë atë ditë duhet kompensuar kaza dhe për të lypset edhe kundërshpërblimi. Ndërkaq, agjërimi nuk prishet nëse një gjë e tillë vetëm sa përtypet në gojë dhe duke e thermuar humbet në gojë, e nëse shija e saj shkon dhe ndjehet në grykë, atëherë agjërimi prishet.
• Gëlltitja e lëngut të gojës së bashkëshortes, e kjo krahas kazasë kërkon edhe kundërshpërblim-kefaret.
• Kryerja e marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten (xhima) gjatë kohës sa agjëron.

Në të gjitha rastet e sipër theksuara, kur agjërimi prishet, atë ditë ose ato ditë duhet kompensuar (kaza) dhe lypset kundërshpërblim (kefaret). Për prishjen e agjërimit jashtë Ramazanit nuk ka kundërshpërblim - kefaret, madje edhe në qoftë se është agjërim për kompensim të Ramazanit.

Ç’është kundërshpërblimi – kefareti?

Kundërshpërblimi-kefareti i mosagjërimit ose i prishjes së tij konsiston në veprimin që duhet bërë në formë detyrimore si kompensim për atë që nuk ke agjëruar kur e ke pas detyrim me agjërua ose agjërimin e ke prish. Këtë duhet realizuar sipas kësaj radhitje: duhet bërë lirimin e një skllavi, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet agjëruar dy muaj hënor pandërprerje jashtë Ramazanit (pra, 60 ditë), duke i kushtuar kujdes që të mos agjërohet në ditët kur nuk lejohet agjërimi, siç janë p.sh. ditët e bajrameve, e në qoftë se edhe këtë nuk ka mundësi që ta bëjë, atëherë duhet ushqyer 60 të varfër (drekë dhe darkë ose mëngjes dhe darkë). E tërë kjo bëhet në këmbim të një dite agjërimi të prishur me qëllim gjatë muajit të Ramazanit. Mbështetje për këtë, siç transmeton Ebu Hurejreja (r.a.), është veprimi i Pejgamberit a.s.:
“Një ditë, tek sa ishim ulur afër Pejgamberit (a.s.) kishte vajtur një njeri (te Pejgamberi a.s.) dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!”
-Pejgamberi (a. s.) e kishte pyetur: Ç’është ajo që të shkatërroi ty?”
- “Kamë bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten time duke qenë agjërueshëm"- iu kishte përgjigjur.
Pasi që Pejgamberi (a. s.) e kuptoi, e pyeti: “A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?”.
-Personi në fjalë iu përgjigj: “Jo!”.
-Pejgamberi (a. s.) prapë e pyeti: “A mund të agjërosh dy muaj pandërprerë?”
-Ai iu përgjigj: “Jo, madje kjo fatkeqësi më ndodhi sepse nuk durova sa duhej!”.
-Pejgamberi insistoi sërish: “A mundësh t’i ushqesh 60 të varfër?”.
-Ai i tha shkurt: “Jo!”. Në këtë moment Pejgamberit (a.s.) kishte heshtur për disa çaste deri sa i kishin sjellë disa hurme, të cilat ia ofroi njeriut duke i thënë: “Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka!”.
-Mirëpo njeriu i tha: “ A ka ma të varfër se ne ja Resulall-llah?!”
-Atëherë Pejgamberi (a.s.) duke qeshur i tha: ”Shko dhe jepja familjes t'i hanë!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi).
Prishja e agjërimit me qëllim ose mos agjërimi pa ndonjë arsye është mëkat i madh, prandaj të tillët edhe meritojnë ndëshkim meritor, e që është kundërshpërblimi (kefareti).
Radha e përmendur e tri alternativave si në hadithin e sipërcituar, sipas shkollës hanefite, duhet respektuar. Meqë tashmë skllavëria nuk ekziston, duhet filluar duke kërkuar mundësinë e agjërimit të dy muajve pandërprerë. Kjo i pamundëson të pasurit që ditët e prishura t’i kundërshpërblejnë me para, prandaj ata duhet që të mos prishin asnjë ditë, sepse në të kundërtën, duhet t’i agjërojnë 60 ditë për një. E, në qoftë se këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë duhet ushqyer 60 të varfër një ditë (dy shujta) ose një të varfër për 60 ditë.

Me rastin e agjërimit të kundërshpërblimit (kefaretit) duhet ditur se:

• Kur dikush agjëron duke qenë i obliguar me kundërshpërblim, duhet ta llogaris mirë se atë duhet ta bëjë dy muaj pa ndërprerje, kështu që në mes të këtij agjërimi ose në mes të kësaj kohe nuk duhet të hyj Ramazani e as ditët kur është e ndaluar me agjëruar (p.sh. ditët e Kurban-Bajramit). Në të kundërtën, duhet ta rifillojë agjërimin nga fillimi.
• E kemi përmendur më herët se personi kur është në udhëtim, i lejohet të mos agjëroj, dhe ato ditë do t’i kompensoj. Mirëpo, në qoftë se gjatë kohës sa është duke agjëruar për kundërshpërblim, i duhet të udhëtoj, me këtë rast duhet të mos e prish agjërimin e filluar, se nëse e prish, atëherë duhet rifilluar nga e para.
• Kur femrës që është duke agjëruar për kundërshpërblim-kefaret i paraqitën të përmuajshmet ose periudha e lehonisë, kjo nuk ia prish kushtin e pandërprerëjes, prandaj, kur t’i kalojë ato ditë do të vazhdojë aty ku ka mbetur, dhe nuk ka nevojë të rifillojë nga e para.
• Nëse personi e prish agjërimin me dashje, dhe më pas shkon në udhëtim qëllimisht që të mos agjëroj, ose vet provokon sëmundje, ai nuk lirohet nga kundërshpërblimi-kefareti.
• Me një kundërshpërblim-kefaret mund të mbulohen më shumë se një ditë e prishur me qëllim e agjërimit. Nëse qëllimisht nuk i ka agjëruar tri ditë gjatë Ramazanit, ai duhet t’i agjëroj 63 ditë. Përjashtim nga ky rregull është nëse personi nuk e ka agjëruar një ditë dhe me një herë e liron një skllav, dhe vazhdon të agjëroj dhe prapë nuk e agjëron një ose më shumë ditë, prapë obligohet me kefaret, sepse dënimi i parë nuk ka treguar efekt aq sa kërkohet e që me këtë rast është mosprishja e agjërimit.

Fidja - kompensimi (shpërblimi)

Allahu i Lartësuar, në Kuranin fisnik, ka thënë:
“(Jeni të detyruar të agjëroni) ditë të caktuara. E nëse ndonjëri prej jush është i sëmur ose duke udhëtuar (e nuk ka agjëruar), atëherë le të agjëroj më pas aq ditë sa i ka prishur. Ata që kanë vështirësi për ë agjëruar, janë të obliguar me kompensim (fidje) që është ushqimi ditor i një të varfëri. E, kush e shton sasinë e fidjes me vetëdëshirë, ajo është aq ma mirë për te. Mirëpo, nëse agjëroni kjo është akoma më mirë për ju, sikurse ta dini!” (El-Bekare, 184) Pra, nga ajeti i sipërcituar kuptohet se “fidja” është shpërblimi që japin njerëzit të cilët nuk mund të agjërojnë për shkak të ndonjë sëmundje të vazhdueshme ose edhe për shkak të pleqërisë, dhe atë duke e ushqyer një të varfër për çdo ditë të paagjëruar.

Gjërat që nuk e prishin agjërimin

• Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi ha ose pi nga harresa. Kush hanë ose pinë, duke harruar se është agjërueshëm, ai nuk e ka prish agjërimin, por duhet të vazhdoj e të agjëroj. Ai, madje, nuk obligohet as me kompensim të asaj dite. Harresa në agjërim nuk ka dallim në mes të agjërimit të Ramazanit apo atij nafile (vullnetar). Ebu Hurejreja tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Kush ha ose pi duke harruar se është agjërueshëm, le ta plotësojë (vazhdojë) agjërimin e tij, sepse Allahu e ka ushqyer dhe e ka shuar etjen e tij”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
• Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi bënë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij duke harruar se është agjërueshëm.
• Agjërimi nuk prishet nëse personi gjatë ditës flenë dhe në ndërkohë ejakulon, ose, nëse vetëm duke e shikuar gruan e vet ejakulon, ose nëse lyhet me vaj, ose nëse nxjerrë gjak, ose nëse e puth gruan e tij (jo në gojë) e nuk ejakulon.
• Agjërimi nuk prishet nëse pas marrëdhënieve seksuale bashkëshortore e lë larjen e trupit (guslin) pas syfyrit, në kohën pasi të ketë filluar agjërimi i asaj dite.
• Agjërimi nuk prishet nëse jep gjak.
• Agjërimi nuk prishet nëse i grimon sytë ose fytyrën.
• Agjërimin nuk e prish as lyerja e trupit me vaj ose hedhja e ujit ne sipërfaqe të trupit, edhe në qoftë se depërton përmes poreve të trupit brenda.
• Nuk e prish agjërimin nëse personi që agjëron iu merr erë trëndafilit ose sendeve erëmira ose edhe parfumeve.
• Agjërimin nuk e prish nxjerrja ose mjekimi i dhëmbit, natyrisht nëse me atë rast nuk i shkon ndonjë lëng ose gjak në brendi, ndonëse më e mirë do ishte sikurse ai veprim të lihet për pas iftarit.
• E, pra le të konstatojmë edhe një herë se rregulli i përgjithshëm me këtë rast është se agjërimin e prish gjithçka hyn në trup dhe jo edhe çka del nga ai.

A e prish agjërimin marrja e vaksinave ose injeksioneve gjatë kohës së agjërimit?

Në qoftë se agjëruesi është aq i sëmurë sa detyrohet të merr ilaç shërues, ai në fakt ka të drejtë të lirohet nga agjërimi. Më e parapëlqyer do të ishte sikur në konsultim me specialistin e fushës, marrjen e injeksionit ta shtyjmë deri pas iftarit, gjegjësisht për kohën në mes të iftarit dhe syfyrit.
Nuk ka dyshim se, në qoftë se gjatë kohës së agjërimit, me anë të mjeteve medicinale (gjilpërat-injeksionet) agjëruesi merr lëndë ushqyese ose serume të ndryshme, kudo qoftë në trup, kofsh ose venë, agjërimi prishet.
Ndërkaq, nëse agjëruesi ka marrë injeksione tjera për të larguar dhimbjet, e të cilat depërtojnë deri në stomak, sipas Ebu Hanifës agjërimi prishet dhe atë ditë duhet bërë kaza, kurse dy imamët Ebu Jusufi dhe imam Muhamedi thonë se agjërimi nuk prishet, për faktin se ilaçi nuk ka hyrë në stomak nëpërmjet rrugës së natyrshme. Pra, marrja e ilaçit çfarë do qoftë ai, qoftë nën lëkurë, në kofshë, në muskul apo në venë, e që përvetësohen nga trupi, e prishin agjërimin. Kjo prishje kërkon vetëm kompensim (kaza) e jo edhe kundërshpërblim (kefaret).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi