Hafëz Selim ef. Hoshi, myezini i njohur shqiptar xhamisë së Sulltan Fatihut në Sarajevë


Shqiptarët në Sarajevë janë një nga pakicat kombëtare më në numër. Ata në kryeqytetin tonë, në Sarajevë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë janë të pranishëm për disa shekuj. Sipas gjurmëve të shkruara, shqiptarët e parë kanë ardhur gjatë Perandorisë Osmane, kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike, politike dhe shoqërore në territoret shqiptare, ndërsa kanë ardhur kryesisht nga Shqipëria Veriore. Gjatë kohë së Perandorisë Austro-Hungareze, numri i shqiptarëve dukshëm është zvogëluar. Sipas regjistrit të popullsisë së vitit 1910, vetëm 273 banorë në Bosnjë ishin që flisnin gjuhën shqipe.
Sipas vlerësimeve të shoqatave shqiptare, në hapësirën e Federatës, në vitin 2015, kanë jetuar në mes 7000-10.000 pjesëtarë të kësaj pakice kombëtare, ndërsa numri më i madh i tyre jetojnë në Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Mostar, Bihaç etj..
Shqiptarët në Bosnjë dhe Hercegovinë kryesisht janë të përkatësisë së fesë islame dhe katolike, ndërsa te ky popull është karakteristikë se kurrë nuk kanë pasur konflikte ndërmjet vete në baza fetare. Shumë nga ta janë intelektualë dhe ndërmarrës të shquar. Me punën e tyre kanë fituar status të duhur në shtetin të cilin e kanë pranuar si të vetin.
Në Sarajevë jeton edhe familja shqiptare Hoshi. Para shtatëdhjetë vitesh, nga Gjakova ku kanë lindur, Gani dhe Ganimete Hoshi, janë shpërngulur në Sarajevë. Më parë kanë menduar të shpërnguleshin në Turqi, por nafaka i solli në Sarajevë, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në qytetin buzë Miljackës, iu lindën katër djem e një vajzë. Krahas punës private, rahmetli Ganiu ishte edhe myezin në "Xhaminë e Begut" dhe të "Sulltan Fatihut”, me ç'rast ka përfituar miqësi të shumta. Ezani i tij ishte i veçantë dhe shumë i këndshëm për njerëzit të cilët e kanë dëgjuar. Tre djemtë e tij kanë vazhduar punën e biznesit familjar, ndërsa vetëm hafëz Selimi ka kryer Medresenë e "Gazi Husrev Beut" dhe ka vazhduar rrugën e babait të tij, atë të myezinit.
Tash e disa dekada është i lidhur me xhaminë e "Sulltan Fatihut". Xhematlitë e kanë përcjellë me besnikëri misionin e tij vetëmohues në xhami, dhe me iniciativën e kolegut të tij, imamit hafëz Sadrudin ef. Isheriqit, kanë vendosur që për Ramazanin në ardhje, t'ia përgatisin një befasi të pazakontë. Kanë vendosur që për të dhe për bashkëshorten e tij, znj. Nurije, t'ua paguajnë umren e Ramazanit. Të hollat për rrugën e tyre i kanë grumbulluar për një kohë të shkurtër, ndërmjet namazit të drekës dhe ikindisë. Shpejtësia e grumbullimit të mjeteve financiare flet se sa hafëz Selimi dhe familje e tij janë të dashur për këtë xhematë sarajevas.
Lidhur me këtë lajm, kam vizituar familjen e hafëz Selim ef. Hoshit dhe nga dora e parë kam dashur të zbulojë detajet e këtij gjesti të pazakontë, se si ai dhe bashkëshortja e tij kanë reaguar kur kanë pranuar këtë lajm.
"Nga xhemati kanë pyetur fëmijët tanë se a kemi ne të dy pasaporta. Dhe pas saj kanë porositur që ne të dy patjetër të vijmë në mbrëmje në xhami. Imami hafëz Isheriqi më ka porositur që menjëherë të vijmë, pasi që do të ketë një ceremoni të vogël". Ne kemi ardhur pa ditur se çfarë po përgatitej. Pas programit të shkurtër, hafëz Isheriqi më dha zarfin të lexoja se çka shkruan në të. Ndërsa në zarfshkruante:
"Hedia - umra e Ramazanit nga xhematlitë dhe shokët e xhamisë së "Sulltan Fatihut". Brenda në zarf ishte letra në të cilin shkruante: "Hafëz Selim ef. Hoshi dhe zonja Nurije Hoshi, kjo është hedia nga xhematlitë dhe imami për tërë shërbimin tuaj në xhaminë e "Sulltan Fatihut" për gjatë gjithë këtyre viteve! Allahu ua bëftë kabull ibadetet dhe të na kujtoni edhe neve në duatë tuaja!". Pyeta mos është ndonjë gabim! Të gjithë thanë që nuk është, dhe më pastaj ia nisën ilahisë emocionuese "Në Medine unë u nisa", e cila nuk e lë askënd indiferent. "Kjo do të jetë mungesa ime e parë për Ramazan në Sarajevë:'



Amanetin e myezinit e kam trashëguar nga rahmetliu, babai im, Haxhi Ganiu
Hafëz Selimi më ka treguar për gjenezën e familjes Hoshi, për zhvillimin e saj, udhëtimet nëpër botë dhe kohë. "Prindërit e mi janë nga Kosova, nga qyteti i Gjakovës. Në Sarajevë kanë ardhur para 70 vitesh. Babai dhe xhaxhallarët e mi gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë punuar si bukëpjekës për ushtrinë italiane në Shqipëri. Aq shumë fitonin sa që për një muaj kanë mundur të fitonin para sa për të ndërtuar një shtëpi. Në fund, një njeri ka ardhur në mirëbesim dhe u kanë thënë që të ktheheshin menjëherë në Kosovë, sepse komunistët e Enver Hoxhës do t'i vrisnin. I mblodhën plaçkat dhe ikën, ndërsa atje u mbeti i tërë fitimi. Një kohë kanë jetuar në Prizren. Babai këndonte ezanin në xhaminë e njohur të "Sinan Pashës" në Prizren. Kur kanë ardhur në Sarajevë, babai nga minarja e "Xhamisë së Begut" e ka thirrur ezanin. Kur këtë e ka dëgjuar Mujaga Merhemiqi, babës dhe dy vëllezërve të tij, të cilët kanë ardhur me të, ua ka lëshuar shtëpinë pa qira, që të banonin për pesë vjet. Por, nga baba im ka kërkuar që për këto pesë vjet të jetë myezin. Babai dhe xhaxhallarët janë marrë me tregti. Babai ka shprehur dëshirën që pas ndërrimit jetë, në Ahiret të jetë i varrosur në Bosnjë.
Shumë e ka dashur Bosnjën. Ka folur se në Bosnjë janë myslimanët më të mirë në botë. Ka qenë i gëzuar pa masë kur e regjistrova Medresenë.”

Nuk ka mësuar gjuhën boshnjake, në mënyrë që me fëmijët e saj të fliste shqip në shtëpi

Nëna e hafëz Selimit, Ganimetja, tashmë ka hyrë në moshën 95-vjeçare. Është mirë me shëndet. Është krenare me djalin e saj hafëz dhe me fëmijët e tjerë. Dëshiroja të dëgjoja edhe një pjesë të saj të tregimit familjar. Ka folur në shqip, ndërsa përkthimin e bënin hafëz Selimi dhe nusja Nurija: "Sa po plakem më shumë, aq më shumë po më ngre dëshira që të kthehem në Kosovë. Këtu nuk kam bashkëmoshatare dhe shoqe (dikush i tha, me kaq vite sa ke, edhe atje nuk ke). Me qëllim nuk e kam mësuar gjuhën boshnjake, që në shtëpi të flas shqip, ashtu që fëmijët të mësojnë shqipen. Kështu që, sot djemtë dhe vajza ime, madje edhe nipat, flasin shqip.
Kur e kujtoj bashkëshortin, rahmetli Ganiun, më së shpeshti më bien ndërmend momentet kur ai i binte njerëzit për kafe në shtëpinë tonë. Cilido të njohur që e takonte rrugës e binte në shtëpi. Mua nuk më ka penguar. Kur ka vdekur, shoqet e mija më pyesnin për çfarë më së shumti më mungon, unë iu përgjigjsha: "Në fjalosjet e vogla të mëngjesit.”
Në rrëfimin e saj u ndërlidh edhe hafëz Selimi: "Nëna, për fat të keq, nuk ka shkuar në shkollë. Megjithatë, ishte jashtëzakonisht inteligjente dhe ka ditur të mësojë nga përvoja e jetës.” Kur me një rast ka dal në gazetë, i ka thirrur motrat e saj në Kosovë dhe u ka thënë: "Ju keni sado-kudo shkollë, unë nuk kam as një klasë të vetme, por unë dola në gazetë. Po ju, ku jeni ju!"





Bajro Perva
Përktheu: Faik Miftari


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme