Zoti i Madh leximin e Kuranit krijesave të tij ua bëri adhurim. U dha shpërblim të shumëfishtë për secilën shkronjë, prej dhjetë e më shumë sevabeve. Të lexuarit ka më shumë vlerë nëse bëhet me vëmendje dhe kuptohen porositë e tij. Mbi të gjitha, Kurani ofroi mënyrën e leximit. Kjo u kuptua atëherë kur i Madhi Zot urdhëroi të dërguarin që ta lexonte në atë mënyrë: "…dhe Kuranin lexoje me këndim (vëmendje)". (El muzemil, 4); "Dhe (Ta shpallëm) Kuranin që Ne e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalngadalë dhe ashtu e shpallëm një pas një". (Isra.106) Nga kujdesi i madh për ta përsosur saktësinë e leximit dhe mbamendjen, Pejgamberi a.s. ngutej ta përsëriste para Xhebrailit a.s. derisa mori këtë reagim nga Kurani: "Mos pëshpërit shumë me gjuhën tënde e të ngutesh për ta nxënë atë. Me të vërtetë Neve na takon tubimi dhe leximi i tij" (në gjoksin tënd). Në çdo vit Pejgamberi a.s. bëri leximin e Kuranit para Xhebrailit në muajin Ramazan nga një herë, kurse vitin e fundit të jetës së tij, dy herë. Pejgamberi a.s., siç e mori vetë nga Xhebraili a.s., ashtu i mësoi edhe ashabët, shoqëruesit e tij, duke i nxitur për mësim dhe lexim të mirefilltë, siç u shpreh në hadithin: “Me të vërtetë, Allahu e dëshiron leximin e Kuranit, plotësisht siç është zbritur”. Dhe për këtë i kishte dalluar disa nga ashabët që kishin më shumë prirje për lexim dhe këndim. Ndër ta ishin: Ubej Ibn Kabi, Abdullah Ibn Mesudi, Zejd bin Thabit, Ebu Musa el Eshari, Othman bin Afani, Ali bin ebi Talib, Ebu Dardai, Muadh bin Xhebel etj.. Këtyre ashabëve herë pas herë u lexonte Kuranin e ndonjë herë kërkonte edhe që ata t'ia lexonin. Kështu është përcjellë në një hadith sahih, se kishte kërkuar nga Ibn Mesudi t’i lexonte Kuran.E ai kishte lexuar nga sureja E-nnisa derisa kishte arritur te ajeti “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), e ne do të sjellim nga një dëshmitar prej secilit popull,e ty do të sjellim dëshmitar për ata që nuk besuan”. Po ashtu është transmetuar t’i ketë thënë Ubej ibni Kabit: “O Eba Mundhir, jam urdhëruar t’ju lexoj Kuran juve”. Si the hadithi që urdhëron që mësimi i Kuranit duhet të bëhet në mënyrë të saktë dhe të përpiktë, që realizohet nëse merret nga persona të dalluar, siç ishin këta ashabët: “Merreni Kuranin nga katër veta: Prej Abdullah ibni Mesudit, Salimit, Muadhit dhe Ubej bin Kabit”. Të gjitha këto fakte tregojnë se leximi i Kuranit ka një veçanti që është marrë nga Pejgamberi a.s.. Kush e ndryshon atë ose nuk i kushton rëndësi asaj, ka rënë në kundërshtim me Synetin dhe e ka lexuar Kuranin qysh nuk është zbritur.
Të lexuarit e Kuranit sipas rregullave të shkencës së texhvidit, është specifikë e librit hyjnor dhe përkon me të folurit e gjuhëve arabe dhe dialekteve të saj, sepse Kurani është arabisht në shprehje dhe kuptim, në fjalë dhe stil e me artikulim të pastër arab etj.. Sipas kësaj gjejmë që shumica e studiuesve të shkencës së texhvidit dhe kiraeteve të jenë njohës të gjuhës dhe gramatikës arabe, për shkak të pikave të përbashkëta studimore. Kësaj shkence, d.m.th. të texhvidit dhe kiraeteve, i kushtohej një rëndësi e veçantë gjatë historisë islame,që nga gjeneratat e para, të cilat i kushtuan rëndësi të madhe, sikurse edhe të mëvonshmet, duke hulumtuar të gjitha aspektet e saj, si në të shkruar dhe në grumbullimin e fakteve, ashtu edhe në mësimin e leximit të drejtë etj., aq sa mund të thuhet: Për të mëvonshmit ka mbetur shumë pak që të shkruhet diçka më shumë në këtë drejtim. Një studiues i cili hulumton se ç’është shkruar rrreth kiraeteve dhe texhvidit në ato kohë, do të nxjerrë përfundimin se ata lanë pas vetes thesar të madh literature, sa një bibliotekë e madhe, që, sado që hulumtohet, nuk përfundon.
Kronologjija e autorëve dhe veprave të tyre në këtë art
I pari që i përmblodhi në një libër, ka qenë dijetari i madh Ebu Ubejd el Kasim bin Selam, në shekullin e tretë hixhri. Bëhet fjalë për librin “Libri i leximeve(Kitabul kiraati)”. Thuhet se i pari që tubojë leximet në një libër, ka qenë Hafs bin Omer e-dduri (Marifetu el kurrai). Në shekullin e katërt El Hafidh ebu Beker bin Muxhahid el Bagdadi dhe ai është i pari që shtatëshin e bëri shtatë (është fjala për zbritjen e Kuranit në shtatë harfe, ai i përmblodhi shtatë harfet në shtatë lexime) në librin “Shtatë leximet”. Në shekullin e pestë u bë i njohur el hafidh ebu Amer Othman bin Seid E-ddani për librin “E- Tejsir” në shtatë leximet dhe ai qe bazë për të gjithë lexuesit dhe spjeguesit e leximeve.Thotë el hafidh E-dhehebij për të, se ka shkruar 120 vepra rreth kësaj fushe. Ebu Amer e-ddani vdiq në vitin 444h. Në këtë shekull ka qenë i njohur edhe El Karani për një numër shumë të madh veprash, prej të cilave "Et-tebriretu" dhe “El keshf" për mënyrat e leximeve, dhe libri "Err-rriajetu fi Et texhvid". Në shekullin e gjashtë u bë i njohur mësuesi, i cili tejkaloi shumë dijetarë para tij dhe pas tij me dritën që solli në këtë shkencë me librin e njohur "Eshatibijetu", që është titulluar ndryshe nga autori "Hirzul emanij ve vexhhu tehanij". Në këtë vepër autori thuri të shtatë leximet në 1073 vargje dhe ky është Ebu el-Kasim bin Firete bin Halef bin Ahmed E-rreini E-shatibi El-endelusi, që ka vdekur më 590h. Pas tij erdhën edhe shumë dijetarë të tjerë në secilin shekull, duke e vazhduar bartjen e bajrakut të Kuranit në shpjegime të shumta dhe sqarime të nevojshme për kohën kur jetuan, derisa u paraqit prijësi i recensentëve, i pari i lexuesve, Muhamed ibn El-xhezeri. Nxënësit e tij ishin të shumtë dhe ai shkroi shumë libra; më i njohuri “En-neshr fi kiraatil ashere”, që, përveç shtatë leximeve, përmban edhe leximin e ebi Xhaferit, Jakubit dhe Halefit. Pastaj e reduktoi në librin “Takribu neshri” e pastaj i sistemoi në vargje të dhjetë leximet dhe i titulloi “Tibetu neshri”, si dhe librin tjetër, po ashtu në vargje, “Durretul mudijetu” në të tri leximet. Po ashtu edhe rregullat e shkencës së texhvidit i përpiloi në vargje “Kavaidu texhvidi”. Pas tij dijetarët u morën me ndonjë kaptinë të veçantë në këtë lëmë, si me vendartikulimin e tingujve dhe veçorive të tyre etj., por asnjëherë nuk mori fund angazhimi dhe hulumtimi i tyre. S’ka dyshim se lexuesi bashkëkohor dhe nxënësi i sotëm ka nevojë për t’iu ofruar kjo shkencë me metoda të reja,në veçanti duke i shfrytëzuar mjetet e elektronikës për të dëgjuar këndim të Kuranit nga lexues të dalluar dhe duke përvetësuar nga mënyra e këndimit të tyre, siç janë Abul based abdu samed, Muhamed sidik el-menshavi, Muhmud halil el Husari, Abdu Rrahman El Hudhefi e shumë të tjerë.
Kaptina rreth shtatë harfeve dhe shtatë lexuesve
Ashabët Kuranin e dëgjuan prej Pejgamberit a.s. në raste të ndryshme në shtatë harfemënyra...Në një hadith të vërtetë thuhet: “Më ka lexuar Xhebraili në një harf, unë ia ktheva atij duke i kërkuar që t’i shtoj më shumë, e ai nuk u ndal së shtuari derisa arriti në shtatë harfe’. (Transmetojnë Buhariu e Muslimi). Kjo nuk do të thotë që në një harf janë shtatë mënyra. El eshmuni thotë në Menarul huda:
“Nuk ka dyshim se disa fise takonin Pejgamberin a.s. dhe ai ashtu secilit i ofronte atë që i përshtatej gjuhës së tij. E zgjaste sa një elif mikdare, apo sa dy elifa dhe tre, për atë që gjuha e tij ishte e tillë.Po ashtu e lexonte rëndëtrashë për atë që e kishte këtë në gjuhën e tij, apo e lexonte të lehtë siç e kishte të njohur në gjuhën e vet dhe bënte imalen (lexim i zanores a afër e-së) për atë që e përdorte atë në gjuhën e tij etj.. Por assesi nuk është siç mendojnë disa nga masa e gjerë dhe të ngjashmit me ta, se shtatë harfet kanë të bëjnë me shtatë lexuesit e njohur. Kjo, sepse shtatë lexuesit nuk ekzistonin ende kur u plotësua zbritja e Kuranit. Ibni Tejmije thotë se nuk ka kurrfarë mospajtimi në mes dijetarëve të mirëfilltë se shtatë harfet që ka përmendur Pejgamberi a.s., se Kurani ka zbritur në to, ato nuk kanë të bëjnë me shtatë leximet e njohura. I pari që i ka tubuar ato, ka qenë Muxhahidi për t’i pajtuar me numrin në të cilin ka zbritur Kurani. Por jo për të besuar ashtu siç do të besohej nga disa ulema, se shtatë leximet janë shtatë harfet dhe se këto shtatë të përmendura nuk lejohet të lexohen jashtë leximeve të tyre... kështu që nuk ka mospajtueshmëri të dijetarëve islamë të pasuar nga të parët dhe imamët, - se nuk është e detyruar që të lexohet nga këto kiraete të përcaktuara në të gjitha vendet myslimane. Por, sipas asaj që është vërtetuar, një lexim dhe ai vend e lexon atë, dhe kjo është pranuar në mesin e dijetarëve pa kurrfarë dyshimi. (En-eshr fq. 40) Shkurtimisht mund të thuhet për shtatë harfet: Ato janë shtatë të folura gjuhe (gjuha tek arabët është më e veçantë se dialektet). Kurani ka zbritur në gjuhën më të pasur dhe më të njohur, qoftë ajo e njësuar apo jo. Ka raste kur është e njëjtë në një fjalë me një mënyrë dhe aty është një lexim, por edhe mund të ketë më shumë mënyra të lexuari, kështu që me një fjalë, mund të ketë përdorime të shumta në gjuhët-të folurat arabe apo edhe në një gjuhë, që do të thotë se edhe në mes një fisi mund të ketë ndryshime në të shprehurit e asaj fjale, kështu është rasti me shumë lexime në ajetin: “..abede tagut” dhe “..ufin lekum”, aq sa arrin gati në njëzet lexime. (El ahrufu sebatu fq179).
Shtatë imamët e njohur dhe transmetuesit e tyre:
1. Imam Nafiu në Medine (viti i vdekjes 169h) transmetuesit; Kalun dhe Versh
2. Imam Ibni Kethiri në Meke (.......120h) Kunbul dhe el Bezzi
3. Imam Ebu Amer në Basra (.......154h) Duri dhe Susi
4. Imam Ibni Amiri në Damask (.....118h) Hisham dhe Ibni Dhekvan
5. Imam Asim E-nnexhudi në Kufe(.....12h) Shuube dhe Hafs
6. Imama Hamze Bin Habiib në Kufe(....156h) Halef dhe Halad
7. Imam El Kisaiu në Kufe (.....18h) E-lejth dhe Duri
Plotsimi i imamëve në dhjetë me:
8. Imam Ebu Xhaferi në Medine (....130h) Ibni Verdan dhe Ibni Xhe-Maz
9. Imam Jakup Bin Ishak në Basra (.....205h) Ruvejs dhe Revh
10. Imam Halef Bin Hisham në Kufe (.....229h) Ishak dhe Idris Ibn xhezeriu në librin E- neshr ka përcjellë fjalën e Ebi Abas Ahmed El-mehdit: “Për sa i përket përcaktimit të vendeve të këtyre imamëve-lexues, si imam Nafiu, Ibni Kethiri, Asimi, Hamze etj., këtë e bënë dijetarët e mëvonshëm duke i veçuar dhe përzgjedhur disa nga të tjerët,por ajo u kuptua te njerëzit si të ishte farz, aq sa, nëse do të ketë dëgjuar diçka jashtë këtyre leximeve, është konsiderurar gabim, ose është quajtur edhe pabesimtar, nëse nuk i besohet atij lexuesi edhe pse këta ndoshta kanë qenë më të ditur dhe më të njohur se të tjerët. Mirëpo më pastaj, pasi ka rënë interesimi për shkak të numrit të madh, u përcaktuan vetëm në dy transmetues të një imami, dhe të tjerët transmetues nuk u pranuan. Kjo përfundoi kështu, derisa Ibni Muxhahidi bëri zgjedhjen e shtatë imamëve nga se u bë një keqkuptim prej masës së gjerë, të cilët menduan se këta shtatë imamë janë sinonim i shtatë harfeve të cekura në hadith. Ndoshta do të kishte qenë mirë sikur ky numër të zvogëlohej, veçse të mos shkaktohet ky konfuzion (fq126). Edhe dijetari El karabi, autor i librit (E-shshafi) thotë: “Përkufizimi në shtatë lexues e jo të tjerë, nuk ka diçka nga e kaluara dhe as syneti, porse ajo është një grumbullim apo kufizim nga më të vonshmit, që nuk kanë lexuar më shumë se shtatë, dhe prandaj është shkruar-titulluar libri “E-ssebea”. Pastaj kjo mori përmasa te njerëzit aq, sa u mendua se nuk bën të shtohet më shumë se ai numër, dhe gjithë kjo u bë nga fama dhe autoriteti i autorit të këtij libri (fq46).
Të dhjetë imamët janë të pajtuar në bazat themelore të shkencës së texhvidit. Dallimet janë në aspektet e ndryshimit të ndonjë fjale. Të gjithë imamët e kanë zinxhirin e lidhur me senede të vërtetuara deri te Pejgamberi a.s., ashtu që edhe pse kanë ndryshime në leximin e ndonjë fjale, të gjitha janë të ardhura deri tek ata nga i Dërguari i Allahut a.s..
Prej transmetimeve që u përhapën më shumë në Botën Islame, është ai i Hafsit nga Asimi.
Hafsi - është Ebu Amr Bin Sylejman Bin El Mugire El Esedi El Gadiri El Bezar El Kufi. Ka lindur në vitin 90h dhe ka vdekur më 180h. Ishte më i dituri nga shoqëruesit e Asimit me leximin e tij. Ai ishte i afërt i Asimit, biri i gruas së tij. Në lexim ishte i saktë, i përpiktë, preciz, e përvetësoi leximin me grupin e nxënësve që e morën përmendsh Kuranin nga Asimi E-nnexhudi, nga Abdurrahman Bin Habiib E-ssulemi, nga Othman Bin Afani, Ali bin Ebi Talibi, Abdu- llah bin Mesudi, Ubej bin Kabi, Zejid bin Thabit - të gjithë këta nga Pejgamberi a.s. nga Xhebraili a.s. nga Levhi El Mafudhi nga Zoti i Plotfuqishëm, Madhëruar, Lavdëruar, shejtëruar qofshin Emrat e Tij të bukur.
Asimi-është (Ebu Bekër) Bin Belhete Bin Ebi E-nnexhud El-Kufi, viti i vdekjes është 127h. Ai është njëri nga shtatë imamët e kiraeteve; me të ka përfunduar të kryesuarit e mësimit të leximeve në Kufë. Ishte i njohur, kishte përmbledhur njohuritë stilistike të gjuhës dhe të shprehurit e lartë liturgjik. Kishte leximin më të mirë dhe zërin më të bukur në këndim të Kuranit, ishte i përpiktë, i sigurtë, i drejtë. Ka hadithe të transmetuara në gjashtë librat e synetit; ai ishte nga tabiinët.
Leximet e vërteta dhe kushtet e tyre
Tri kushtet e një leximi të vërtetë janë:
1. Të jetë i lidhur me senedin (zinxhirin) e vërtetë deri te Pejgamberi a.s..
2. Të jetë i përputhur me rregullat e gjuhës arabe, qoftë edhe ndonjë formë edhe më pak letrare.
3. Të jetë i përputhur me shkrimin e mushafit të imamit apo me ndonjërin nga musafet e Othmanit r.a..
Ibni El-Xhezeriu, në librin e tij “En-nesher” konkludon: “Çdo pjesë që është vërtetuar nga Pejgamberi a.s. prej leximeve, është vaxhib pranimi i tij, dhe askujt nga Ymeti nuk i lejohet refuzimi, është i domosdoshëm të besohet në të, se e gjithë ajo është e zbritur nga Allahu i Madhërishëm. Asnjë nga leximet nuk ka kundërthënie, mospajtueshmëri dhe mangësi”.(fq 17) Për një çështje të tillë dha shenjë Pejgamberi a.s. kur u përgjigj me fjalët “Ahsente” - ‘mirë e ke’ dhe tjetrit “Esabte” - ‘drejt e ke’ e një tjetër hadith: “Kështu është zbritur”, ashtu që Pejgamberi a.s. të gjitha leximet ua pranoi, edhe pse ato ishin të ndryshme. Bile u tha prerazi - kështu është zbritur prej Allahut. Ndryshimet e kurrave të gjitha janë të drejta dhe të qëlluaratë pranuara, të zbritura nga Allahu xh.sh.. Ajo është fjala e Tij. Çdo lexim në relacion me tjetrin është i drejtë dhe i qëlluar në të njëjtën kohë e themi prerazi se është i vërtetë, i drejtë dhe në të besojmë. Ndërsa, për sa i përket emërimit të secilit lexim prej leximeve të ndryshme në emër të ashabëve a të tjerëve, është bërë nga arsyeja se ai ka qenë më i njohur, më i saktë dhe i është përmbajtur atij leximi. Po kështu ka ndodhur edhe me emërtimin e imamëve të kiraeteve dhe transmetuesve të tyre. Qëllimi i kësaj është: që secili lexues a imam që prej mënyrave ka zgjedhur një mënyrë leximi, të cilën e ka transmetuar edhe te të tjerët në vazhdimësi për një kohë dhe është lexuar ashtu, - atëherë ai lexim është bërë i njohur në emër të tij e jo të dikujt tjetër. Do të thotë se ky lexim është nga përzgjedhja e tij nga vazhdimësia dhe përkushtueshmëria në të, e nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë krijim, mendim të dhënë nga ai.(Fq52) Po ashtu vazhdon të thotë: “Çdo lexim që pajtohet-përputhet me rregullat e gjuhës arabe, qoftë edhe në një formë, si dhe përputhet me shkrimin e muhafeve të h. Othmanit, edhe në qoftë i mundshëm dhe është vërtetuar senedi i tij, - ai konsiderohet lexim i vërtetë, të cilit nuk i lejohet refuzimi e as mohimi. Porse ai lexim do të jetë nga shtatë harfet-mënyrat në të cilat ka zbritur Kurani dhe është detyrë për njerëzit ta pranojnë, qoftë ai lexim nga shtatë imamët, nga dhjetë imamët apo të tjerë, që janë të pranuar. Nëse një nga këto kushte i mungon, atij leximi i thuhet i dobët, shadh apo i pa pranuar, qoftë nga të shtatët apo të tjerët.Vazhdon e thotë: Disa nga të më vonshmit e kanë kushtëzuar tevaturin duke mos mjaftuar vetëm me vërtetësinë e senedit, vlera e kësaj dihet. Porse, për sa i përket tevaturit, nëse ai vër- tetohet, atëherë nuk ka nevojë për dy kushtet e tjera, siç është rresmi- shkrimi etj.. Pra atëherë kur vërtetohet prej leximeve tevaturi nga Pejgamberi a.s., është detyrë pranimi dhe në mënyrë të prerë konsiderohet se është Kuran, qoftë në përputhshmëri me rresmin apo të ndryshojë prej tij.Pastaj ka përcjellë nga imam Ebi Muhamed El- Meki, në qoftë se pyet dikush e thotë: çka pranohet prej Kuranit dhe lexohet? Çka lexohet e nuk pranohet? Si dhe çka pranohet e nuk lexohet? Përgjigjja për të gjitha këto dilema është se ç’ka ardhur nga Kurani, u takon këtyre kategorive a pjesëve:
E para; është pjesa që lexohet deri sot, ajo është që janë të bashkuara tri kushtet: a) është i përcjellë nga njerëzit e sigurt prej Pejgamberi a.s.; b) pajtohet me normat e gjuhës arabe; c) dhe përputhet me shkrimin e muhafeve të Othmanit. Në qoftë se i plotëson këto tri kushte, lexohet dhe në mënyrë të prerë pranohet se është i vërtetë, ngase është marrë nga koncensusi i përgjithshëm dhe kush e mohon, është pabesimtar.
E dyta; është ai lexim i vërtetë në transmetim, si dhe i vërtetuar gramatikisht, por nuk përputhet me shkrimin e mushafeve; ky lloj pranohet, po nuk lexohet për dy arsyje: e para, ngase nuk është marrë me ixhma por nga persona të veçantë, nuk pranohet të jetë Kuran me lajmin e vetmuar. Arsyja e dytë, se ai nuk pajtohet me atë që qëndron koncensusi, prandaj nuk mund të përcaktohet prerazi për vërtetimin e tij. Dhe, çka nuk dihet prerazi për vërtetësinë e tij, nuk lejohet leximi prej tij dhe as nuk konsiderohet pabesimtar ai që e mohon atë, por mohimi nuk pëlqehet.
E treta, është ai lexim që transmetohet nga të pavëmendshmit apo është transmetuar nga të vëmendshmit por nuk vërtetohet gjuhësisht, edhe nëse përputhet me shkrimin e musafit. Ibni xhezeriu e përmend rastin e Hamzës, i cili është i përpiktë dhe duhet të merret leximi nga ai, po në këtë rast nuk është pranuar, sepse nuk përputhet me dy kushtet e tjera. Edhe pse shumë studiues vërtetojnë se ai lexim nuk i takon imamit të njohur Hamza, dhe nuk vërtetohet të ketë ardhur nga ai, bile as në transmetimet e dobëta.
E katerta, është ai lexim, po ashtu i papranuar, edhe pse përputhet me gjuhën arabe dhe shkrimin e mus’hafeve, por ai lexim nuk është transmetuar nga askush, dhe ky lexim nuk pranohet në kurrfarë mënyre.
Në bazë të këtyre të dhënave dhe fakteve të paraqitura, vërtetohet se Kurani është i ruajtur e i transmetuar në mënyrën që s’mund të vihet në dyshim rreth tekstit të tij, është i garantuar nga Allahu xh.sh., siç thotë në Kuran: “Ne me të vërtetë e zbritëm Dhikrin (Kuranin )dhe Ne do ta ruajmë atë”, kështu erdhi tek ne dhe kështu do të ruhet. Sa kohë që Urdhri i Zotit nuk ndryshon kurrsesi!!!!!!.
Literatura:
1. “En-neshr fi kiraatil ashere'' Ibni el Xhezeri
2. “Et-tejsir fi kiraati eS-sebea” Ebu Amer e-ddani
3. “Ithaf fudalai el besher bil kiraati el erbeati el ashere” Ahmed bin Muhamed el bena
4. “Kavaidu et-texhvid” Abdul Aziz ablul Fetah el-kariu
5. “Haku Et-tilaveti” Husni shejh Uthman
Dr. hfz. Safet Hoxha