Myslimani duhet t’i kushtojë tërë jetën adhurimit të Allahut, sepse Ai thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë e vërteta (vdekja)!”(1) Për këtë disa nga selefët thanë: “Puna e myslimanit nuk ka kufi deri në vdekje”. Prandaj, duhet t’u kushtojë rëndësi vakteve të caktuara për ibadete, të cilat Allahu i ka dalluar dhe për të cilat shumëfishon shpërblimin. Një prej tyre është edhe Muaji i Bekuar i Ramazanit, në të cilin ka zbritur Kurani, udhëzues për njerëzit.
Është një muaj i madh, i bereqetshëm e fisnik. Është një mysafir i nderuar, prandaj edhe duhet ta presim ashtu si e meriton. Ta presim me plot gëzim duke E falënderuar Allahun që na e mundësoi ta presim dhe të shijojmë kënaqësinë e tij, ta lusim të na ndihmojë në dituri e vepra të mira dhe të na i pranojë ato. Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) e luste Allahun që t’ia mundësonte të arrinte Ramazanin duke thënë në muajin Rexheb: “O Zot na begato në Rexheb e Shaban dhe na e mundëso ta arrijmë Ramazanin!”(2)
Të njëjtën gjë vepronin edhe selefët (ashabët dhe pasuesit e tyre). Sulejmani r.a. thotë: Na fliste Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) në fund të Shabanit, duke thënë: “O njerëz! Ju është afruar një muaj i madh, i begatshëm. Një muaj në të cilin është Nata e Kadrit, që është më e vlefshme se një mijë muaj. Agjërimin e ditëve të tij (Zoti) e bëri farz, faljen gjatë netve të tij e bëri vullnetar. Kush punon në të një të mirë, ka shpërblimin sikur të ketë kryer një farz jashtë Ramazanit. E kush punon një farz në të, ka shpërblimin sikur t’i ketë kryer 70 farze jashtë tij. Është muaj i durimit, e shpërblimi i durimit është xheneti. Është muaj i shpëtimit dhe ngushëllimit, muaj në të cilin shtohet rrësku. Kush i jep iftar një agjëruesi, do të jetë falje mëkatesh për të dhe shpëtim nga zjarri. Do ta ketë shpërblimin sa edhe vetë agjëruesi pa iu pakësuar shpërblimi i tij (agjëruesit). Thanë: O i Dërguar i Allahut, po nuk ka mundësi çdonjëri prej nesh të japë iftar për agjëruesin! Ai tha: Allahu e jep këtë shpërblim edhe nëse i jep agjëruesit të bëjë iftar qoftë edhe një pikë qumësht, një kokërr hurme apo ujë. Kush i jep të pijë agjëruesit, atij do t’ia mundësojë Allahu të pijë nga Havdi im, pas së cilës pirje nuk do të ketë etje derisa të hyjë në xhenet. Kush ia lehtëson (mundin) (e liron) robit (shërbëtorit, punëtorit) të tij në të (Ramazan), Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpëtojë nga zjarri i xhehenemit derisa të futet në xhenet. Është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri. Punoni sa më shumë gjatë këtij muaji, katër gjëra: Dy gjëra janë me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, ndërsa dy të tjera janë për të cilat ju keni shumë nevojë. Dy të parat janë: Shehadeti (La ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah) dhe istigfari (kërkimi i faljes), ndërsa dy të tjerat janë: Të kërkoni xhenetin e Allahut dhe të kërkoni mbrojtjen e Allahut nga zjarri.”(3)
Sipas këtij hadithi kuptojmë se ky muaj ka shumë të mira dhe na nxit të bëjmë sa më shumë ibadete: namaze, bamirësi, agjërim, lexim Kurani, vizita, dhënie ushqimi, durim në ibadete, gjallërimi i ditës me agjërim ndërsa i natës me namaz, dua, lutje etj.. Ta kërkojmë Natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Andaj myslimani nuk bën ta kalojë kot këtë kohë dhe t’i ikë ky rast kaq i mirë. Por, duhet të shpejtojë me pendim dhe t’i përmbahet këtij Dini, veçanërisht në Ramazan. Ngase në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, prangosen shejtanët, zbresin të mirat e shumta nga Allahu. Pra, Ramazani është një muaj që Vetë Allahu e ka madhëruar, prandaj madhërojeni edhe ju, është një mysafir i respektuar e fisnik, prandaj nderojeni!
Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) angazhohej shumë gjatë këtij muaji duke lënë anash punët e tjera dhe duke iu përkushtuar ibadetit ndaj Zotit të vet. Edhe selefët vepruan një praktikë të tillë, Zuhriu thotë: Kur vinte Ramazani, i tëri ishte lexim Kurani dhe dhënie ushqimi. Ata pëlqenin ndenjjen në xhami dhe thoshin: Po e ruajmë agjërimin tonë dhe nuk bëjmë gibet (shpifje e përgojim). Kujdeseshin për namazin e teravive dhe nuk largoheshin derisa të përfundonte imami. Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) ka thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit me plot besim dhe shpreson shpërblimin nga Allahu, do t’i falen mëkatet e mëhershme.”(4) si dhe thotë: “Kush falet me imamin derisa ai të përfundojë, do të shpërblehet sikur të jetë falur tërë natën.”(5)
Agjërimi i Ramazanit është prej veprave më të dobishme dhe më me vlerë, është njëri prej pesë kushteve themelore të Islamit. Prej dobive të tij është arritja e devotshmërisë, sikur thotë edhe Allahu: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikur që ishte obligim edhe i atyre para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(6)
Agjërimi i jep njeriut shumë të mira në dynja dhe në Ahiret, Allahu thotë: “Po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.”(7) E mëson njeriun të bëjë sabër, ngase përballet me braktisjen e ushqimit dhe kënaqësive me plot vullnet e dëshirë. I ndihmon të sundojë veten e tij dhe nuk e lejon të bjerë pre e epsheve dhe intrigave të ulëta. Ia ngushton dhe vështirëson qarkullimin e shejtanit nëpër trupin e njeriut, ngase, siç e dimë, ai qarkullon nëpër trup sikur gjaku nëpër vena, dhe kështu ia vështirëson dhe pengon veprimin e shejtanit.
Ia përmend agjëruesit që t’i kujtojë mirësitë e Allahut, sepse, kur përjeton etjen dhe urinë, atëherë ua di vlerën begative të Zotit të vet dhe E falënderon për to. Njerëzve ua kujton që duhet të kujdesen për gjendjen e fukarenjve dhe të nevojtarëve. I mëson të jenë të thjeshtë e modestë dhe jokryelartë e mendjemëdhenj, i bën unik e të bashkuar, ngase agjërojnë dhe bëjnë iftar në të njëjtën kohë. Ua ruan shëndetin, ua lehtëson aktivitetin, dhe shumë e shumë dobi të tjera.
Agjërimi po ashtu ka edhe rregulla, të cilave duhet t’u përmbahet agjëruesi. Pikësëpari këtë ta bëjë vetëm për kënaqësinë e Allahut, në pajtim me rregullat e Islamit. Nuk mjafton të braktisë vetëm ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet seksuale - prej agimit deri në mbrëmje, por duhet të agjërojë duke u larguar edhe nga mëkatet, gënjeshtra, fjalët e këqija e banale, mashtrimet e betimet e rrejshme, sjelljet brutale e të pahijshme etj..
Po ashtu, edhe pse agjëron, nuk duhet ta teprojë me ngrënie (gjatë natës), sepse mund t’i sjellë dëm organizmit të tij. Ngrënia e tepërt dëmton dhe të bën përtac. Duhet të ngutet për iftarin dhe të vonojë syfyrin, në mënyrë që menjëherë pas syfyrit të pritet edhe koha e namazit të sabahut si dhe të mos fillohet me agjërim para kohe.
T’u kushtohet kujdes të gjitha llojeve të ibadetit gjatë tërë ditëve të Ramazanit, veçanërisht dhjetë ditëve të fundit, ngase Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) angazhohej në dhjetë ditët e fundit si asnjëherë më parë në ditët e tjera. Që në këto dhjetë ditë të fundit, përveçqë gjendet Nata e Kadrit, është edhe një ibadet tjetër madhështor që praktikonte Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) – I’tikafi (qëndrimi dhe mbyllja në xhami për dhjetë ditë rresht).
Prandaj, vëllezër e motra, ta respektojmë në maksimum këtë muaj të bekuar duke E kënaqur Allahun me ibadetet tona, dhe të kënaqemi ne me mirësitë dhe shpërblimet e Allahut. Le të hetohet atmosfera e Ramazanit në shpirtrat tanë, shtëpitë tona, nëpër familje, ndër shokë, miq e dashamirës, në shkollë, në punë, në treg, në rrugë e çdokund.
Në fund, E lusim Allahun të na i pranojë veprat tona të mira dhe të na bashkojë me Pejgamberin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) në Xhenet! Amin!


_______________________
Fusnotat:
1. Hixhr, 99.
2. Shënon Taberaniu.
3. Shënon Ibën Huzejme dhe Bejhekiu.
4. Shënon Buhariu dhe Muslimi.
5. Shënojnë autorët e Suneneve.
6. Bekare, 183.
7. Bekare, 184.



Dituria Islame / 216-217


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi