Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

 


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim.



Gjatë kësaj vizite në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, zv/kryediplomati nga Turqia, u njoh nga Myftiu Tërnava për aktivitetet fetare në Kosovë gjatë muajit Ramazan, me punën e Medresesë “Aluaddin”, Fakultetin e Studimeve Islame, Institutet e Hivzit, si dhe aktivitetet e mësim-besimit.


Gjithashtu, Myftiu Tërnava e njohu edhe me punimet në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, si dhe me xhamitë që janë duke u restauruar në bashkëpunim me Dijanetin e Turqisë.


Në veçanti gjatë këtij takimi, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe fushat në të cilat mund të shtojnë bashkëpunimin.

Myftiu Tërnava kërkoi nga zv/kryediplomati i Turqisë që të japë maksimumin në mbështetjen e Kosovës në të gjitha sferat e jetës dhe në veçanti ato politike.


Nga ana tjetër, zv/ministri i Jashtëm i Turqisë, Yasin Ekrem Serim, u shpreh i kënaqur që gjendet në Kosovë, ku në këtë rast i uroi Myftiut Tërnava për mandatin e ri në krye të Bashkësisë Islame.


Ai u shpreh i gatshëm që bashkëpunimin të thellojnë edhe më shumë mes Kosovës dhe Turqisë, teksa veçoi bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e humanitetit, restaurimit të xhamive, si dhe dërgimin e 11 imamëve për muajin Ramazan.


Gjatë qëndrimit të zv/ministrit të Jashtëm të Turqisë në Kosovë, ai vizitoi disa prej xhamive të restauruara rishtazi.


 



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

500 vjet xhami, 500 pajtime gjaku - Sadri Zeka hoxha i pajtimit, flamurit dhe kufirit