Feja islame na ka mësuar se prindërit janë dy qenie shumë të shtrenjta për ne dhe duhet të gëzojnë dashurinë dhe respektin maksimal në çdo moment të jetës sonë. Arroganca dhe dhuna kanë qenë gjithmonë në të kundërtën e udhëzimeve islame. Për këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Ne e kemi porositur njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet.” (El Ankebut, 8). Po ashtu, Allahu xh.sh. thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.” (El Isra, 23).
Lidhur me këtë kemi edhe hadithin e Pejgamberit a.s., të cilin na e transmeton Abdullah ibën Mesudi r.a., i cili thotë se është pyetur Pejgamberi a.s. se cila është vepra më e dashur tek Allahu, e ai u përgjigj: “Namazi në kohën e vet”. Po pas kësaj, e pyeti prapë, po pastaj: “Bamirësia ndaj prindërve” iu përgjigj.(1)
Për të treguar rëndësinë dhe vlerën që ka respekti ndaj prindërve, Zoti xh.sh. e përmendi atë menjëherë pas adhurimit të Tij. Kjo na bën të kuptojmë se adhurimi dhe përkushtimi ndaj Zotit xh.sh. nuk është i plotë nëse mungon respekti ndaj prindërve. Nëse prindërit janë të shqetësuar, të zemëruar, të nënçmuar, të lënë anash e pa përkujdesje nga fëmijët e tyre, atëherë kuptohet se edhe Zoti xh.sh. nuk është i kënaqur me ata që nuk shprehin respekt ndaj tyre.
Madje, edhe sikur prindërit të jenë gabimtarë në aspekte të ndryshme, ata duhen respektuar e nderuar dhe assesi e në asnjë moment askush nuk duhet t’i fyej ata. Transmetohet nga Abdullah ibën Amri se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Prej gjynaheve të mëdha është kur njeriu fyen prindërit e tij.” Dikush nga të pranishmit e pyeti: “Si ka mundësi njeriu të fyej prindërit e tij?” Pejgamberi a.s. tha: “Kur një person e fyen babanë e dikujt, atëherë edhe ai e fyen babën e tij, gjithashtu kur fyen nënën e dikujt edhe ai fyen nënën e tij.”(2)
Mësimet burimore fetare na mësojnë se prindi nuk respektohet dhe nderohet një herë në vit, ose një herë në muaj, ose një herë në javë! Jo, ai duhet respektuar e nderuar çdo ditë dhe çdo moment.
Pejgamberi a.s na tregon se kujdesi më i madh duhet të tregohet ndaj nënës e më pastaj ndaj babait. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., i cili thotë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, kush është më i denjë për respekt ndaj tij?” Pejgamberi a.s. tha: “Nëna jote.” Po pastaj? Pejgamberi a.s. tha: “Nëna jote.” Po pastaj pyeti përsëri? Pejgamberi a.s. tha: “Nëna jote.” Po pastaj pyeti përsëri? “Babai yt” – iu përgjigj Pejgamberi a.s..(3)
Më të afërmit e njeriut janë prindërit e tij. Nëse jemi bamirës ndaj tyre, Zoti xh.sh. na i pranon lutjet. Këtë na e tregon hadithi të cilin e transmeton Abdullah ibën Omeri r.a., i cili thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë për të fjetur. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe e mbylli plotësisht hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim Allahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira”. Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve) para tyre. Një ditë më argëtoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time e nuk ju erdha me kohë, andaj ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla, por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por nuk doja që t’i ushqej familjen dhe shërbëtorët para tyre, prandaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia qanin të uritur, por unë ua dhashë qumështin vetëm pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjell. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty e për askënd tjetër, atëherë na e largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!” me këtë rast shkëmbi lëvizi pak...(4)
Detyrat e fëmijëve ndaj prindërve
- Të sillen mirë ndaj prindërve të tyre;
- Të sigurojnë jetesën e tyre, në rast se ata kanë probleme të tilla;
- Të mos ua thyejnë zemrën prindërve me fjalë apo me sjellje, madje të mos u thuhet as “of !”;
- T’u buzëqeshim atyre, t’u themi fjalë të ëmbla, dhe të mos i shikojmë të nervozuar dhe me shikim të vrazhdë;
- T’u shërbejnë atyre, në rast se kanë nevojë për shërbim dhe ta përmbushim këtë me dëshirë;
- Të mos flasin me zë të lartë para tyre; - Të mos kalojmë para tyre kur ecim në
rrugë;
- T’u përgjigjemi menjëherë kur na thërrasin;
- T’i kujtojmë me lutje pasi kanë vdekur, të bëjmë dua për ta: “Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria!” (Ibrahim, 41).
___________________
1. Sahihul Buhari në gjuhën shqipe nga F. Mehdiu, hadithet, 5351- 6226, Prishtinë, 2014, fq. 275.
2. Po aty, hadithi nr. 6529
3. Sahihu Muslim, hadithi nr. 2548
4. Sahihul Burahi, hadithi nr. 2333, Sahihu Muslim, hadithi nr. 2743
35