Dashuria ndaj vatanit është pjesë e imanit!


Në literaturën islame citohen mendime dhe fjalë të mëdha për dashurinë ndaj atdheut dhe mëmëdheut. U kënduan ode madhështore për lavdinë e atdheut dhe patriotizmin pozitiv që shërbejnë si një shembull dhe frymëzim i përhershëm për të gjithë myslimanët pa marrë parasysh se cilin vend e quajnë atdheun e tyre.
Poezitë arabe janë plot me vargje për dashurinë ndaj atdheut. Kështu një poet këndon: “Atdheu im është i çmuar për mua, edhe po të më bënte dhunë; edhe sikur të isha i uritur dhe i pa tesha në të”. Një tjetër poet shkruan bukur: “Mos shkoni nga atdheu në një vend të huaj; kujtoji hallet e një të huaji! A nuk e shihni se edhe dega e gjelbër thahet kur largohet nga pema e saj?”
Prandaj sot mund të themi se, pavarësisht të gjitha sprovave, se ne kemi një perspektivë të ndritur, sepse kemi shtetin tonë, pasaportën tonë dhe simbolet tona; kemi ushtrinë, policinë dhe sistemin tonë arsimor. Ne kemi lirinë për të jetuar besimin tonë në vendin tonë. Është një vlerë që duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë me çdo kusht.
Ky nuk është shteti më i mirë në botë. Por as më i keq. Ai na ngjan më shumë neve dhe është shprehje e shumë rrethanave historike dhe gjeopolitike. Sa shumë armiq ka rreth nesh, dhe sa dobësi tek ne, është mirë që u krijua dhe mbijetoi fare.
Duke folur për shtetin, për atdheun, le të kujtojmë edhe hadithin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në të cilin ka thënë: “Dashuria për atdheun është prej besimit – prej besimit”. Pra, një nga shenjat e imanit tonë është se sa e duam atdheun tonë. Dashurinë për atdheun tonë do ta tregojmë duke qenë të vetëdijshëm për atë atdhe në të cilin do të kthehet çdo njeri, pavarësisht prejardhjes, ngjyrës së lëkurës dhe vendit të lindjes.
Kur e kishin dëbuar Muhamedin a.s., nga Meka, ai u drejtua drejt saj dhe tha: “Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër.” (Tirmidhiu). Fatkeqësisht, shumë prej nesh u desh të largoheshin nga lagjet, fshatrat dhe qytetet tona të dashura gjatë agresionit. Për keqardhje edhe më të madhe është se shumë nga vëllezërit dhe motrat tona janë ende të shpërndarë nëpër botën e bardhë dhe çdo ditë largohen nga shteti i Kosovës, për të cilin baballarët dhe gjyshërit e tyre e kanë paguar me gjakun e tyre për lirinë që gëzojmë. Kurrë nuk duhet harruar historinë dhe të kaluarën, sepse një filozof francez thotë: “Historia që harrohet, mund të përsëritet”.
Kjo është një mundësi për të ftuar të gjithë ata që mund dhe duhet të bëjnë më shumë për ta bërë vendin tonë më funksional dhe më të mirë për të jetuar, të bëjnë maksimumin për të përmbushur amanetin që kanë marrë përsipër.
Se sa e donte Muhamedi a.s., atdheun e tij tregon më së miri edhe transmetimi në të cilin Enesi r.a., thotë: “Kur i Dërguari i Allahut a.s., kthehej nga rruga dhe i shihte rrugët malore të Medinës, e shpejtonte devenë e tij (apo kafshën tjetër mbi të cilën ishte i hipur) nga dashuria për Medinën.” (Buhariu)
Se sa e donte Medinën tregon edhe ky rast i rrëfyer nga Enesi r.a., se derisa Muhamedi a.s., po kthehej nga Hajberi dhe e pa Medinën, shikoi kah kodra Uhud dhe tha: „Kjo është një kodër që na do neve dhe ne e duam atë.“ (Muttefekun alejhi)
T'i përkasësh atdheut do të thotë të punosh vërtet për të mirën e tij, sepse nuk ka të mirë në patriotizëm që vetëm madhështon me fjalë origjinën, vendin, qytetin, lagjen apo rrugën në të cilën jeton njeriu. Përkatësia e vërtetë dhe patriotizmi ndaj atdheut kërkon përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të secilit individ në sferën e tij të veprimtarisë.
Përkatësia ndaj atdheut kërkon respekt dhe ruajtje të kujdesshme të rendit dhe kulturës së tij. Lufta për atdheun zhvillohet në shumë fusha: fetare, arsimore, kulturore, ekonomike, politike dhe çdo formë tjetër e luftës në rrugën e së mirës.
Mbrojtja e mëmëdheut
Shumë hadithe flasin për luftëtarë të rënë për mbrojtjen e atdheut dhe theksohet se i pret shpërblim i madh nga Zoti xh.sh., Xheneti, sepse ata janë dëshmorë (shehidë). Kështu thuhet në hadithe: “Kush vdes në mbrojtje të pasurisë së tij është shehid; kush vdes duke mbrojtur jetën e tij është shehid. Po ashtu thuhet: "Kush vdes duke mbrojtur familjen e tij është shehid. Kush vdes duke ruajtur kufirin ka vdekur si shehid. Kush vdes duke luftuar çdo dhunë dhe padrejtësi është shehid.” (Ali el-Muttaki el-Hindi, Kenzul-ummal, vëll. II, 1312/1894, Hyderabad, f. 282-284)
Në Librin e Tij të Urtë, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat” (El-Ma'ide, 105).
Qëndrimi në front me qëllim të mbrojtjes së vatanit
I Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Secilit, kur të vdesë, veprat e tij vulosen, përveç atij që qëndroi në vijën e kufirin (atdheut). Veprat e tij rriten çdo ditë deri në Ditën e Gjykimit. Përveç kësaj, ai do të kursehet nga pyetjet në varr (nga Munkiri dhe Nekiri).” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Hadithi vijues është: “Zjarrit i është ndaluar (djegia) e syrit i cili ka qëndruar si roje në rrugën e Allahut.” (Taberaniu dhe Hakimi)
Luftëtarët për atdheun e përjetshëm, me siguri, nuk do të mbeten pa rezultatet e luftës së tyre. Thotë Allahu i Lartësuar: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve” (El-Ankebut, 69).
Në një rast, i Dërguari i Allahut a.s., i urdhëroi Enes ibën Ebu Mersedit që të qëndron si roje rreth kampit të ushtarëve brenda natës, kështu që kur agoi në mëngjes dhe erdhi tek ai, e pyeti: "A e ke lëshuar vendin e vetë mbrëmë?" Në këto fjalë të tij Enesi r.a., iu përgjigj: "Jo, vetëm kur jam falur dhe kur kam kryer nevojën”- kështu i Dërguari i Allahut a.s., i tha: "E ke pranuar detyrën dhe nuk ke pasur nevojë që të bësh asgjë tjetër.” (Nesa'iu dhe Ebu Davudi)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi