Njeriut, si krijesë e privilegjuar, Zoti i krijoi tipare e virtyte, mungesa apo varfërimi i të cilave e degradon pamëshirshëm njerëzoren e tij. Vetëm i stolisur me ato virtyte, ai qëndron në piedestalin për të cilën ai është i predestinuar nga Krijuesi i Urtë. Me po të njëjtat cilësi, krijesa që mendon, arrin të krijojë diferencën nga krijesat e tjera.
Edhe turpi, si virtyt, ndërgjegje e emocion i çiltër te njeriu, në një formë e përkryen mozaikun e bukur të tipareve fisnike të krijuara tek ai. Për më tepër, ai manifestohet në formë të një keqardhjeje të brendshme që lind nga veprimi i çdo gjëje çnderuese, qesharake ose të pahijshme, e cila në ndonjë formë e gërvisht pamëshirshëm virtytin e modestisë, moralit, e të mirësjelljes së njeriut. Ai gjithnjë na paralajmëron për sjellje të gabuar dhe si i tillë e motivon vetëkorrigjimin e nevojshëm. I Dërguari ynë, Muhamedi a.s., duke e përshkruar atë si detektues të së keqes, e si një mekanizëm preventiv që parandalon nga e liga, na tha: “Nëse nuk ke turp, bëj çfarë të duash.” Sipas këtij postulati profetik, ai tipari i virtytshëm i injektuar në karakterin e secilit, e që njeriun e pengon nga keqbërja e vulgariteti, është pikërisht turpi. Po i njëjti, të imunizon e të bën që për veprimet e liga, nëse veç aksidentalisht i ke bërë, së paku të mos kesh kurrë guxim as gatishmëri që të krenohesh. S’është pak kjo!.
Megjithatë, nëse dikur në shoqërinë tonë ka qenë vlerë po të ishe i turpshëm, sot ka ngelur e “turpshme” nëse ende ke turp. Ndërrim standardesh dhe ngatërrim konceptesh të etabluara në vetëdijen tonë, kanë ndodhur në periudhat e zhvillimit material, i cili si kosto, fatkeqësisht, pati një dekadencë morale e shpirtërore.
Natyrisht, të gjithë ata që duan terren të lirë për mbjelljen e veseve të shthurura e dukurive të mbrapshta në shoqëri, turpin e mendojnë si atë digën e patejkalueshme që duhet të investojnë pakursyeshëm për rrënimin e saj. Ridisenjimi i moralit shoqëror dhe zvetënimi i njeriut të virtytshëm po bëhet duke plasuar në formën joshëse para tij, programe e emisione vulgare televizive, që zhveshjen e proklamojnë si art, e shthurjen si emancipim, ndërsa fisnikërinë e nderin e shohin si stigmë, madje edhe qyqari e vetizolim. Këto aktivitete e programe, na duken të çakorduara, por në thelb lëvizin në të njëjtën linjë, dhe pa përjashtim atakojnë garantin më të sigurt të moralit të njeriut – turpin e tij. Për ta, një njeri i paturpshëm dhe një brez që është zhveshur nga ky virtyt është i vetmi që premton “reformën e thellë” dhe i vetmi që mund të bartë mbi supet e veta “emancipimin” e shoqërisë. Kjo shoqëri e tillë që po i nënshtrohet një kampanje të “mirëmenduar”, pavetëdijshëm do të pajtohet me një anarki morale, dhe do jetë e gatshme të nihilizojë çdo vlerë e virtyt. Atëherë, kokëulja pas fajit, dhe keqardhja për të ligat do të shndërrohet në një monedhë të pavlerësuar dhe nuk do të ngelet ndonjë aset human për të cilin do të mund të flitet me krenari.
E tërë kjo kampanjë, synon pos tjerash që turpi nëse veç mbijeton, të mbetet deficit i kësaj shoqërie, e cila predispozohet të jetë e ngatërruar me vetveten dhe të modelohet që të mos arrijë të dallojë fare fajësinë prej pafajësisë, e virtytin prej marrëzisë. Me varfërimin e virtytit të turpit, te brezi modern, vërejmë se fëmija po e humb ndjesinë e konsideratës ndaj prezencës së prindit, nxënësi krekoset dhe ngre zërin në prani të mësimdhënësit të tij, vajza tejkalon pavrejtshëm virtytin e komunikimit të çiltër me një djalë të huaj, ndërsa bashkëshortët, atë diskutimin e natyrshëm e të shëndoshë që do të duhej ta kishin, e zëvendësojnë me grindje të pakuptimtë për mospajtimet më të thjeshta të tyre. Të gjitha këto janë konsekuenca të pritshme të zhveshjes së një shoqërie nga turpi dhe lëndojnë deri në palcë moralin e të rinjve.
Pavarësisht kësaj, ta rikujtojmë që turpi në Islam mbetet një virtyt i dëlirë dhe margaritar me vlerë, për ruajtjen e të cilit mbahemi përgjegjës që të gjithë, ani pse dallojmë në shkallën e përgjegjësisë. Ai nuk mund të konsiderohet në asnjë rast, si një lloj monedhe, vlera e së cilës mund të devalvohet në ndonjë kohë. Ai, siç ishte edhe në të kaluarën, edhe sot është artikuluesi më besnik i moralit të mirë të një besimtari të mirësjellshëm.
“Secila fe e ka moralin e vet, e morali i Islamit është turpi”, na tha Muhamedi a.s..
Editorial
Dituria Islame 385