Hixhreti pikë kthesa historike e ymetit islam

Hixhreti i Resulullahit s.a.v.s., përveçqë na kthen kujtesën historike duke evokuar ngjarjet që i paraprinë dhe atyre që e pasuan atë, në anën tjetër na sjell mesazhe dhe porosi shumëdimensionale, të cilat duhet të jenë moto për të vazhduar tutje drejt sukseseve dhe përparimit.
Nëse kthehemi pak në retrospektivë, do të shohim qartë se këto porosi edhe sot janë po aq aktuale, siç ishin atëherë, e do të jenë të tilla deri në Ditën e Fundit të jetës mbi këtë tokë.
Hixhreti si një ngjarje historike shpreh triumfin ndaj dhunës, urrejtjes e mos durimit, e në të njëjtën kohë promovon lirinë, paqen, respektin dhe mirëbesimin. Kur kujtojmë Hixhretin, kujtojmë Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s., i cili la Mekën dhe migroi në Medinë, me qëllim që të realizonte misionin që i qe ngarkuar nga i Madhi Zot. Me këtë veprim të të Dërguarit a.s., u krijuan bazat themelore për përhapjen e besimit, kulturës e të qytetërimit islam, si dhe për themelimin e një shoqërie të re që do të jetonte e lirë, në paqe e me mirëkuptim.
Hixhreti i Pejgamberit a.s. dhe i myslimanëve, nuk ishte shpërngulje e “hijeve dhe e shpirtrave të trazuar” nga frika për jetën e tyre, Jo, jo! Përkundrazi, ishte vendosmëri e paluhatshme dhe një planifikim i urtë e largpamës. Ishte shpërngulje e njerëzve në lirinë, fisnikërinë dhe dinjitetin e tyre. Ishte ngritje në çiltërsinë dhe dëlirësinë shpirtërore dhe shpëtim i ndërgjegjeve të tyre të pastra; Ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë, Ngjarjen e hixhretit, sipas konceptit islam duhet parë dhe kuptuar si një zgjim dhe lëvizje, plot energji pozitive, për të demonstruar gatishmërinë e sakrifikimit drejt të së vërtetës. Kjo ngjarje duhet regjistruar si një nxitje që buron nga ndjenja e thellë e besimit dhe dashurisë ndaj të vërtetës, si nxitje pa kompromis drejt ruajtjes dhe kultivimit të vlerave humane. Hixhreti nuk ishte ikje nga beteja, por ecje e guximshme në arenën e betejës, për të sfiduar të pavërtetën, pavlerën dhe tiraninë.
Hixhreti nuk nënkupton dorëzim dhe nënshtrim ndaj të keqes, por fillim i sfidimit të së keqes. Hixhreti nuk nënkupton ikje nga lodhjet dhe torturat e kësaj bote, por nënkupton ngritje të vetëdijes, marrje të përgjegjësisë për ta luftuar të keqen dhe vullnet për të vendosur rend e drejtësi.
Kjo ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë islame, përveç se përcjell porosi shumëdimensionale e të qarta, në realitet pasqyron edhe gjendjen faktike jo vetëm të kohës së ngjarjes, por pasqyron edhe aktualitetin pragmatik të kohës që ne po jetojmë. Madhështia dhe rëndësia e hixhretit të Pejgamberit a.s. nënkuptohet nga fakti, se kjo ngjarje ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në formën e organizimit, zhvillimit, sistemimit dhe sistematizimit të obligimeve dhe të drejtave individuale dhe grupore në shoqërinë njerëzore. Aktualiteti i kësaj ngjarje reflektohet në mësimet se, si nuk duhet të solidarizohemi me të keqen për asnjë çmim, si duhet luftuar krimin, padrejtësinë dhe tiraninë me çdo mjet, deri sa të ekzistojë kjo botë.
Ngjarja e hixhretit na mëson se për të arritur diçka, nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti, por duhet bërë lëvizje dhe veprime konkrete për t’u liruar nga fenomenet negative të shoqërisë. Në anën tjetër nga lëvizjet dhe hapat konkretë që i ka bërë Pejgamberi a.s. pasi emigroi në Medinë, japin të kuptojnë se lëvizjet duhet të jenë të planifikuara, të analizuara dhe të harmonizuara edhe me shkaqet praktike që i kërkon nevoja. Andaj ngjarja e hixhretit ishte një shkëndijë prej ku fillon rrezatimi i dritës, lirisë dhe sigurisë njerëzore. Ishte një mësim se, e keqja nuk mund të luftohet e as të evitohet me oportunizëm, e as në mënyrë individuale, por detyrimisht kërkon ngritjen e zërit me një organizim të sinqertë të mbarë shoqërisë.
Pikërisht për këto arsye, hixhreti do të mbetet një pikë kthese historike për Ymetin islam, sepse kjo ngjarje, përfundimisht mundësoi ndërtimin e një shoqërie mbi bazamentin e dashurisë dhe respektin e ndërsjellë.
Sot kur bota po përballet me luftë, konflikte, refugjatë e të zhvendosur, mesazhet dhe mësimet e hixhretit duhen kuptuar drejt: në funksion të ndaljes së konflikteve, forcimit të paqes, solidaritetit, dashurisë e respektit të ndërsjellë
Vetëm me punë dhe përkushtim, duke shfaqur vlerat tona paqësore dhe duke bërë hixhret nga mëkatet dhe dukuritë negative, ne mund të arrijmë majat më kulmore të përparimit.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi