Ezani, pranverë e shpirtit dhe zemrës

“Kur ta dëgjoni ezanin, thoni ashtu siç thotë myezini, e pastaj bini salavat për mua, sepse kush bie salavat një herë për mua, Allahu i Madhëruar do të bie dhjetë herë salavat për të. Pas salavateve, luteni Allahun për mua, për “vesile”, e ai është vend i posaçëm në Xhenet, i cili i takon një robi prej robërve të Allahut, e shpresoj se ai rob do të jem unë. Ai i cili bën lutje (dua) për “vesile”, unë do t’i bëhem atij ndërmjetës.” (Muhamedi a.s.)
Pranvera që gjallëron shpirtin dhe mendjen tashmë ka shtrirë bukurinë e saj në çdo cep. Ajo ka mposhtur të ftohtët dhe thatësinë dimërore, ngase bukuritë e saj janë pothuajse të pa përshkruara. Këtë thuajse e dinë të gjithë, por e veçanta e saj është kthjelltësia dhe qetësia e mbrëmjeve të saj, që shoqërohet me erën e luleve, e cila sikur të merr me vete e të shëtit në bukurinë dhe gjallërinë e mendjes e të shpirtit, pas një pushimi të gjatë dimëror.
Rëndom gjatë kësaj kohe dëshiroj të qëndrojë në oborrin e xhamisë, nga ku sodis me vëmendje yjet në lartësi, të cilët me përpikëri i kryejnë detyrat e Krijuesit të tyre, e njëra prej detyrave të tyre është edhe zbukurimi i qiellit. Mjafton të mos e shikosh qiellin me syrin e përditshmërisë, por me një meditim për ta parë bukurinë e hënës, e cila sikur të lë pa fjalë në këtë përshkrim, dhe për shumë kënd mbetet e pa shijuar si kënaqësi e shikimit në të.
Shumica nga njerëzit në këtë kohë qëndrojnë me familjet e tyre, disa të lodhur nga punët pranverore, e disa të tjerë tashmë kanë dalë në ballkonet e kafeneve për të pirë ndonjë kafe. E kur tiktaket e orës shënojnë kohën e caktuar, myezini e thyen këtë heshtje të qytetit, për të na thirrur në një heshtje tjetër, para Krijuesit të asaj që e përshkruam deri më tani.
Ezani, kjo thirrje e bukur që dëgjohet në çdo qoshe të qytetit, madje era pranverore e bartë edhe nëpër fshatra. Është një thirrje që jo rastësisht fillon me “Allahu Ekber” – Allahu është më i Madhi, e padyshim se Ai është më i Madhi se çdo gjë që e shohim apo nuk e shohim, e dimë apo nuk e dimë. Thirrja e bukur vazhdon me dy shehadetet, ku dëshmojmë atë që është thellë e ngulitur në zemrat dhe mendjet tona, e këtë sikur e dëshmon çdokush që e dëgjon, se nuk ka më meritor që të adhurohet, t’i lutemi, ta duam e ta madhërojmë se Allahu, Krijuesi i çdo gjëje. I vetmi Krijues i pashoq, që nuk ka lind askënd, e as nuk është i lindur prej askujt, e këtë dëshmi çuditërisht nuk e besojmë vetëm një pakicë njerëzish, që mbesin pakicë në raport me të gjitha krijesat e tjera, që i janë nënshtruar me dashuri dhe dëshirë Zotit të tyre.
“Dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Zotit” – e kjo për ne është nder dhe privilegj, që ta besojmë e ta pasojmë njeriun më të mirë, njeriun me virtytet më të larta, atë që i dha njerëzimit atë që i mun- gonte, që nga njohja e Zotit e deri tek edukata, mirësjellja, drejtësia e bujaria. Muhamedi a.s. ishte i dërguar rahmet e mëshirë nga Zoti Fuqiplotë.
“Eja në namaz” – është thirrja e radhës, që çdo njeri e dëgjon, por jo çdokush i përgjigjet, ngase Allahut i përgjigjen vetëm ata që Allahu i ka udhëzuar, e nëse Allahu ta ka mun- dësuar që t’i përgjigjesh, kjo është një begati dhe dhunti prej Tij, sepse Ai nuk ka nevojë për ne.
Namazi është barka e shpëtimit, e thirrja më e bukur, ezani, e bartë edhe këtë. “Eja në shpëtim” – kjo është thirrje që nuk dëgjohet me vesh, por ndjehet me zemër, për atë që arrin të lëvizë nga ndeja e muhabeti me shoqëri e familje, për të dëshmuar fjalën e parë të ezanit, se Allahu për të është më i Madhi. Për Allahun ai braktis çdo gjë, për t’u takuar, për t’u relaksuar, për të qëndruar para Tij, e me Të të bashkëbisedojë, për të shpresuar në shpëtim nga turbullirat e dynjasë e nga vështirësitë e Ahiretit.
Nëse nuk arrin të lëvizësh kur ta dëgjosh ezanin, si shpreson t’u bësh ballë momenteve të vdekjes, e të shpresosh në forcën për ta dëshmuar dashurinë, kur këtu nuk arrin ta largosh kënaqësinë. Si shpreson në shpëtim kur arrin ta injorosh thirrjen “Eja në shpëtim”?!
Tani ezani veçse përfundoi, përsëri më dëshminë se Allahu është më i Madhi, e besimtarët që e dëgjuan këtë ezan po bëhen gati për t’u radhitur në safa, për ta përjetuar kënaqësinë e atyre që ezanin e dëgjojnë me zemra e jo vetëm me vesh.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi