Zoti i Madhërishëm përzgjodhi njerëz të ndryshëm, në kohë dhe vende të ndryshme, që të jenë kumtues të mesazheve të Tij hyjnore dhe udhëzues në rrugën e vërtetë, e cila do t’i siguronte njerëzimit mirëqenie dhe drejtësi në këtë botë, si dhe shpëtim dhe shpërblim në botën tjetër, nëse do të pasohej ajo me përpikëri. Por, njëkohësisht ata ishin edhe paralajmërues për konsekuencat me të cilat do të ballafaqoheshin popujt nëse refuzonin dhe përgënjeshtronin. Këtë fakt e konfirmon fjala e Zotit në Kuranin famëlartë: “... Çdo popull pati udhëzues.” (Er Rad, 7); “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?” (El Nahl, 36).
Në terminologji këta njerëz të përzgjedhur njihen si: pejgamberë, profetë, të dërguar, etj.
Edhe pse pejgamberët ishin të ndarë nga njëri-tjetri në vija kohore dhe vendore, misioni, thirrja dhe udhëzimi i tyre ishte i njësuar: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!”
Në lidhje me këtë, Muhamedi a.s. thoshte: “Profetët janë vëllezër, nënat i kanë të ndryshme, por fenë e kanë një, të vetme.”(1)
Të dërguarit e Zotit (paqja qoftë mbi ta) nuk i unifikonte vetëm shpallja hyjnore, por gjithsesi edhe vlerat morale, të cilat ishin petku dhe stolia e tyre dhe me të cilat dalloheshin në mesin në të cilin jetonin. Kjo ishte një lehtësim i madh për ta në fushën e thirrjes dhe predikimit, pasi që edhe vetë armiqtë e tyre, thellë në zemrat e tyre i admironin virtytet e tyre, edhe pse e mohonin thirrjen e tyre dhe i luftonin ata, kështu që kjo e bënte edhe më të vështirë propagandën e tyre përgënjeshtruese kundrejt tyre, sa që detyroheshin të kapeshin për gjëra të cilat logjika e shëndosh nuk mund t’i pranojë.
Me këtë përgënjeshtrim u ballafaqua edhe i Dërguari ynë, Muhamedi a.s. gjë që e dëshpëronte dhe mërziste shumë, pasi që gëzonte respekt në mesin e popullit të tij dhe njihej si një ndër njerëzit më të sinqertë dhe më besnik ndër ta. Për këtë Zoti e ngushëllonte, i jepte zemër dhe ia zbulonte arsyen e kryeneçësisë së tyre, duke i thënë: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata, por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut. Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë...” (El Enam, 33-34).
Një ditë, përderisa Pejgamberi a.s. po ecte, e takoi Ebu Xhehlin, ia zgjati dorën dhe e përshëndeti atë dhe vazhdoi rrugën e tij. Njëri nga jobesimtarët i cili tërë kohën i vështronte iu afrua Ebu Xhehlit dhe i tha: “Të pashë që ia zgjate dorën atij heretiku (Muhamedit a.s.), si mund ta bëje një gjë të tillë?” Ebu Xhehli ia ktheu: “Pasha Zotin, unë e di se ai është profet, por që kur qenkemi bërë ne (fisi ynë) pasues të bijve të Abdul Menafit (e kishte për qëllim fisin e Muhamedit a.s.)?!”(2) E gjithë kjo tregon për përpjekjet e tyre që thirrjen profetike ta largojnë nga epiqendra e saj dhe ta zhvendosin në fusha klanore e fisnore, me shpresë se do të fitojnë në to.
Përhapja e Islamit dhe rritja e përditshme e numrit të myslimanëve, e shtonte kureshtjen e fiseve dhe popujve përreth që ta njihnin më për së afërmi këtë njeri, i cili pretendonte se i vinte shpallja hyjnore, duke e vrojtuar dhe studiuar çdo lëvizje të tij dhe shpeshherë edhe duke i testuar informacionet e tij dhe duke i vlerësuar udhëzimet e tij, gjë që i dërgonte ata para dy zgjedhjeve jetike, ose ta pasojnë atë me gjithë zemër dhe të bëhen myslimanë, ose të mbesin në bindjet e tyre dhe t’i shpallin luftë të pashpjegueshme Muhamedit a.s..
Ky fakt ilustrohet më së miri përmes këtyre dy shembujve:
Abdullah b. Selam r.a., i cili ishte njëri ndër dijetarët hebre më të mëdhenj në Medine, ka thënë: “Porsa mbërriti Muhamedi a.s. në Medine, njerëzit nxituan dhe u tubuan rreth tij, edhe unë isha në mesin e turmës që dëshiroja ta shihja atë. Fillova ta sodis fytyrën e tij dhe t’i konfirmoj tiparet e tij, aty menjëherë e kuptova se fytyra e tij nuk ishte një fytyrë gënjeshtari. Dhe të parën që dëgjova nga fjalët e tij ishte: “O ju njerëz, përhapeni selamin (përshëndeteni njëri-tjetrin), ushqeni të tjerët, mbani lidhjet farefisnore, faluni natën përderisa të tjerët flenë, do të hyni në Parajsë me selam (duke qenë të sigurt dhe të shpëtuar).”(3)
Safija r.a., e cila ishte e bija e njërit nga prijësit e hebrenjve në Medine, ka thënë: “Ardhja e Muhamedit a.s. në Medine, e preokupoi dhe brengosi jashtëzakonisht shumë babanë dhe xhaxhain tim, saqë mezi kishin pritur të errësohej dhe të shkonin ta vështronin Muhamedin a.s.. Nga preokupimi as që e hetuan se unë i ndiqja ata dy pas. Pasi qëndruan një kohë të gjatë duke e vështruar e dëgjuar, e pyeti xhaxhai im babanë tim: “A është ai (A është ai Pejgamberi, të cilin e gjejmë në librat tona?)” Babai im u përgjigj: “Po, pasha Allahun, ai është ai.” Xhaxhai vazhdoi: “A je i sigurt dhe i bindur në atë që thua?” “Po” -ia ktheu ai. “Po çfarë ke në mendje për të?” – e pyeti me kureshtje? “Armiqësi, pasha Zotin, sa të jemi gjallë” – tha babai im përplot mllef.”(4)
Nami i Muhamedit a.s. i kishte pushtuar edhe pallatet e perandorëve të asaj kohe. Disa prej tyre, siç ishte Nexhashiu, e pranuan thirrjen e tij dhe u bënë mysliman, e të tjerët tregonin respekt dhe admirim të lartë për të, siç ishte Herakliu, i cili tha: “E dija se ishte koha e paraqitjes së tij, por nuk e dija se do të ishte nga ju. Sikur ta dija se do të arrija deri tek ai, do të bëja çmos që ta takoja atë, dhe sikur të isha pranë tij, do t’ia laja edhe këmbët e tij.”(5) Por kishte edhe nga ata që, të joshur nga pushteti i tyre i shpallnin luftë dhe armiqësi të drejtpërdrejtë thirrjes profetike, siç ishte perandori persian. Personaliteti dhe figura e Muhamedit a.s. zgjoi interesin e vazhdueshëm të studiuesve të lëmenjve të ndryshme brez pas brezi gjerë në ditët tona.
Michael Hart, astrofizikant i njohur amerikan, autor i librit “Radhitja e 100 personave më me influencë në histori” pasi që e vendos Muhamedin a.s. të parin në listë shkruan: “Përzgjedhja ime që Muhamedi ta kryesoi listën e personave më me influencë në botë ndoshta do t’i surprizoi disa lexues, e të tjerët ndoshta do ta vënë në pikëpyetje, por ai ishte i vetmi njeri në histori, i cili korri sukses superior në nivelin fetar dhe atë sekular. Ai e themeloi dhe e përhapi një ndër fetë më të mëdha në botë dhe u bë një ndër liderët politik më të jashtëzakonshëm. Sot, trembëdhjetë shekuj pas vdekjes së tij, ende vazhdon influenca dhe ndikimi i tij të përhapet fuqishëm.”(6)
Kurse orientalisti i njohur britanik, Tomas Arnold, në librin e tij “Thirrja në Islam” rreth virtyteve të Muhamedit a.s. thotë: “Mirësjelljen brilante të Muhamedit, të cilën e përjetonin delegacionet e fiseve të ndryshme dhe kujdesin e tij të jashtëzakonshëm për ankesat dhe nevojat e tyre, urtësinë e tij me të cilën i pajtonte dhe bashkonte në mes tyre, dhe politikën të cilën e ndiqte në ndarjen e tokave dhe pasurisë, e gjithë kjo bëri që emri i tij të bëhet i zakonshëm në zemrat e tyre, e fama e tij të përhapet në gjitha anët e gadishullit arabik, zotëri madhështor dhe burrë fisnik.”(7)
I impresionuar nga bukuria e Islamit, profesori universitar zviceran, Marsel Boisard në librin e tij “Humanizmi i Islamit” shkruan: “Muhamedi a.s. ishte profet e jo reformator i thjeshtë. Mesazhi i tij hyjnor shkaktoi një ndryshim rrënjësorë në shoqërinë arabe të asaj kohe, gjurmët e të cilit personifikohen edhe sot në shoqërinë moderne islame.”(8) Dhe vazhdon: “Padyshim se Muhamedi llogaritet, ashtu edhe ishte në realitet, revolucionar me përmasa të cilat do të duhej të ishte çdo profet, në përpjekjet e tij për ta ndryshuar rrethin dhe shoqërinë në të cilën jetonte.”(9) “Më e bukura e gjithë kësaj është se Islami për nga thelbi i tij, dhe për nga logjika e sistemit të tij, që nga paraqitja e tij ishte fe e barazisë përmes botëkuptimit të cilin e paraqiti rreth Zotit, universit dhe njeriut.”(10)
Ndërsa orientalisti francez, Henri de Castries, në librin e tij “Islami mendime dhe mundësi” pasi i cek të pavërtetat dhe shpifjet që iu ishin mvesh figurës së Muhamedit a.s. në mesjetë, ai mundohet të hedh dritë mbi personalitetin e Muhamedit a.s. duke thënë: “Ne nuk mund t’ia mohojmë Muhamedit, në periudhën e parë të jetës së tij, besimin e tij të plotë, sinqeritetin e tij dhe besnikërinë e tij. Kurse në periudhën e dytë (në Medine), asnjëherë nuk iu lëkundën as edhe një grimcë bindjet e tij në zemrën e tij. Ngadhënjimet e fitoret e tij vetëm se ia forconin bindjet e tij, bindje e cila kishte arritur pikën më të lartë të besimit... ai asnjëherë nuk joshej nga bukuritë e kësaj bote, e as nuk ishte lakmitar apo koprrac. Pikërisht ishte siç u përshkrua: “I milte vet delet e tij, ulej mbi dhe, i qepte rrobat e tij, i rregullonte nallanet e tij dhe i veshte rrobat e harrnuara”... i zhveshur nga lakmia, arriti ta zë pozitën më të lartë në tokat arabe, por kjo nuk e bëri totalitar, nuk kishte roje, e as ministra. Arriti të fitoi pasuri e famë, e pushtetin e tij ta zgjeroi në të gjitha skajet, megjithëkëtë nuk kishte shenja të pushtetit e pasurisë, përveç një unaze të argjendit mbi të cilën shkruhej “Muhamed Resulu Allah”.(11)
Jeta e Muhamedit a.s. vazhdon të studiohet nëpër universitetet më të famshme të botës, e në shumë prej tyre janë hapur edhe katedra të veçanta për studimin e Islamit në tërësi dhe personalitetin e Muhamedit a.s. në veçanti, ngase në çdo hap të jetës së tij fshihen urtësi. E njeriut do t’i mjaftonte si dëshmi për Muhamedit a.s. fjala e Krijuesit të gjithësisë: “Vërtet, ti (o Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit!” (El Kalem, 4).
___________________________
1. Muhamed Ismail el Buhari, Sahih el Buhari (3, Damask, Dar Ibën Kethir, 1993), 1270.
2. Abdurrahman b. Muhamed ebu Hatim, Tefsir el Kuran el Adhim, (4, Arabi Saudite, Biblioteka Nezar Mustafa el Baz, 1998), 1283.
3. Muhamed b. Jezid, Sunen ibën Maxheh, (4, Dar Er-Risale el Alemije, 2009), 397.
4. Abdulmelik b. Hisham, Siretu ibni Hisham, (2, Kairo, Et Tibaa el Fenije el Mutehide, 2010), 119.
5. El Buhari, Sahih el Buhari, (1), 7.
6. Michael Hart, The 100 a ranking of the most influential persons in history, (Nju Jork, 1993), 40.
7. Thomas Arnold, Ed Dawa ile el Islam, (Kairo, Mektebetu En Nahda Al Misrije, 1991), 54.
8. Marcel Boisard, Insanijetul Islam, (Bejrut, Dar Al Adab, 1980) 61.
9. Boisard, Insanijetul Islam, 66.
10. Boisard, Insanijetul Islam, 66.
11. Henri de Castries, El Islam Havatir ve Sevanih (Giza, Mektebetu en Nafidha, 2008) 52-53.